A A A A A

Bibla në një vit


Maj 6


1 Samueli 14:1-52
1. Një ditë ndodhi që Jonathani, bir i Saulit, i tha shqyrtarit të tij të ri: "Eja, shkojmë drejt pozicioneve të Filistejve, që ndodhen në anën tjetër". Por nuk i tha asgjë të atit.
2. Sauli rrinte atëherë në skajin e Gibeahut nën shegën që është në Migron, dhe njerëzit që ishin me të arrinin në rreth gjashtë qind veta.
3. Ahijahu, bir i Ahitubit, vëllai i Ikabodit, birit të Finehasit, birit të Elit, prift i Zotit, në Shiloh kishte veshur efodin. Por populli nuk e dinte që Jonathani kishte ikur.
4. Ndërmjet kalimeve nëpër të cilat Jonathani kërkonte të arrinte në pozicionin e Filistejve, kishte një shkëmb që ngrihej nga një anë dhe një shkëmb që ngrihej nga ana tjetër; njëri quhej Botsets dhe tjetri Seneh.
5. Njeri nga shkëmbinjtë ngrihej në veri, përballë Mikmashit dhe tjetri në jug, përballë Gibeahut.
6. Jonathani i tha shqyrtarit të ri: "Eja, shkojmë drejt pozicioneve të këtyre të parrethprerëve; ndofta Zoti ka për të vepruar në favorin tonë, sepse asgjë nuk e pengon Zotin të sigurojë shpëtimin me shumë ose me pak njerëz".
7. Shqyrtari i tij iu përgjegj: "Bëj ç'ke për zemër; shko përpara; jam gati të shkoj me ty ku ta dëshirojë zemra jote".
8. Atëherë Jonathani tha: "Ja, ne do të shkojmë drejt atyre njerëzve dhe do t'i bëjmë që të na shohin.
9. Po të na thonë: "Ndaluni deri sa t'ju arrijmë", ne do të qëndrojmë në vend dhe nuk do të shkojmë tek ata;
10. por në rast se na thonë: "Ejani te ne", ne do të shkojmë, sepse Zoti i ka dhënë në duart tona; dhe kjo do të na shërbejë si shenjë".
11. Kështu të dy u panë nga garnizoni i Filistejve; dhe Filistejtë thanë: "Ja Hebrenjtë që po dalin nga shpellat ku ishin fshehur!".
12. Pastaj njerëzit e garnizonit iu kthyen Jonathanit dhe shqyrtarit të tij dhe thanë: "Ejani te ne se kemi diçka për t'ju thënë". Atëherë Jonathani i tha shqyrtarit të tij: "Eja pas meje, sepse Zoti i ka dhënë në duart e Izraelit".
13. Jonathani u ngjit duke u kacavarur me duar dhe me këmbë, i ndjekur nga shqyrtari i tij. Filistejtë binin përpara Jonathanit, dhe shqyrtari pas tij i vriste.
14. Kjo qe masakra e parë e kryer nga Jonathani dhe nga shqyrtari i tij; në të humbën jetën rreth njëzet veta, në një sipërfaqe prej rreth gjysmë jugeri tokë.
15. Tmerri u përhap në kamp, në fshatra dhe në gjithë popullin; edhe garnizoni dhe cubat u trembën gjithashtu; bile edhe toka u drodh dhe u shndërrua kështu në një llahtarë të Perëndisë.
16. Rojet e Saulit në Gibeah të Beniaminit vështruan dhe panë që turma po shpërndahej dhe po ikte sa andej këtej.
17. Atëherë Sauli u tha njerëzve që ishin me të: "Bëni apelin për të parë se kush ka ikur nga ne". U bë apeli, dhe ja, mungonin Jonathani dhe shqyrtari i tij.
18. Atëherë Sauli i tha Ahijaut: "Afroje arkën e Perëndisë!" (sepse në atë kohë arka e Perëndisë ishte me bijtë e Izraelit).
19. Ndërsa Sauli fliste me priftin, rrëmuja në kampin e Filistejve vazhdonte të shtohej; kështu Sauli i tha priftit: "Hiqe dorën tënde!".
20. Pastaj Sauli dhe tërë populli që ishte me të u mblodhën dhe lëvizën drejt vendit të betejës; dhe ja që shpata e secilit drejtohej kundër shokut të tij dhe rrëmuja ishte shumë e madhe.
