A A A A A

Bibla në një vit


Marsh 28


Përtërirë 17:1-20
1. "Nuk do t'i flijosh Zotit, Perëndisë tënd, ka, dele ose dhi që kanë ndonjë të metë ose gjymtim, sepse kjo do t'ishte një gjë e neveritshme për Zotin, Perëndinë tënd.
2. Në rast se gjendet midis teje, në një nga qytetet që Zoti, Perëndia yt, po të jep, një burrë apo një grua që bën atë që është e keqe për sytë e Zotit, Perëndisë tënd, duke shkelur besëlidhjen e tij,
3. dhe që shkon t'u shërbej perëndive të tjera dhe bie përmbys para tyre, para diellit, hënës apo tërë ushtrisë qiellore, gjë që unë nuk të kam urdhëruar,
4. dhe që të është referuar dhe që ke dëgjuar të flitet për të, atëherë hetoje me kujdes; dhe në qoftë se është e vërtetë dhe e sigurtë se ky akt i neveritshëm është kryer në Izrael,
5. do ta çosh në portat e qytetit tënd atë burrë ose grua që ka kryer këtë veprim të keq, dhe do ta vrasësh me gurë atë burrë ose atë grua; dhe kështu ata do të vdesin
6. Ai që duhet të vdesë do të dënohet me vdekje me deponimin e dy apo tri dëshmitarëve, por nuk do të dënohet me vdekje askush me deponimin e një dëshmitari të vetëm.
7. Dora e dëshmitarëve do të jetë e para që do të ngrihet kundër tij për t'i shkaktuar vdekjen; pastaj do të ngrihet dora e të gjithë popullit; kështu do të çrrënjosësh të keqen nga gjiri yt.
8. Në rast se të paraqitet një rast shumë i vështirë për t'u gjykuar, midis vrasësve, midis një padie e tjetrës, midis një plagosjeje e tjetrës, grindje brenda portave të shtëpisë sate, atëherë do të
9. dhe do të takohesh me priftërinjtë levitikë dhe me gjykatësit në funksion në atë kohë dhe do të këshillohesh me ta; atëherë ata do të shpallin vendimin e gjyqit;
10. dhe ti do t'i përmbahesh vendimit që ata të kanë treguar në vendin ku Zoti ka zgjedhur dhe do të kujdesesh të bësh të gjitha ato që të kanë mësuar.
11. Do t'i përmbahesh ligjit që të kanë mësuar dhe vendimit që të kanë deklaruar; nuk do të shmangesh nga vendimi që të kanë treguar as djathtas, as majtas.
12. Por njeriu që do të veprojë me mendjemadhësi dhe nuk do ta dëgjojë priftin që ndodhet aty për t'i shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, ose gjykatësit, ky njeri ka për të vdekur; kështu do të shkulësh të keqen nga Izraeli;
13. tërë populli do të mësojë kësisoj atë që ndodhi, do të ketë frikë dhe nuk do të veprojë me mendjemadhësi.
14. Kur do të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep dhe do ta shtiesh në dorë dhe do të banosh atje, në rast se do të thuash: "Dua të caktoj mbi mua një mbret ashtu si tërë kombet që më rrethojnë",
15. do të caktosh mbi ty mbretin që Zoti, Perëndia yt, ka për të zgjedhur. Do të caktosh mbi ty një mbret të zgjedhur midis vëllezërve të tu; nuk mund të caktosh mbi ty një të huaj që të mos jetë vëllai yt.
16. Por ai nuk duhet të ketë një numër të madh kuajsh, as ta kthejë popullin në Egjipt për të shtënë në dorë një numër të madh kuajsh, sepse Zoti ju ka thënë: "Nuk do të ktheheni më në atë rrugë".
17. Nuk duhet të ketë një numër të madh grash, me qëllim që zemra e tij të mos shthuret; dhe nuk duhet të grumbullojë për vete një sasi të madhe argjendi dhe ari.
18. Përveç kësaj, kur të ulet mbi fronin e mbretërisë së tij, do të shkruajë për veten e tij në një libër një kopje të këtij ligji, simbas kopjes së priftërinjve levitikë.
19. Do ta mbajë pranë vetes këtë libër dhe do ta lexojë çdo ditë të jetës së tij, që të mësojë të ketë frikë nga Zoti, Perëndia i tij, dhe të zbatojë në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji dhe të këtyre statuteve,
20. me qëllim që zemra e tij të mos ngrihet mbi vëllezërit e tij dhe të mos shmanget nga ky urdhërim as djathtas, as majtas, dhe të zgjasë kështu ditët e mbretërimit të tij, ai vetë dhe bijtë e tij, në mes të Izraelit".

