A A A A A

Bibla në një vit

Maj 10

1 Samueli 22:1-23
1. Pastaj Davidi u nis që andej dhe u strehua në shpellën e Adulamit; kur vëllezërit e tij dhe tërë shtëpia e atit të tij e mësuan, zbritën aty poshtë tek ai.
2. Dhe tërë ata që hasnin vështirësi, që kishin borxhe o që ishin të pakënaqur u mblodhën pranë tij dhe ai u bë kreu i tyre. Ishin me të rreth katërqind veta.
3. Që andej Davidi shkoi në Mitspah të Moabit dhe i tha mbretit të Moabit: "Lejo që ati dhe nëna ime të vijnë dhe të banojnë me ju, deri sa unë të mësoj se çfarë do të bëjë Perëndia për mua".
4. Kështu ai i çoi para mbretit të Moabit, dhe ata qëndruan me të tërë kohën që Davidi ndodhej në fortesë.
5. Pastaj profeti Gad i tha Davidit: "Mos qëndro më në fortesë, por nisu dhe shko në vendin e Judës". Atëherë Davidi u nis dhe shkoi në pyllin e Herethit.
6. Kur Sauli mësoi që Davidi dhe njerëzit që ishin me të qenë zbuluar (Sauli ndodhej atëherë në Gibeah poshtë nën drurin e marinës në Ramah, me ushtën e tij në dorë dhe të gjithë shërbëtorët e tij e rrethonin).
7. Sauli u tha shërbëtorëve që i rrinin rreth e qark: "Më dëgjoni tani, Beniaminitë! Biri i Isait do t'ju japë juve ara dhe vreshta. Do t'ju bëjë të gjithëve komandantë të mijëshëve dhe qindëshëve?
8. Të gjithë ju keni komplotuar, dhe asnjë nga ju nuk më ka informuar për besëlidhjen, që im bir ka lidhur me birin e Isait; dhe nuk ka asnjë prej jush që t'i vijë keq për mua dhe të më njoftojë që im bir ka ngritur kundër meje shërbëtorin tim që të më kurdisë kurthe siç bën sot?".
9. U përgjegj atëherë Idumei Doeg, që rrinte në krye të shërbëtorëve të Saulit, dhe tha: "Unë e pashë birin e Isait kur erdhi në Nob tek Ahimeleku, bir i Ahitubit;
10. ky është këshilluar me Zotin lidhur me të, i dha ushqime dhe i dorëzoi shpatën e Filisteut Goliath".
11. Atëherë mbreti dërgoi të thërrasin priftin Ahimelek, birin e Ahitubit, dhe tërë shtëpinë e atit të tij, priftërinjtë që ishin në Nob; dhe ata erdhën të gjithë te mbreti.
12. Sauli tha: "Tani dëgjo, o bir i Ahitubit!". Ai u përgjegj: Ja ku jam, o imzot".
13. Sauli i tha: "Pse ti dhe biri i Isait keni komlotuar kundër meje, duke i dhënë bukë dhe një shpatë, dhe je këshilluar me Perëndinë lidhur me të, me qëllim që të ngrihet kundër meje dhe të më kurdisë kurthe siç bën sot?".
14. Atëherë Ahimeleku iu përgjegj mbretit, duke thënë: "Po midis gjithë shërbëtorëve të tu kush është besnik si Davidi, dhëndër i mbretit, i gatshëm nën urdhrat e tua dhe i nderuar në shtëpinë tënde?
15. Vallë sot kam filluar të këshillohem me Perëndinë për të? Mos qoftë kurrë, që mbreti të akuzojë për gjëra të tilla shërbëtorin e tij apo dikë nga shtëpia e atit tim, sepse shërbëtori yt nuk dinte asgjë nga tërë kjo, as pak e as shumë".
16. Mbreti tha: "Ti me siguri ke për të vdekur, Ahimelek, ti dhe tërë shtëpia e atit tënd!".
17. Atëherë mbreti urdhëroi rojet që e rrethonin: "Kthehuni dhe vritni priftërinjtë e Zotit, sepse edhe ata mbajnë anën Davidit dhe e dinin që ai kishte ikur, por nuk më njoftuan". Por shërbëtorët e mbretit nuk deshën të zgjatnin duart për të goditur priftërinjtë e Zotit.
18. Atëherë mbreti i tha Doegut: "Kthehu ti dhe godit priftërinjtë!". Kështu Idumeti Doeg u kthye dhe goditi priftërinjtë; atë ditë vrau tetëdhjetë e pesë persona që mbanin efodin prej liri.
19. Sauli goditi gjithashtu me shpatë Nobin, qytetin e priftërinjve, burrat, gratë, të vegjëlit, foshnjat e gjirit, lopët, gomarët dhe delet; i vrau të gjithë me shpatë.
20. Megjithatë një nga bijtë e Ahimelekut, bir i Ahitubit, i quajtur Abiathar, shpëtoi dhe u strehua pranë Davidit.
21. Abiathari i njoftoi Davidit që Sauli kishte vrarë priftërinjtë e Zotit.
22. Davidi i tha Abiatharit: "Unë e dija mirë atë ditë që Idumeu Doeg, i cili ndodhej aty, pa dyshim do ta lajmëronte Saulin. Unë jam shkaktari i vdekjes të të gjithë personave të shtëpisë së atit tënd.
23. Rri me mua, mos ki frikë; ai që kërkon jetën time kërkon edhe tënden; por me mua do të jesh i sigurt.

