A A A A A

Bibla në një vit


Marsh 20


Përtërirë 1:1-27
1. Këto janë fjalët që Moisiu i drejtoi Izraelit matanë Jordanit, në shkretëtirë, në Arabah, përballë Sufit, midis Paranit, Tofelit, Labanit, Hatserothit dhe Zahabit.
2. Ka njëmbëdhjetë ditë rrugë nga mali Horeb, duke ndjekur rrugën e malit Seir, deri në Kadesh-Barnea.
3. Në vitin e dyzetë në muajin e njëmbëdhjetë, ditën e parë të muajit, Moisiu u foli bijve të Izraelit, simbas porosive që i kishte dhënë Zoti,
4. mbas mundjes së Sihonit, mbretit të Amorejve që banonte në Heshbon, dhe të Ogut, mbretit të Bashanit që banonte në Ashtaroth dhe në Edrej.
5. Matanë Jordanit, në vendin e Moabit, Moisiu filloi ta shpjegojë këtë ligj, duke thënë:
6. "Zoti, Perëndia ynë, na foli në Horeb dhe na tha: "Ju keni ndenjur mjaft afër këtij mali;
7. çoni çadrat, vihuni në lëvizje dhe shkoni në drejtim të krahinës malore të Amorejve dhe në drejtim të të gjitha vendeve të afërta me Arabahun, në krahinën malore dhe në ultësirën, në Negev e në bregun e detit, në vendin e Kananejve dhe në Liban, deri në lumin e madh, në lumin e Eufratit.
8. Ja, unë e vura vendin para jush; hyni dhe shtjireni në dorë vendin që Zoti ishte betuar t'ua jepte etërve tuaj, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, atyre dhe pasardhësve të tyre mbas tyre"".
9. "Në atë kohë unë ju fola dhe ju thashë: "Unë nuk mund ta mbaj i vetëm barrën që përfaqësoni ju të tërë.
10. Zoti, Perëndia juaj, ju ka shumuar, dhe ja, sot jeni në numër të madh si yjet e qiellit.
11. Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju bëftë njëmijë herë më të shumtë, dhe ju bekoftë ashtu si ju ka premtuar!
12. Por si mundem unë, duke qenë i vetëm, të mbaj barrën tuaj, peshën tuaj dhe grindjet tuaja?
13. Zgjidhni nga fiset tuaja burra të urtë, me gjykim e me përvojë, dhe unë do t'i bëj prijës tuaj".
14. Dhe ju m'u përgjigjët, duke thënë: "Ajo që ti propozon të bësh është e mirë".
15. Atëherë mora prijësit e fiseve tuaja, njerëz të urtë dhe me përvojë, dhe i caktova si prijës tuaj, prijës të mijërave, të qindrave të pesëdhjetëve, të dhjetrave, dhe oficerë të fiseve tuaja.
16. Në atë kohë u dhashë këtë urdhër gjykatësve tuaj, duke u thënë: "Dëgjoni dhe gjykoni me drejtësi grindjet midis vëllezërve tuaj, midis një njeriu dhe të vëllait ose të huajit që ndodhet pranë tij.
17. Në gjykimet tuaja nuk do të keni konsiderata personale; do të dëgjoni si të madhin ashtu edhe të voglin; nuk do të keni frikë nga asnjeri, sepse gjykimi i përket Perëndisë; çështjen që është shumë e vështirë për ju do të ma paraqisni mua, dhe unë do ta dëgjoj".
18. Në atë kohë unë ju urdhërova të gjitha gjërat që duhet të bënit".
19. "Pastaj u nisëm nga mali i Horebit dhe përshkuam gjithë atë shkretëtirë të madhe dhe të tmerrshme që keni parë, duke u drejtuar nga krahina malore e Amorejve, ashtu si na kishte urdhëruar Zoti, Perëndia ynë, dhe arritëm në Kadesh-Barnea.
20. Atëherë ju thashë: "Keni arritur në krahinën malore të Amorejve, që Zoti, Perëndia ynë, na jep.
21. Ja, Zoti, Perëndia ynë, e ka vënë vendin para teje, ngjitu dhe shtjire në dorë, ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu; mos ki frikë dhe mos u ligështo".
22. Atëherë ju, të gjithë ju, u afruat pranë meje dhe më thatë: "Të dërgojmë disa njerëz para nesh që të vëzhgojnë vendin për ne dhe të na tregojnë rrugën nëpër të cilën ne duhet të ngjitemi dhe qytetet në të cilat duhet të hyjmë".
23. Ky propozim më pëlqeu, kështu mora dymbëdhjetë njerëz nga radhët tuaja, një për çdo fis.
24. Dhe ata u nisën, u ngjitën drejt maleve, arritën në luginën e Eshkolit dhe vëzhguan vendin.
25. Morën me vete disa fruta të vendit, na i sollën dhe na paraqitën raportin e tyre, duke thënë: "Vendi që po na jep Zoti, Perëndia ynë, është i mirë"".
26. "Por ju nuk deshët të ngjiteni dhe ngritët krye kundër urdhërit të Zotit, Perëndisë tuaj;
27. dhe murmuritët në çadrat tuaja dhe thatë: "Zoti na urren, për këtë arsye na nxori nga vendi i Egjiptit për të na dorëzuar në duart e Amorejve dhe për të na shkatërruar.