Përtërirë 18:1-22
1. "Tërë priftërinjtë levitë, tërë fisi i Levit, nuk do të kenë pjesë as trashëgimi në Izrael; do të jetojnë me flijimet e bëra me zjarr për Zotin, trashëgimi e tij.
2. Nuk do të kenë asnjë trashëgimi nga vëllezërit e tyre; sepse Zoti është trashëgimia e tyre, ashtu siç ua ka thënë.
3. Kjo është ajo që i detyrohet priftit populli, ata që ofrojnë një flijim, qoftë një lopë, një dele apo një dhi; ata do t'i japin priftit shpatullat, nofullat dhe plëndësin.
4. Do t'i japësh prodhimin e parë të grurit tënd, të mushtit tënd dhe të vajit tënd, si dhe qethjen e parë të dhenve të tua;
5. sepse Zoti, Perëndia yt, e ka zgjedhur midis gjithë fiseve të tu për të kryer shërbimin në emër të Zotit, atë vetë dhe bijtë e tij për gjithnjë
6. Por në rast se një Levit, që ka ardhur nga një prej qyteteve të tua të të gjithë Izraelit, ku ai banonte, vjen me gjithë dëshirën e zemrës së tij në vendin e zgjedhur nga Zoti,
7. atëherë ai do të mund të shërbejë në emër të Zotit, Perëndisë së tij, ashtu si gjithë vëllezërit e tij Levitë që ndodhen aty përpara Zotit.
8. Ata do të marrin për mbajtjen e tyre pjesë të barabarta, përveç parave nga shitja e pasurisë së tyre.
9. Kur do të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do të mësosh të shkosh pas veprave të neveritshme të këtyre kombeve.
10. Të mos gjendet midis teje ndonjë që e kalon birin ose bijën e vet nëpër zjarr, as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji,
11. as ai që përdor yshtje, as mediume që konsultojnë frymat, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit,
12. sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti; dhe për shkak të kësaj neverie, Zoti është duke i përzënë para teje.
13. Ti do të jesh i përkryer para Zotit, Perëndisë tënd;
14. sepse kombet, që ti do të dëbosh, i kanë dëgjuar shortarët dhe magjistarët; kurse ty, Zoti, Perëndia yt, nuk të ka lejuar të veprosh kështu.
15. Zoti, Perëndia yt, do të krijojë për ty një profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu; atë keni për ta dëgjuar,
16. në bazë të gjithë atyre gjërave që i kërkove Zotin, Perëndinë tënd, në Horeb, ditën e asamblesë, kur the: "Të mos dëgjoj më zërin e Zotit, Perëndisë tim, dhe të mos shoh më këtë zjarr të madh, që unë të mos vdes".
17. Dhe Zoti më tha: "Atë që thanë, është mirë;
18. unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t'u thotë atyre të gjitha ato që unë do t'i urdhëroj.
19. Dhe do të ndodhë që në se dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin tim, unë do t'i kërkoj llogari.
20. Por profeti që pretendon të thotë në emrin tim një gjë për të cilën unë e kam urdhëruar ta thotë ose që flet në emër të perëndive të tjera, ai profet do të vritet".
21. Dhe në se ti thua në zemrën tënde: "Si do të bëjmë për të dalluar fjalën që Zoti nuk ka thënë?".
22. Kur profeti flet në emër të Zotit dhe kjo gjë nuk ndodh dhe nuk realizohet, kemi të bëjmë me një gjë që Zoti nuk e ka thënë; e ka thënë profeti me mendjemadhësi; mos ki frikë prej tij".

Psalmet 37:37-40
37. Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.
38. Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.
39. Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.
40. Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.

Fjalët e Urta 12:20-22
20. Mashtrimi është në zemrën e atyre që kurdisin të keqen, por për ata që këshillojnë paqen ka gëzim.
21. Asnjë e keqe nuk do t'i ndodhë të drejtit, por të pabesët do të kenë plot telashe.
22. Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi i pëlqejnë atij.

Luke 4:1-30
1. Dhe Jezusi, plot me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Fryma e çoi në shkretëtirë,
2. ku për dyzet ditë e tundoi djalli; gjatë atyre ditëve ai nuk hëngri asgjë, por kur ato kaluan, e mori uria.
3. Dhe djalli i tha: ''Nëse je Biri i Perëndisë, i thuaj këtij guri të bëhet bukë''.
4. Por Jezusi u përgjigj duke thënë: ''Éshtë shkruar: "Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë të Perëndisë"''.
5. Pastaj djalli e çoi në një mal të lartë dhe, për një çast, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës.
6. Dhe djalli i tha: ''Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive dhe lavdinë e tyre, sepse m'u dha mua në dorë dhe unë ia jap kujt të dua.
7. Në qoftë se ti, pra, duke rënë përmbys, më adhuron, do të jetë krejt jotja''.
8. Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: ''Largohu prej meje, Satana. Éshtë shkruar: "Adhuro Zotin, Përëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij"''.
9. Pastaj e çoi në Jeruzalem, e vuri në majë të tempullit, në cep, dhe i tha: ''Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë që këtej;
10. sepse është shkruar: "Ai do t'u urdhërojë engjëjve të vet rreth teje të të ruajnë.
11. Dhe ata do të të mbajnë mbi duart e tyre që këmba jote të mos ndeshë me asnjë gur"''.
12. Dhe Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Éshtë thënë: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd"''.
13. Dhe kur djalli i mbaroi të gjitha tundimet, u largua prej tij, për një farë kohe.
14. Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth.
15. Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë.
16. Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar.
17. I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:
18. ''Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit,
19. dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit''.
20. Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të.
21. Atëherë ai nisi të thotë: ''Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja''.
22. Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshnin: ''Po ky, a nuk është biri i Jozefit?''.
23. Dhe ai u tha atyre: ''Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: "Mjek, shëro veten tënde"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd''.
24. Por ai tha: ''Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.
25. Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael;
26. e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit.
27. Dhe në kohën e profetit Elize kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian''.
28. Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë.
29. Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë.
30. Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.