A A A A A

Piibel ühe aasta


Ožujak 13


Numrat 23:1-30
1. Pastaj Balaami i tha Balakut: "Më ndërto këtu shtatë altarë dhe më përgatit këtu shtatë dema dhe shtatë desh".
2. Balaku bëri ashtu siç i kishte thënë Balaami, pastaj Balaku dhe Balaami ofruan një dem të vogël dhe një dash mbi secilin altar.
3. Pastaj Balaami i tha Balakut: "Qëndro pranë olokaustit tënd dhe unë do të shkoj; ndofta Zoti do të vijë të takohet me mua; dhe atë që ka për të më treguar do të ta njoftoj". Kështu ai shkoi në një bregore të zhveshur.
4. Dhe Perëndia i doli përpara Balaamit, dhe Balaami i tha: "Unë kam përgatitur shtatë altarë dhe kam ofruar nga një dem të vogël dhe nga një dash për çdo altar".
5. Atëherë Zoti i vuri një mesazh në gojë Balaamit dhe i tha: "Kthehu te Balaku dhe foli kështu".
6. U kthye tek ai, dhe ja, ai qëndronte pranë olokaustit, ai dhe të gjithë prijësit e Moabit.
7. Atëherë Balaami shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Balaku, mbret i Moabit, më ka sjellë nga Arami, nga malet e Lindjes: "Eja, mallko për mua Jakobin, eja dhe padit Izraelin!".
8. Si mund të mallkoj atë që Zoti nuk e ka mallkuar? Si mund të padis atë që Zoti nuk e ka paditur?
9. Unë e shoh nga maja e shkëmbinjve dhe e sodis nga lartësitë; ja, është një popull që qëndron vetëm dhe nuk është përfshirë në gjirin e kombeve.
10. Kush mund të llogarisë pluhurin e Jakobit apo të numërojë çerekun e Izraelit? Vdeksha unë si njerëzit e drejtë dhe qoftë fundi im i njëllojtë me atë të tyren!".
11. Atëherë Balaku i tha Balaamit: "Ç'më bëre? Të mora që të mallkosh armiqtë e mi, kurse ti i bekove me të madhe".
12. Por ai u përgjigj dhe tha: "A nuk duhet të kujdesem unë të them me të shpejtë atë që Zoti më vë në gojë?".
13. Pastaj Balaku i tha: "Eja, pra, me mua në një vend tjetër, prej ku mund ta shikosh, megjithëse ke për të parë vetëm skajin e tij dhe nuk e ke për ta parë të tërë, dhe që andej do ta mallkosh për mua".
14. Kështu e çoi në kampin e Tsofimit, në majë të Pisgahut; aty ndërtoi shtatë altarë dhe ofroi një dem të vogël dhe një dash mbi çdo altar.
15. Balaami i tha pastaj Balakut: "Qëndro këtu pranë olokaustit tënd dhe unë do të shkoj të takohem me Zotin atje lart".
16. Dhe Zoti i doli përpara Balaamit, i vuri një mesazh në gojë dhe i tha: "Kthehu te Balaku dhe foli kështu".
17. Kështu u kthye tek ai, dhe ja, që ai rrinte pranë olokaustit të tij me prijësit e Moabit. Balaku i tha: "Çfarë ka thënë Zoti?".
18. Atëherë Balaami shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Çohu, Balak, dhe dëgjo! Rri veshngrehur, bir i Tsiporit!
19. Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet. Kur ka thënë një gjë, nuk do ta bëjë? Ose kur ka shpallur një gjë, nuk do ta kryejë?
20. Ja, unë mora urdhrin që të bekoj; po, ai ka bekuar dhe unë nuk do ta heq bekimin e tij.
21. Ai nuk ka vërejtur paudhësi te Jakobi dhe nuk ka parë përdhosje tek Izraeli. Zoti, Perëndia i tij, është me të, dhe klithma e një mbreti është midis tyre.
22. Perëndia, që e nxori nga Egjipti, është për të si brirët e fuqishëm të buallit.
23. Nuk ka magji kundër Jakobit, nuk ka shortari kundër Izraelit. Tani duhet të themi ç'ka bërë Perëndia me Jakobin dhe Izraelin.
24. Ja, një popull do të ngrihet si një luaneshë dhe si një luan; dhe nuk do të mblidhet para se të ketë gëlltitur prenë dhe të ketë pirë gjakun e atyre që ka vrarë".
25. Atëherë Balaku i tha Balaamit: "Mos e mallko aspak, por as mos e beko".
26. Por Balaami iu përgjigj dhe i tha Balakut: "A nuk të kam thënë vallë që unë do të bëj tërë ato që do të thoshte Zoti?".
27. Pastaj Balaku i tha Balaamit: "Eja me mua, unë do të të çoj në një vend tjetër; ndofta do t'i pëlqejë Perëndisë që ti ta mallkosh për mua që andej".
28. Kështu Balaku e çoi Balaamin në majë të Peorit, që sundon shkretëtirën.
29. Dhe Balaami i tha Balakut: "Më ndërto këtu shtatë altarë dhe më përgatit këtu shtatë dema të vegjël dhe shtatë desh".
30. Dhe Balaku bëri ashtu siç i kishte thënë Balaami, dhe ofroi një dem të vogël dhe një dash mbi çdo altar.

