A A A A A

Bibla në një vit

Maj 23

2 Samueli 17:1-29
1. Pastaj Ahithefeli i tha Absalomit: "Lermë të zgjedh dymbëdhjetë mijë njerëz, dhe të nisem që sonte e ta ndjek Davidin;
2. duke e sulmuar sa është i lodhur dhe i dobët; do ta tremb dhe gjithë njerëzit që janë me të do të ikin; kështu do të mund të godas vetëm mbretin,
3. dhe tërë popullin do ta kthej te ti. Vdekja e njeriut që ti kërkon do të favorizojë kthimin e të gjithëve; kështu tërë populli do të jetë në paqe".
4. Ky propozim u pëlqeu Absalomit dhe të gjithë pleqve të Izraelit.
5. Megjithatë Absalomi tha: "Thirrni edhe Arkitin Hushai dhe të dëgjojmë çfarë ka për të thënë për këtë çështje".
6. Kur Hushai erdhi tek Absalomi, ky i tha: "Ahithofeli ka folur në këtë mënyrë; a duhet të veprojmë si ka thënë ai? Përndryshe, bëj një propozim ti!".
7. Hushai iu përgjigj Absalomit: "Këtë radhë këshilla e dhënë nga Ahithofeli nuk është e mirë".
8. Hushai shtoi: "Ti e njeh atin tënd dhe njerëzit e tij që janë trima dhe të egërsuar në kulm, si një arushë në fushë së cilës ia kanë marrë këlyshët; përveç kësaj ati yt është një luftëtar dhe nuk ka për ta kaluar natën me popullin.
9. Me siguri në këtë orë ai është fshehur në ndonjë vrimë ose në ndonjë vend tjetër; në qoftë se në fillim do të hidhet mbi disa nga njerëzit e tu, kushdo që do ta mësojë ka për të thënë: "Midis njerëzve që ndiqnin Absalomin ndodhi një masakër".
10. Atëherë edhe më trimi, edhe sikur të kishte zemër luani, do të dëshpërohej shumë, sepse tërë Izraeli e di që yt atë është trim dhe që njerëzit që e shoqërojnë janë trima.
11. Prandaj këshilloj që i tërë Izraeli nga Dani deri në Beer-Sheba të mblidhet rreth teje, i shumtë si rëra që ndodhet në bregun e detit, dhe që ti të marrësh pjesë personalisht në betejë.
12. Kështu do ta arrijmë në çdo vend që të ndodhet dhe do të biem mbi të ashtu si vesa bie mbi tokë; dhe nga gjithë njerëzit që janë me të nuk ka për të shpëtuar as edhe një.
13. Në rast se tërhiqet në ndonjë qytet, tërë Izraeli do t'i çojë litarë atij qyteti dhe ne do ta tërheqim në përrua, deri sa aty të mos mbetet asnjë gur".
14. Absalomi dhe tërë njerëzit e Izraelit thanë: "Këshilla e Arkitit Hushai është më e mirë se ajo e Ahithofelit". Në të vërtetë Zoti kishte vendosur ta bënte të kotë këshillën e mirë të Ahithofelit për të shkatërruar Absalomin.
15. Atëherë Hushai u tha priftërinjve Tsodak dhe Abiathar: "Ahithofeli ka këshilluar Absalomin dhe pleqtë e Izraelit kështu e kështu, ndërsa unë i këshillova në këtë dhe atë mënyrë.
16. Prandaj tani dërgoni me nxitim njeri që të informoni Davidin dhe i thoni: "Mos kalo natën në fushat e shkretëtirës, por pa tjetër shko më tutje, me qëllim që mbreti dhe gjithë njerëzit që janë me të të mos shfarosen".
17. Por Jonathani dhe Ahimaatsi mbetën në En-Rogel, sepse nuk mund të dukeshin që hynin në qytet; kështu një shërbëtor do të shkonte për t'i informuar, dhe ata do të shkonin për të njoftuar mbretin David.
18. Por një djalë i pa dhe njoftoi Absalomin. Të dy u nisën atëherë me nxitim dhe arritën në Bahurim në shtëpinë e një njeriu që kishte në oborr një sternë dhe zbritën në të.
19. Pastaj gruaja mori një mbulesë, e shtriu mbi grykën e sternës dhe shpërndau mbi të grurë të bluar, pa u vënë re nga njeri.
20. Kur shërbëtorët e Absalomit shkuan në shtëpinë e gruas dhe pyetën: "Ku janë Ahimatsi dhe Jonathani?", gruaja u përgjigj: "Ata e kaluan rrëkenë". Ata filluan t'i kërkojnë, por nuk i gjetën dhe u kthyen në Jeruzalem.
21. Pas nisjes së këtyre të fundit, të dy dolën nga sterna dhe shkuan të njoftojnë mbretin David. Dhe i thanë Davidit: "Shpejtoni dhe kaloni menjëherë lumin, sepse kjo është ajo që Ahithofeli ka këshilluar kundër jush".
22. Atëherë Davidi u ngrit me gjithë njerëzit që ishin me të dhe kaloi Jordanin. Në të gdhirë nuk kishte mbetur as edhe një pa e kaluar Jordanin.
23. Kur Ahithofeli pa që këshilla e tij nuk ishte ndjekur, shaloi gomarin dhe shkoi në shtëpinë e vet në qytetin e tij. Vuri në rregull gjërat e shtëpisë dhe vari veten. Kështu vdiq dhe u varros në varrin e të atit.
24. Pastaj Davidi arriti në Mahanaim; dhe Absalomi kaloi Jordanin me gjithë njerëzit e Izraelit.
25. Absalomi kishte vënë në krye të ushtrisë Amasan në vend të Joabit. Amasan ishte bir i një burri të quajtur Jithra Izraeliti, i cili kishte pasur marrëdhënie seksuale me Abigailin, bijën e Nahashit, motër e Tserujahut, nënë e Joabit.
26. Kështu Izraeli dhe Absalomi e ngritën kampin e tyre në vendin e Galaadit.
27. Kur Davidi arriti në Mahanaim, Shobi, bir i Nahashit nga Rabahu dhe i bijve të Amonit, Makiri, bir i Amielit nga Lodebaru dhe Barzilai, Galaaditi nga Rogelimi,
28. sollën shtretër, legena, enë prej dheu, grurë, elb, miell, grurë të pjekur, bathë, thjerrëza, perime të pjekura,
29. miell, gjalpë, dele dhe djathë lope për Davidin dhe për njerëzit që ishin me të, me qëllim që të hanin, sepse thonin: "Këta njerëz kanë vuajtur nga uria, nga lodhja dhe nga etja në shkretëtirë".

