A A A A A

Bibla në një vit


Maj 7


1 Samueli 16:1-23
1. Zoti i tha Samuelit: "Deri kur do të mbash zi për Saulin, kurse unë e kam hedhur poshtë që mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe me vaj bririn tënd dhe nisu; po të dërgoj tek Isai, Betlemiti, sepse kam zgjedhur një mbret midis bijve të tij".
2. Samueli u përgjigj: "Si mund të shkoj? Sauli ka për ta mësuar dhe do të më vrasë". Zoti tha: "Do të marësh me vete një mëshqerre dhe do të thuash: "Kam ardhur për t'i ofruar një flijim Zotit".
3. Do të ftosh Isain në ceremoninë e flijimit, unë do të të tregoj atë që duhet të bësh, dhe ti ke për të vajosur atë që do të të them unë".
4. Kështu Samueli bëri atë që i kishte thënë Zoti dhe shkoi në Betlem; pleqtë e qytetit i dolën përpara duke u dridhur dhe i thanë: "Po na vjen në mënyrë paqësore?".
5. Ai u përgjegj "Vij në mënyrë paqësore; kam ardhur për t'i ofruar një flijim Zotit; pastrohuni dhe ejani me mua në flijim". Vuri të pastrohen edhe Isain dhe bijtë e tij dhe i ftoi në flijim.
6. Kur ata arritën, ai ia vuri syrin Eliabit dhe tha: "Me siguri i vajosuri i Zotit është para tij".
7. Por Zoti i tha Samuelit: "Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën".
8. Atëherë Isai thirri Abinadabin dhe e bëri të kalojë përpara Samuelit; por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë".
9. Pastaj Isai bëri të kalojë Shamahu, por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë".
10. Kështu Isai bëri të kalojnë shtatë nga bijtë e tij përpara Samuelit; por Samueli i tha Isait: "Zoti nuk zgjodhi asnjë prej tyre".
11. Pastaj Samueli i tha Isait: "A janë këtu tërë bijtë e tu?". Ai u përgjigj: "Mungon më i riu që tani është duke kullotur delet". Samueli i tha Isait: "Dërgo ta sjellin, sepse nuk do të shtrohemi në tryezë para se ai të vijë këtu".
12. Atëherë ai dërgoi njerëz ta marrin. Davidi ishte kuqalash, me sy të bukur dhe pamje të hijshme. Dhe Zoti tha: "Ngrihu, vajose se ai është".
13. Atëherë Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve të tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi. Pastaj Samueli u ngrit dhe shkoi në Ramah.
14. Fryma e Zotit ishte larguar nga Sauli dhe një frym i keq e terrorizonte nga ana e Zotit.
15. Shërbëtorët e Saulit i thanë "Ja, një frym i keq të shqetëson nga ana e Perëndisë.
16. Zoti ynë të urdhërojë, pra, që shërbëtorët e tu që rrinë përpara teje të gjejnë një njeri që i bie mirë harpës; kur pastaj fryma e keq nga ana e Perëndisë do të të zotërojë, ai do t'i bjerë harpës dhe ti do ta ndjesh veten mirë".
17. Sauli u tha shërbëtorëve të tij: "Më gjeni një njeri që i bie mirë dhe ma sillni".
18. Atëherë një nga shërbëtorët filloi të thotë: Ja, unë pashë një nga bijtë e Isait, Betlemitit, që i bie mirë dhe që është një njeri i fortë dhe trim, i shkathët në luftim, gojëtar i hijshëm; dhe Zoti është me të".
19. Sauli, pra, i dërgoi lajmëtarë Isait për t'i thënë: "Më dërgo birin tënd Davidin, që është me kopenë".
20. Atëherë Isai mori një gomar të ngarkuar me bukë, një calik me verë, një kec dhe ia dërgoi Saulit me anë të Davidit, birit të tij.
21. Davidi arriti te Sauli dhe hyri në shërbim të tij; Saulit i hyri në zemër dhe e bëri shqyrtar të tij.
22. Sauli dërgoi pastaj t'i thonë Isait: "Të lutem, lëre Davidin në shërbimin tim, sepse ai gëzon hirin tim".
23. Kur fryma e keq nga ana e Perëndisë sundonte mbi Saulin, Davidi merrte harpën dhe i binte; atëherë Sauli e ndjente veten të qetësuar dhe më mirë dhe fryma e keqe largohej prej tij.

