A A A A A

Bibla në një vit


Shkurt 25


Levitiku 19:1-37
1. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2. "Foli tërë asamblesë së bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Jini të shenjtë, sepse unë Zoti, Perëndia juaj, jam i shenjtë.
3. Secili prej jush të respektojë nënën dhe atin e tij, po kështu të respektojë të shtunat e mia. Unë jam Zoti Perëndia juaj.
4. Mos iu drejtoni idhujve dhe mos bëni perëndi me metal të shkrirë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
5. Kur t'i ofroni një flijim falënderimi Zotit, do ta ofroni në mënyrë që të pëlqehet.
6. Do të hahet po atë ditë që e ofroni dhe ditën vijuese; dhe në rast se mbetet diçka deri në ditën e tretë, do ta digjni me zjarr.
7. Në rast se hahet ndonjë pjesë e tij ditën e tretë është një gjë e neveritshme; flijimi nuk do të pëlqehet.
8. Prandaj kushdo që e ha do të rëndohet me fajin e paudhësisë së tij, sepse ka përdhosur atë që është e shenjtë për Zotin; ky njeri do të shfaroset në mes të popullit të tij.
9. Kur do të korrni tokat tuaja, nuk do të korrësh deri në cepat e arës sate dhe nuk do të mbledhësh kallinjtë që kanë mbetur pas korrjes sate;
10. dhe në vreshtin tënd nuk do të kthehesh prapë, as do të mbledhësh bistakët e mbetur nga vreshti yt; do t'i lësh për të varfrin dhe për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
11. Nuk do të vidhni, nuk do të gënjeni dhe nuk do të mashtroni njëri-tjetrin.
12. Nuk do të bëni betim të rremë në emrin tim, nuk do të përdhosni emrin e Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti.
13. Nuk do të mundosh fqinjin tënd dhe as do ta vjedhësh; mëditjen e punëtorit mos e mbaj te ti deri në mëngjesin vijues.
14. Nuk do të mallkosh të shurdhërin dhe nuk do të vësh asnjë pengesë para të verbrit, por do të kesh frikë nga Perëndia yt. Unë jam Zoti.
15. Nuk do të bësh padrejtësi gjatë gjykimit; nuk do të tregohesh i anshëm me të varfërin as do të nderosh personat e fuqishëm; por do të gjykosh të afërmin tënd me drejtësi.
16. Nuk do të shkosh e të sillesh duke shpifur nëpër popullin tënd, as do të mbash qëndrim kundër jetës të të afërmit tënd. Unë jam Zoti.
17. Nuk do të urresh vëllanë tënd në zemrën tënde; qorto gjithashtu fqinjin tënd, por mos u ngarko me asnjë mëkat për shkak të tij.
18. Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam Zoti.
19. Të respektoni statutet e mia. Nuk do të bashkosh kafshë të llojeve të ndryshme; nuk do të mbjellësh arën tënde me lloje të ndryshme farërash, nuk do të veshësh asnjë palë rroba të endura me materiale të ndryshme.
20. Në qoftë se dikush ka marrëdhënie seksuale me një grua që është skllave e premtuar një njeriu, por që nuk është shpenguar dhe nuk ka fituar lirinë, do të dënohen që të dy, por nuk do të dënohen me vdekje, sepse ajo nuk ishte e lirë.
21. Burri do t'i çojë Zotit, në hyrje të çadrës së mbledhjes, një dash si fli për shkeljen;
22. dhe me dashin e flijimit për shkeljen prifti do të bëjë për të shlyerjen përpara Zotit për mëkatin që ai ka kryer; dhe mëkati që ai ka kryer do t'i falet.
23. Kur të hyni në vendin tuaj dhe të keni mbjellë lloj-lloj drurësh frutorë, do t'i konsideroni frutat e tyre si të parrethprera; për tre vjet do të jenë për ju si të parrethprera; prandaj nuk duhet të hahen.
24. Por vitin e katërt të gjitha frutat e tyre do të jenë të shenjtëruara, do të jenë për lavdinë e Zotit.
25. Vitin e pestë do të hani frutat e tyre, me qëllim që prodhimi i tyre të mund të rritet. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
26. Nuk do të hani asgjë që përmban gjak. Nuk do të zbatoni asnjë lloj shortarie ose magjie.
27. Nuk do t'i prisni rrumbullak flokët anëve të kokës, as do të shkurtosh fundin e mjekrës sate.
28. Nuk do të bëni asnjë prerje në mishin tuaj për një të vdekur, nuk do të bëni asnjë tatuazh mbi trupin tuaj. Unë jam Zoti.
29. Mos e ndot bijën tënde duke e bërë kurvë, që vendi të mos jepet pas kurvërisë dhe të mos mbushet me prapësi.
30. Të respektoni të shtunat e mia dhe do të keni respekt për shenjtëroren time. Unë jam Zoti.
31. Mos iu drejtoni mediumeve dhe magjistarëve; mos u konsultoni për të mos u ndotur me anë të tyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
32. Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun dhe ki frikë nga Perëndia yt. Unë jam Zoti.
33. Kur një i huaj banon bashkë me ju në vendin tuaj, mos e trajtoni keq.
34. Të huajin që banon midis jush ta trajtoni njëlloj si ai që ka lindur midis jush; ti do ta duash si veten tënde, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
35. Nuk do të bëni padrejtësi në gjykime, përsa u përket masave të gjatësisë, të peshës dhe të kapacitetit.
36. Do të keni peshore të sakta, pesha të sakta, efa të saktë, hin të saktë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj që ju nxori nga vendi i Egjiptit.
37. Do të respektoni, pra, të gjitha statutet dhe dekretet e mia dhe do t'i vini në zbatim. Unë jam Zoti.