2 Samueli 18:1-33
1. Davidi kaloi në revistë njerëzit që ishin me të dhe caktoi mbi ta komandantë të mijëshëve dhe të qindshëve.
2. Pastaj Davidi nisi përpara një të tretën e njerëzve të tij nën komandën e Joabit, një të tretën nën komandën e Abishait birit të Tserujahut, vëlla i Joabit, dhe një të tretën nën komandën e Itait të Gathit. Pastaj mbreti i tha popullit: "Dua të vij edhe unë me ju!".
3. Por populli u përgjigj: "Ti nuk duhet të vish, sepse po të na vënë përpara, nuk do të na jepnin rëndësi; edhe po të vdiste gjysma jonë, nuk do të na jepnin rëndësi; por ti vlen sa dhjetë mijë nga ne; është më mirë të rrish gati të na ndihmosh nga qyteti".
4. Mbreti iu përgjigj me këto fjalë: "Do të bëj atë që ju duket më mirë". Kështu mbreti mbeti pranë portës së qytetit, ndërsa tërë populli dilte në formacion nga njëqind dhe nga një mijë veta.
5. Mbreti u dha këtë urdhër Joabit, Abishait dhe Itait: "Për hirin tim, silluni me kujdes me të riun Absalom!". Tërë populli e dëgjoi kur mbreti e dha këtë urdhër të gjithë komandantëve lidhur me Absalomin.
6. Kështu ushtria doli në fushë kundër Izraelit dhe beteja u zhvillua në pyllin e Efraimit.
7. Populli i Izraelit u mund atje nga shërbëtorët e Davidit; dhe në atë vend masakra qe e madhe; atë ditë ranë njëzet mijë njerëz.
8. Beteja u shtri në të gjithë krahinën; dhe pylli gllabëroi më tepër njerëz nga sa kishte gllabëruar shpata.
9. Pastaj Absalomi u ndesh me njerëzit e Davidit. Absalomi i kishte hipur një mushke, e cila u fut poshtë degëve të dendura të një lisi të madh dhe koka e Absalomit mbeti e kapur në lis, dhe ai mbeti
10. Një njeri e pa këtë gjë dhe lajmëroi Joabin, duke thënë: "E pashë Absalomin të varur në një lis".
11. Atëherë Joabi iu përgjigj njeriut që e kishte informuar: "Ja, ti e pe? Po pse nuk e shtrive menjëherë të vdekur në tokë? Unë do të të kisha dhënë dhjetë sikla argjendi dhe një brez".
12. Por ai njeri i tha Joabit: "Edhe sikur të më jepnin në dorë një mijë sikla argjendi, unë nuk do ta shtrija dorën kundër birit të mbretit, sepse ne e kemi dëgjuar urdhrin që mbreti të ka dhënë ty, Abishait dhe Itait, duke thënë: "Kini kujdes të mos i bëni asnjë të keqe të riut Absalom".
13. Në fakt do të kisha vepruar në mënyrë jo të ndershme kundër vetë jetës sime, sepse asgjë nuk i mbahet e fshehur mbretit; edhe ti vetë do të ishe kundër meje".
14. Atëherë Joabi tha: "Nuk dua të humb kohën me ty në këtë mënyrë". Kështu mori në dorë tri shtiza dhe i futi në zemrën e Absalomit, që ishte akoma gjallë në pjesën e dendur të lisit.
15. Pastaj dhjetë shqyrtarë të rinj të Joabit e rrethuan Absalomin, e goditën akoma dhe e mbaruan.
16. Atëherë Joabi urdhëroi që ti binin borisë, populli nuk e ndoqi më Izraelin sepse nuk e lejoi Joabi.
17. Pas kësaj e morën Absalomin, e hodhën në një gropë të madhe në pyll dhe hodhën mbi të një sasi të madhe gurësh; pastaj tërë Izraelitët ikën, secili në çadrën e vet.
