A A A A A

Bibla në një vit


Marsh 22


Përtërirë 5:1-33
1. Moisiu mblodhi tërë Izraelin dhe i tha: "Dëgjo, Izrael, statutet dhe dekretet që unë shpall sot në veshët e tu me qëllim që ti t'i mësosh dhe të zotohesh t'i zbatosh.
2. Zoti, Perëndia ynë, lidhi një besëlidhje me ne në Horeb.
3. Zoti e lidhi këtë besëlidhje jo me etërit tanë, por me ne që jemi këtu të gjithë të gjallë.
4. Zoti ju foli në sy në mal, nga mesi i zjarrit.
5. Unë ndodhesha atëherë midis Zotit dhe jush për t'ju referuar fjalën e tij, sepse ju patët frikë nga zjarri dhe nuk u ngjitët në mal. Ai tha:
6. "Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të ka nxjerrë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.
7. Nuk do të kesh perëndi të tjera përpara meje.
8. Nuk do të bësh asnjë skulpturë apo shëmbëlltyrë të gjërave që janë atje lart në qiell, këtu poshtë në tokë apo në ujërat poshtë tokës.
9. Nuk do të biesh përmbys para tyre dhe nuk do t'u shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xhelos që dënon paudhësinë e etërve ndaj bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë,
10. por tregohem i dashur ndaj mijëra njerëzish që më duan dhe respektojnë urdhërimet e mia.
11. Nuk do ta përdorësh më kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse Zoti nuk ka për ta lënë të padënuar atë që përdor emrin e tij kot.
12. Respekto ditën e shtunë për të shenjtëruar, ashtu siç të ka porositur Zoti, Perëndia yt.
13. Do të punosh gjashtë ditë dhe gjatë këtyre ditëve do të bësh çdo punë tënde,
14. por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh gjatë kësaj dite asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori, as shërbëtorja, as kau, as gomari, asnjë nga kafshët e tua, dhe të huajt që ndodhen brenda portave të shtëpisë sate, me qëllim që shërbëtori dhe shërbëtorja jote të çlodhen si ti.
15. Dhe mos harro që ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe që Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me një dorë të fuqishme dhe vepruese; prandaj Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të respektosh ditën e shtunë.
16. Do të nderosh atin dhe nënën tënde ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt, që të jetosh gjatë dhe të gëzosh begatinë në tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.
17. Nuk do të vrasësh.
18. Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.
19. Nuk do të vjedhësh.
20. Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.
21. Nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd, as arën, as shërbëtorin, as shërbëtoren, as kaun, as gomarin dhe asnjë send që janë pronë e tij".
22. Këto fjalë tha Zoti përpara tërë asamblesë tuaj, nga mesi i zjarrit, të resë dhe të errësirës së dendur, me zë të fortë; dhe nuk shtoi tjetër. I shkroi mbi dy pllaka prej guri dhe mi dha mua.
23. Kur ju dëgjuat zërin në mes të errësirës, ndërsa mali ishte tërë flakë, ju m'u afruat, gjithë prijësit e fiseve dhe pleqtë tuaj,
24. dhe thatë: "Ja, Zoti, Perëndia ynë, na tregoi lavdinë dhe madhërinë e tij, dhe ne dëgjuam zërin e tij nga mesi i zjarrit; sot kemi parë që Perëndia mund të flasë me njeriun dhe ky të mbetet i gjallë.
25. Po pse duhet të vdesim? Ky zjarr i madh në të vërtetë do të na gllabërojë; në rast se vazhdojmë të dëgjojmë akoma zërin e Zotit, të Perëndisë tonë, ne kemi për të vdekur.
26. Sepse, midis gjithë njerëzve, kush është ai që, si ne, ka dëgjuar zërin e Perëndisë të gjallë të flasë në mes të zjarrit dhe ka mbetur i gjallë?
27. Afrohu ti dhe dëgjo të gjitha ato që Zoti, Perëndia ynë, do të të thotë, dhe ne do ta dëgjojmë dhe do të bëjmë ato që kërkon ai".
28. Zoti dëgjoi tingullin e fjalëve tuaja ndërsa më flisnit; kështu Zoti më tha: "Unë dëgjova tingullin e fjalëve që ky popull të drejtoi; çdo gjë që ata thanë është mirë.
29. Ah, sikur të kishin gjithnjë një zemër të tillë, të më kishin frikë dhe të respektonin tërë urdhërimet e mia, që të rronin gjithnjë në begati ata dhe bijtë e tyre!
30. Shko dhe u thuaj: Kthehuni në çadrat tuaja.
31. Por ti qëndro këtu me mua dhe unë do të të tregoj tërë urdhërimet, tërë statutet dhe dekretet që do t'u mësosh atyre, me qëllim që t'i zbatojnë në vendin që unë po u jap si trashëgimi".
32. Kini pra kujdes të bëni atë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar; mos u shmangni as djathtas, as majtas;
33. ecni të tërë në rrugën që Zoti, Perëndia juaj, ju ka caktuar, që të jetoni, të keni mbarësi dhe të zgjatni ditët tuaja në vendin që do të pushtoni".

