A A A A A

Bibla në një vit


Marsh 18


Numrat 33:1-56
1. Këto janë etapat e bijve të Izraelit që dolën nga vendi i Egjiptit, simbas formacioneve të tyre, nën udhëheqjen e Moisiut dhe të Aaronit.
2. Moisiu shënoi me shkrim vendet e tyre të nisjes, për çdo etapë, sipas urdhrave të Zotit; dhe këto janë etapat e tyre, në bazë të vendnisjeve të tyre.
3. U nisën nga Ramesesi në muajin e parë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të parë. Një ditë pas Pashkës bijtë e Izraelit u nisën me plot vetëbesim, para syve të të gjithë Egjiptasve,
4. ndërsa Egjiptasit varrosnin tërë të parëlindurit e tyre që Zoti kishte goditur midis tyre. Zoti kishte zbatuar gjykimin e tij edhe mbi perënditë e tyre.
5. Kështu, pra, bijtë e Izraelit u nisën nga Ramesesi dhe e ngritën kampin e tyre në Sukoth.
6. U nisën nga Sukothi dhe fushuan në Etham, që ndodhet në skaj të shkretëtirës.
7. U nisën nga Ethami dhe u kthyen në drejtim të Pi-Hahirothit që ndodhet përballë Baal-Tsefonit, dhe e ngritën kampin përpara Migdolit.
8. U nisën nga Hahirothi, kaluan detin në drejtim të shkretëtirës, ecën tri ditë në shkretëtirën e Ethamit dhe e ngritën kampin e tyre në Mara.
9. U nisën nga Mara dhe arritën në Elim; në Elim kishte dymbëdhjetë burime uji dhe shtatëdhjetë palma; dhe fushuan aty.
10. U nisën nga Elimi dhe fushuan pranë Detit të Kuq.
11. U nisën nga Deti i Kuq dhe fushuan në shkretëtirën e Sinit.
12. U nisën nga shkretëtira e Sinit dhe ngritën kampin e tyre në Dofkah.
13. U nisën nga Dofkahu dhe fushuan në Alush.
14. U nisën nga Alushi dhe e ngritën kampin e tyre në Refidim, ku nuk kishte ujë për të pirë për popullin.
15. U nisën nga Refidimi dhe fushuan në shkretëtirën e Sinait.
16. U nisën nga shkretëtira e Sinait dhe u vendosën në Kibroth-Hataavah.
17. U nisën nga Kibroth-Hataavahu dhe fushuan në Hatseroth.
18. U nisën nga Hatserothi dhe fushuan në Rithmah.
19. U nisën nga Rithmahu dhe fushuan në Rimon-Perets.
20. U nisën nga Rimon-Peretsi dhe fushuan në Libnah.
21. U nisën nga Libnahu dhe fushuan në Risah.
22. U nisën nga Risahu dhe fushuan në Kehelathah.
23. U nisën nga Kehelathahu dhe fushuan në malin Shefer.
24. U nisën nga mali Shefer dhe fushuan në Haradah.
25. U nisën nga mali i Haradahut dhe fushuan në Makeloth.
26. U nisën nga Makelothi dhe fushuan në Tahath.
27. U nisën nga Tahahu dhe fushuan në Terah.
28. U nisën nga Terahu dhe fushuan në Mithkah.
29. U nisën nga Mithkahu dhe fushuan në Hashmonah.
30. U nisën nga Hashmonahu dhe fushuan në Mozeroth.
31. U nisën nga Mozerothi dhe fushuan nga Bene-Jaakan.
32. U nisën nga Bene-Jaakani dhe fushuan në Hor-Hagidgad.
33. U nisën nga Hor-Hagidgadi dhe fushuan në Jotbathah.
34. U nisën nga Jotbathahu dhe fushuan në Abronah.
35. U nisën nga Abronahu dhe fushuan në Etsion-Geber.
36. U nisën nga Etsion-Geberi dhe fushuan në shkretëtirën e Sinit, domethënë në Kadesh.
37. Pastaj u nisën nga Kadeshi dhe fushuan në malin Hor, në kufi të vendit të Edomit.
38. Pastaj prifti Aaron u ngjit në malin Hor me urdhër të Zotit dhe vdiq aty në vitin e dyzetë prej kohës kur bijtë e Izraelit kishin dalë nga vendi i Egjiptit, ditën e parë të muajit të pestë.
39. Aaroni ishte njëqind e njëzet e tre vjeç kur vdiq në malin Hor.
40. Mbreti i Aradit, Kananeu, që banonte në Negev, në vendin e Kanaanit, dëgjoi se arritën bijtë e Izraelit.
41. Kështu ata u nisën nga mali Hor dhe fushuan në Tsalmonah.
42. U nisën nga Tsalmonahu dhe fushuan në Punon.
43. U nisën nga Punoni dhe fushuan në Oboth.
44. U nisën nga Obothi dhe fushuan në Ije-Abarim, në kufi me Moabin.
45. U nisën nga Ije-Abarimi dhe fushuan në Dibon-Gad.
46. U nisën nga Dibon-Gadi dhe fushuan në Almon-Diblathaim.
47. U nisën nga Almon-Diblathaimi dhe fushuan në malet e Abarimit, përballë Nebit.
48. U nisën nga malet e Abarimit dhe fushuan në fushat e Moabit, pranë Jordanit, mbi bregun përballë Jerikos.
49. Fushuan pranë Jordanit, nga Beth-Jeshimoth deri në Abel-Shitim, në fushat e Moabit.
50. Pastaj Zoti i foli Moisiut, në fushat e Moabit, pranë Jordanit mbi bregun përballë Jerikos, dhe i tha:
51. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur të kaloni Jordanin, për të hyrë në vendin e Kanaanit,
52. do të dëboni të gjithë banorët e vendit, do të shkatërroni të gjitha figurat e tyre dhe të tëra statujat e tyre prej metali të shkrirë, do të rrënoni të gjitha vendet e larta të tyre.
53. Do ta shtini në dorë vendin dhe do të vendoseni në të, sepse jua kam dhënë në pronësi.
54. Do ta ndani me short vendin, simbas familjeve tuaja. Familjeve më të mëdha do t'u jepni një pjesë më të madhe, dhe më të voglave një pjesë më të vogël. Secili do të marrë atë që do t'i bjerë me short; ndarjet do të bëhen në bazë të fiseve të etërve tuaj.
55. Por në rast se nuk i dëboni banorët e vendit, ata që do të lini do të jenë si hala në sy dhe do t'ju shqetësojnë në vendin që do të banoni.
56. Dhe do të ndodhë që unë t'ju trajtoj ashtu siç kisha menduar t'i trajtoj ata".

