A A A A A

Bibla në një vit


Prill 29


Dhimbsuri 3:1-18
1. Pastaj Naomi, e vjehrra, i tha: "Bija ime, a nuk do të kërkoj unë një vend paqeje për ty, që ti të jesh e lumtur?
2. Boazi, me shërbëtoret e të cilit ti ke qenë, a nuk është vallë fisi ynë? Ja, sonte ai duhet të shohë elbin në lëmë.
3. Prandaj lahu, lyeju me vaj, vish rrobat më të mira që ke dhe zbrit në lëmë; por bëj që ai të mos të njohë deri sa të ketë mbaruar së ngrëni e së piri.
4. Kur të shkojë të shtrihet, kqyr vendin ku shtrihet; pastaj shko aty, zbulo këmbët e tij dhe shtriu edhe ti. Dhe ai do të thotë atë që duhet të bësh".
5. Ruthi iu përgjegj: "Do të bëj të gjitha ato që më the".
6. Kështu zbriti në lëmë dhe bëri të gjitha ato që i kishte porositur e vjehrra.
7. Boazi hëngri e piu dhe me zemër të gëzuar shkoi të shtrihet pranë grumbullit të grurit. Atëherë ajo erdhi ngadalë, i zbuloi këmbët dhe u shtri.
8. Aty nga mesnata ai u zgjua përnjëherësh dhe u kthye; ja, një grua ishte shtrirë te këmbët e tij.
9. "Kush je ti?", i tha. Ajo u përgjigj: "Jam Ruthi, shërbëtorja jote; shtrije skajin e mantelit tënd mbi shërbëtoren tënd, sepse ti gëzon të drejtën e shpengimit".
10. Ai tha: "Qofsh e bekuar nga Zoti bija ime! Mirësia që tregove këtë herë të fundit ia kalon së parës, sepse nuk ke rendur pas të rinjve, të varfër a të pasur.
11. Prandaj tani mos ki frikë, bija ime; unë do të bëj për ty gjithçka që më kërkon, sepse të gjithë njerëzit e qytetit tim e dinë që ti je një grua e virtytshme.
12. Éshtë e vërtetë që unë gëzoj të drejtën e shpengimit; por është një që është fis më i afërt se unë.
13. Kaloje këtu natën; dhe nesër në mëngjes, në rast se ai do të kërkojë të drejtën e tij ndaj teje, mirë, pra le ta bëjë; por në rast se nuk e kërkon të drejtën e tij mbi ty, unë do të kërkoj që të vlejë e drejta ime dhe do të të shpengoj ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron! Rri shtrirë deri në mëngjes".
14. Kështu ajo qëndroi shtrirë në këmbët e tij deri në mëngjes; por u ngrit përpara se një njeri të njohë tjetrin, sepse ai i kishte thënë: "Asnjeri nuk duhet ta dijë që kjo grua erdhi në lëmë!".
15. Pastaj shtoi: "Sill mantelin që ke veshur dhe mbaje". Ajo e mbajti dhe ai derdhi mbi të gjashtë masa elbi, pastaj ia vuri mbi kurriz; pas kësaj ajo u kthye në qytet.
16. Kështu u kthye tek e vjehrra, që i tha: "Ti je bija e ime?". Atëherë ajo i tregoi të gjitha ato që ai burrë kishte bërë për të,
17. dhe shtoi: "Më dha edhe këto gjashtë masa elbi, sepse më tha: "Nuk duhet të kthehesh te vjehrra jote duar bosh"".
18. Naomi i tha: "Qëndro këtu, o bija ime, deri sa të mësosh si ka për të mbaruar kjo çështje, sepse ai burrë nuk do të rrijë deri sa ta ketë sistemuar sot çështjen".

