A A A A A

Bibla në një vit


Maj 21


2 Samueli 13:1-39
1. Pastaj ndodhi që Absalomi, bir i Davidit, kishte një motër shumë të bukur që quhej Tamara; por Amnoni, bir i Davidit, u dashurua me të.
2. Amnoni u dashurua me aq pasion me motrën e tij Tamara sa ra i sëmurë, sepse ajo ishte e virgjër; dhe Amnonit i dukej e vështirë t'i bënte gjë.
3. Amnoni kishte një shok, që quhej Jonadab, bir i Shimeahut, vëllait të Davidit; Jonadabi ishte një njeri shumë dinak.
4. Ky i tha: "Pse, o bir i mbretit, vazhdon të dobësohesh çdo ditë që kalon? Nuk dëshiron të ma thuash?". Amnoni iu përgjigj: "Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e vëllait tim Absalom".
5. Atëherë Jonadabi i tha: "Rri në shtrat dhe bëj sikur je i sëmurë; kur të vijë yt atë të të shikojë, thuaji: "Bëj, të lutem, që motra ime Tamara të vijë të më japë të ha dhe ta përgatisë ushqimin në praninë time, në mënyrë që unë ta shikoj dhe ta marr nga duart e saj"".
6. Kështu Amnoni ra në shtrat dhe u shti i sëmurë; kur më vonë erdhi mbreti ta shikojë, Amnoni i tha: "Lër, të lutem, që motra ime Tamara të vijë dhe të më përgatisë nja dy kuleç në praninë time; kështu do të marr ushqim nga duart e saj".
7. Atëherë Davidi dërgoi njeri në shtëpinë e Tamarës për t'i thënë: "Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnon dhe përgatiti diçka për të ngrënë".
8. Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të saj Amnon, që rrinte shtrirë në shtrat. Pastaj mori pak miell, e brumosi, përgatiti disa kuleçë para syve të tij dhe i poqi.
9. Pastaj mori një enë me bisht dhe i derdhi kuleçët para tij, por Amnoni nuk pranoi t'i hajë dhe tha: "Nxirrni jashtë që këtej tërë njerëzit". Tërë sa ishin dolën jashtë.
10. Atëherë Amnoni i tha Tamarës: "Ma ço ushqimin në dhomën time dhe do ta marr nga duart e tua". Kështu Tamara i mori kuleçët që kishte përgatitur dhe i çoj në dhomën e Amnonit, vëllait të saj.
11. Ndërsa po ia jepte për të ngrënë, ai e kapi dhe i tha: "Eja, shtrihu me mua, motra ime".
12. Ajo iu përgjigj: "Jo, vëllai im, mos më poshtëro kështu; kjo nuk bëhet në Izrael; mos kryej një poshtërsi të tillë!
13. Po unë ku ta çoj turpin tim? Kurse ti do të konsiderohesh si keqbërës në Izrael. Tani, të lutem, foli mbretit dhe ai nuk ka për të më refuzuar ndaj teje".
14. Por ai nuk deshi ta dëgjojë dhe, duke qenë më i fortë se ajo, e dhunoi dhe ra në shtrat me të.
15. Pastaj Amnoni filloi ta urrejë me një urrejtje shumë të madhe, kështu që urrejtja që ndjente për të ishte më e madhe se dashuria me të cilën e kishte dashuruar më parë. Kështu Amnoni i tha: "Çohu, shko!".
16. Por ajo iu përgjigj: "Oh, jo! Dëmi që do të më bëje duke më përzënë do të ishte më i madh se ai që më ke bërë deri tani". Por ai nuk deshi ta dëgjojë.
17. Thirri, pra, shërbëtorin që e ndihmonte dhe i tha: "Largoje këtë larg meje dhe mbylle portën prapa saj".
18. Ajo kishte veshur një tunikë me mëngë, sepse kështu visheshin vajzat e mbretit akoma të virgjëra. Kështu shërbëtori i Amnonit e nxori jashtë dhe mbylli derën prapa saj.
19. Tamara atëherë hodhi mbi kryet e saj, grisi tunikën më mëngë që kishte veshur, vuri dorën mbi kokë dhe iku duke ulëritur.