Levitiku 20:1-27
1. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2. "Do t'u thuash bijve të Izraelit: Cilido nga bijtë e Izraelit ose nga të huajt që banojnë në Izrael do që t'i japë Molekut ndonjë nga trashëgimtarët e tij, do të dënohet me vdekje; populli i vendit do ta vrasë me gurë.
3. Unë vet do ta kthej fytyrën time kundër këtij njeriu dhe do ta shfaros në mes të popullit të tij, sepse i ka dhënë Molekut disa nga trashëgimtarët e tij për të ndotur shenjtëroren time dhe për të përdhosur emrin tim të shenjtë.
4. Dhe në rast se populli i vendit mbyll sytë para këtij njeriu, kur ai i jep trashëgimtarët e tij Molekut, dhe nuk e dënon me vdekje,
5. do të jem unë që do ta kthej fytyrën time kundër këtij njeriu dhe kundër familjes së tij, do ta shfaros në mes të popullit të tij atë dhe tërë ata që kurvërohen me të, duke u shitur para Molekut.
6. Dhe në rast se një person u drejtohet mediumeve dhe magjistarëve për t'u kurvëruar pas tyre, unë do ta kthej fytyrën time kundër këtij personi dhe do ta shfaros në mes të popullit të tij.
7. Shenjtërohuni, pra, dhe qofshi të shenjtë, sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.
8. Respektoni statutet e mia dhe i vini në zbatim. Unë jam Zoti që ju shenjtëron.
9. Kushdo që mallkon të atin ose të ëmën, do të dënohet me vdekje, sepse ka mallkuar të atin o të ëmën; gjaku i tij do të bjerë mbi të.
10. Në rast se ndonjëri shkel kurorën me gruan e një tjetri, në qoftë se shkel kurorën me gruan e fqinjit të tij, shkelësi dhe shkelësja e kurorës do të dënohen me vdekje.
11. Në qoftë se dikush bie në shtrat me gruan e atit të tij, ai zbulon lakuriqësinë e të atit; prandaj që të dy do të dënohen pa tjetër me vdekje; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta.
12. Në rast se dikush bie në shtrat me nusen e birit të tij, që të dy do të dënohen me vdekje; kanë kryer një degjenerim të neveritshëm; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta.
13. Në qoftë se dikush ka marrëdhënie seksuale me një burrë ashtu si ato që bëhen me një grua, që të dy kanë kryer një degjenerim të neveritshëm, do të dënohen pa tjetër me vdekje; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta.
14. Në qoftë se dikush merr për grua bijën dhe nënën e saj, kemi një incest; do të digjen në zjarr si ai ashtu dhe ato, me qëllim që të mos ketë incest midis jush.
15. Në rast se një burrë bashkohet me një kafshë, ai do të dënohet me vdekje; do të vritet edhe kafsha.
16. Në rast se një grua i afrohet një kafshe për t'u bashkuar me të, do të vrasësh gruan dhe kafshën; do të dënohen pa tjetër me vdekje; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta.
17. Në qoftë se dikush merr motrën e vet, bijën e atit të tij ose bijën e nënës së tij dhe sheh lakuriqësinë e saj dhe ajo sheh lakuriqësinë e tij, ky është një turp; të dy do të shfarosen në sytë e bijve të popullit të tyre; ai ka zbuluar lakuriqësinë e motrës së vet; do të mbajë dënimin e paudhësisë së tij.
18. Në rast se dikush bie në shtrat me një grua gjatë kohës së zakoneve të saj dhe zbulon lakuriqësinë e saj, ai ka zbuluar fluksin e saj dhe ajo ka zbuluar fluksin e gjakut të vet; që të dy do të shfarosen në mes të popullit të tyre.
19. Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës së nënës sate ose të motrës së atit tënd, sepse në këtë mënyrë zbulohet lakuriqësia e një të afërmi të një gjaku; që të dy do të mbajnë dënimin e paudhësisë së tyre.
20. Në qoftë se dikush bie në shtrat me gruan e ungjit të tij, ai zbulon lakuriqësinë e ungjit të tij; që të dy do të mbajnë dënimin për mëkatin e tyre; do të vdesin pa fëmijë.
21. Në qoftë se dikush merr gruan e vëllait të tij, kjo është një gjë e papastër; ai ka zbuluar lakuriqësinë e vëllait të tij; nuk do të kenë fëmijë.
22. Do të respektoni, pra, të gjitha statutet dhe dekretet e mia dhe do t'i vini në zbatim, me qëllim që vendi ku po ju çoj të banoni të mos ju vjellë jashtë.
23. Dhe nuk do të ndiqni zakonet e kombeve që unë po bëhem gati t'i përzë përpara jush; ata i kanë bërë tërë këto gjëra, prandaj unë i urrej.
24. Por juve ju thashë: Ju do të shtini në dorë vendin e tyre; do t'ju jap si pronë; është një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju ka ndarë nga popujt e tjerë.
25. Do të dalloni, pra, kafshët e pastra nga ato të papastra, zogjtë e pastër nga ata të papastër, dhe nuk do bëheni të neveritshëm duke ngrënë kafshë, zogj o çfarëdo gjë që hiqet zvarrë mbi tokë dhe që unë i kam veçuar për ju si të papastra.
26. Dhe do të jeni të shenjtë për mua, sepse unë, Zoti, jam i shenjtë, dhe ju kam ndarë nga popujt e tjerë me qëllim që të jeni të mitë.
27. Në qoftë se një burrë apo një grua është medium apo magjistar, ata do të dënohen pa tjetër me vdekje; do t'i vrisni me gurë; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta".

