A A A A A

Bibla në një vit

Prill 3

Përtërirë 29:1-29
1. Këto janë fjalët e besëlidhjes që Zoti i urdhëroi Moisiut të përfundonte me bijtë e Izraelit në vendin e Moabit, përveç besëlidhjes që kishte bërë me ta në malin Horeb.
2. Moisiu thirri tërë Izraelin dhe u tha atyre: "Ju keni parë të gjitha ato që i ka bërë Zoti në Egjipt para syve tuaj Faraonit, të gjithë shërbëtorëve të tij dhe tërë vendit;
3. sytë tuaj kanë parë mjerimet e mëdha, shenjat dhe mrekullitë e mëdha;
4. por deri sot Zoti nuk ju ka dhënë zemër për të kuptuar, sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.
5. Unë ju kam udhëhequr dyzet vjet në shkretëtirë; rrobat tuaja nuk ju janë prishur në trup, sandalet tuaja nuk iu janë konsumuar në këmbët tuaja.
6. Nuk keni ngrënë bukë dhe nuk keni pirë verë as pije dehëse, me qëllim që të njihnit që unë jam Zoti, Perëndia juaj.
7. Kur arritët në këtë vend, Sihoni, mbret i Heshbonit, dhe Ogu, mbret i Bashanit, dolën kundër nesh për të luftuar, por ne i mundëm,
8. pushtuam vendin e tyre dhe ia dhamë në trashëgimi Rubenitëve, Gaditëve dhe gjysmës së fisit të Manasit.
9. Respektoni, pra, fjalët e kësaj besëlidhje dhe zbatojeni në praktikë, me qëllim që të keni mbarësi në çdo gjë që bëni.
10. Sot të gjithë ju ndodheni para Zotit, Perëndisë tuaj: krerët tuaj, fiset tuaja, pleqtë tuaj, zyrtarët tuaj, tërë njerëzit e Izraelit,
11. fëmijët tuaj, gratë tuaja dhe i huaji që ndodhet në mes të kampit tënd, duke filluar nga ai që çan drutë deri tek ai që nxjerr ujin tënd,
12. për të hyrë në besëlidhjen e Zotit, Perëndisë tënd, dhe në betimin e tij që Zoti, Perëndia yt, bën sot me ty,
13. për të të vendosur sot si popull të tij dhe për të qënë Perëndia yt, ashtu si të tha dhe si iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.
14. Unë e bëj këtë besëlidhje dhe këtë betim jo vetëm me ju,
15. por edhe me ata që janë sot para Zotit, Perëndisë tonë, dhe me ata që sot nuk janë këtu me ne.
16. (Sepse ju e dini që kemi banuar në vendin e Egjiptit dhe kemi kaluar në mes të kombeve, që u keni rënë mes për mes;
17. dhe keni parë gjërat e tyre të neveritshme, idhujt e tyre prej druri, guri, argjendi dhe ari, që ndodhen në mes tyre).
18. Të mos ketë midis jush burrë a grua, familje a fis zemra e të cilit të largohet nga Zoti, Perëndia ynë, dhe të shkojë t'u shërbejë perëndive të këtyre kombeve, nuk duhet të ketë midis jush asnjë rrënjë që prodhon helmin dhe pelinin;
19. dhe të mos ndodhë që dikush, duke dëgjuar fjalët e këtij betimi, të vetëbekohet në zemër të tij, duke thënë: "Do të kem paqe, edhe sikur të eci me kokëfortësinë e zemrës sime", ashtu si i dehuri të mund të përfshihej të përkorin.
20. Por Zoti nuk mund ta falë kurrë; por në këtë rast zemërimi i Zotit dhe zilia e tij do të ndizen kundër tij dhe të gjitha mallkimet që janë shkruar në këtë libër do të bien mbi të, dhe Zoti do ta fshijë emrin e tij poshtë qiellit;
21. Zoti do ta veçojë për ta shkatërruar nga të gjitha fiset e Izraelit, simbas të gjitha mallkimeve të besëlidhjes së shkruar në këtë libër të ligjit.
22. Kështu brezi i ardhshëm i bijve tuaj që do të dalë pas jush dhe i huaji që do të vijë nga një vend i largët, duke parë mjerimet dhe lëngatat që Zoti u ka dhënë, do të thonë:
23. "Tërë toka është squfur, kripë, zjarrmi; nuk është mbjellë, nuk prodhon më asgjë dhe në të nuk rritet asnjë bar, ashtu si pas shkatërrimit të Sodomës, të Gomorrës, të Admahut dhe të Tseboimit, që Zoti shkatërroi gjatë zemërimit dhe tërbimit të tij".
24. Po, të gjitha kombet do të thonë: "Pse Zoti e trajtoi kështu këtë vend? Pse ky zemërim kaq i madh?".
25. Atëherë do të përgjigjen: "Sepse kanë braktisur besëlidhjen e Zotit, Perëndisë së etërve të tyre, që ai lidhi me ta kur i nxori nga vendi i Egjiptit;
26. sepse ata shkuan t'u shërbejnë perëndive të tjera dhe ranë përmbys përpara tyre, perëndi që ata nuk i njihnin dhe që Zoti nuk u kishte dhënë atyre.
27. Për këtë arësye u ndez zemërimi i Zotit kundër këtij vendi, me qëllim që të gjitha mallkimet e shkruara në këtë libër të binin mbi të;
28. dhe Zoti i shkëputi nga vendi i tyre me zemërim, me tërbim dhe me indinjatë të madhe dhe i hodhi në një vend tjetër, siç po ndodh sot".
29. Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe për bijtë tanë për gjithnjë, me qëllim që të zbatojmë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji".

