A A A A A

Bibla në një vit


Prill 7


Jozueu 3:1-17
1. Jozueu u ngrit herët në mëngjes; ai dhe tërë bijtë e Izraelit u nisën pastaj nga Shitimi dhe arritën në Jordan; u ndalën aty para se ta kalojnë
2. Mbas tri ditëve, oficerët kaluan nëpër tërë kampin,
3. dhe i dhanë popullit këtë urdhër, duke i thënë: "Kur të shihni arkën e besëlidhjes të Zotit, Perëndisë tuaj, të mbajtur nga priftërinjtë levitë, do të niseni nga vendi juaj dhe do ta ndiqni.
4. Midis jush dhe arkës do të ketë një largësi prej rreth dy mijë kubitësh. Mos iu afroni asaj, me qëllim që të njihni rrugën nëpër të cilën duhet të shkoni, sepse deri tani nuk keni kaluar kurrë nëpër këtë rrugë".
5. Dhe Jozueu i tha popullit: "Shenjtërohuni, sepse nesër Zoti ka për të bërë mrekulli midis jush".
6. Pastaj Jozueu u foli priftërinjve, duke u thënë: "Merrni arkën e besëlidhjes dhe kaloni përpara popullit". Kështu ata morën arkën e besëlidhjes dhe ecën para popullit.
7. Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Sot do të filloj të të bëj të madh në sytë e të gjithë Izraelit, me qëllim që të kuptojnë se ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem edhe me ty.
8. Prandaj ti jepu këtë urdhër priftërinjve që mbajnë arkën e besëlidhjes, duke u thënë: "Kur të arrini në breg të Jordanit, do të ndaleni në Jordan"".
9. Jozueu u tha atëherë bijve të Izraelit: "Afrohuni dhe dëgjoni fjalët e Zotit, Perëndisë tuaj".
10. Pastaj Jozueu tha: "Nga kjo do të njihni që Zoti i gjallë është midis jush dhe që me siguri ka për të dëbuar para jush Kananejtë, Hitejtë, Hivejtë, Perezejtë, Girgasejtë, Amorejtë dhe Jebusejtë;
11. ja, arka e besëlidhjes së Zotit të të gjithë dheut po bëhet gati të kalojë para jush në lumin Jordan.
12. Merrni, pra, dymbëdhjetë burra nga fiset e Izraelit, një për çdo fis.
13. Dhe ka për të ndodhur që, porsa tabanët e këmbëve të priftërinjve që mbajnë arkën e Zotit, Zot i gjithë tokës, do të takojnë në ujërat e Jordanit, ujërat e Jordanit do të ndahen, dhe ujërat që zbresin nga lart do të ndalen tok".
14. Kështu, kur populli ngriti çadrat për të kaluar Jordanin, priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes ecnin përpara popullit.
15. Sapo ata që mbanin arkën arritën në Jordan dhe këmbët e priftërinjve që trasportonin arkën u zhytën në ujërat e bregut të tij (Jordani është i mbushur plot deri në brigjet e tij gjatë tërë kohës së korrjes),
16. ujërat që zbrisnin nga sipër u ndalën dhe u ngritën tok shumë më lart se Adami, qyteti që ndodhet pranë Tsartanit; kështu që ujërat që zbrisnin në drejtim të detit të Arabahut, Detit të Kripur, u ndanë tërësisht prej tyre; dhe populli i kaloi përballë Jerikos.
17. Priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes të Zotit u ndalën në vend të thatë në mes të Jordanit, ndërsa tërë Izraeli po kalonte në të thatë, deri sa tërë populli mbaroi së kapërcyeri Jordanin.