18. Absalomi, sa qe gjallë, i kishte ngritur vetes një monumet në Luginën e Mbretit, sepse thoshte: "Unë nuk kam djalë që të ruajë kujtimin e emrit tim". Kështu i dha emrin e tij këtij monumenti, që edhe sot quhet "monumenti i Absalomit".
19. Ahimatsi, bir i Tsadokut, i tha Joabit: "Lermë të shkoj me vrap dhe t'i çoj mbretit lajmin që Zoti i siguroi drejtësi kundër armiqve të tij".
20. Joabi iu përgjigj: "Ti nuk do ta çosh lajmin sot; do ta çosh një ditë tjetër; nuk do ta çosh lajmin sot, sepse biri i mbretit ka vdekur".
21. Pastaj Joabi i tha Etiopasit: "Shko dhe tregoja mbretit atë që ke parë". Etiopasi u përul para Joabit dhe iku me vrap.
22. Ahimatsi, bir i Tsadokut, i tha prapë Joabit: "Sido që të ndodhë, të lutem, më lejo të fugoj prapa Etiopasit". Joabi i tha: "Po pse dëshiron të fugosh, biri im? Sidoqoftë nuk do të kesh asnjë shpërblim për lajmin që çon".
23. Dhe tjetri tha: "Sido që të ndodhë, dua të vrapoj". Joabi i tha: "Vrapo!". Atëherë Ahimatsi filloi të vrapojë nëpër rrugën e fushës dhe e kaloi Etiopasin.
24. Davidi ishte ulur midis dy profetëve; roja hipi në çatinë e portës pranë mureve; ngriti sytë dhe shikoi, dhe ja, një njeri vraponte krejt vetëm.
25. Roja bërtiti dhe njoftoi mbretin. Mbreti tha: "Në rast se është vetëm, sjell lajme". Dhe ai po afrohej gjithnjë e më tepër.
26. Pastaj roja pa një njeri tjetër që vraponte dhe i thirri rojes së portës: "Ja një tjetër njeri që vrapon vetëm!". Mbreti tha: "Edhe ky sjell lajme".
27. Roja shtoi: "Mënyra e të vrapuarit të të parit më duket si ajo e Ahimatsit, e birit të Tsadokut!". Mbreti tha: "Éshtë një njeri i mirë dhe vjen me lajme të bukura".
28. Ahimatsi i bërtiti mbretit dhe tha: "Paqe!". Pastaj u shtri përpara mbretit me fytyrën për tokë dhe tha: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia yt, që ka lënë në pushtetin tënd njerëzit që kishin ngritur duart kundër mbretit, zotërisë tim!".
29. Mbreti tha: "A është mirë i riu Absalom?". Ahimatsi u përgjigj: "Kur Joabi dërgoi shërbëtorin e mbretit dhe mua, shërbëtorin tënd, pashë një rrëmujë të madhe, por nuk e di përse bëhej fjalë".
30. Mbreti i tha: "Kthehu dhe qëndro këtu". Dhe ai u kthye dhe mbeti aty.
31. Pikërisht në atë çast arriti Etiopasi, i cili tha: "Lajme të mira, o mbret, o imzot. Zoti të ka siguruar sot drejtësi, duke të çliruar nga duart e të gjithë atyre që kishin ngritur krye kundër teje".
32. Mbreti i tha Etiopasit: "A është mirë i riu Absalom?". Etiopasi u përgjigj: "Armiqtë e mbretit, zotërisë tim, dhe tërë ata që ngriheshin kundër teje për të të bërë të keqe qofshin si ai i ri!".
33. Atëherë mbreti, duke u dridhur i tëri, u ngjit në dhomën që ishte mbi portën dhe qau; dhe thoshte: "O biri im Absalom; biri im, biri im Absalom! Të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!".