Përtërirë 30:1-20
1. "Kështu, kur të të kenë rënë në kurriz tërë këto gjëra, bekimi dhe mallkimi që unë të kam vënë përpara, dhe ti do t'ua kujtosh të gjitha kombeve në mes të të cilëve Zoti, Perëndia yt, do të të ketë dëbuar,
2. dhe kur të kthehesh tek Zoti, Perëndia yt, dhe t'i bindesh zërit të tij, ti dhe bijtë e tu, me gjithë zemër e më gjithë shpirt, duke respektuar tërë ato që po të urdhëroj sot,
3. Zoti, Perëndia yt, do të të kthejë nga skllavëria, do të ketë mëshirë për ty dhe do të të mbledhë përsëri nga radhët e të gjithë popujve, ndër të cilët Zoti, Perëndia yt, të kishte shpërndarë.
4. Edhe sikur të kesh qenë përzënë në skajin e qiellit, Zoti, Perëndia yt, do të të mbledhë dhe do të marrë që andej.
5. Zoti, Perëndia yt, do të të rikthejë në vendin që etërit e tu kanë zotëruar dhe ti do ta zotërosh atë; dhe ai do të të bëjë të mira dhe do të të shumëzojë më tepër se etërit e tu.
6. Zoti, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde dhe zemrën e pasardhësve të tu, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe kështu ti të jetosh.
7. Dhe Zoti, Perëndia yt, do t'i lëshojë tërë këto mallkime mbi armiqtë e tu dhe mbi tërë ata që të urrejnë dhe të kanë persekutuar.
8. Ti përkundrazi do të kthehesh dhe do t'i bindesh zërit të Zotit dhe do të zbatosh në praktikë të gjitha urdhërimet që të porosit sot.
9. Zoti, Perëndia yt, do të sjellë shumë mbarësi në gjithë veprën e duarve të tua, në frytin e barkut tënd, në frytin e bagëtisë sate dhe në frytin e tokës sate; sepse Zoti do të kënaqet përsëri duke të të bërë të mirën, ashtu si u kënaq kur ua bëri etërve të tu,
10. sepse do t'i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar urdhërimet dhe statutet e tij që janë shkruar në këtë libër të ligjit, sepse do të jesh rikthyer tek Zoti, Perëndia yt, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.
11. Ky urdhërim që të jap sot nuk është shumë i vështirë për ty, as shumë larg teje.
12. Nuk është në qiell, që ti të thuash: "Kush do të ngjitet në qiell që të na e sjellë dhe ta dëgjojmë, me qëllim që ta zbatojmë në praktikë?".
13. Dhe nuk është matanë detit që ti të thuash: "Kush do të kalojë për ne matanë detit që të na e sjellë dhe ta dëgjojmë, në mënyrë që ta zbatojmë në praktikë?".
14. Por fjala është shumë afër teje; është në gojën tënde dhe në zemrën tënde, që ti ta zbatosh në praktikë.
15. Shiko, unë vë sot para teje jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen;
16. prandaj unë të urdhëroj ta duash Zotin, Perëndinë tënd, të ecësh në rrugët e tij, të respektosh urdhërimet, statutet dhe dekretet e tij, që ti të jetosh dhe të shumëzohesh; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në vendin që ti po shkon për ta pushtuar.
17. Por në qoftë se zemra jote shikon gjetiu dhe ti nuk bindesh dhe e lë veten të biesh përmbys para perëndive të tjera dhe t'u shërbesh atyre,
18. unë ju deklaroj sot që me siguri keni për t'u zhdukur, që nuk do t'i zgjatni ditët tuaja në vendin ku po gatiteni të hyni për ta pushtuar, duke kaluar Jordanin.
19. Unë marr sot si dëshmitarë kundër teje qiellin dhe tokën, që unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu,
20. dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t'i bindesh zërit të tij dhe të qendrosh i lidhur ngushtë me të, sepse ai është jeta jote dhe gjatësia e ditëve të tua, kështu që ti të mund të jetosh në vendin që Zoti u betua t'u japë etërve të tu: Abrahamit, Isakut dhe Jakobit".