Psalmet 27:4-10
4. Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.
5. Sepse ditën e fatkeqësisë ai do të më fshehë në çadrën e tij, do të më fshehë në një vend sekret të banesës së tij, do të më lartojë mbi një shkëmb.
6. Dhe tani koka ime do të ngrihet mbi armiqtë e mi që më rrethojnë, dhe do të ofroj në banesën e tij flijime me britma gëzimi; do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e Zotit.
7. O Zot, dëgjo zërin tim, kur të këlthas ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu.
8. Zemra ime më thotë nga ana jote: "Kërkoni fytyrën time". Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.
9. Mos ma fshih fytyrën tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Përendi e shpëtimit tim.
10. Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.

Fjalët e Urta 10:10-12
10. Kush e shkel syrin shkakton vuajtje, por fjalamani budalla do të rrëzohet.
11. Goja e të drejtit është një burim jete, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.
12. Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet.

Shenjë 5:1-20
1. Kështu arritën në bregun tjetër të detit, në krahinën e Gadarenasve.
2. Dhe, sapo Jezusi zbriti nga barka, menjëherë i doli përpara nga varrezat një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë,
3. i cili banonte në varreza dhe kurrkush s'kishte mundur ta lidhë, qoftë edhe me zinxhirë.
4. Shpesh herë, pra, e kishin lidhur me pranga e zinxhirë; por ai gjithnjë i thyente zinxhirët dhe i këpuste prangat; dhe kurrkush nuk e kishte bërë dot zap.
5. Vazhdimisht, natën dhe ditën, nëpër varre e mbi male, shkonte duke bërtitur dhe duke e rrahur veten me gurë.
6. Tani kur e pa Jezusin prej së largu, ai u turr dhe ra përmbys përpara tij,
7. dhe me një britmë të madhe tha: ''Ç'ka ndërmjet mes nesh dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë të shumë të lartit? Unë të përgjërohem në emrin e Perëndisë, mos më mundo!;''.
8. Sepse ai i kishte thënë: ''Frymë e ndyrë, dil prej këtij njeriu!''.
9. Atëhere Jezusi e pyeti: ''Cili është emri yt?''. Dhe ai u përgjigj duke thënë: ''Unë quhëm Legjion, sepse jemi shumë''.
10. Dhe i lutej me të madhe që ai të mos i përzinte nga ajo krahinë.
11. Tani aty ishte, në brinjë të malit, një tufë e madhe derrash që kulloste.
12. Atëhere gjithë demonët e lutën duke thënë: ''Na dërgo në derrat, që të hymë në ta''.
13. Dhe Jezusi menjëherë u lejoi atyre; atëherë frymërat e ndyra mbasi dolën, hynë në derrat dhe tufa u hodh poshtë nga gremina në det; ishin afërsisht dymijë krerë, dhe u mbytën në det.
14. Atëherë ata që i kullotnin derrat ikën dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra; dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur.
15. Kur erdhën te Jezusi, panë të idemonizuarin ulur, të veshur dhe me mendje në rregull, atë që ishte idemonizuar nga Legjoni, dhe kishin frikë.
16. Dhe ata që e kishin parë ngjarjen u treguan atyre se çfarë i kishte ngjarë të idemonizuarit dhe çështjen e derrave.
17. Atëhere ata filluan t'i luten Jezusit që të largohej nga krahina e tyre.
18. Kur ai po hynte në barkë, ai që kishte qenë i idemonizuar i lutej që të mund të rrinte me të;
19. por Jezusi nuk e lejoj, madje i tha: ''Shko në shtëpinë tënde, te të tut dhe u trego atyre çfarë gjërash të medha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty''.
20. Dhe ai shkoi dhe nisi të predikojë nëpër Dekapolis për të gjitha ato që i kishte bërë Jezusi; të gjithë u mrrekulluan.