1 Samueli 17:1-58
1. Filistejtë i mblodhën trupat e tyre për luftë; u mblodhën në Sokoh, që është pronë e Judës, dhe e ngritën kampin e tyre në Efes-Damim midis Sokohut dhe Azekahut.
2. Edhe Sauli dhe njerëzit e Izraelit u mblodhën dhe e ngritën kampin e tyre në luginën e Terebintos, dhe u rreshtuan për betejë kundër Filistejve.
3. Filistejtë ndodheshin në mal nga një anë dhe Izraeli ishte në mal nga ana tjetër, dhe midis tyre ndodhej lugina.
4. Nga kampi i Filistejve doli një kampion i quajtur Goliath, nga Gathi, i lartë gjashtë kubitë dhe një pëllëmbë.
5. Kishte në kokë një helmetë prej bronzi, ishte veshur me një parzmore, pesha e të cilit ishte pesë mijë sikla bronzi;
6. në këmbë kishte këmbore prej bronzi dhe mbi sup mbante një ushtë prej hekuri.
7. Maja e ushtës së tij ishte si shuli i një endësi dhe peshonte gjashtë qind sikla argjendi: para tij ecte shqytari i tij.
8. Ai u ndal dhe u thirri grupeve të ushtarëve të Izraelit: "Pse keni dalë për t'u radhitur në formacion beteje? A nuk jam unë një Filiste dhe ju shërbëtorë të Saulit? Zgjidhni një burrë që të dalë kundër meje.
9. Në rast se do të jetë në gjendje të luftojë me mua dhe të më vrasë, ne do të jemi shërbëtorët tuaj; por në rast se dal unë fitues dhe e vras, atëherë ju do të jeni shërbëtorët tanë dhe do të na shërbeni".
10. Pastaj Filisteu shtoi: "Unë sot po sfidoj trupat e Izraelit: "Më jepni një burrë dhe do të luftojmë!".
11. Kur Sauli dhe tërë Izraeli dëgjuan këto fjalë të Filisteut, mbetën të shtangur dhe u hyri një frikë e madhe.
12. Davidi ishte biri i atij Efrateut të Betlemit të Judës, që mbante emrin Isai dhe kishte tetë bij. Në kohën e Saulit, ky njeri ishte i plakur dhe i shtyrë në moshë.
13. Tre bijtë më të mëdhenj të Isait kishin shkuar në luftë me Saulin: emrat e tre bijve të tij që kishin shkuar në luftë ishin: Eliabi, i parëlinduri, Abinadabi i dyti dhe Shamahu i treti.
14. Davidi ishte më i riu dhe tre më të mëdhenjtë kishin shkuar pas Saulit.
15. Davidi përkundrazi shkonte dhe vinte nga Sauli për të kullotur kopenë e atit të tij në Betlem.
16. Filisteu u dilte përpara në mëngjes dhe në mbrëmje, dhe vazhdoi të dalë dyzet ditë me radhë.
17. Isai i tha Davidit, birit të tij: "Merr për vëllezërit e tu një efë nga ky grurë i pjekur dhe dhjetë bukë dhe çoji shpejt vëllezërve të tu në kamp.
18. Dërgo edhe këto dhjetë forma djathi komandantit të mijëshes së tyre; shiko si janë vëllezërit e tu dhe më sill një peng nga ana e tyre.
19. Sauli me gjithë vëllezërit e tu dhe gjithë burrat e Izraelit janë në luginën e Terebintit për të luftuar Filistejtë".
20. Kështu Davidi u ngrit herët në mëngjes, ia la delet e tij një rojtari, mori ngarkesën e tij dhe u nis ashtu siç e kishte urdhëruar Isai. Arriti në kampin e qerreve, kur ushtria po dilte për t'u radhitur në formacion beteje dhe lëshonte britma lufte.
21. Izraelitët dhe Filistejtë ishin radhitur për betejë, një ushtri kundër tjetrës.
22. Davidi, pasi la ngarkesën e tij në duart e rojtarit të bagazheve, vrapoi në drejtim të grupimeve të betejës; me të arritur në vend, pyeti vëllezërit e tij si ishin.
23. Ndërsa po fliste me ata, ja ku doli nga radhët e Filistejve ai kampion, Filisteu i Gathit, që mbante emrin Goliath dhe përsëriti po ato fjalë; dhe Davidi i dëgjoi.
24. Tërë njerëzit e Izraelit, me ta parë atë njeri, ikën para tij dhe u hyri një frikë e madhe.
25. Njerëzit e Izraelit thonin: "E keni parë këtë njeri që shkon përpara? Ai shkon përpara për të vënë në provë sedrën e Izraelit. Ai që do ta vrasë, kushdo qoftë, do të shpërblehet me pasuri të mëdha nga mbreti, ky do t'i japë për grua të bijën dhe do të përjashtojë nga çdo haraç shtëpinë e atit të tij në Izrael".
26. Atëherë Davidi, duke iu drejtuar njerëzve që ishin pranë tij, tha: "Çfarë do t'i bëjnë atij burri që do të vrasë këtë Filiste dhe do ta largojë turpin nga Izraeli? Po kush është ky Filiste, i parrethprerë, që guxon të poshtërojë ushtrinë e Perëndisë të gjallë?".
27. Njerëzit iu përgjegjën me po ato fjalë, duke thënë: "Kështu do të bëhet me atë që do ta vrasë".
28. Eliabi, vëllai i tij më i madh, e dëgjoi ndërsa fliste me ata njerëz; kështu Eliabi u zemërua me Davidin dhe tha: "Pse erdhe këtu? Kujt ia le ato pak dele në shkretëtirë? Unë e njoh krenarinë tënde dhe ligësinë e zemrës sate, ke zbritur këtu për të parë betejën?".
29. Davidi u përgjegj: "Ç'kam bërë unë tani?. Nuk ishte veçse një pyetje e thjeshtë!".