20. Absalomi, vëllai, i tha: "Ndofta vëllai yt Amnon ka qenë me ty? Tani për tani hesht, motra ime; ai është yt vëlla; mos e lësho veten për këtë". Kështu Tamara mbeti e dëshpëruar në shtëpinë e Absalomit, vëllait të saj.
21. Kur mbreti David i mësoi të gjitha këto, u zemërua shumë.
22. Por Absalomi nuk i drejtoi asnjë fjalë Amnonit, as për të mirë as për të keq, sepse e urrente Amnonin se kishte poshtëruar motrën e tij Tamara.
23. Dy vjet më vonë, kur Absalomi kishte qethësit e bagëtive në Baal-Hatsroit pranë Efraimit, ftoi të gjithë bijtë e mbretit.
24. Absalomi shkoi të takohet me mbretin dhe i tha: "Shërbëtori yt ka qethësit; të lutem të vijë edhe mbreti me gjithë shërbëtorët e tij në shtëpinë e shërbëtorit tënd!".
25. Por mbreti i tha Absalomit: "Jo, biri im, nuk po vijmë tani të gjithë, që të mos të të rëndojë". Megjithëse ai nguli këmbë, mbreti nuk desh të shkonte, por i dha bekimin e tij.
26. Atëherë Absalomi i tha: "Në rast se nuk do të vish ti, të lutem, lejo Amnonin, vëllanë tim, të vijë me ne". Mbreti iu përgjigj: "Pse duhet të vijë me ty?".
27. Por Absalomi nguli këmbë aq shumë sa që Davidi lejoi të shkojnë bashkë me të Amnonin dhe gjithë bijtë e mbretit.
28. Absalomi u kishte dhënë këtë urdhër shërbëtorëve të tij, duke thënë: "Hapni sytë, kur Amnoni të jetë dehur nga vera dhe unë t'ju them: "Goditeni Amnonin!", ju vriteni dhe mos kini frikë. A nuk jam unë që ju urdhëroj? Bëhuni trima dhe tregohuni të fortë!".
29. Kështu shërbëtorët e Absalomit vepruan kundër Amnonit, ashtu si kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë tërë bijtë e mbretit u ngritën, hipën secili mbi mushkën e vet dhe ua mbathën.
30. Ndërsa ishin akoma rrugës, Davidit i arriti ky lajm: "Absalomi ka vrarë tërë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjëri prej tyre".
31. Atëherë mbreti u ngrit, grisi rrobat e tij dhe u shtri për tokë; dhe të gjithë shërbëtorët e tij, i rrinin rrotull, me rrobat e grisura.
32. Por Jonadabi, bir i Shimeahut dhe vëlla i Davidit, tha: "Të mos mendojë zotëria im që tërë të rinjtë, bijtë e mbretit, u vranë; Amnoni është i vetmi që vdiq. Me urdhër të Absalomit kjo gjë u vendos që ditën që Amnoni poshtëroi motrën e tij Tamara.
33. Prandaj mbreti, zotëria im, të mos hidhërohet duke menduar se të gjithë bijtë e mbretit kanë vdekur; vetëm Amnoni ka vdekur,
34. dhe Absalomi ka ikur". Ndërkaq i riu që bënte roje ngriti sytë, shikoi, dhe ja, një turmë e madhe njerëzish vinte nga rruga prapa tij, nga ana e malit.
35. Jonadabi i tha mbretit: "Ja bijtë e mbretit që po vijnë! Gjendja është pikërisht ashtu siç tha shërbëtori yt".
36. Sa e mbaroi fjalën, arritën bijtë e mbretit, të cilët e ngritën zërin dhe filluan të qajnë; edhe mbreti dhe tërë shërbëtorët e tij filluan të qajnë me të madhe.
37. Absaloni kishte ikur dhe kishte shkuar te Talmai, bir i Amihudit, mbret i Geshurit. Davidi mbante zi çdo ditë për birin e tij.
38. Kështu Absalimo ia mbathi dhe shkoi në Geshur, ku qëndroi tre vjet.
39. Mbreti David dëshironte të shkonte te Absalomi, sepse ishte ngushulluar tanimë nga vdekja e Amnonit.