1 Samueli 23:1-29
1. Pastaj i thanë Davidit: "Ja, Filistejtë janë duke luftuar kundër Kejlahut dhe po plaçkisnin lëmenjtë".
2. Kështu Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: "Të shkoj unë t'i mund këta Filistej?". Zoti iu përgjegj me këto fjalë Davidit: "Shko, mundi Filistejtë dhe shpëto Kejlahun".
3. Por njerëzit e Davidit i thanë: "Ja, ne na ka zënë frika që këtu në Jude, si do të bëhet pastaj në rast se shkojmë në Kejlah kundër trupave të Filistejve?".
4. Davidi u këshillua përsëri me Zotin dhe Zoti iu përgjegj dhe i tha: "Çohu, zbrit në Kejlah, sepse unë do t'i jap Filistejtë në duart e tua".
5. Atëherë Davidi shkoi me njerëzit e tij në Kejlah, luftoi kundër Filistejve, ua mori bagëtinë dhe bëri kërdi të madhe në radhët e tyre. Kështu Davidi çliroi banorët e Kejlahut.
6. Kur Abiathari, bir i Ahimelekut, u strehua pranë Davidit në Kejlah, solli me vete edhe efodin.
7. Saulin e njoftuan që Davidi kishte arritur në Kejlah. Atëherë Sauli tha: "Perëndia e ka dorëzuar në duart e mia, sepse vajti të mbyllet në një qytet që ka porta dhe shule.".
8. Sauli mblodhi tërë popullin për luftë, për të zbritur në Kejlah dhe për të rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij.
9. Kur Davidi mësoi që Sauli po kurdiste të keqen kundër tij, i tha priftit Abiathar: "Sille këtu efodin".
10. Pastaj Davidi tha: "O Zot, Perëndi i Izraelit, shërbëtori yt e ka kuptuar qartë që Sauli kërkon të vijë në Kejlah për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim.
11. Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë në duart e tij? A do të zbresë Sauli si ka dëgjuar shërbëtori yt? O Zot, Perëndi i Izraelit, bëja të ditur shërbëtorit tënd!". Zoti u përgjegj: "Ka për të zbritur".
12. Davidi pyeti akoma: "Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë mua dhe njerëzit e mi në duart e Saulit?". Zoti u përgjegj: "Do t'ju dorëzojnë".
13. Atëherë Davidi dhe njerëzit e tij, rreth gjashtëqind veta, dolën nga Kejlahu dhe brodhën sa andej e këtej. Kur Sauli u njoftua që Davidi kishte ikur nga Kejlahu, ai hoqi dorë nga fushata e tij.
14. Davidi banoi në fortesa të shkretëtirës dhe qëndroi në krahinën malore të shkretëtirës së Zifit. Sauli e kërkonte vazhdimisht, por Perëndia nuk ia dorëzoi në dorë.
15. Davidi, duke ditur që Sauli ishte nisur për ta vrarë, mbeti në shkretëtirën e Zifit, në pyll.
16. Atëherë Jonathani, bir i Saulit, u ngrit dhe shkoi te Davidi në pyll; dhe e ndihmoi të gjejë forcë te Perëndia.
17. Pastaj i tha: "Mos ki frikë, sepse Sauli, ati im, nuk do të arrijë të të shtjerë në dorë; ti do të mbretërosh mbi Izraelin dhe unë do të jem i dyti pas teje. Vetë Sauli, ati im, e di këtë".
18. Kështu të dy bënë një besëlidhje para Zotit; pas kësaj Davidi mbeti në pyll, kurse Jonathani shkoi në shtëpinë e tij.
19. Pastaj Zifejtë shkuan te Sauli në Gibeah dhe i thanë: "A nuk rri Davidi i fshehur në fortesa në pyll, mbi kodrën e Hakilahut që ndodhet në jug të shkretëtirës?
20. Prandaj, o mbret, zbrit, sepse gjithë dëshira e shpirtit tënd është të zbresësh; do të mendojmë ne ta dorëzojmë në duart e mbretit".
21. Sauli tha: "Qofshi të bekuar nga Zoti, sepse ju ka ardhur keq për mua!
22. Shkoni, ju lutem, dhe sigurohuni më mirë për të njohur dhe për të parë vendin ku strehohet, dhe kush e ka parë atje, sepse më thonë që ai është shumë dinak.
23. Përpiquni të njihni të gjitha vendet e fshehta ku strehohet; pastaj kthehuni tek unë me lajme të sigurta dhe unë do të vij me ju. Kështu, në qoftë se ai është në atë vend, unë do ta kërkoj midis të gjithë mijërave të Judës".
24. Atëherë ata u ngritën dhe shkuan në Zif, përpara Saulit: por Davidi dhe njerëzit e tij ishin në shkretëtirën e Maonit, në Arabah, në jug të shkretëtirës.
25. Kur Sauli dhe njerëzit e tij shkuan ta kërkojnë, Davidin e kishin lajmëruar; prandaj ai zbriti te shkëmbi dhe mbeti në shkretëtirën e Maonit. Kur e mori vesh Sauli, e ndoqi Davidin në shkretëtirën e Maonit.
26. Sauli ecte mbi një anë të malit, ndërsa Davidi me gjithë njerëzit e tij ecnin në anën tjetër. Kur Davidi po shpejtonte marshimin e tij për t'i shpëtuar Saulit, ndërsa Sauli dhe njerëzit e tij ishin duke rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij për t'i kapur,
27. arriti te Sauli një lajmëtar që tha: "Shpejtohu të vish, sepse Filistejtë kanë pushtuar vendin".
28. Kështu Sauli nuk e ndoqi më Davidin dhe shkoi të përballojë Filistejtë; prandaj ky vend u quajt "shkëmbi i ndarjes".
29. Pastaj që andej Davidi shkoi për t'u vendosur në fortesat e En-Gedit.