Numrat 34:1-29
1. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2. "Urdhëro bijtë e Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur do të hyni në vendin e Kanaanit, ky është vendi që ju takon si trashëgimi, vendi i Kanaanit me këta kufij të veçantë:
3. Kufiri juaj jugor do të fillojë në shkretëtirën e Tsinit, gjatë kufirit të Edomit; kështu kufiri juaj do të shtrihet nga skaji i Detit të Kripur në drejtim të lindjes;
4. kufiri juaj do të shkojë pastaj nga e përpjeta e Akrabimit, do të kalojë nëpër Tsin dhe do të shtrihet në jug të Kadesh-Barneas; do të vazhdojë pastaj në drejtim të Hatsar-Adarit dhe do të kalojë nëpër Atsmoni.
5. Nga Atsmoni kufiri do të kthejë deri në përroin e Egjiptit dhe do të përfundojë në det.
6. Kufiri juaj në perëndim do të jetë Deti i Madh; ky do të jetë kufiri juaj perëndimor.
7. Ky do të jetë kufiri juaj verior: duke u nisur nga Deti i Madh do të caktoni kufirin tuaj deri në malin Hor;
8. nga mali Hor do të caktoni kufirin tuaj deri në hyrje të Hamathit, dhe skaji i kufirit do të jetë në Tsedad;
9. kufiri do të vazhdojë pastaj deri në Zifron dhe do të mbarojë në Hatsar-Enan; ky do të jetë kufiri juaj verior.
10. Do ta vijëzoni kufirin tuaj lindor nga Hatsar-Enani deri në Shefam;
11. kufiri do të zbresë nga Shefami në drejtim të Riblahut, në lindje të Ainit; pastaj kufiri do të zbresë dhe do të shtrihet deri sa të arrijë bregun lindor të detit të Kinerethit;
12. pastaj kufiri do të zbresë në drejtim të Jordanit, për të arritur deri në Detin e Kripur. Ky do të jetë vendi juaj me kufijtë e tij rreth e qark".
13. Kështu Moisiu u njoftoi këtë urdhër bijve të Izraelit dhe u tha atyre: "Ky është vendi që do të merrni si trashëgimi duke hedhur short, dhe që Zoti ka urdhëruar t'u jepet nëntë fiseve e gjysmë,
14. sepse fisi i bijve të Rubenit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, dhe fisi i bijve të Gadit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, dhe gjysma e fisit të Manasit e kanë marrë trashëgiminë e tyre.
15. Këto dy fise e gjysmë e kanë marrë trashëgiminë e tyre në lindje të Jordanit, mbi bregun përballë Jerikos, në drejtim të lindjes".
16. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
17. "Këta janë emrat e burrave që do të kryejnë ndarjen e vendit midis jush: prifti Eleazar dhe Jozueu, bir i Nunit.
18. Do të merrni edhe një prijës nga çdo fis, për të bërë ndarjen e vendit.
19. Këta janë emrat e burrave: Kalebi, bir i Jefunehut, nga fisi i Judës;
20. Shemueli, bir i Amihudit, nga fisi i bijve të Simeonit;
21. Elidadi, bir i Kislonit, nga fisi i Beniaminit;
22. prijësi Buki, bir i Joglit, nga fisi i bijve të Danit;
23. prijësi Haniel, bir i Efodit, për bijtë e Jozefit, nga fisi i bijve të Manasit;
24. prijësi Kemuel, bir i Shiftanit, për fisin e bijve të Efraimit;
25. prijësi Elitsafan, bir i Parnakut, për fisin e bijve të Zabulonit;
26. prijësi Paltiel, bir i Azanit, për fisin e bijve të Isakarit;
27. prijësi Ahihud, bir i Shelomit, për fisin e bijve të Asherit;
28. dhe prijësi Pedahel, bir i Amihudit, për fisin e bijve të Neftalit".
29. Këta janë burrat të cilët Zoti i urdhëroi t'u jepnin trashëgiminë bijve të Izraelit në vendin e Kananit.

