A A A A A

Bibla në një vit


Shkurt 23


Levitiku 15:1-33
1. Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:
2. "Foluni bijve të Izraelit dhe u thoni atyre: Kushdo që ka një fluks nga trupi i tij, ky fluks është i papastër.
3. Papastërtia e tij është prodhuar nga fluksi: ai është i papastër për sa kohë fluksi i trupit të tij është ende në veprim, ashtu edhe kur fluksi në trupin e tij është ndaluar.
4. Çdo shtrat mbi të cilin shtrihet ai që ka fluksin do të jetë i papastër; po ashtu do të jetë e papastër çdo gjë mbi të cilën ai ulët.
5. Kushdo që prek shtratin e tij do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet me ujë, dhe ka për të qënë i papastër deri në mbrëmje.
6. Kush ulet mbi çfarëdo gjëje mbi të cilën është ulur ai që ka fluksin, do të lajë rrobat e tij dhe veten me ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
7. Kush prek trupin e atij që ka fluksin, do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
8. Në qoftë se ai që ka fluksin pështyn mbi dikë që është i pastër, ky do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
9. Çdo shalë mbi të cilën hipën ai që ka fluksin do të jetë e papastër.
10. Kushdo që prek çfarëdo gjëje që ka qenë nën të, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kushdo që trasporton këto sende do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet me ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
11. Kushdo që prek atë që ka fluksin, pa i larë duart, duhet të lajë rrobat e tij dhe të lahet në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
12. Ena prej balte, e prekur nga ai që ka fluksin, do të thyhet; dhe çdo enë prej druri do të lahet në ujë.
13. Kur ai që ka fluksin është pastruar nga fluksi i tij, do të numërojë shtatë ditë për pastrimin e tij; pastaj do të lajë rrobat e tij dhe do të lajë trupin e tij në ujë të rrjedhshëm, dhe do të jetë i pastër.
14. Ditën e tetë do të marrë dy turtuj ose dy pëllumba të rinj dhe do të vijë përpara Zotit në hyrje të çadrës së mbledhjes, dhe do t'ia japë priftit.
15. Prifti do t'i ofrojë: njërin si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust; kështu prifti do të bëjë shlyerjen për të përpara Zotit, për shkak të fluksit të tij.
16. Në rast se një njeri ka një lëshim fare, ai do të lajë tërë trupin e tij në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
17. Çdo rrobë dhe çdo lëkurë mbi të cilat ka farë do të lahet me ujë, dhe do të jetë e papastër deri në mbrëmje.
18. Në rast se një burrë bie në shtrat me një grua dhe ka një lëshim fare, do të lahen që të dy me ujë dhe do të jenë të papastër deri në mbrëmje.
19. Në qoftë se një grua ka një fluks në trupin e saj, dhe ky është një fluks gjaku, papastërtia e saj do të zgjasë shtatë ditë; kushdo që e prek atë do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
20. Çfarëdo gjë mbi të cilën ajo shtrihet gjatë papastërtisë së saj, do të jetë e papastër; çfarëdo gjë mbi të cilën ulet, do të jetë e papastër.
21. Kushdo që prek shtratin e saj do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
22. Kushdo që prek çfarëdo gjë mbi të cilën ajo është ulur, do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë; do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
23. Kur ajo është ulur mbi shtrat ose mbi çfarëdo gjë tjetër, kur dikush e prek atë do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
24. Në rast se një burrë bie në shtrat me të, papastërtia e saj kalon mbi të dhe ai do të jetë i papastër për shtatë ditë; dhe çdo shtrat mbi të cilin ai shtrihet, do të jetë i papastër.
25. Në qoftë se një grua ka një fluks gjaku prej disa ditësh jashtë kohës së papastërtisë së zakoneve, ose fluksi vazhdon tej kohës së duhur, ajo do të jetë e papastër për gjithë ditët e fluksit të papastër, ashtu si është në ditët e papastërtisë së saj të zakoneve.
