A A A A A

Bibla në një vit


Maj 3


1 Samueli 8:1-22
1. Kur Samueli u plak emëroi bijtë e tij si gjyqtarë të Izraelit.
2. I parëlinduri i tij quhej Joel dhe i dyti Abiah; ata ushtronin funksionin e gjyqtarit në Beer-Sheba.
3. Por bijtë e tij nuk ndoqën shembëllin e tij, u larguan nga rruga e drejtë duke siguruar fitime të palejueshme, pranuan dhurata dhe e prishnin drejtësinë.
4. Atëherë tërë pleqtë e Izraelit u mblodhën, erdhën te Samueli në Ramah,
5. dhe i thanë: "Ja, ti tani je plakur dhe bijtë e tu nuk ndjekin gjurmët e tua; prandaj cakto mbi ne një mbret që të na qeverisë ashtu siç ndodh në të gjitha kombet".
6. Por kjo nuk i pëlqeu Samuelit, sepse ata kishin thënë: "Na jep një mbret që të na qeverisë". Prandaj Samueli iu lut Zotit.
7. Dhe Zoti i tha Samuelit: "Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta.
8. Sillen me ty, ashty siç kanë bërë gjithnjë nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot: më kanë braktisur për t'u shërbyer perëndive të tjera.
9. Tani, pra, dëgjo kërkesën e tyre, por lajmëroi solemnisht dhe shpallju të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta".
10. Kështu Samueli i tregoi tërë fjalët e Zotit drejtuar popullit që i kërkonte një mbret.
11. Dhe tha: "Këto do të jenë të drejtat e mbretit që do të mbretërojë mbi ju. Ai do t'i marrë bijtë tuaj dhe do t'i caktojë në qerret e tij, me qëllim që të bëhen kalorës të tij dhe të vrapojnë përpara qerreve;
12. për t'i bërë ata kapidanë të mijëshëve dhe të pesëdhjetëshëve, për t'i vënë ata t'i lërojnë arat, t'i korrin të lashtat, t'i prodhojnë armë lufte dhe vegla për qerret e tij.
13. Do të marrë bijat tuaja për t'i bërë parfumiere, gjellbërëse dhe furrtare.
14. Do të marrë arat tuaja, vreshtat dhe ullishtet tuaja; më të mirat që keni, për t'ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.
15. Do të marrë të dhjetën e farërave dhe të vreshtave tuaja për t'ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.
16. Do të marrë shërbëtorët, shërbëtoret, të rinjtë tuaj më të mirë dhe gomarët që keni për t'i përdorur në punimet e tij.
17. Do të marrë edhe të dhjetën e kopeve tuaja, dhe ju do të jeni skllevërit e tij.
18. Atë ditë ju do të ulërini për shkak të mbretit që keni për vete, por Zoti nuk do t'ju përgjigjet".
19. Me gjithatë populli nuk deshi t'i dëgjojë fjalët e Samuelit dhe tha: "Jo, do të kemi një mbret mbi ne.
20. Kështu do të jemi edhe ne si gjithë kombet; mbreti ynë do të na qeverisë, do të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona".
21. Samueli i dëgjoi tërë fjalët e popullit dhe ia tregoi Zotit.
22. Zoti i tha Samuelit: "Dëgjoje kërkesën e tyre dhe cakto një mbret mbi ta". Atëherë Samueli u tha njerëzve të Izraelit: "Secili të kthehet në qytetin e tij".