Psalmet 40:1-5
1. Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.
2. Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.
3. Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t'i besojnë Zotit.
4. Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.
5. O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t'i shpallja dhe t'i tregoja, do të ishin tepër për t'i radhitur.

Fjalët e Urta 13:9-10
9. Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet.
10. Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave.

Luke 7:1-30
1. Si e përfundoi gjithë këtë ligjëratë drejtuar popullit që e dëgjoi, hyri në Kapernaum.
2. Tani një centurion kishte një shërbëtor që e donte shumë; e kishte të sëmurë keq për vdekje.
3. Dhe centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, i dërgoi disa pleq Judenj që ta lusnin të vinte e të shëronte shërbëtorin e tij.
4. Si arritën te Jezusi, ata e lutën me ngulm duke i thënë: ''Ai e meriton që ti ta pranosh këtë gjë,
5. sepse ai e do popullin tonë dhe ai na e ndërtoi sinagogën''.
6. Atëherë Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo shumë larg shtëpisë, centurioni dërgoi disa miq të tij për t'i thënë: ''Zot, mos u shqetëso, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën pullazin tim.
7. Për këtë shkak nuk e çmova veten të denjë të vij tek ti; por ti fol një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
8. Sepse edhe unë jam një njeri nën autoritetin e tjetërkujt dhe kam nën urdhër ushtarë; dhe i them njerit: "Shko", dhe ai shkon; dhe një tjetri: "Eja", dhe ai vjen; dhe shërbëtorit tim: "Bëjë këtë", dhe ai e bën''.
9. Kur i dëgjoi këto fjalë, Jezusi u mrekullua prej tij, dhe, duke iu drejtuar turmës që i vinte pas, tha: ''Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh''.
10. Dhe, kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, shërbëtorin, që kishte qenë i sëmurë, e gjetën të shëruar.
11. Dhe të nesërmen ai shkoi në një qytet që quhej Nain; dhe bashkë me të shkonin shumë nga dishepujt e vet dhe një turmë e madhe.
12. Dhe, kur iu afrua portës së qytetit, ja që po çonin për ta varrosur një të vdekur, djalin e vetëm të nënës së tij, që ishte e ve; dhe një turmë e madhe nga qyteti ishte me të.
13. Posa e pa, Zoti pati dhemshuri për të dhe i tha: ''Mos qaj!''
14. U afrua, preku arkivolin, dhe ata që e bartnin u ndalën; atëherë ai tha: ''Djalosh, unë të them, çohu!''.
15. Dhe i vdekuri u çua ndenjur dhe filloi të flasë. Dhe Jezusi ia dha së ëmës.
16. Atëherë të gjithë u mrekulluan dhe lëvdonin Perëndinë duke thënë: ''Midis nesh doli një profet i madh'' dhe: ''Perëndia e vizitoi popullin e vet''.
17. Dhe kjo e thënë për të u përhap nëpër gjithë Judenë dhe anembanë krahinës përreth.
18. Gjoni u informua prej dishepujve të vet për të gjitha këto gjëra.
19. Dhe Gjoni thirri pranë tij dy nga dishepujt e vet, i dërgoi te Jezusi për t'i thënë: ''A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?''.
20. Këta njerëz, pra, shkuan te ai dhe i thanë: ''Gjon Pagëzori na dërgoi te ti për të të thënë: "A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?"''.
21. Dhe në atë orë Jezusi shëroi shumë veta nga sëmundjet, nga fatkeqësitë dhe nga frymërat e lig, dhe shumë të verbërve ua dhuroi të parit.
22. Dhe Jezusi duke u përgjegjur u tha atyre: ''Shkoni dhe i thoni Gjonit ç'keni parë e dëgjuar: të verbërit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, lebrozët po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen, dhe ungjilli u shpallet të varfërve.
23. I lumi ai që nuk do të skandalizohet prej meje!''.
24. Kur lajmëtarët e Gjonit u larguan, ai filloi t'u thotë turmave për Gjonin: ''Ç'dolët të shihni në shkreti? Një kallam që e tund era?
25. Po, ç'dolët të shihni? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të shkëlqyera dhe jetojnë në bollëk banojnë në pallatet e mbretërve.
26. Por, ç'dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: akoma më shumë se një profet.
27. Ai është ai për të cilin u shkrua: "Ja, unë po dërgoj përpara fytyrës tënde lajmëtarin tim, që do ta përgatitë rrugën sate para teje".
28. Sepse unë po ju them që nga të lindurit prej gruaje nuk ka asnjë profet më të madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai''.
29. Dhe gjithë populli që e dëgjoi dhe tagrambledhësit e pranuan drejtësinë e Perëndisë dhe u pagëzuan me pagëzimin e Gjonit.
30. Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit e refuzuan planin e Perëndisë për ta dhe nuk u pagëzuan.