Jozueu 4:1-24
1. Kur tërë populli mbaroi së kapërcyeri Jordanin, Zoti i foli Jozueut, duke i thënë:
2. "Merrni nga radhët e popullit dymbëdhjetë burra, një për çdo fis,
3. dhe u jepni këtë urdhër, duke thënë: "Merrni dymbëdhjetë gurë që këtej, në mes të Jordanit, pikërisht në vendin ku u ndalën këmbët e priftërinjve, i merrni, me vete matanë lumit dhe i vendosni në vendin ku do të strehoheni sonte"".
4. Atëherë Jozueu thirri dymbëdhjetë burrat që kishte zgjedhur ndër bijtë e Izraelit, një për çdo fis,
5. dhe u tha atyre: "Kaloni para arkës së Zotit, Perëndisë tuaj, në mes të Jordanit, dhe secili prej jush të mbajë në kurriz një gur, simbas numrit të fiseve të bijve të Izraelit,
6. me qëllim që kjo të jetë një shenjë midis jush. Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t'ju pyesin, duke thënë: "Ç'janë për ju këta gurë?",
7. ju do t'u përgjigjeni kështu: "Ujërat e Jordanit u ndanë para arkës së besëlidhjes të Zotit; kur ajo kaloi Jordanin, ujërat e tij u ndanë dhe këta gurë do të jenë për bijtë e Izraelit një kujtim për jetë"".
8. Bijtë e Izraelit bënë pikërisht ashtu si i kishte urdhëruar Jozueu: morën dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, ashtu si e kishte porositur Zoti Jozueun, në bazë të numrit të fiseve të Izraelit, dhe i morën me vete matanë lumit në vendin ku do të kalonin natën, dhe i vendosën aty.
9. Jozueu ngriti gjithashtu dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, në vendin ku ishin ndalur këmbët e priftërinjve që mbanin arkën e besëlidhjes; dhe aty kanë mbetur deri më sot.
10. Priftërinjtë që mbanin arkën u ndalën në mes të Jordanit deri sa u plotësua tërësisht ajo që i kishte urdhëruar Zoti Jozueut t'i thoshte popullit, në bazë të të gjitha atyre që Moisiu i kishte urdhëruar
11. Kur tërë populli mbaroi së kaluari, arka e Zotit dhe priftërinjtë kaluan në prani të popullit.
12. Bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit kaluan të armatosur në krye të bijve të Izraelit, ashtu siç u kishte thënë Moisiu.
13. Rreth dyzet mijë njerëz me veshje lufte kaluan para Zotit në fushat e Jerikos, gati për të luftuar.
14. Po atë ditë, Zoti e bëri të madh Jozueun në sytë e tërë Izraelit, dhe banorët e tij patën frikë nga ai ashtu si patën frikë nga Moisiu gjatë gjithë ditëve të jetës së tij.
15. Pastaj Zoti i foli Jozueut dhe i tha:
16. "Urdhëro priftërinjtë që mbajnë arkën e Dëshmisë të dalin nga Jordani".
17. Atëherë Jozueu urdhëroi priftërinjtë duke u thënë: "Dilni nga Jordani".
18. Dhe ndodhi që kur priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes së Zotit, dolën nga Jordani dhe tabanët e këmbëve të tyre shkelën tokën e thatë, ujërat e Jordanit u kthyen në vendin e tyre dhe filluan të rrjedhin si më parë në lartësinë e brigjeve të tij.
19. Populli doli nga Jordani ditën e dhjetë të muajit të parë dhe ngriti kampin e tij në Gilgal, në skajin lindor të Jerikos.
20. Ata dymbëdhjetë gurë që i kishin marrë nga Jordani, Jozueu i çoi në Gilgal.
21. Pastaj u foli bijve të Izraelit dhe u tha atyre: "Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t'i pyesin etërit e tyre duke thënë: "Ç'janë këta gurë?",
22. ju do t'ua bëni të ditur bijve tuaj, duke thënë: "Izraeli e kaloi këtë Jordan në të thatë,
23. sepse Zoti, Perëndia juaj, i thau ujërat e Jordanit para jush deri sa të kalonit, ashtu si Zoti, Perëndia juaj, veproi në Detin e Kuq, të cilin e thau para nesh deri sa të kalonim,
24. me qëllim që tërë popujt e tokës të pranojnë që Zoti ka dorë të fuqishme, dhe që ju të keni gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia juaj"". i Pashkës

Psalmet 42:1-5
1. Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.
2. Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?
3. Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
4. Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.
5. Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.

Fjalët e Urta 13:17-18
17. Lajmëtari i keq bie në telashe, por lajmëtari besnik sjell shërim.
18. Mjerimi dhe turpi do të vjinë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet.

Luke 9:1-17
1. Pastaj, mbasi i thirri bashkë të dymbëdhjetë dishepujt e vet, u dha atyre pushtet dhe autoritet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet.
2. Dhe i nisi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët.
3. Dhe u tha atyre: ''Mos merrni asgjë për rrugë: as shkop, as trastë, as bukë, as para dhe asnjë prej jush të mos ketë dy tunika me vete.
4. Në atë shtëpi ku të hyni, aty rrini deri sa të largoheni.
5. Nëse disa nuk ju pranojnë, duke dalë prej atij qyteti, shkundni edhe pluhurin nga këmbët tuaja, si dëshmi kundër tyre''.
6. Atëherë ata u nisën dhe përshkuan fshatrat duke përhapur ungjillin dhe duke shëruar kudo.
7. Herodi, tetrarku, kishte dëgjuar për të gjitha gjërat që kishte kryer Jezusi dhe ishte në mëdyshje, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ringjallur së vdekuri,
8. të tjerë se ishte shfaqur Elia, e disa të tjerë se ishte ringjallur një nga profetët e lashtë.
9. Por Herodi tha: ''Gjonit unë ia kam prerë kokën; kush do të jetë ky, për të cilin po dëgjoj të thuhen të tilla gjëra?''. Dhe kërkonte ta shihte.
10. Kur u kthyen apostujt, i treguan Jezusit të gjitha gjërat që kishin bërë. Atëherë ai i mori me vete dhe u tërhoq mënjanë, në një vend të shkretë të një qyteti, që quhej Betsaida.
11. Po, kur turmat e morën vesh, i ndiqnin; dhe ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim.
12. Tani kur dita filloi të mbarojë, të dymbëdhjetët iu afruan dhe i thanë: ''Nise turmën, që të shkojë nëpër fshatra e nëpër fushat përreth, që të gjejë strehë dhe ushqim, sepse këtu jemi në një vend të shkretë''.
13. Por ai u tha atyre: ''U jepni ju të hanë''. Ata u përgjigjen: ''Ne nuk kemi tjetër veç se pesë bukë e dy peshq; vetëm nëse shkojmë vetë të blejmë ushqim për gjithë këta njerëz''.
14. Ishin, pra, rreth pesë mijë burra. Por ai u tha dishepujve të vet: ''I vini të ulen në grupe nga pesëdhjetë''.
15. Ata vepruan në këtë mënyrë dhe i ulën të gjithë.
16. Atëherë ai i mori të pesë bukët dhe të dy peshqit dhe, pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës.
17. Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën; nga copat që tepruan mblodhën dymbëdhjetë shporta.