30. Duke u larguar prej tij, iu drejtua një tjetri dhe i bëri po atë pyetje; dhe njerëzit i dhanë po atë përgjigje të mëparshme.
31. Sa dëgjuan fjalët që Davidi kishte thënë, ia treguan Saulit dhe ky dërgoi njerëz që ta thërresin.
32. Davidi i tha Saulit: "Asnjeri të mos ligështohet për shkak të tij! Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë Filiste".
33. Sauli i tha Davidit: "Ti nuk mund të shkosh të luftosh kundër këtij Filisteu, sepse ti je akoma djalosh, ndërsa ai është një luftëtar qysh në të ritë e tij".
34. Por Davidi iu përgjegj Saulit: "Shërbëtori yt kulloste kopenë e atit të tij; kur një luan ose një ari vinte për të rrëmbyer një dele nga kopeja,
35. unë e ndiqja, e godisja dhe ia rrëmbeja nga goja; në qoftë se ai kthehej kundër meje, unë e kapja nga krifa, e godisja dhe e vrisja.
36. Po, shërbëtori yt ka vrarë luanin dhe ariun; dhe ky Filiste i parrethprerë do të pësojë të njëjtin fat, sepse ka fyer ushtrinë e Perëndisë të gjallë".
37. Davidi shtoi: "Zoti që më shpëtoi nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më shpëtojë edhe nga dora e këtij Filisteu". Atëherë Sauli i tha Davidit: "Shko dhe Zoti qoftë me ty".
38. Pastaj Sauli e veshi Davidin me armaturën e tij, i vuri në kokë një përkrenare prej bronzi dhe i veshi parzmoren.
39. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën e Saulit mbi armaturën dhe u përpoq të ecë, sepse nuk ishte mësuar. Por Davidi i tha Saulit: "Unë nuk mund të eci me këtë armaturë, sepse nuk jam mësuar me të". Dhe kështu Davidi e hoqi nga trupi i tij.
40. Pastaj mori në dorë shkopin e tij, zgjodhi pesë gurë të lëmuar në përrua, i vuri në torbën e bariut, në një thes të vogël që kishte me vete; pastaj me hobenë në dorë u nis kundër Filisteut.
41. Edhe Filisteu përparoi duke iu afruar gjithnjë e më tepër Davidit, ndërsa shqyrtari i tij e paraprinte.
42. Filisteu shikonte me kujdes dhe, me të parë Davidin, e përçmoi sepse ishte vetëm një i ri, kuqalash dhe i hijshëm.
43. Filisteu i tha Davidit: "Mos jam vallë një qen që po del kundër meje me shkop në dorë?". Dhe Filisteu e mallkoi Davidin në emër të perëndive të tij.
44. Pastaj Filisteu i tha Davidit: "Eja këtu, dhe unë do t'ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të fushave".
45. Atëherë Davidi iu përgjegj Filisteut: "Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtërive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer.
46. Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia; dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde dhe do t'u jap pikërisht sot kufomat e ushtrisë së Filistejve shpendëve të qiellit dhe bishave të tokës, me qëllim që gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael.
47. Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t'ju dorëzojë në duart tona".
48. Kur Filisteu lëvizi dhe shkoi përpara për t'u ndeshur me Davidin, edhe Davidi nxitoi menjëherë drejt mejdanit, ballë Filisteut;
49. vuri dorën në thes, nxori prej tij një gur, e hodhi me hobenë dhe e goditi në ballë Filisteun; guri iu fut në ballë dhe ai ra me fytyrë për tokë.
50. Kështu Davidi me një hobe dhe një gur mundi Filisteun; e goditi dhe e vrau, megjithëse Davidi nuk kishte asnjë shpatë në dorë.
51. Pastaj Davidi vrapoi, u hodh mbi Filisteun, ia mori shpatën dhe e vrau duke i prerë me të kokën. Kur Filistejtë e panë që heroi i tyre vdiq, ikën me vrap.
52. Atëherë njerëzit e Izraelit dhe të Judës u ngritën, duke lëshuar britma lufte, dhe i ndoqën Filistejtë deri në hyrjen e luginës dhe në portat e Ekronit. Filistejtë e plagosur për vdekje ranë në rrugën e Shaarimit, deri në Gath dhe në Ekron.
53. Kur bijtë e Izraelit u kthyen nga ndjekja e Filistejve, plaçkitën kampin e tyre.
54. Pas kësaj Davidi mori kokën e Filisteut dhe e çoi në Jeruzalem, por armët e tij i vendosi në çadrën e tij.
55. Kur Sauli kishte parë Davidin që po dilte kundër Filisteut, kishte pyetur komandantin e ushtrisë së tij, Abnerin: "Abner, bir i kujt është ky i ri?". Abneri iu përgjegj: "Ashtu siç është e vërtetë që ti rron, o mbret, nuk e di".
56. Atëherë mbreti tha: "Merr informata mbi prindërit e këtij djaloshi".
57. Kur Davidi u kthye nga vrasja e Filisteut, Abneri e mori dhe e çoi përparea Saulit, ndërsa ai mbante akoma në dorë kokën e Filisteut.
58. Sauli i tha: "O i ri, bir i kujt je?". Davidi u përgjegj: Jam bir i shërbëtorit tënd, Betlemitit Isai".