Psalmet 59:6-17
6. Ata kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.
7. Ja, ata nxjerrin fyerje nga goja e tyre; kanë shpata mbi buzët e tyre dhe thonë: "Kush na dëgjon?".
8. Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta; do të tallesh me të gjitha kombet.
9. O forca ime, do të shikoj ty, sepse Perëndia është kështjella ime.
10. Perëndia im i dhembshur do të më dalë përballë; Perëndia im do të më bëjë të shoh atë që dëshiroj mbi armiqtë e mi.
11. Mos i vrit, që populli im të mos harrojë; në sajë të fuqisë sate lëri të enden dhe rrëzoji, o Zot, mburoja jonë.
12. Për mëkatin e gojës së tyre dhe për fjalët e buzëve të tyre i zëntë laku i kryelartësisë së tyre, për shkak të mallkimeve dhe të gënjeshtrave që thonë.
13. Asgjesoji në zemërimin tënd, asgjesoji dhe mos qofshin më; dhe le të dinë që Perëndia mbretëron te Jakobi dhe deri në kufijtë e tokës. (Sela)
14. Në mbrëmje ata kthehen, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.
15. Enden për të kërkuar ushqim dhe po të jetë se nuk e gjejnë për të ngrënë, e kalojnë natën duke u ankuar.
16. Por unë do të kremtoj fuqinë tënde dhe në mëngjes do të lëvdoj me zë të lartë mirësinë tënde, sepse ti ke qenë për mua një kështjellë dhe një strehë ditën e fatkeqësisë.
17. O forca ime, ty do të këndoj lavdet, sepse ti, o Perëndi, je kështjella ime, Perëndia që ka mëshirë për mua.

Fjalët e Urta 16:1-2
1. Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti.
2. Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët.

Nevojtore 1:1-28
1. Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.
2. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.
3. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.
4. Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.
5. Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.
6. Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon.
7. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;
8. ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.
9. Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.
10. Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu.
11. Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan,
12. por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,
13. të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.
14. Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.
15. Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: ''Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje"''.
16. Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.
17. Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.
18. Askush s'e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t'Et, është ai që e ka bërë të njohur.
19. Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur Judenjtë i dërguan nga Jeruzalemi priftërinj dhe levitë për ta pyetur: ''Kush je ti?''.
20. Ai edhe e rrëfeu, edhe nuk e mohoi, dhe rrëfeu: ''Unë nuk jam Krishti''.
21. Atëherë ata e pyetën: ''Kush je, pra? A je Elia?''. Ai tha: ''Nuk jam!''. ''Je ti profeti?''. Dhe ai përgjigjej: ''Jo!''.
22. Atëherë ata i thanë: ''Kush je ti, që t'u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç'thua për veten tënde?''.
23. Ai u përgjigj: ''Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia''.
24. Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë;
25. ata e pyetën dhe i thanë: ''Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as profeti?''.
26. Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: ''Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni.
27. Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t'ia zgjidh lidhësen e sandaleve''.
28. Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.