Psalmet 35:9-16
9. Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.
10. Të gjitha kockat e mia do të thonë: "O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?".
11. Dëshmitarë të pamëshirshëm ngrihen kundër meje dhe më pyesin për gjëra për të cilat unë nuk di asgjë.
12. Të mirën e shpërblejnë me të keqen, duke e lënë kështu të pangushëlluar jetën time.
13. Megjithatë, kur ishin të sëmurë, unë vesha grathoren dhe e mundova shpirtin tim me agjerim, dhe lutesha me kokën e përkulur mbi gjoks.
14. Shkoja rreth e rrotull, sikur të ishte fjala për një shok o për vëllanë tim; shkoja fort i kërrusur nga dhembja, ashtu si një njeri që mban zi për të ëmën.
15. Por kur u pengova, ata u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje disa shpifës, të cilët nuk i njihja; më kanë shqyer pa pushim.
16. Bashkë me disa palaço zemërkatranë kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.

Fjalët e Urta 12:2-2
2. Njeriu i mirë gëzon përkrahjen e Zotit, por ky do të dënojë njeriun që sajon plane të këqija.

Shenjë 15:1-24
1. Dhe herët në mëngjes krerët e priftërinjve me pleqtë, skribët dhe gjithë sinedrit bënin këshill, e lidhën Jezusin e çuan jashtë e ia dorëzuan Pilatit.
2. Dhe Pilati e pyeti: ''A je ti mbreti i Judenjve?''. Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: ''Ti e thua!''.
3. Dhe krerët e priftërinjve e akuzonin për shumë gjëra; por ai nuk përgjigjej aspak.
4. Pilati e pyeti përsëri, duke thënë: ''Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!''.
5. Por Jezusi nuk u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i çuditur.
6. Dhe në çdo festë ishte zakon t'u lëshohej atyre një i burgosur, këdo që ata do kërkonin.
7. Por ishte në burg një njeri që quhej Baraba, bashkë me shokë të tjerë rebelë, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë një kryengritjeje.
8. Dhe turma, duke bërtitur, filloi të kërkojë që të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta.
9. Atëherë Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: ''A doni t'ju liroj mbretin e Judenjve?''.
10. Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira.
11. Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t'u lironte atyre Barabanë.
12. Dhe Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: ''Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të Judenjve?''.
13. Dhe ata bërtitën përsëri: ''Kryqëzoje!''.
14. Dhe Pilati u tha atyre: ''Po ç'të keqe ka bërë?''. Atëherë ata bërtitën edhe më fort: ''Kryqëzoje!''.
15. Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e fshikulluan Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej.
16. Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domëthënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën.
17. E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye.
18. Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!''.
19. Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin.
20. Pasi e tallën, ia hoqen purpurën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar.
21. Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij.
22. Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: "Vendi i Kafkës".
23. I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.
24. Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t'i binte secilit.