26. Çdo shtrat mbi të cilin shtrihet gjatë ditëve të fluksit të saj, do të jetë për të si shtrati i zakoneve të saj; dhe çdo gjë mbi të cilën ajo ulet do të ketë po atë papastërti të zakoneve të saj.
27. Kushdo që prek këto gjëra do të jetë i papastër; do të lajë rrobat e tij dhe do të lahet në ujë; do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
28. Por pas pastrimit të saj nga fluksi, do të numërojë shtatë ditë, dhe pastaj do të jetë e pastër.
29. Ditën e tetë do të marrë dy turtuj ose dy pëllumba të rinj dhe do t'ia çojë priftit në hyrje të çadrës së mbledhjes.
30. Prifti do ta ofrojë njërin prej tyre si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust; prifti do të kryejë për të shlyerjen, përpara Zotit, të fluksit që e bënte të papastër.
31. Kështu do t'i mbani të ndarë bijtë e Izraelit nga ajo që i ndot, që të mos vdesin për shkak të papastërtisë së tyre, duke ndotur tabernakullin tim që ndodhet midis tyre.
32. Ky është ligji për atë që ka një fluks dhe për atë që ka një lëshim fare, gjë që e bën të papastër,
33. dhe për gruan që vuan për shkak të zakoneve të saja periodike, për burrin ose gruan që ka një fluks dhe për burrin që bie në shtrat me një grua të papastër".

Levitiku 16:1-34
1. Zoti i foli Moisiut mbas vdekjes së dy bijve të Aaronit, që vdiqën kur u paraqitën para Zotit me zjarr të ndaluar.
2. Zoti i tha Moisiut: "Foli Aaronit, vëllait tënd, dhe thuaji të mos hyjë në çfarëdo kohe në shenjtërore, përtej perdes, përpara pajtuesit që ndodhet mbi arkë, që të mos vdesë, sepse unë do të shfaqem në renë mbi pajtuesin.
3. Aaroni do të hyjë në shenjtërore në këtë mënyrë; do të marrë një dem të vogël për flijimin për mëkatin dhe një dash për olokaustin.
4. Do të veshë tunikën e shenjtë prej liri dhe do të mbajë mbi trupin e tij pantallona prej liri; do të ngjeshë brezin prej liri dhe do ta vërë mbi kokë çallmën prej liri. Këto janë veshjet e shenjta; ai do t'i veshë pasi ta ketë larë trupin me ujë.
5. Nga asambleja e bijve të Izraelit do të marrë dy cjep për flijimin e mëkatit dhe një dash për olokaustin.
6. Aaroni do të ofrojë demin e vogël për flijimin e mëkatit, që e ka për vete, dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për shtëpinë e tij.
7. Pastaj do t'i marrë të dy cjeptë dhe do t'i paraqesë përpara Zotit në hyrje të çadrës së mbledhjes.
8. Aaroni do t'i hedhë në short dy cjeptë: njëri prej tyre do të caktohet për Zotin dhe tjetri do të shërbejë si cjap për shlyerjen e fajit.
9. Aaroni do të afrojë cjapin e caktuar për Zotin dhe do ta ofrojë si flijim për mëkatin;
10. por cjapi i caktuar si cjap fajshlyes do të paraqitet i gjallë para Zotit, me qëllim që mbi të të bëhet shlyerja dhe për ta çuar pastaj në shkretëtirë si cjap fajshlyes.
11. Aaroni do të ofrojë, pra, demin e vogël të flijimit për mëkatin dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për shtëpinë e tij; dhe do ta therë demin e vogël të flijimit për mëkatin për vete.
12. Pastaj do të marrë një temjanicë plot me qymyrë të ndezur të marrë nga altari përpara Zotit dhe do t'i ketë duart e tij të mbushura me temjan të parfumuar në pluhur, dhe do të çojë çdo gjë matanë velit.
13. Do ta vërë temjanin mbi zjarr përpara Zotit, me qëllim që reja e temjanit të mbulojë pajtuesin që është mbi dëshminë; kështu ai nuk do të vdesë.
