A A A A A

Bibla në një vit


Prill 6


Jozueu 1:1-18
1. Mbas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Zotit, ndodhi që Zoti i foli Jozueut, djalit të Nunit, që i shërbente Moisiut, dhe i tha:
2. "Moisiu, shërbëtori im, vdiq; prandaj çohu, kalo Jordanin, ti dhe gjithë ky popull, dhe shko në atë vend që unë u jap atyre, bijve të Izraelit.
3. Unë ju kam dhënë çdo vend që tabani i këmbës suaj ka për të shkelur, siç i thashë Moisiut.
4. Territori yt do të shtrihet nga shkretëtira dhe nga Libani deri në lumin e madh, në lumin e Eufratit, nga tërë vendi i Hitejve deri në Detin e Madh, në perëndim.
5. Askush nuk do të mund të të kundërshtojë gjatë tërë ditëve të jetës sate; ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.
6. Ji i fortë dhe trim, sepse ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin që u betova t'u jap etërve të tyre.
7. Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh simbas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh.
8. Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.
9. A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh".
10. Atëherë Jozueu urdhëroi oficerët e popullit, duke u thënë:
11. "Kaloni përmes kampit dhe jepini popullit këtë urdhër, duke i thënë: Siguroni rezerva ushqimore, sepse brenda tri ditëve do të kaloni Jordanin për të vajtur të pushtoni vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep si trashëgimi".
12. Jozueu u foli gjithashtu Rubenitëve, Gaditëve dhe gjysmës së fisit të Manasit, duke u thënë:
13. "Mbani mend fjalën që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju urdhëroi kur ju tha: "Zoti, Perëndia juaj, ju ka dhënë pushim dhe ju ka dhënë këtë vend.
14. Gratë tuaja, të vegjëlit tuaj, dhe bagëtia juaj do të mbeten në vendin që Moisiu ju ka dhënë nga kjo anë e Jordanit; por ju, tërë luftëtarët tuaj trima do të kaloni të armatosur para vëllezërve tuaj dhe do t'i ndihmoni,
15. derisa Zoti t'u ketë dhënë pushim vëllezërve tuaj ashtu si juve, dhe ta kenë shtënë në dorë vendin që Zoti, Perëndia juaj, u jep atyre. Atëherë mund të ktheheni për të pushtuar vendin që ju përket, dhe që Moisiu, shërbëtor i Zotit, ju ka dhënë këtej Jordanit në drejtim të Lindjes"".
16. Atëherë ata iu përgjigjën Jozueut, duke i thënë: "Ne do të bëjmë të gjitha ato që ti na urdhëron dhe do të shkojmë kudo që të na çosh.
17. Ashtu siç i jemi bindur për çdo gjë Moisiut, kështu do të të bindemi ty. Vetëm me ty qoftë Zoti, Perëndia yt, ashtu siç ka qenë me Moisiun!
18. Kushdo që ngre krye kundër urdhrave të tua, dhe nuk u bindet fjalëve të tua, do të vritet. Vetëm ji i fortë dhe trim!".