Numrat 24:1-25
1. Kur Balaami u bind se në sytë e Zotit ishte një gjë e mirë të bekoje Izraelin, nuk përdori si herët e tjera magjinë, por ktheu fytyrën nga shkretëtira.
2. Dhe, me sytë e ngritur, Balaami pa Izraelin që kishte fushuar sipas fiseve, dhe Fryma e Perëndisë e mbuloi atë.
3. Atëherë shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Kështu thotë Balaami, bir i Beorit, kështu thotë njeriu, sytë e të cilit janë hapur,
4. kështu thotë ai që dëgjon fjalët e Perëndisë, ai që kundron vizionin e të Plotfuqishmit, ai që rrëzohet, por syçelë:
5. "Sa të bukura janë çadrat e tua, o Jakob, banesat e tua o Izrael!
6. Ato shtrihen si lugina, si kopshte gjatë një lumi, si aloe që Zoti ka mbjellë, si kedra pranë ujërave.
7. Do të derdhë ujë nga kovat e tij, pasardhësit e tij do të banojnë pranë ujërave të shumta, mbreti i tij do të ngrihet më lart se Agagu dhe mbretëria e tij do të lartësohet.
8. Perëndia, që e nxori nga Egjipti, është për të si brirët e fuqishëm të buallit. Ai do të gëlltisë kombet armike për të, do të coptojë kockat e tyre dhe do t'i shpojë tej për tej me shigjetat e tij.
9. Ai përkulet, mblidhet kruspull si një luan dhe si një luaneshë; kush do të guxojë ta çojë? Qoftë i bekuar ai që të bekon dhe qoftë i mallkuar ai që të mallkon!"".
10. Atëherë zemërimi i Balakut u ndez kundër Balaamit; kështu ai rrahu duart dhe Balaku i tha Balaamit: "Unë të thirra për të mallkuar armiqtë e mi, kurse ti i bekove tri herë me radhë.
11. Tani ik në shtëpinë tënde! Kisha thënë se do të të mbushja me nderime; por ja, Zoti nuk ka lejuar t'i marrësh".
12. Balaami iu përgjigj kështu Balakut: "A nuk u kisha folur lajmëtarëve që më kishe dërguar, duke u thënë:
13. "Edhe sikur Balaku të më jepte shtëpinë e tij plot me argjend dhe me ar, nuk mund të shkel urdhrat e Zotit për të bërë të mirë ose të keq me nismën time, por duhet të them atë që Zoti do të thotë"?.
14. Dhe ja, tani do të kthehem te populli im; eja, unë do të njoftoj atë që ky popull do t'i bëjë popullit tënd në ditët e fundit".
15. Atëherë ai shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Kështu thotë Balaami, bir i Beorit; kështu thotë njeriu sytë e të cilit janë hapur,
16. kështu thotë ai që dëgjon fjalët e Zotit, që njeh shkencën e të Lartit, që sodit vizionin e të Plotfuqishmit, ai që bie por syçelë:
17. E shoh, por jo tani; e sodis, por jo afër: një yll do të dalë nga Jakobi dhe një skeptër do të ngrihet nga Izraeli, i cili do ta shtypë Moabin fund e krye dhe do të rrëzojë tërë bijtë e Shethit.
18. Edomi do të bëhet pronë e tij, po ashtu edhe Seiri, armiku i tij, do të bëhet pronë e tij; Izraeli do të kryejë trimërira.
19. Nga Jakobi do të dalë një sundues që do të shfarosë ata qytetarë që kanë mbijetuar.
20. Pastaj shikoi nga ana e Amalekut dhe shqiptoi orakullin e tij, duke thënë: "Amaleku ishte i pari i kombeve, por fundi i tij do të kulmojë në shkatërrim".
21. Shikoi edhe nga Kenejtë dhe shqiptoi orakullin e tij, duke thënë: "Banesa jote është e fortë dhe foleja jote është vendosur në shkëmb;
22. megjithatë Keneu do të shkretohet, për deri sa Asiri do të të çojë në robëri".
23. Pastaj shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Medet! Kush do të mbetet gjallë kur Zoti ta ketë kryer këtë?
24. Por anije do të vinë nga Kitimi, do të poshtërojnë Asurin dhe Eberin, dhe ai do të shkatërrohet gjithashtu".
25. Pastaj Balaami u ngrit, u nis dhe u kthye në shtëpinë e tij; edhe Balaku iku në rrugën e tij. e Moabit