1 Samueli 9:1-27
1. Kishte një njeri të Beniaminit, që quhej Kish, ishte bir i Abielit, bir i Tserorit, bir i Bekorathit, bir i Afiahut, bir i një Beniaminiti, një njeri i fortë dhe trim.
2. Ai kishte një djalë të quajtur Saul, i ri dhe i bukur, ndër bijtë e Izraelit nuk kishte asnjë më të bukur se ai; që nga supet e lart, ai ua kalonte, për shtat, gjithë njerëzve të tjerë.
3. Gomarët e Kishit, atit të Saulit, kishin humbur; Kishi i tha të birit, Saulit: "merr me vete një nga shërbëtorët, çohu dhe shko të kërkosh gomarët".
4. Kështu ai kaloi nëpër krahinën malore të Efraimit dhe përshkoi vendin e Shalishas, pa i gjetur; pastaj kaloi nëpër vendin e Shaalimit, por nuk ishin as aty; përshkuan pastaj vendin e Beniaminitëve, por nuk i gjetën as aty.
5. Kur arritën në vendin e Tsufit, Sauli i tha shërbëtorit të tij që ishte me të: "Çohu, të kthehemi, që të mos ndodhë që im atë të heqë mendjen nga gomaret dhe të fillojë të shqetësohet për ne".
6. Shëbëtori i tha: "Ja, në këtë qytet jeton një njeri i Perëndisë, që e nderojnë shumë; tërë ato që ai thotë, realizohen pa tjetër. Tani le të shkojmë atje; ndofta do të na tregojë rrugën që duhet të ndjekim".
7. Sauli i tha shërbëtorit të tij: "Por ja, në qoftë se shkojmë, çfarë t'i çojmë njeriut të Perëndisë? Sepse buka e thasëve tanë ka mbaruar dhe nuk kemi asnjë dhuratë për t'i çuar njeriut të Perëndisë. Çfarë kemi me vete?".
8. Dhe shërbëtori iu përgjegj Saulit, duke thënë: "Ja, unë kam në dorë një çerek sikli prej argjendi; do t'ia jap njeriut të Perëndisë dhe ai do të na tregojë rrugën që duhet të ndjekim".
9. (Në të kaluarën në Izrael, kur dikush shkonte për t'u këshilluar me Perëndinë, thoshte: "Çohu të shkojmë te shikuesi", sepse profeti i sotëm në të kaluarën quhej shikues).
10. Atëherë Sauli i tha shërbëtorit të tij: "Mirë e the. Çohu të shkojmë!". Dhe u drejtuan nga qyteti ku gjendej njeriu i Perëndisë.
11. Ndërsa merrnin të përpjetën që të çon në qytet, takuan rrugës dy vajza që kishin dalë për të mbushur ujë dhe i pyetën ato: "Këtu është shikuesi?".
12. Ato u përgjigjën duke thënë: "Po, ja ku është pak përpara jush, nxitoni. Sot erdhi në qytet, sepse sot populli duhet të bëjë një flijim në vendin e lartë.
13. Sa të hyni në qytet, do ta gjeni me siguri para se të ngjitet në vendin e lartë për të ngrënë. Populli nuk do të hajë deri sa ai të mbërrijë, sepse ai ka për të bekuar flijimin; pastaj të ftuarit do të fillojnë të hanë. Prandaj ngjituni lart, sepse tani do ta gjeni".
14. Kështu u ngjitën në qytet; ndërsa ata hynin në qytet, Samueli dilte në drejtim të tyre për t'u ngjitur në vendin e lartë.
15. Por një ditë para arritjes së Saulit, Zoti e kishte lajmëruar Samuelin duke thënë:
16. "Nesër në këtë orë do të dërgoj një njeri nga vendi i Beniaminit, dhe ti do ta vajosësh si udhëheqës të popullit tim të Izraelit. Ai do ta shpëtojë popullin tim nga duart e Filistejve, sepse pashë mjerimin e popullit tim, sepse britmat e tij arritën deri tek unë".
17. Kur Samueli pa Saulin, Zoti i tha: "Ky është njeriu për të cilin të fola; ai do të mbretërojë mbi popullin tim".
18. Pastaj Sauli iu afrua Samuelit në mes të portës dhe i tha: "Tregomë të lutem, ku është shtëpia e shikuesit".
19. Samueli iu përgjegj Saulit dhe i tha: "Jam unë shikuesi. Ngjitu para meje në kodër; sot do të hani me mua. Nesër në mëngjes do të lë të shkosh dhe do të të tregoj tërë ato që ke në zemër.
20. Përsa u përket gomarëve të tu që të kanë humbur tri ditë më parë, mos u mërzit se i kanë gjetur. E kujt i drejtohet gjithë dëshira e Izraelit, veçse ty dhe tërë shtëpisë së atit tënd?".
21. Sauli, duke u përgjegjur, tha: "A nuk jam unë një Beniaminit, një nga fiset më të vogla të Izraelit? Dhe familja ime a nuk është, vallë më e vogla e gjithë familjeve të fisit të Beniaminit? Pse më flet, pra, në këtë mënyrë?".
22. Atëherë Samueli mori Saulin dhe shërbëtorin e tij, i futi në sallë dhe i uli në krye të tryezës të të ftuarve që ishin rreth tridhjetë e pesë veta.
23. Pastaj Samueli i tha gjellëbërësit: "Sill pjesën që të dhashë dhe për të cilën të thashë: "Vëre mënjanë"".
24. Gjellëbërësi mori atëherë kofshën dhe atë që i ngjitej asaj, dhe ia vuri përpara Saulit. Pastaj Samueli tha: "Ja, ajo që u mbajt rezervë, u vu mënjanë për ty; haje se është ruajtur apostafat për ty kur ftova popullin". Kështu atë ditë Sauli hëngri bashkë me Samuelin.
25. Pastaj zbritën nga vendi i lartë në qytet dhe Samueli foli me Saulin mbi taracë.
26. Të nesërmen u ngritën herët, në të gdhirë. Samueli e thirri Saulin në taracë, duke i thënë: "Çohu, dhe unë do të lë të shkosh". Sauli u ngrit dhe që të dy, ai dhe Samueli, dolën jashtë.
27. Kur zbritën në periferi të qytetit, Samueli i tha Saulit: "Thuaji shërbëtorit të kalojë para nesh dhe të shkojë përpara, por ti ndalu një çast, në mënyrë që të kem mundësi të të njoftoj fjalën e Perëndisë".