21. Vetë Hebrenjtë, të cilët prej pak kohe gjendeshin me Filistejtë dhe ishin ngjitur bashkë me ta në kamp nga krahina përreth, u bashkuan me Izraelitët që ishin me Saulin dhe Jonathanin.
22. Po kështu tërë Izraelitët që ishin fshehur në zonën malore të Efraimit, kur mësuan që Filistejtë po ia mbathnin, filluan edhe ata t'i ndjekin duke marrë pjesë në betejë.
23. Kështu atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin dhe beteja u shtri deri në Beth-Aven.
24. Por atë ditë njerëzit e Izraelit ishin të rraskapitur, sepse Sauli e kishte vënë popullin të betohej: "I mallkuar qoftë ai që do të prekë ushqim para mbrëmjes, para se të hakmerrem me armiqtë e mi".
25. Tërë populli hyri në një pyll, ku kishte mjaltë për tokë.
26. Me të hyrë populli në pyll, ai pa mjaltin që kullonte; por askush nuk e çoi dorën në gojë, sepse populli kishte frikë nga betimi që kishte bërë.
27. Por Jonathani nuk e kishte dëgjuar atin e tij kur ai e kishte vënë popullin të betohej; prandaj zgjati majën e bastunit që kishte në dorë, e ngjeu në hojet e mjaltit dhe e çoi në gojë; kështu shikimi i tij u bë më i qartë.
28. Njeri nga populli mori fjalën dhe tha: "Ati yt e ka vënë enkas popullin ta bëjë këtë betim, duke thënë: "Mallkuar qoftë ai njeri që do të prekë ushqim sot", megjithëse populli ishte i rraskapitur".
29. Atëherë Jonathani tha: "Ati im i solli dëm vendit; unë shijova pak nga ky mjaltë dhe shikimi im u bë më i qartë.
30. Sa më mirë do të kishte qenë sikur populli të kishte ngrënë sot lirisht plaçkën që gjeti te armiqtë! A nuk do të kishte pasur një masakër më të madhe të Filistejve?".
31. Po atë ditë ata i mundën Filistejtë nga Mikmashi deri në Aijalon, por populli ishte tepër i lodhur.
32. Kështu populli u hodh mbi plaçkën, rrëmbeu dele, lopë dhe viça dhe i theri për tokë; dhe populli i hëngri me gjithë gjakun e tyre.
33. Këtë ia treguan Saulit dhe i thanë: "Ja, populli po mëkaton kundër Zotit duke ngrënë mish me gjithë gjakun". Ai tha: "Ju keni kryer një shkelje; rrukullisni menjëherë një gur të madh pranë meje".
34. Pastaj Sauli urdhëroi: "Shpërndahuni midis popullit dhe i thoni: "Secili të sjellë këtu tek unë lopën dhe delen e tij; i therrni këtu dhe pastaj i hani, por mos mëkatoni ndaj Zotit, duke ngrënë mish me gjithë gjakun e tij!". Kështu gjithkush nga populli solli me vete lopën e tij dhe e theri në atë vend.
35. Sauli ndërtoi pastaj një altar kushtuar Zotit; ky ishte altar i parë që ai i ndërtoi Zotit.
36. Pastaj Sauli tha: "Të zbresim natën për të ndjekur Filistejtë dhe t'i zhveshim deri në dritën e mëngjesit; dhe të mos lëmë asnjë prej tyre të gjallë". Populli u përgjegj: "Vepro si të të duket më
37. Kështu Sauli e pyeti Perëndinë: "A duhet të zbres për të ndjekur Filistejtë? A do t'i lësh në duart e Izraelit?". Por Perëndia nuk dha asnjë përgjigje.
38. Atëherë Sauli tha: "Afrohuni këtu, ju gjithë krerë të popullit, pranoni dhe shikoni mëkatin e kryer sot,
39. sepse, ashtu siç është e vërtetë që Zoti, shpëtimtari i Izraelit, jeton edhe sikur të gjendej te Jonathani, biri im, ai duhet të vdesë". Por asnjeri nga tërë populli nuk iu përgjegj atij.