Psalmet 33:18-22
18. Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
19. për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t'i mbajtur të gjallë në kohë urie.
20. Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.
21. Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.
22. Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.

Fjalët e Urta 11:27-27
27. Kush kërkon me zell të mirën fiton dashamirësinë, por ai që kërkon të keqen, kjo do t'i bjerë mbi të.

Shenjë 13:1-20
1. Ndërsa ai po dilte nga tempulli, një nga dishepujt e vet i tha: ''Mësues, shih ç'gurë e ç'ndërtesa!''.
2. Dhe Jezusi duke iu përgjigjur i tha: ''A po i shikon këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar''.
3. Dhe pasi ai ishte ulur mbi malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe Andrea e pyetën veçmas:
4. ''Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e kohës në të cilën të gjitha këto gjëra do të duhet të mbarohen?''.
5. Dhe Jezusi duke u përgjigjur atyre nisi të flasë: ''Kini kujdes që të mos ju mashtrojë njeri.
6. Sepse do të vijnë shumë në emrin tim duke thënë: "Unë jam!"; dhe do të mashtrohen shumë veta.
7. Por, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe për ushtime luftërash, mos u shqetësoni; sepse këto gjëra duhet të ndodhin; por nuk do të jetë ende mbarimi.
8. Në fakt do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ndodhin tërmete në vende të ndryshme, zi buke dhe turbullira. Këto gjëra nuk do të jenë tjetër veçse fillimi i dhembjeve të lindjes.
9. Kujdesuni për veten! Sepse do t'ju dorëzojnë gjyqeve dhe do t'ju rrahin ndër sinagoga; do t'ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për shkakun tim, që të dëshmoni përpara tyre.
10. Por më parë duhet që t'u përhapet ungjilli gjithë popujve.
11. Tani, kur t'ju çojnë për t'ju dorëzuar në duart e tyre, mos u shqetësoni që më parë për atë që do të duhet të thoni dhe mos e paramendoni; por thoni çfarë t'ju jepet në atë çast, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë.
12. Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t'i bëjnë të vdesin.
13. Dhe ju do të jeni të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim; por ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet''.
14. Dhe kur të shihni neverinë e shkatërrimit, të parathënë nga profeti Daniel, e cila qëndron atje ku nuk duhej të ishte (ai që lexon le ta kuptojë), atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin maleve.
15. Dhe ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë, të mos zbresë, dhe as të hyjë në shtëpi për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia e vet.
16. Dhe ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë rrobën e vet.
17. Tani mjerë gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji në ato ditë!
18. Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër.
19. Sepse në atë ditë do të jetë një mundim i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot, dhe të tillë nuk do të ketë më kurrë.
20. Dhe, nëse Zoti nuk do t'i kishte shkurtuar ato ditë, asnjë i gjallë nuk do të shpëtonte; por Zoti i shkurtoi ato ditë për shkak të të zgjedhurve, që ai i zgjodhi.