2 Samueli 14:1-33
1. Joabi, bir i Tserujahut, vuri re që zemra e mbretit ishte e shqetësuar për Absalomin.
2. Kështu Joabi dërgoi dikë në Tekoa dhe solli që andej një grua të urtë, së cilës i tha: "Bëj sikur mban zi dhe vish një palë rroba zije; mos u lyej me vaj, por sillu si një grua që qan prej kohe një të vdekur.
3. Shko pra te mbreti dhe foli në këtë mënyrë". Dhe Joabi e mësoi se ç'duhej të thoshte.
4. Gruaja e Tekoas shkoi të flasë me mbretin, u hodh me fytyrën për tokë, u përul dhe tha: "Ndihmomë, o mbret!".
5. Mbreti i tha: "Çfarë ke?". Ajo u përgjigj: "Mjerësisht jam e ve dhe burri më ka vdekur.
6. Shërbëtorja jote kishte dy djem, por këta patën një grindje midis tyre në arë, dhe, me qenë se nuk kishte njeri t'i ndante, njeri gioditi tjetrin dhe e vrau.
7. Tani tërë farë e fis është ngritur kundër shërbëtores sate, duke thënë: "Na dorëzo atë që vrau vëllanë, që ta bëjmë të vdesë për jetën e vëllait që ai ka vrarë dhe për të shfarosur edhe trashëgimtarin". Në këtë mënyrë do të shuhet e vetmja urë zjarri që më ka mbetur dhe nuk kanë për t'i lënë burrit tim as emër as pasardhës mbi faqen e dheut".
8. Mbreti i tha gruas: "Shko në shtëpinë tënde; unë do të jap urdhrat për çështjen tënde".
9. Gruaja e Tekoas i tha mbretit: "O mbret, zotëria ime, faji të bjerë mbi mua dhe mbi shtëpinë e atit tim, por mbreti dhe froni i tij të jenë të pafaj".
10. Mbreti tha: "Në qoftë se dikush të thotë diçka, sille tek unë dhe ke për të parë që nuk do të të bjerë më në qafë".
11. Atëherë ajo tha: "Të mos e harrojë mbreti, të lutem, Zotin, Perëndinë tënd, në mënyrë që hakmarrësi i gjakut të mos vazhdojë të shkatërrojë dhe biri im të mos shfaroset". Ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, birit tënd, nuk do t'i bjerë në tokë asnjë qime floku!".
12. Atëherë gruaja i tha: "Lejoje shërbëtoren tënde t'i thotë akoma një fjalë mbretit!". Ai u përgjigj: "Thuaje, pra".
13. Gruaja ia rifilloi: "Pse ke menduar një gjë të tillë kundër popullit të Perëndisë? Duke folur në këtë mënyrë në fakt mbreti është deri diku fajtor, sepse mbreti nuk e kthen atë që është në mërgim.
14. Ne duhet të vdesim dhe jemi si ujët që derdhet mbi tokë, që nuk mund të mblidhet; por Perëndia nuk të heq jetën, por gjen mënyrën që ai që është në mërgim të mos qëndrojë larg tij.
15. Dhe tani kam ardhur të flas për këtë gjë me mbretin, me zotërinë time, sepse populli më ka trembur; dhe shërbëtorja jote ka thënë: "Dua të flas me mbretin; ndofta mbreti do të bëjë atë që shërbëtorja e tij do t'i thotë.
16. Mbreti do të dëgjojë shërbëtoren e tij dhe do ta çlirojë nga duart e atye që duan të më heqin mua dhe birin tim nga trashëgimia e Perëndisë".
17. Shërbëtorja jote thoshte: "Oh, fjala e mbretit, e tim zoti, më ngushëlloftë, sepse mbreti, zotëria ime, është si një engjëll i Perëndisë që di të dallojë të mirën dhe të keqen". Zoti, Perëndia yt, qoftë me ty".
18. Mbreti u përgjigj dhe i tha gruas: "Të lutem, mos më fshih asgjë nga ato që do të pyes. Gruaja i tha: "Le të flasë mbreti, Zotëria ime".
19. Atëherë mbreti tha: "A nuk është ndoshta dora e Joabit me ty në tërë këtë çështje?". Gruaja u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që ti rron, o mbret, zotëria im, çështja është pak a shumë ashtu siç e ka thënë mbreti, zotëria im; ka qenë në fakt shërbëtori yt Joabi ai që ka dhënë këto urdhëra dhe ka vënë tërë këto fjalë në gojën e shërbëtores sate.
20. Shërbëtori yt Joab e bëri këtë gjë për të sjellë një ndryshim në gjendjen e tanishme; por zotëria ime ka po atë dituri të një engjëlli të Perëndisë për të kuptuar tërë ato që ndodhin mbi dhe".
21. Atëherë mbreti i tha Joabit: "Ja, do të bëj pikërisht këtë. Shko, pra, dhe bëj që të kthehet i riu Absalom.
22. Atëherë Joabi u shtri me fytyrën për tokë, u përul dhe e bekoi mbretin. Pastaj Joabi tha: "Sot shërbëtori yt kupton se ka gjetur hirin tënd, o mbret, o imzot, sepse mbreti bëri atë që shërbëtori kishte kërkuar".
23. Kështu Joabi u ngrit dhe shkoi në Geshur, dhe e solli Absalomin në Jeruzalem.
24. Por mbreti tha: "Të mblidhet në shtëpinë e tij dhe të mos e shohë fytyrën time!". Kështu Absalomi u tërhoq në shtëpinë e tij dhe nuk e pa fytyrën e mbretit.
25. Në të gjithë Izraelin nuk kishte njeri që ta lavdëronin më tepër për bukuri se sa Absalomit; nga tabanët e këmbëve deri në majën e kokës nuk kishte asnjë të metë tek ai.
26. Kur priste flokët (dhe këtë e bënte çdo vit sepse flokët i rëndonin shumë), ai i peshonte flokët e kokës së tij; ato peshonin dyqind sikla simbas masave të caktuara nga mbreti.
27. Absalomit i lindën tre djem dhe një vajzë e quajtur Tamara, që ishte e hijshme.
28. Absalomi banoi dy vjet në Jeruzalem, pa e parë fytyrën e mbretit.
29. Pastaj Absalomi thirri Joabin për ta dërguar te mbreti, por ai nuk deshi të vinte; e dërgoi ta thërriste një herë të dytë, por ai nuk deshi të vinte.
30. Atëherë Absalomi u tha shërbëtorëve të tij: "Ja, ara e Joabit është pranë arës sime dhe aty ka elb; shkoni t'i vini zjarrin!". Kështu shërbëtorët e Absalomit i vunë zjarrin arës.
31. Atëherë Joabi u ngrit, shkoi në shtëpinë e Absalomit dhe i tha: "Pse shërbëtorët e tu i vunë zjarrin arës sime?".
32. Absalomi iu përgjigj Joabit: "Unë të kisha dërguar fjalë: "Eja këtu, që të kem mundësi të të dërgoj te mbreti për t'i thënë: Pse jam kthyer nga Geshuri? Do të kishte qenë më mirë për mua të kisha mbetur atje". Tani më lejo të shoh fytyrën e mbretit. Në rast se tek unë ka ndonjë paudhësi, ai të shkaktojë vdekjen time".
33. Joabi shkoi atëherë te mbreti dhe ia tregoi çështjen. Ky thirri Absalomin që shkoi te mbreti dhe ra përmbys me fytyrën për tokë përpara tij; dhe mbreti e puthi Absalomin.