40. Atëherë ai i tha gjithë Izraelit: "Ju qëndroni në një anë, dhe unë dhe biri im Jonathan do të qëndrojmë nga ana tjetër". Populli iu përgjegj Saulit: "Bëj atë që të duket më mirë".
41. Prandaj Sauli i tha Zotit: "O Perëndi i Izraelit, na jep përgjigjen e drejtë". Kështu u caktuan Jonathani dhe Sauli dhe populli jo.
42. Pastaj Sauli tha: "Hidhni short midis meje dhe Jonathanit, birit tim". Kështu u caktua Jonathani.
43. Atëherë Sauli i tha Jonathanit: "Më trego ç'ke bërë". Jonathani i tha: "Kam provuar pak mjaltë me majën e bastunit që kisha në dorë; ja, ku jam, kam për të vdekur!".
44. Sauli tha: "Perëndia e bëftë këtë dhe bile më keq, sepse ti ke për të vdekur me siguri, o Jonathan!".
45. Po populli i tha Saulit: "A duhet të vdesë Jonathani që ka sjellë këtë çlirim të madh në Izrael? Mos ndodhtë kurrë! Ashtu siç është e vërtetë që Zoti jeton, nuk ka për të rënë në tokë as edhe një fije floku nga koka e tij, sepse sot ai ka vepruar bashkë me Perëndinë"! Kështu populli e shpëtoi Jonathanin dhe ai nuk vdiq.
46. Pastaj Sauli u kthye nga ndjekja e Filistejve dhe Filistejtë u kthyen në vendin e tyre.
47. Kështu Sauli e forcoi mbretërinë e Izraelit dhe luftoi kundër gjithë armiqve që ndodheshin rreth e qark: Moabit, bijve të Amonit, Edomit, mbretërve të Tsobahut dhe Filistejve; ai korrte fitore nga çdo anë që të kthehej.
48. Kreu vepra trimërie, mundi Amalekitët dhe çliroi nga duart e atyre që e plaçkitnin.
49. Bijtë e Saulit ishin Jonathani, Jishuji dhe Malkishuahu; dy bijat e tij quheshin Merab, më e madhja, dhe Mikal më e vogla.
50. E shoqja e Saulit quhej Ahinoam, ishe bija e Ahimaazit; emri i komandantit të ushtrisë së tij ishte Abner, bir i Nrerit, ungji i Saulit.
51. Kishi, ati i Saulit, dhe Neri, ati i Abnerit, ishin bijtë e Abielit.
52. Gjatë gjithë jetës së Saulit pati një luftë të pamëshirshme kundër Filistejve; çdo njeri të fortë dhe çdo të ri trim që Sauli shikonte, i merrte me vete.

1 Samueli 15:1-35
1. Pastaj Samueli i tha Saulit: "Zoti më ka dërguar që të të vajos mbret mbi popullin tënd, mbi Izraelin; tani dëgjo fjalët e Zotit.
2. Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë do ta dënoj Amalekun për atë që i bëri Izraelit kur i preu rrugën, ndërsa po dilte nga Egjipti.
3. Tani shko, godit Amalekun dhe cakto shfarosjen e të gjitha gjërave që ai ka pa pasur fare mëshirë për të, por vrit burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja gjiri, lopë e dhen, deve dhe gomarë".
4. Sauli thirri popullin dhe kaloi në parakalim në Telaim; dyqind mijë këmbësorë dhe dhjetë mijë njerëz të Judës.
5. Sauli erdhi në qytetin e Amalekut dhe zuri pritë në luginë.
6. pastaj Sauli u tha Kenejve: "Shkoni, tërhiquni, dilni jashtë Amalekitëve, që të mos ju shkatërrojë bashkë me ta, sepse ju u treguat të mëshirshëm me të gjithë bijtë e Izraelit kur po dilnin nga Egjipti". Kështu Kenejtë u tërhoqën nga radhët e Amalekitëve.
7. Sauli i mundi Amalekitët nga Havilahu deri në Shur, që ndodhet përballë Egjiptit.
8. Ai e zuri të gjallë Agagun, mbretin e Amalekitëve, dhe vendosi shfarosjen e të gjithë popullit, duke i vrarë me shpatë.