Dhimbsuri 4:1-22
1. Boazi shkoi te porta e qytetit dhe u ul aty. Dhe ja, po kalonte ai që kishte të drejtën e shpengimit dhe për të cilin Boazi kishte folur. Boazi i tha: "O ti biri i filanit, afrohu dhe ulu këtu". Ai u afrua dhe u ul.
2. Boazi mori atëherë dhjetë burra nga pleqtë e qytetit dhe u tha atyre: "Uluni këtu". Ata u ulën.
3. Pastaj Boazi i tha atij që kishte të drejtën e shpengimit: "Naomi, që u kthye nga vendi i Moabit, ka shitur pjesën e tokës që i përkiste vëllait tonë Elimelek.
4. Mendova të të informoj dhe të të them: "Blije në prani të banorëve të vendit dhe të pleqve të popullit tim. Në rast se do ta shpengosh, shpengoje; por në rast se nuk ke ndër mend ta shpengosh, ma thuaj që ta di edhe unë; sepse asnjeri veç teje nuk gëzon të drejtën e shpengimit, dhe pas teje vij unë"". Ai u përgjegj: "Do të kërkoj të drejtën time".
5. Atëherë Boazi tha: "Ditën që do ta blesh arën nga dora e Naomit, ti do ta blesh edhe nga Ruthi, Moabitja, bashkëshortja e të ndjerit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij".
6. Ai që gëzonte të drejtën e shpengimit u përgjegj: "Unë nuk mund ta shpengoj për vete, sepse do të shkatërroj trashëgiminë time; shpengo ti atë që duhet të shpengoja unë, sepse unë nuk mund ta shpengoj".
7. Ky ishte zakoni në kohërat e kaluara në Izrael lidhur me të drejtën e shpengimit dhe të ndryshimit të pronësisë: personi hiqte sandalen dhe ja jepte tjetrit; kjo ishte mënyra e dëshmisë në Izrael.
8. Kështu ai që gëzonte të drejtën e shpengimit i tha Boazit: "Blije ti vetë", dhe hoqi sandalen.
9. Atëherë Boazi u tha pleqve dhe tërë popullit: "Ju sot jeni dëshmitarë që unë bleva sot në duart e Naomit të gjitha ato që ishin pronë e Elimelekut, të Kilionit dhe të Mahlonit.
10. Gjithashtu bleva për grua Ruthin, Moabiten, bashkëshorten e Mahlonit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij, me qëllim që emri i të ndjerit të mos shuhet midis vëllezërve të tij dhe në portën e qytetit të tij. Ju sot jeni dëshmitarë të këtij fakti.
11. Atëherë tërë populli që ndodhej te porta dhe pleqtë u përgjigjën: "Ne jemi dëshmitarë të kësaj ngjarjeje. Zoti e bëftë gruan që hyn në shtëpinë tënde si Rakelën dhe si Lean, dy gratë që ngritën shtëpinë e Izraelit. Paç pushtet në Efrathah dhe u bëfsh i famshëm në Betlem.
12. Shtëpia jote u bëftë si shtëpia e Peretsit, që Tamara i lindi Judës, për shkak të pasardhësve që Zoti do të të japë nga kjo e re".
13. Kështu Boazi e mori Ruthin, që u bë bashkëshortja e tij. Ai hyri tek ajo dhe Zoti i dha mundësinë të lindë, dhe ajo lindi një djalë.
14. Atëherë gratë i thanë Naomit: "Bekuar qoftë Zoti, që sot nuk të la pa një shpëtimtar. Emri i tij u bëftë i famshëm në Izrael!
15. Pastë mundësi ai të rimëkëmbë jetën tënde dhe u bëftë mbështetja e pleqërisë sate, sepse e ka lindur nusja jote që të do dhe që vlen për ty më tepër se shtatë bij".
16. Pastaj Naomi e mori fëmijën, e vuri në gjirin e saj dhe u bë taja e saj.
17. Fqinjët i vunë një emër dhe thonin: "I lindi një djalë Naomit!". E quajtën Obed. Ai qe ati i Isait, ati i Davidit.
18. Ja pasardhësit e Peretsit: Peretsit i lindi Hetsroni;
19. Hetsronit i lindi Rami; Ramit i lindi Aminadabi;
20. Aminadabit i lindi Nahshoni; Nahshonit i lindi Salmoni;
21. Salmonit i lindi Boazi; Boazit i lindi Obedi;
22. Obedit i lindi Isai dhe Isait i lindi Davidi.

Psalmet 52:6-9
6. Të drejtët do ta shohin, do të kenë frikë dhe do ta përqeshin atë, duke thënë:
7. "Ky është njeriu që nuk e kishte bërë Perëndinë kështjellë të tij; por kishte besim në bollëkun e pasurive të tij dhe bëhej i fortë nga ligësia e tij".
8. Por unë jam si një dru ulliri që gjelbëron në shtëpinë e Perëndisë; kam besim gjithnjë në mirësinë e Perëndisë.
9. Do të të kremtoj gjithnjë për sa ke bërë, dhe në prani të shenjtorëve të tu do të kem shpresë të patundur në emrin tënd, sepse ai është i mirë.