Jozueu 2:1-24
1. Jozueu, bir i Nunit, dërgoi dy burra te Shitimi për të vëzhguar fshehurazi, duke u thënë: "Shkoni, kontrolloni vendin dhe Jerikon". Kështu ata shkuan dhe hynë në shtëpinë e një prostitute, të quajtur Rahab, dhe aty banuan.
2. Këtë gjë ia referuan mbretit të Jerikos, duke i thënë: "Ja, disa bij të Izraelit erdhën këtu sonte natën për të vëzhguar vendin".
3. Atëherë mbreti i Jerikos dërgoi t'i thotë Rahabit: "Nxirri jashtë njerëzit që kanë ardhur te ti dhe kanë hyrë në shtëpinë tënde, sepse ata kanë ardhur për të vëzhguar tërë vendin".
4. Por gruaja i mori dy burrat dhe i fshehu; pastaj tha: "Éshtë e vërtetë, këta njerëz erdhën tek unë, por nuk dija nga ishin.
5. Në çastin kur mbyllej porta e qytetit, kur ishte errësuar, ata burra dolën; nuk e di se ku shkuan; ndiqini menjëherë, sepse mund t'i arrini".
6. (Ajo përkundrazi i kishte hipur mbi çati dhe i kishte fshehur midis kërcejve të lirit, që i kishte shtrirë mbi shtrat).
7. Atëherë ata i ndoqën në rrugën e Jordanit, në drejtim të vahut të lumit; dhe sapo dolën ndjekësit, porta u mbyll.
8. Por para se t'i zinte gjumi spiunët, Rahabi u ngjit pranë tyre në çati,
9. dhe u tha atyre burrave: "Unë e di që Zoti ju ka dhënë vendin, që tmerri juaj na ka zënë, dhe që të gjithë banorët e vendit dridhen nga frika para jush.
10. Sepse ne kemi dëgjuar si i thau ujërat e Detit të Kuq Zoti përpara jush kur dolët nga Egjipti, dhe atë që ju u bëtë dy mbretërve të Amorejve, matanë Jordanit, Sihonit dhe Ogut, që vendosët t'i shfarosni.
11. Duke dëgjuar këto gjëra zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë.
12. Prandaj, ju lutem, betohuni në emër të Zotit që, ashtu si kam treguar dhembshuri ndaj jush, edhe ju do të tregoni po atë dhembshuri ndaj shtëpisë së atit tim; më jepni, pra, një shenjë të sigurt,
13. që do t'i lini të gjallë atin tim, nënën time, vëllezërit dhe motrat e mia dhe të gjitha gjërat që u përkasin atyre, dhe që do të shpëtoni jetën tonë nga vdekja".
14. Ata burra iu përgjigjën: "Jeta jonë për atë tuajën, mjaft që të mos e tregoni çështjen tonë; dhe kur Zoti do të na japë vendin, ne do të të trajtojmë me mëshirë dhe me shpirtlirësi".
15. Atëherë ajo i zbriti nga dritarja me një litar, sepse shtëpia e saj ndodhej mbi muret e qytetit, dhe ajo banonte mbi muret.
16. Dhe u tha atyre: "Shkoni në drejtim të malit, që ndjekësit tuaj të mos ju gjejnë; dhe qëndroni tri ditë të fshehur atje, deri sa të kthehen ndjekësit tuaj; pastaj do të vazhdoni rrugën tuaj".
17. Atëherë ata burra i thanë: "Ne do të çlirohemi nga betimi që na detyrove të bëjmë,
18. po të jetë se, kur të hyjmë në këtë vend, ti nuk ngjit në dritaren nga e cila po na zbret këtë kordon të hollë me ngjyrë të kuqerreme dhe po nuk mblodhe në shtëpinë tënde atin tënd, nënën tënde vëllezërit e tu dhe tërë familjen e atit tënd.
19. Por në rast se dikush del jashtë pragut të shtëpisë sate, gjaku i tij do të bjerë mbi krye të vet, dhe ne nuk do të kemi faj për këtë; por gjaku i kujtdo qoftë që do të jetë me ty në shtëpi do të bjerë mbi kokën tonë, në qoftë se dikush i prek me dorë.
20. Por në rast se ti tregon punën tonë, ne do të çlirohemi nga betimi që na ke detyruar të bëjmë".
21. Ajo tha: "U bëftë ashtu si thatë ju". Pastaj u nda me ta dhe ata ikën. Ajo lidhi në dritare kordonin e hollë të kuqerremë.
22. Ata ikën, pra, dhe shkuan në mal ku ndenjën tri ditë, deri sa u kthyen ndjekësit; ndjekësit i kishin kërkuar gjatë gjithë rrugës, por pa i gjetur dot.
23. Kështu të dy burrat u kthyen, zbritën nga mali, kaluan Jordanin dhe erdhën te Jozueu, bir i Nunit, dhe i treguan të gjitha ato që kishin kaluar.
24. Dhe i thanë Jozueut: "Me siguri Zoti na e ka lënë në duart tona tërë vendin; që tani tërë banorët e vendit dridhen nga frika para nesh".

Psalmet 41:1-13
1. Lum ai që kujdeset për të varfërin; Zoti do ta çlirojë ditën e fatkeqësisë.
2. Zoti do ta ruajë dhe do ta mbajë të gjallë; ai do të jetë i lumtur mbi tokë dhe ti nuk do ta lësh në duart e armiqve të tij.
3. Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes; gjatë sëmundjes së tij, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin e tij.
4. Unë kam thënë: "O Zot, ki mëshirë për mua, ma shëro shpirtin, sepse kam mëkatuar kundër teje".
5. Armiqtë e mi ndjellin të keqen, duke thënë: "Kur do të vdesë dhe kur do të zhduket emri i tij?".
6. Në rast se dikush prej tyre vjen të më shikojë, gënjen, ndërsa zemra e tij mbledh paudhësi; pastaj del jashtë dhe e përhap rreth e rrotull.
7. Të gjithë ata që më urrejnë, pëshpëritin bashkë kundër meje; kundër meje kurdisin të keqen,
8. duke thënë: "Një e keqe e tmerrshme e ka zënë dhe ai nuk do të ngrihet kurrë më nga vendi ku dergjet".
9. Madje edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim dhe që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij.
10. Por ti, o Zot, ki mëshirë për mua dhe më ço në këmbë që të mund t'ua shpaguaj.
11. Nga kjo e di që ti më pëlqen, në rast se armiku im nuk triumfon mbi mua.
12. Sa për mua, më ke përkrahur në ndershmërinë time dhe më ke vendosur në praninë tënde për gjithnjë.
13. Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, përjetë. Amen, amen.