Psalmet 66:1-7
1. Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;
2. i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.
3. I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.
4. Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)
5. Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
6. Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
7. Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)

Fjalët e Urta 16:25-26
25. Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes.
26. Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit.

Nevojtore 6:52-71
52. Atëherë Judenjtë filluan të diskutojnë njeri me tjetrin duke thënë: ''Si mundet ky të na japë të hamë mishin e tij?''.
53. Prandaj Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj.
54. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.
55. Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije.
56. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të.
57. Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim.
58. Kjo është buka që zbriti nga qielli; nuk është si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën; kush ha këtë bukë do të jetojë përjetë''.
59. Këto gjëra tha Jezusi në sinagogë, duke mësuar në Kapernaum.
60. Kur i dëgjuan këto, shumë nga dishepujt e tij thanë: ''Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?''.
61. Por Jezusi, duke e ditur në vetvete se dishepujt e vet po murmurisnin për këtë, u tha atyre: ''Kjo ju skandalizon?
62. Ç'do të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë?
63. Éshtë Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë.
64. Por janë disa midis jush që nuk besojnë''; në fakt Jezusi e dinte që në fillim kush ishin ata që nuk besonin, dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte;
65. dhe thoshte: ''Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im''.
66. Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.
67. Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: ''A doni edhe ju të largoheni?''.
68. Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: ''Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.
69. Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë''.
70. Jezusi u përgjigj atyre: ''A nuk ju kam zgjedhur unë ju të dymbëdhjetët? E një prej jush është një djall''.
71. Por ai fliste për Judë Iskariotin, birin e Simonit, sepse ky kishte për ta tradhtuar, ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët.