A A A A A

Bibla në një vit


Prill 24


Gjyqtarët 13:1-25
1. Bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe për sytë e Zotit, dhe Zoti i dha në duart e Filistejve për dyzet vjet.
2. Ishte një njeri nga Tsorahu, prej familjes së Danitëve, që quhej Manoah; gruaja e tij ishte shterpë dhe nuk kishte fëmijë.
3. Engjëlli i Zotit iu shfaq kësaj gruaje dhe i tha: "Ja, ti je shterpë dhe nuk ke fëmijë, por ke për të mbetur me barrë dhe do të pjellësh një fëmijë.
4. Prandaj ruhu se pi verë o pije dehëse, dhe mos ha asnjë gjë të papastër.
5. Sepse ti do të mbetesh me barrë dhe do të pjellësh një djalë, mbi kokën e të cilit nuk do të kalojë brisku, sepse fëmija do të jetë një Nazireo kushtuar Perëndisë që në barkun e nënes së tij; ai do të fillojë ta çlirojë Izraelin nga duart e Filistejve".
6. Atëherë gruaja shkoi t'i thotë bashkëshortit të saj: "Një njeri i Perëndisë erdhi tek unë; pamja e tij ishte si ajo e Engjëllit të Perëndisë, me të vërtetë e frikshme. Unë nuk e pyeta se nga vinte, dhe ai nuk më tha emrin e tij;
7. por më tha: "Ja, ti do të mbetesh me barrë dhe do të pjellësh një djalë; prandaj tani mos pi verë as pije dehëse, dhe mos ha asgjë të papastër, sepse fëmija do të jetë një Nazireo i kushtuar Perëndisë që në barkun e nënës së tij deri në ditën e vdekjes së tij"".
8. Atëherë Manoahu iu lut me të madhe Zotit dhe i tha: "O Zot, të lutem që njeriu i Perëndisë i dërguar prej teje të kthehet përsëri pranë nesh dhe të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që ka për të lindur".
9. Perëndia e dëgjoi zërin e Manoahut; dhe Engjëlli i Perëndisë u kthye përsëri te gruaja, ndërsa ajo ndodhej në arë, por burri i saj Manoah nuk ishte me të.
10. Dhe gruaja me të shpejtë shkoi të informojë bashkëshortin e saj dhe i tha: "Ja, m'u shfaq ai burrë, që erdhi tek unë pardje".
11. Atëherë Manoahu u ngrit dhe ndoqi gruan e tij dhe, kur arritën tek ai njeri, i tha: "Ti je ai njeri që i foli kësaj gruaje?". Ai u përgjegj: "Jam unë".
12. Por Manoahu tha: "Kur të realizohet fjala jote, cili duhet të jetë stili i jetës së djalit dhe ç'duhet të bëjë?".
13. Engjëlli i Zotit iu përgjegj Manoahut: "Gruaja duhet të ketë kujdes për të gjitha ato që i thashë.
14. Të mos hajë asnjë nga prodhimet e rrushit, të mos pijë verë a pije dehëse, dhe të mos hajë asnjë gjë të papastër; të ketë parasysh të gjitha porositë që i kam urdhëruar".
15. Atëherë Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Na lejo të të mbajmë dhe të të përgatisim një kec!".
16. Engjëlli i Zotit iu përgjegj Manoahut me këto fjalë: "Edhe sikur të më mbash nuk do ta ha ushqimin tënd; por në rast se ti dëshiron të bësh një olokaust, ofroja Zotit". (Manoahu nuk e dinte se ai ishte Engjëlli i Zotit).
17. Pastaj Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Cili është emri yt që të realizohen fjalët e tua, ne të kemi mundësi të të nderojmë?".
18. Engjëlli i Zotit iu përgjegj: "Pse vallë kërkon të mësosh emrin tim? Ai është i mrekullueshëm".
19. Kështu Manoahu mori kecin dhe blatimin e ushqimit dhe ia ofroi Zotit mbi gurin. Atëherë Engjëlli bëri një mrekulli, ndërsa Manoahu dhe e shoqja shikonin;
20. ashtu si flaka ngjitej nga altari në qiell, Engjëlli i Zotit u ngjit me flakën e altarit. Duke parë këtë, Manoahu bashkë me gruan e tij ranë përmbys për tokë.
21. Engjëlli i Zotit nuk iu shfaq më as Manoahut, as bashkëshortes së tij. Atëherë Manoahu kuptoi se ai ishte Engjëlli i Zotit.
22. Manoahu i tha pastaj bashkëshortes së tij: "Ne me siguri do të vdesim, sepse pamë Perëndinë".
23. Por e shoqja i tha: "Po të kishte dashur me të vërtetë vdekjen tonë, Zoti nuk do të kishte pranuar nga duart tona olokaustin dhe blatimin e ushqimit, as do të na kishte treguar tërë këto gjëra, dhe tani nuk do të bënte që të dëgjonim gjëra si këto".
24. Pastaj gruaja lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Sanson. Fëmija u rrit dhe Zoti e bekoi.
25. Fryma e Zotit filloi të lëvizë mbi të në kampin e Danit, midis Tsorahut dhe Eshtaolit.

Gjyqtarët 14:1-20
1. Sansoni zbriti në Timnah dhe aty pa një grua midis bijave të Filistejve.
2. Kur u kthye në shtëpi, foli për të me të atin dhe të ëmën, duke u thënë: "Pashë në Timnah një femër midis bijave të Filistejve; ma merrni për grua".
3. Babai dhe nëna e tij i thanë: "A nuk ka vallë një grua midis bijave të vëllezërve të tu në gjithë popullin tonë, që ti të shkosh të marrësh një grua midis Filistejve të parrethprerë?". Por Sansoni iu përgjegj atit të tij me këto fjalë: "Merrma atë, sepse më pëlqen".
4. Por i ati dhe e ëma nuk e dinin se kjo vinte nga Zoti dhe që Sansoni kërkonte një rast kundër Filistejve. Në atë kohë, Filistejtë sundonin në Izrael.
5. Pastaj Sansoni zbriti me të atin dhe me të ëmën në Timnah; sapo arritën në vreshtat e Timnahut, një luan i vogël u doli përpara duke ulëritur.
6. Atëherë Fryma e Zotit zbriti në mënyrë të fuqishme mbi të dhe ai, pa pasur asgjë në dorë, e shqeu luanin, ashtu si shqyhet një kec; por nuk i tha asgjë atit dhe nënes së tij për atë që kishte bërë.
7. Pastaj zbriti dhe i foli gruas, dhe ajo i pëlqeu Sansonit.
8. Mbas disa ditësh ai u kthye për ta marrë me vete dhe doli nga rruga për të parë skeletin e luanit; dhe ja, në trupin e luanit kishte një mori bletësh dhe mjaltë.
9. Ai mori pak mjaltë në dorë dhe filloi ta hajë ndërsa po ecte; kur arriti tek i ati dhe tek e ëma, u dha edhe atyre dhe ata e hëngrën; por nuk u tha që e kishte marrë mjaltin nga trupi i luanit.
10. Pastaj i ati zbriti tek ajo grua, dhe aty Sansoni shtroi një gosti siç e kishin zakon të rinjtë.
11. Dhe ndodhi që, kur njërëzit e panë vendit, ata morën tridhjetë shokë, që të rrinin bashkë me të.
12. Sansoni u tha atyre: "Unë do t'ju propozoj një gjëzë; në rast se ju arrini të gjeni shpjegimin e saj të ma njoftoni brenda shtatë ditëve të gostisë, do t'ju jap tridhjetë tunika dhe tridhjetë ndërresa rrobash;
13. por në rast se nuk mund të ma shpjegoni, do të më jepni mua tridhjetë tunika dhe tridhjetë ndërresa rrobash".
14. Ata iu përgjegjën: "Propozo gjëzën tënde, që ta dëgjojmë". Ai u tha atyre: "Nga gllabëruesi doli ushqimi, dhe nga i forti doli e ëmbla". Tri ditë me radhë ata nuk arritën ta shpjegojnë gjëzën.
15. Ditën e shtatë i thanë bashkëshortes së Sansonit: "Mbushja mendjen burrit tënd që të na shpjegojë gjëzën; ndryshe do të të djegim ty dhe do t'i vëmë flakën shtëpisë së atit tënd. A na keni ftuar për të na zhveshur? Vallë a s'është ashtu?".
16. Gruaja e Sansonit qau para tij dhe i tha: "Ti ke vetëm urrejtje ndaj meje dhe nuk më do; ti u propozove një gjëzë bijve të popullit tim, por nuk ia shpjegova as atit tim; as nënës sime, pse duhet të ta shpjegoj ty?".
17. Ajo qau para tij gjatë shtatë ditëve të festës. Kështu ditën e shtatë Sansoni ia shpjegoi, sepse e mërziste; pastaj ua shpjegoi gjëzën bijve të popullit të saj.
18. Njerëzit e qytetit, ditën e shtatë, para se të perëndonte dita, i thanë Sansonit: "A ka gjë më të ëmbël se mjalti? A ka gjë më të fortë se luani?". Dhe ai iu përgjegj atyre: "Po të mos kishit lëruar me mëshqerrën time, nuk do ta kishit zgjidhur gjëzën time".
19. Atëherë Fryma e Zotit erdhi mbi të në mënyrë të fuqishme, dhe ai zbriti deri në Ashkelon, vrau tridhjetë njerëz nga ata, mori plaçkat e tyre dhe u dha ndërresat e rrobave atyre që e kishin shpjeguar gjëzën. Kështu zemërimi i tij u ndez; pastaj ai u ngjit përsëri në shtëpinë e të atit.
20. Por gruan e Sansonit ia dhanë shokut të tij, që kishte qenë shoku i tij më i mirë.

Psalmet 50:16-23
16. Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,
17. ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?
18. Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.
19. Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.
20. Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.
21. Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.
22. Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.
23. Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë".

Fjalët e Urta 14:29-30
29. Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij.
30. Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave.

Luke 17:20-37
20. Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai u përgjigj atyre dhe tha: ''Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme;
21. dhe as nuk do të mund të thuhet: "Ja, këtu", ose: "Ja, atje"; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush''.
22. Pastaj u tha dishepujve të vet: ''Do të vijnë ditë kur ju do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.
23. Dhe do t'ju thonë: "Ja, është këtu" ose: "Ja, është atje", por ju mos shkoni dhe mos i ndiqni.
24. Sepse ashtu si rrufeja, që vetëtin nga njëri skaj i qiellit te tjetri e ndriçon, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij.
25. Por më parë i duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez.
26. Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.
27. Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë.
28. Po kështu ndodhi në kohën e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin;
29. por ditën kur Loti doli nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i zhduku të gjithë.
30. Kështu do të jetë edhe atë ditë kur Biri i njeriut do të shfaqet.
31. Në atë ditë, ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë të mos zbresë në shtëpi për të marrë gjërat e tij; e po kështu ai që ndodhet në ara, të mos kthehet prapa.
32. Kujtoni gruan e Lotit.
33. Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë, do ta shpëtojë.
34. Unë po ju them: atë natë dy veta do të jenë në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.
35. Dy gra do të bluajnë bashkë; njëra do të merret e tjetra do të lihet.
36. Dy burra do të jenë në ara: njëri do të merret e tjetri do të lihet''.
37. Atëherë dishepujt u përgjigjën dhe thanë: ''Ku, o Zot?'' Dhe ai u tha atyre: ''Ku të jetë trupi, atje do të mblidhen shqiponjat''.