Psalmet 66:16-20
16. Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t'ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.
17. I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.
18. Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.
19. Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.
20. Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.

Fjalët e Urta 16:31-32
31. Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë.
32. Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet.

Nevojtore 7:28-53
28. Atëherë Jezusi, duke mësuar në tempull, thirri dhe tha: ''Ju më njihni dhe e dini se nga jam, megjithatë unë s'kam ardhur nga vetja, por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe ju nuk e njihni.
29. Por unë atë e njoh, sepse jam nga ai dhe ai më dërgoi''.
30. Prandaj ata kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij s'kishte ardhur akoma.
31. Por shumë veta nga turma besuan në të dhe thoshnin: ''Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?''.
32. Farisenjtë dëgjuan turmën duke pëshpëritur këto gjëra për të; prandaj farisenjtë dhe krerët e priftërinjve dërguan roje për ta kapur.
33. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Unë jam edhe për pak kohë me ju, pastaj do të shkoj tek ai që më ka dërguar.
34. Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni; dhe atje ku do të jem unë, ju nuk do të mund të vini''.
35. Prandaj Judenjtë thonin në mes tyre: ''Ku do të shkojë ky që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë midis Grekëve, dhe të mësojë Grekët?
36. Çfarë deshi të thoshte kur tha: "Ju do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni"; dhe: "Atje ku do të jem unë, ju nuk mund të vini"?''.
37. Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: ''Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.
38. Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë''.
39. Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.
40. Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshnin: ''Ky është me të vërtetë Profeti!''.
41. Të tjerë thoshnin: ''Ky është Krishti''. Kurse të tjerë thoshnin: ''Vallë nga Galilea vjen Krishti?
42. A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?''.
43. Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.
44. Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.
45. Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: ''Pse nuk e sollët?''.
46. Rojet u përgjigjen: ''Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri''.
47. Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: ''Mos u gënjyet edhe ju?
48. Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të?
49. Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar''.
50. Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre:
51. ''Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç'ka bërë ai?''.
52. Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Mos je edhe ti nga Galilea? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galilea s'ka dalë kurrë profet''.
53. Dhe secili u kthye në shtëpinë e vet.