Përtërirë 6:1-25
1. Ky është urdhërimi, statutet dhe dekretet që Zoti, Perëndia juaj, ka urdhëruar t'ju mësojë, për t'i zbatuar në vendin në të cilin po hyni për ta marrë në zotërim;
2. me qëllim që ti të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të respektosh gjatë gjithë ditëve të jetës sate, ti, yt bir dhe djali i birit tënd, të tëra statutet dhe të gjitha urdhërimet e tij që unë po të jap, dhe me qëllim që ditët e jetës sate të zgjaten.
3. Dëgjo, pra, Izrael, dhe ki kujdes t'i zbatosh në praktikë, me qëllim që të njohësh begatinë dhe të shumëzohesh me të madhe në vendin ku rrjedh qumësht dhe mjalt, ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu.
4. Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm.
5. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.
6. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde;
7. do t'ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.
8. Do t'i lidhësh si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve,
9. dhe do t'i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.
10. Kur pastaj Zoti, Perëndia yt, do të të fusë në vendin për të cilin iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, të të japë qytete të mëdha dhe të bukura që ti nuk i ke ndërtuar,
11. dhe shtëpi plot me të mira që ti nuk i ke mbushur, puse të çelur që ti nuk i ke gërmuar, vreshta dhe ullishte që ti nuk i ke mbjellë; kur të kesh ngrënë dhe të jesh ngopur,
12. ki kujdes të mos harrosh Zotin që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.
13. Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t'i shërbesh dhe do të betohesh për emrin e tij.
14. Nuk do të shkoni pas perëndive të tjera midis perëndive të popujve që ju rrethojnë,
15. (sepse Zoti, Perëndia yt, që ndodhet në mes teje, është një Perëndi ziliqar); përndryshe zemërimi i Zotit, Perëndisë tënd, do të ndizej kundër teje dhe do të bënte që ti të zhdukesh nga faqja e dheut.
16. Nuk do të tundoni Zotin, ashtu si u përpoqët në Masa.
17. Do të respektoni me kujdes urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, rregullat dhe statutet e tij që ai ju ka urdhëruar.
18. Prandaj do të bësh atë që është e drejtë dhe e mirë në sytë e Zotit, që ti të përparosh dhe të hysh e të pushtosh vendin e mirë që Zoti iu betua t'u japë etërve të tu,
19. duke dëbuar tërë armiqtë e tu, ashtu siç kishte premtuar Zoti.
20. Kur në të ardhmen biri yt do të të pyesë: "Çfarë kuptimi kanë këto rregulla, statute dhe dekrete, që Zoti, Perëndia ynë, ju ka urdhëruar?",
21. ti do t'i përgjigjesh birit tënd: "Ishim skllevër të Faraonit në Egjipt dhe Zoti na nxori nga Egjipti me një dorë të fuqishme
22. Përveç kësaj Zoti veproi para syve tona, kreu mrekulli të mëdha dhe të tmerrshme kundër Egjiptit, Faraonit dhe gjithë shtëpisë së tij.
23. Dhe na nxori që andej për të na çuar në vendin që u ishte betuar t'u jepte etërve tanë.
24. Kështu Zoti na urdhëroi të zbatonim në praktikë të gjitha këto statute duke pasur frikë nga Zoti, Perëndia ynë, që të kemi gjithnjë mirëqënie dhe që ai të na mbante të gjallë, siç po ndodh tani.
25. Dhe kjo do të jetë drejtësia jonë në rast se kujdesemi të zbatojmë në praktikë tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë tonë, ashtu siç na ka urdhëruar"".

Psalmet 37:1-4
1. Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,
2. sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.
3. Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.
4. Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.

Fjalët e Urta 12:8-8
8. Një njeri lëvdohet për gjykimin e tij, por ai që ka një zemër të çoroditur do të përçmohet.

Luke 1:21-38
21. Ndërkaq populli po priste Zakarian dhe çuditej që ai po vonohej aq shumë brenda tempullit.
22. Por, kur doli, nuk mundi t'u flasë atyre; atëherë ata e kuptuan se ai kishte pasur një vegim në tempull; ai u bënte shenja atyre, por mbeti i pagojë.
23. Dhe ndodhi që, kur u plotësuan ditët e shërbesës së tij, ai u kthye në shtëpinë e vet.
24. Dhe, pas atyre ditëve Elizabeta, gruaja e tij, u ngjiz; dhe u fsheh pesë muaj dhe thoshte:
25. ''Ja ç'më bëri Zoti, në ato ditë kur e ktheu vështrimin e tij mbi mua për të më hequr turpin përpara njerëzve''.
26. Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret,
27. te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria.
28. Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: ''Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë''.
29. Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë.
30. Dhe engjëlli i tha: ''Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë.
31. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t'ia vesh emrin Jezus.
32. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij;
33. dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur''.
34. Dhe Maria i tha engjëllit: ''Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?''.
35. Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: ''Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.
36. Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë,
37. sepse me Perëndinë asgjë s'është e pamundshme''.
38. Atëherë Maria tha: ''Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate''. Dhe engjëlli u largua prej saj.