9. Por Sauli dhe populli kursyen Agagun dhe pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve, të kafshëve të majme, të qengjave dhe të kafshëve më të mira, duke mos vendosur shkatërrimin e tyre; por vendosën zhdukjen e tërë sendeve që ishin të një cilësie të dobët dhe pa asnjë vlerë.
10. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Samuelit, duke i thënë:
11. "Unë jam penduar që e kam bërë Saulin mbret, sepse ai është larguar nga unë dhe nuk ka zbatuar urdhërat e mia". Samueli u trishtua dhe i klithi tërë natën Zotit.
12. Në mëngjes herët Samueli u ngrit për t'i dalë përpara Saulit; por erdhën t'i thonë Samuelit: "Sauli ka shkuar në Karmel, dhe i ka ngritur vetes një monument; pastaj është kthyer duke kaluar tutje dhe ka zbritur në Gilgal".
13. Atëherë Samueli shkoi te Sauli dhe ky i tha: "Qofsha i bekuar nga Zoti! Unë e kam zbatuar urdhrin e Zotit".
14. Por Samueli tha: "Ç'është kjo blegërimë dhensh që më vjen në vesh dhe kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?".
15. Sauli u përgjegj: "Këto janë kafshë që ua kemi marrë Amalekitëve, sepse populli kurseu pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve për t'i ofruar si flijime Zotit, Perëndisë tënd; por pjesën tjetër e kemi caktuar të shfaroset".
16. Atëherë Samueli i tha Saulit: "Mjaft! Unë do të të tregoj atë që më tha Zoti sonte!". Sauli i tha "Folë".
17. Kështu Samueli tha: "A nuk është vallë e vërtetë që kur ishe i vogël në sytë e tu ishe bërë kreu i fiseve të Izraelit, dhe që Zoti të ka vajosur mbret të Izraelit?
18. Zoti të kishte ngarkuar një mision, duke thënë: "Shko, vendos shfarosjen e mëkatarëve Amalekitë dhe lufto kundër tyre deri sa të shfarosen".
19. Pse, pra, nuk iu binde zërit të Zotit, por u hodhe mbi plaçkën dhe bëre atë që është e keqe në sytë e Zotit?".
20. Sauli i tha Samuelit: "Por unë iu binda zërit të Zotit, plotësova misionin që Zoti më kishte ngarkuar, solla Agagun, mbretin e Amalekut, dhe caktova për shfarosje Amalekitët.
21. Por populli mori gjërat më të mira që duhet të ishin shfarosur, për t'i bërë flijime Zotit, Perëndisë tënd, në Gilgal".
22. Samueli i tha: "Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve.
23. Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake. Duke qenë se ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, edhe ai të ka hedhur poshtë si mbret".
24. Atëherë Sauli i tha Samuelit: "Kam mëkatuar sepse kam shkelur urdhrin e Zotit dhe fjalët e tua, dhe kjo sepse kisha frikë nga populli dhe dëgjova zërin e tij.
25. Por tani, të lutem, falma mëkatin tim dhe kthehu me mua, që unë të mund të bie përmbys para Zotit".
26. Por Samueli iu përgjegj Saulit: "Unë nuk do të kthehem me ty, sepse ke hedhur poshtë fjalën e Zotit dhe Zoti të ka hedhur poshtë ty, që ti të mos jesh më mbret mbi Izraelin".
27. Ndërsa Samueli po kthehej për të ikur, Sauli i kapi skajin e mantelit të tij që u gris.
28. Atëherë Samueli i tha: "Zoti hoqi sot nga duart e tua mbretërinë e Izraelit dhe ia dha një tjetri, që është më i mirë se ti.
29. Lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë, dhe nuk do të pendohet, sepse ai nuk është njeri që pendohet".
30. Atëherë Sauli tha: "Kam mëkatuar, por tani më ndero, të lutem, para pleqve të popullit tim dhe përpara Izraelit; kthehu me mua, që të bie përmbys përpara Zotit, Perëndisë tënd".
31. Kështu Samueli u kthye me Saulin, dhe Sauli ra përmbys përpara Zotit.
32. Pastaj Samueli tha: "Më sillni Agagun, mbretin e Amalekitëve". Agagu shkoi tek ai me qejf. Agagu thoshte: "Me siguri hidhërimi i vdekjes ka kaluar".