Psalmet 57:4-11
4. Shpirti im është si në mes të luanëve; banoj midis njerëzve që vjellin zjarr, midis njerëzve dhëmbët e të cilëve janë shtiza dhe shigjeta, dhe gjuha e tyre është një shpatë e mprehur mirë.
5. U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; shkëlqeftë lavdia jote mbi të gjithë tokën.
6. Ata kanë shtrirë një rrjetë mbi hapat e mia; unë jam i tëri i kërrusur; kanë hapur një gropë para meje, por ata vetë ranë brenda. (Sela)
7. Zemra ime është e prirur mirë, o Perëndi, zemra ime është e prirur mirë; unë do të këndoj dhe do të lëvdoj.
8. Rizgjohu, fryma ime; rizgjohuni, psaltir dhe qeste; unë do të rizgjoj agimin.
9. Do të të kremtoj midis popujve, o Zot, do të këndoj lavdet e tua midis kombeve,
10. sepse e madhe deri në qiell është mirësia jote, dhe e vërteta jote arrin deri në retë.
11. U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; lavdia jote shkëlqeftë mbi të gjithë tokën.

Fjalët e Urta 15:26-26
26. Mendimet e këqija janë të neveritshme për Zotin, por fjalët e ëmbla janë të pastra.

Luke 23:26-56
26. Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit.
27. Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të.
28. Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: ''O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.
29. Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpe dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!".
30. Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: "Bini përmbi ne!", dhe kodrave: "Na mbuloni!".
31. Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç'do të bëhet me të thatin?".
32. Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t'i vrarë.
33. Dhe kur arritën në vendin që quhet ''Kafka'', aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.
34. Dhe Jezusi tha: ''O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç'bëjnë''. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.
35. Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: ''Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë''.
36. Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull,
37. dhe duke thënë: ''Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten''.
38. Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ÉSHTÉ MBRETI I JUDENJVE".
39. Tani një nga keqberësit e kryqëzuar e shau duke thënë: ''Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve''.
40. Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: ''A s'ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim?
41. Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe''.
42. Pastaj i tha Jezusit: ''Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde''.
43. Atëherë Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë''.
44. Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë.
45. Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes.
46. Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: ''O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!''. Dhe, si tha këto, dha fryma.
47. Atëherë centurioni, kur pa ç'ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: ''Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!''.
48. Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç'po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin.
49. Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea qendronin larg, duke parë këto gjëra.
50. Tani ishte një burrë me emër Jozef, që ishte anëtar i sinedrit, njeri i drejtë dhe i mirë;
51. ai nuk kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Ai ishte nga Arimatea, qytet i Judesë dhe priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë.
52. Ai iu paraqit Pilatit dhe kërkoi trupin e Jezusit.
53. Dhe, pasi e zbriti poshtë nga kryqi, e mbështolli në një çarçaf dhe e vuri në një varr të gërmuar në shkëmb, ku ende nuk ishte varrosur asnjeri.
54. Ishte dita e Përgatitjes dhe e shtuna po fillonte.
55. Gratë që kishin ardhur me Jezusin nga Galilea duke e ndjekur nga afër, e panë varrin dhe mënyrën se si ishte vënë trupi i Jezusit;
56. pastaj ato u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra; dhe gjatë së shtunës pushuan, sipas urdhërimit.