Psalmet 55:9-15
9. Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.
10. Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.
11. Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.
12. Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t'i isha fshehur atij.
13. Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.
14. Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.
15. I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.

Fjalët e Urta 15:15-17
15. Të gjitha ditët e të varfërit janë të këqija, por për një zemër të kënaqur ka festë përherë.
16. Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime.
17. Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje.

Luke 22:1-23
1. Ndërkaq po afrohej festa e të Ndormëve, që quhet Pashkë.
2. Dhe krerët e priftërinjve e skribët kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, sepse kishin frikë nga populli.
3. Atëherë Satani hyri në Judën, i mbiquajtur Iskariot, që ishte një nga të dymbëdhjetët.
4. Kështu ai shkoi të merret vesh me krerët e priftërinjve e dhe me krerët e rojës për mënyrën se si do ta tradhtonte.
5. Ata u gëzuan dhe i premtuan t'i japin para.
6. Dhe ai pranoi dhe kërkonte rastin e volitshëm për t'ua dorëzuar pa qenë e pranishme turma.
7. Tani erdhi dita e të Ndormëve, kur duhet therur flijimi i Pashkës.
8. Dhe Jezusi dërgoi Pjetrin dhe Gjonin duke u thënë: ''Shkoni e na bëni gati Pashkën, që ne ta hamë''.
9. Dhe ata e thanë: ''Ku dëshiron ta përgatisim?''.
10. Atëherë ai tha atyre: ''Ja, kur të hyni në qytet, do t'ju dalë përpara një njeri që mban një brokë uji; ndiqeni në shtëpinë ku ai do të hyjë.
11. I thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi të çon fjalë: Ku është salla, në të cilën mund të ha Pashkën bashkë me dishepujt e mi?".
12. Atëherë ai do t'ju tregojë një sallë të madhe të shtruar; aty do të bëni përgatitjet''.
13. Ata shkuan, pra, dhe gjetën ashtu siç u tha dhe përgatitën Pashkën.
14. Dhe, kur erdhi ora, ai u ul në tryezë dhe bashkëmetë dymbëdhjetë apostujt.
15. Atëherë ai u tha atyre: ''Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë Pashkë bashkë me ju, para se të vuaj,
16. sepse po ju them se nuk do të ha më të tillë derisa ajo të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë''.
17. Pastaj mori kupën, falenderoi, dhe tha: ''Merrnie këtë dhe ndanie midis jush,
18. sepse unë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë derisa të vijë mbretëria e Perëndisë''.
19. Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim''.
20. Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: ''Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju.
21. Por ja, dora e atij që më tradhton është me mua mbi tryezë.
22. Sigurisht Biri i njeriut shkon, siç është caktuar, por mjerë ai njeri me anë të cilit është tradhëtuar!''.
23. Atëherë ata filluan ta pyesin njëri-tjetrin se kush nga ata do ta bënte këtë gjë.