33. Samueli i tha: "Ashtu si shpata i la pa fëmijë gratë, kështu edhe nëna jote do të mbetet pa të birin midis grave". Pastaj Samueli e preu copë-copë Agagun përpara Zotit në Gilgal.
34. Pastaj Samueli shkoi në Ramah dhe Sauli shkoi në shtëpinë e tij, në Gibeahun e tij.
35. Samueli nuk shkoi për ta parë më Saulin deri ditën e vdekjes së tij, sepse Samueli mbante zi për Saulin; dhe Zoti u pendua që e kishte bërë Saulin mbret të Izraelit.

Psalmet 57:1-3
1. Ki mëshirë për mua, o Perëndi, ki mëshirë për mua, sepse shpirti im gjen strehë te ti; gjej strehë në hijen e krahëve të tu deri sa të kalojnë fatkeqësitë.
2. Unë do t'i thërras Perëndisë, Shumë të Lartit, Perëndisë që kryen çdo gjë për mua.
3. Ai do të dërgojë nga qielli për të më shpëtuar, ai qorton ashpër atë që dëshiron të më përpijë. (Sela) Perëndia do të dërgoj mirësinë e tij dhe të vërtetën e tij.

Fjalët e Urta 15:24-25
24. Njeriun e matur rruga e jetës e çon lart në mënyrë që të evitojë Sheolin poshtë.
25. Zoti do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve, por do t'i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e gruas së ve.

Luke 23:1-25
1. Atëherë u ngrit gjithë asambleja dhe e çuan te Pilati.
2. Dhe filluan ta paditin duke thënë: ''Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t'i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti''.
3. Atëherë Pilati e pyeti duke thënë: ''A je ti mbreti i Judenjve?''. Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: ''Ti po thua''.
4. Pilati u tha atëherë krerëve të priftërinjve dhe popullit: ''Unë nuk po gjej asnjë faj te ky njeri''.
5. Por ata ngulnin këmbë, duke thënë: ''Ai po ngre popullin në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që nga Galilea e deri këtu''.
6. Atëherë Pilati, kur dëgjoi se u fol për Galilenë, pyeti në se ai njeri ishte Galileas.
7. Dhe kur mori vesh se ai i takonte juridiksionit të Herodit, e dërgoi te Herodi, i cili, ndër ato ditë, ndodhej edhe ai në Jeruzalem.
8. Kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli të kryer prej tij.
9. Ai i drejtoi shumë pyetje, por Jezusi nuk u përgjigj fare.
10. Ndërkaq krerët e priftërinjve dhe skribët rrinin aty dhe e paditnin me furi.
11. Atëherë Herodi, me ushtarët e vet, mbasi e fyu dhe e talli, e veshi me një rrobe të shkëlqyeshme dhe ia riktheu Pilatit.
12. Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq.
13. Atëherë Pilati, mblodhi krerët e priftërinjve, kryetarët dhe popullin,
14. dhe u tha atyre: ''Ju më prutë këtë njeri si çoroditës të popullit; dhe ja, unë, pasi e hetova para jush, nuk kam gjetur tek ai asnjë nga fajet për të cilat ju e paditni,
15. dhe as Herodi, sepse na e ktheu përsëri te ne; në fakt ai s'ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen.
16. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj''.
17. Tani me rastin e festës së Pashkës qeveritari duhet të lironte dikë.
18. Por ata, të gjithë njëzeri, bërtitën duke thënë: ''Vraje këtë dhe na liro Barabën''.
19. Ky ishte hedhur në burg për një trazirë të bërë në qytet dhe për vrasje.
20. Prandaj Pilati, duke dashur të lëshojë Jezusin, u foli përsëri.
21. Por ata bërtitnin duke thënë: ''Kryqëzoje!''.
22. Për të tretën herë ai u tha atyre: ''Po ç'të keqe bëri ky? Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj''.
23. Por ata ngulnin këmbë me britma te mëdha duke kërkuar që ta kryqëzonin; dhe britmat e tyre dhe të krerëve të priftërinjve u bënë mbisunduese.
24. Atëherë Pilat vendosi që të bëhej çka ata kërkonin.
25. Dhe ua lëshoi atë që qe burgosur për trazirë dhe vrasje dhe që ata e kishin kërkuar; dhe Jezusin ia dorëzoi vullnetit të tyre.