Fjalët e Urta 15:6-7
6. Në shtëpinë e të drejtit ka bollëk të madh, por në të ardhurat e të pabesit ka telashe.
7. Buzët e të urtëve përhapin dijen, por nuk vepron kështu zemra e budallenjve.

Luke 20:1-26
1. Dhe në një nga ato ditë ndodhi që, ndërsa ai po mësonte popullin në tempull dhe predikonte ungjillin, erdhën krerët e priftërinjve dhe skribët bashkë me pleqtë,
2. dhe i thanë: ''Na trego me ç'autoritet i bën këto gjëra; ose kush është ai që ta dha ty këtë pushtet?''.
3. Dhe ai duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Edhe unë do t'ju pyes një gjë dhe ju m'u përgjigjni:
4. Pagëzimi i Gjonit vinte nga qielli apo nga njerëzit?''.
5. Dhe ata arsyetonin në mes tyre duke thënë: ''Po të themi prej qiellit, ai do të na thotë: "Atëherë përse nuk i besuat?".
6. Kurse po t'i themi prej njerëzve, gjithë populli do të na vrasë me gurë, sepse ai është i bindur se Gjoni ishte një profet''.
7. Prandaj u përgjigjen se nuk dinin nga vinte.
8. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''As unë nuk po ju them me ç'pushtet i bëj këto gjëra''.
9. Pastaj filloi t'i tregojë popullit këtë shëmbëlltyrë: ''Një njeri mbolli një vresht, ua besoi disa vreshtarëve dhe iku larg për një kohë të gjatë.
10. Në kohën e të vjelave, dërgoi një shërbëtor tek ata vreshtarë që t'i jepnin pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit; por vreshtarët e rrahën atë dhe e kthyen duarbosh.
11. Ai dërgoi përsëri një shërbëtor tjetër; por ata, pasi e rrahën dhe e shanë edhe atë, e kthyen duarbosh.
12. Ai dërgoi edhe një të tretë, por ata e plagosën edhe atë dhe e përzunë.
13. Atëherë i zoti i vreshtit tha: "Çfarë duhet të bëj? Do të dërgoj djalin tim të dashur. Ndoshta, duke e parë atë, do ta respektojnë!".
14. Por vreshtarët, kur e panë, thanë midis tyre: "Ky është trashëgimtari; ejani e ta vrasim që trashëgimia të na mbetet neve".
15. Kështu e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. Ç'do t'u bëjë, pra, këtyre, i zoti i vreshtit?
16. Ai do të vijë, do t'i vrasë ata vreshtarë dhe do t'ua japë vreshtin të tjerëve''. Por ata, kur e dëgjuan këtë, thanë: ''Kështu mos qoftë''.
17. Atëherë Jezusi, duke i shikuar në fytyrë, tha: ''Ç'është, pra, ajo që është shkruar: "Guri që ndërtuesit e kanë hedhur poshtë u bë guri i qoshes"?
18. Kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë, dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të dërrmohet''.
19. Në këtë moment, krerët e priftërinjve dhe skribët kërkuan të vënë dorë në të, sepse e morën vesh se ai e kishte treguar atë shëmbëlltyrë për ata, por kishin frikë nga populli.
20. Ata e përgjonin me kujdes dhe i dërguan disa spiunë të cilët, duke u paraqitur si njerëz të drejtë, ta zinin në gabim në ndonjë ligjëratë dhe pastaj t'ia dorëzonin pushtetit dhe autoritetit të guvernatorit.
21. Këta e pyetën duke thënë: ''Mësues ne e dimë se ti flet dhe mëson drejt dhe që nuk je aspak i anshëm, por mëson rrugën e Perëndisë në të vërtetë.
22. A është e lejueshme për ne t'i paguajmë taksë Cezarit apo jo?''.
23. Por ai, duke e kuptuar ligësinë e tyre, u tha atyre: ''Përse më provokoni?
24. Më tregoni një denar: e kujt është fytyra dhe mbishkrimi që ka?''. Dhe ata, duke përgjigjur, thanë: ''E Cezarit''.
25. Atëherë ai u tha atyre: ''I jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë''.
26. Dhe nuk mundën ta zënë në gabim në ligjëratën e tij përpara popullit dhe, të habitur nga përgjigjja e tij, heshtën.