Përtërirë 2:1-37
1. "Pastaj u kthyem prapa dhe u nisëm nëpër shkretëtirë në drejtim të Detit të Kuq, ashtu si më pati thënë Zoti, dhe u sollëm rreth malit Seir për një kohë të gjatë.
2. Pastaj Zoti më foli duke thënë:
3. "Jeni sjellë mjaft rreth këtij mali; kthehuni nga veriu.
4. Dhe urdhëron popullin duke i thënë: Jeni duke kaluar kufirin e bijve të Ezaut, vëllezërve tuaj, që banojnë në Seir; ata do të kenë frikë nga ju; prandaj hapni sytë;
5. mos i provokoni, sepse nuk do t'ju jap asgjë nga vendi i tyre, as aq sa mund të shkelë një këmbë, sepse malin e Seirit ia kam dhënë Ezaut, si pronë të tij.
6. Do të blini me para prej tyre ushqimet që do të hani dhe do të blini gjithashtu me para ujin që do të pini.
7. Sepse Zoti, Perëndia yt, të ka bekuar në gjithë punën e duarve të tua; është kujdesur për udhëtimin tënd nëpër shkretëtirën e madhe. Zoti, Perëndia yt, ka qenë me ty gjatë këtyre dyzet viteve dhe asgjë nuk të ka munguar".
8. Kështu kaluam përtej bijve të Ezaut, vëllezërve tanë, që banonin në Seir dhe, duke evituar rrugën e Arabahut, si dhe Eliathin dhe Etsion-Geberin, u tërhoqëm dhe vazhduam duke kaluar nëpër shkretëtirën e Moabit.
9. Pastaj Zoti më tha: "Mos sulmo Moabin dhe mos lufto kundër tij, sepse nuk do të të jap asnjë pjesë të vendit të tyre si trashëgimi, duke qenë se u kam dhënë Arin si pronë pasardhësve të Lotit.
10. (Në kohët e kaluara këtu banonin Emimët, një popull i madh, i shumtë dhe trupmadh si Anakimët.
11. Edhe këta konsideroheshin gjigantë, ashtu si Anakimët; por Moabitët i quanin Emimë.
12. Seiri banohej në fillim nga Horejtë; por pasardhësit e Ezaut i dëbuan, i shkatërruan dhe u vendosën në vendin e tyre, ashtu si ka bërë Izraeli në vendin që zotëron dhe që i ka dhënë Zoti).
13. Tani çohuni dhe kaloni përroin e Zeredit". Kështu ne kapërcyem përroin e Zeredit.
14. Koha e nevojshme për të arritur nga Kadesh-Barnea deri në kalimin e përroit të Zeredit, ishte tridhjetë e tetë vjet, deri sa tërë brezi i luftëtarëve të zhdukej plotësisht nga kampi, ashtu si u qe betuar atyre Zoti.
15. Në fakt dora e Zotit qe kundër tyre për t'i asgjësuar nga kampi, deri sa të zhdukeshin.
16. Kështu, kur luftëtari i fundit vdiq në mes të popullit,
17. Zoti më foli duke thënë:
18. "Sot ti po bëhesh gati të kalosh kufirin e Moabit në Ar;
19. por duke iu afruar bijve të Amonit, mos i sulmo dhe mos u shpall luftë, sepse unë nuk do të jap asnjë pjesë të vendit të bijve të Amonit si trashëgimi, sepse ua kam dhënë bijve të Lotit si pronë të tyre".
20. (Edhe konsiderohej si një vend gjigantësh; në kohërat e kaluara këtu banonin gjigantë; por Amonitët i quanin Zamzumimë,
21. një popull i madh, i shumtë dhe shtatlartë si Anakimët; por Zoti i shkatërroi para Amonitëve, që i dëbuan dhe u vendosën në vendin e tyre,
22. ashtu si kishte vepruar Zoti me pasardhësit e Ezaut që banonin në Seir, kur shkatërroi Horejtë përpara tyre. Ata i dëbuan dhe u vendosën në vendin e tyre deri në ditët tona.
23. Edhe Avejtë, që banonin në fshatrat deri në Gaza, u shkatërruan nga Kaftorejtë, që kidhin ardhur nga Kaftori, të cilët u vendosën në vendin e tyre).
24. "Çohuni, vihuni në marshim dhe kaloni përroin Arnon; ja, unë po e kaloj nën pushtetin tënd Sihonin, Amoreun, mbretin e Heshbonit, dhe vendin e tij; fillo ta shtiesh atë në dorë dhe shpalli luftë.
25. Sot do të filloj t'u kall frikën dhe terrorin tënd popujve nën tërë qiejt, të cilët do të dëgjojnë të flitet për ty, do të dridhen dhe do t'i zërë ankthi nga shkaku yt.
26. Atëherë nga shkretëtira e Kedemothit i dërgova lajmëtarë Sihonit, mbretit të Heshbonit, me propozime paqësore, për t'i thënë:
27. Lërmë të kaloj nëpër vendin tënd; unë do të shkoj nëpër rrugën Mbretërore, pa u kthyer as djathtas as majtas.
28. Ti do të më shesësh me para ushqimet që do të ha dhe do të më japësh me para ujin që do të pi; më lejo vetëm të kaloj me këmbë
29. (ashtu si kanë bërë për mua pasardhësit e Ezaut që banojnë në Seir dhe Moabitët që banojnë në Ar), deri sa unë të kem kaluar Jordanin për të hyrë në vendin që Zoti, Perëndia ynë, na dha".
30. Por Sihoni, mbret i Heshbonit, nuk deshi të na linte të kalonim nëpër territorin e tij, sepse Zoti, Perëndia yt, i kishte ngurtësuar frymën dhe e kishte bërë kryeneç, për të ta dhënë në duart e tua, siç është pikërisht sot.
31. Dhe Zoti më tha: "Shiko, kam filluar të kaloj nën pushtetin tënd Sihonin dhe vendin e tij; fillo ta pushtosh, që ti të bëhesh zotëruesi i vendit të tij".
32. Atëherë Sihoni doli kundër nesh me gjithë njerëzit e tij, për t'u ndeshur në Jahats.
33. Por Zoti, Perëndia ynë, na e dha në dorë, dhe ne e mundëm atë, bijtë e tij dhe tërë njerëzit e tij.
34. Në atë kohë pushtuam tërë qytetet e tij dhe shfarosëm burrat, gratë dhe fëmijët e çdo qyteti; nuk lamë gjallë asnjë.
35. Morëm si plaçkë vetëm bagëtinë dhe plaçkën e qyteteve që kishim pushtuar.
36. Nga Aroeri, që ndodhet në brigjet e përroit Arnon dhe nga qyteti që është në luginë, deri në Galaad, nuk pati asnjë qytet që të ishte shumë i fortë për ne; Zoti Perëndia ynë, na i dha të gjitha në dorën tonë.
37. Por nuk iu afrove vendit të bijve të Amonit, dhe asnjë vendi anës përroit Jabok, as qyteteve të vendit malor dhe tërë qëndrave që Zoti, Perëndiai ynë, na kishte ndaluar të sulmonim.