Fjalët e Urta 13:15-16
15. Gjykimi i mirë siguron favor, por veprimi i të pabesëve është i dëmshëm.
16. Çdo njeri i matur vepron me dituri, por budallai kapardiset me marrëzinë e tij.

Luke 8:26-56
26. Pastaj lundruan drejt krahinës së Gadareasve, që ndodhet përballë Galilesë;
27. dhe, porsa Jezusi zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza.
28. Kur e pa Jezusin, lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: ''Ç'ka mes meje dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë Shumë të Lartë? Të lutem, mos më mundo!''.
29. Sepse Jezusi po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë e me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretëtirat.
30. Dhe Jezusi e pyeti duke thënë: ''Si e ke emrin?''. Dhe ai u përgjigj: ''Legjion''. Sepse shumë demonë i kishin hyrë në të.
31. Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë.
32. Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal, dhe këta demonë iu lutën t'i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre.
33. Atëherë demonët, si dolën nga ai njeri, hynë te derrat, dhe ajo tufë u turr nga gremina në liqen dhe u mbyt.
34. Kur panë ç'ndodhi, ata që i ruanin derrat ikën dhe e çuan lajmin në qytet e nëpër fshatra.
35. Atëherë njerëzit dolën për të parë ç'kishte ndodhur dhe erdhën te Jezusi, dhe gjetën atë njeri, nga i cili kishin dalë demonët, të ulur te këmbët e Jezusit, të veshur dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë.
36. Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan atyre si ishte shëruar i idemonizuari.
37. Atëherë gjithë popullsia e krahinës së Gadareasve, i kërkoi Jezusit të largohej prej tyre, sepse i kishte zënë një frikë e madhe. Dhe Jezusi hyri në barkë dhe u kthye mbrapa.
38. Ndërkaq njeriu prej të cilit dolën demonët, i lutej të rrinte me të; por Jezusi e përcolli duke i thënë:
39. ''Kthehu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Perëndia për ty''. Dhe ai shkoi anembanë qytetit duke treguar gjërat e mëdha që Jezusi bëri për të.
40. Ndodhi që, kur Jezusi u kthye, turma e mirëpriti sepse të gjithë e prisnin.
41. Dhe ja, erdhi një njeri me emër Jair, që ishte kryetari i sinagogës; ai i ra ndër këmbë Jezusit dhe iu lut të shkonte në shtëpinë e tij,
42. sepse ai kishte një vajzë të vetme rreth dymbëdhjetë vjeçe, që ishte për vdekje. Ndërsa Jezusi po shkonte atje, turma po shtyhej përreth tij.
43. Dhe një grua që kishte një fluks gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithë pasurinë e saj, pa mundur që të shërohej nga njeri,
44. iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre fluksi i gjakut.
45. Dhe Jezusi tha: ''Kush më preku?''. Mbasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: ''Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua: "Kush më preku?"''.
46. Por Jezusi tha: ''Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje''.
47. Atëherë gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar, erdhi, duke u dridhur e tëra, dhe i ra ndër këmbë dhe i deklaroi në prani të gjithë popullit, përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast.
48. Dhe ai i tha: ''Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe!''.
49. Ndërsa Jezusi vazhdonte të fliste, erdhi një nga shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe i tha: ''Vajza jote vdiq, mos e shqetëso Mësuesin''.
50. Por Jezusi, mbasi i dëgjoi këto, i tha: ''Mos druaj; ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë''.
51. Si arriti në shtëpi, nuk la asnjeri të hyjë, përveç Pjetrit, Gjonit dhe Jakobit, dhe atin e nënën e vajzës.
52. Të gjithë qanin dhe mbajtën zi. Por ai tha: ''Mos qani; ajo nuk ka vdekur, por po fle''.
53. Dhe ata e përqeshnin; duke e ditur se kishte vdekur.
54. Por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, e kapi për dore dhe thirri duke thënë: ''Vajzë, çohu!''.
55. Asaj iu kthye fryma e saj dhe menjëherë u çua; pastaj Jezusi urdhëroi që t'i jepnin të hante.
56. Dhe prindërit e saj mbetën të habitur. Por Jezusi i porositi të mos i thonin kurrkujt ç'kishte ndodhur.