Psalmet 36:1-6
1. Mëkati i të pabesit i thotë zemrës sime: "Nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij.
2. Sepse ai gënjen veten e tij në kërkimin e fajit që ka kryer në urrejtjen ndaj tij.
3. Fjalët e gojës së tij janë paudhësi dhe mashtrim; ai ka pushuar së qeni i urtë dhe nuk bën më të mira.
4. Ai thur paudhësi në shtratin e tij; vihet në një rrugë që nuk është e mirë dhe që nuk e dënon të keqen".
5. O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë.
6. Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë.

Fjalët e Urta 12:4-6
4. Gruaja e virtytshme është kurora e burrit të saj, por ajo që e turpëron është si një krimb në kockat e tij.
5. Mendimet e të drejtëve janë drejtësia, por synimet e të pabesëve janë mashtrimi.
6. Fjalët e të pabesëve rrinë në pritë për të derdhur gjak, por goja e njerëzve të drejtë do t'i çlirojë.

Shenjë 16:1-20
1. Si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, dhe Salomeja blenë aroma për të shkuar të vajosin Jezusin.
2. Në mëngjesin e ditës së parë të javës, shumë herët, ato erdhën te varri, kur po lindte dielli.
3. Dhe thonin në mes tyre: ''Kush do të na rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?''.
4. Por, kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh.
5. Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh që ishte ulur në të djathtë, të veshur me të bardha, dhe mbetën të trembura.
6. Dhe ai u tha atyre: ''Mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin Nazareas që ka qenë kryqëzuar; ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë.
7. Por shkoni dhe u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë''.
8. Dhe ato dolën shpejt dhe ikën nga va-rri, sepse i zuri tmerri dhe habia; dhe nuk i thanë asgjë kurrkujt, sepse kishin frikë.
9. Tani Jezusi, pasi ishte ringjallur në mëngjesin e ditës së parë të javës, iu shfaq së pari Marisë Magdalenë, nga e cila pati dëbuar shtatë demonë.
10. Dhe ajo shkoi dhe ua tregoi atyre që kishin qenë bashkë me të, të cilët ishin të pikëlluar dhe e qanin.
11. Por këta, kur dëgjuan se ishte gjallë dhe se u pa nga ajo, nuk i besuan.
12. Mbas këtyre gjërave, iu shfaq në trajtë tjetër dyve prej tyre, që po shkonin në fshat.
13. Edhe ata shkuan dhe ua treguan të tjerëve; por as këtyre nuk u besuan.
14. Në fund iu shfaq të njëmbëdhjetëve kur ishin në tryezë dhe i qortoi për mosbesimin e tyre dhe për ngurtësinë e zemrës, sepse nuk u kishin besuar atyre që e kishin parë të ringjallur.
15. Pastaj u tha atyre: ''Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese;
16. ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar.
17. Dhe këto janë shenjat që do t'i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t'i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja;
18. do t'i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t'u bëjë asnjë të keqe; do t'i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen''.
19. Zoti Jezus, pra, mbasi u foli, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtë të Perëndisë.
20. Pastaj ata dolën dhe predikuan kudo, ndërsa Zoti bashkëvepronte me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin. Amen.