14. Pastaj do të marrë ca gjak të demit të vogël dhe do ta spërkatë me gishtin e tij mbi pajtuesin nga ana lindore, do të spërkatë shtatë herë edhe pak gjak me gishtin e tij përpara pajtuesit.
15. Pastaj do të therë cjapin e flijimit për mëkatin, që është për popullin, dhe do të çojë gjakun e tij matanë velit; dhe do të bëjë me këtë gjak atë që ka bërë me gjakun e demit të vogël; do ta spërkatë mbi pajtuesin dhe para pajtuesit.
16. Kështu do të bëjë shlyerjen për shenjtëroren, për shkak të papastërtive të bijve të Izraelit, të shkeljeve të tyre dhe të të gjitha mëkateve të tyre. Do të veprojë në të njëjtën mënyrë për çadrën e mbledhjes, që mbetet midis tyre, në mes të papastërtive të tyre.
17. Në çadrën e mbledhjes, kur ai do të hyjë në shenjtëroren për të bërë shlyerjen, nuk do të ketë njeri, deri sa ai të ketë dalë dhe të ketë bërë shlyerjen për veten, për shtëpinë e tij dhe për tërë asamblenë e Izraelit.
18. Ai do të dalë drejt altarit që ndodhet para Zotit dhe do të bëjë shlyerjen për të: do të marrë ca gjak nga demi i vogël dhe ca gjak nga cjapi dhe do ta vërë mbi brirët e altarit rreth e qark.
19. Pastaj do të spërkatë ca gjak mbi të me gishtin e tij shtatë herë me radhë; kështu do ta pastrojë dhe do ta shenjtërojë nga papastërtitë e bijve të Izraelit.
20. Kur të ketë mbaruar së kryeri shlyerjen për shenjtëroren, për çadrën e mbledhjes dhe për altarin, do të afrojë cjapin e gjallë.
21. Aaroni do të vendosë të dyja duart e tij mbi kokën e cjapit të gjallë dhe do të rrëfejë mbi të tërë padrejtësitë e bijve të Izraelit, të gjitha shkeljet e tyre, tërë mëkatet e tyre, dhe do t'i vërë mbi kokën e cjapit; pastaj do ta çojë në shkretëtirë me anë të një njeriu të zgjedhur enkas.
22. Cjapi do të mbartë mbi vete në tokë të vetmuar të gjitha padrejtësitë e tyre dhe ai njeri do ta lërë të shkojë në shkretëtirë.
23. Pastaj Aaroni do të hyjë në çadrën e mbledhjes, do të zhveshë rrobat e tij prej liri që kishte veshur për të hyrë në shenjtërore dhe do t'i lërë aty.
24. Do të lajë trupin e tij me ujë në një vend të shenjtë, do të veshë rrobat e tij dhe do të dalë për të ofruar olokaustin e tij dhe olokaustin e popullit, dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për popullin.
25. Pastaj do të tymosë mbi altar dhjamin e flijimit për mëkatin.
26. Ai që e ka lëshuar cjapin, e zgjedhur si cjap fajshlyes, do të lajë rrobat e tij dhe trupin e tij me ujë dhe, mbas kësaj mund të kthehet në kamp.
27. Do të çohen pas kësaj jashtë kampit demi i vogël i flijimit për mëkatin dhe cjapi i flijimit për mëkatin, gjaku i të cilit është çuar në shenjtërore për të bërë shlyerjen; dhe do të djegin në zjarr lëkurët, mishin dhe ndyrësitë e tyre.
28. Pastaj ai që i djeg do të lajë rrobat dhe trupin e tij me ujë; pas kësaj, ai mund të kthehet në kamp.
29. Ky do të jetë për ju një ligj i përjetshëm: në muajin e shtatë, ditën e dhjetë të muajit, do të përulni shpirtrat tuaj dhe nuk do të kryeni asnjë punë, as ai që ka lindur në vend as i huaji që banon midis jush.
30. Sepse atë ditë prifti do të bëjë shlyerjen për ju, për t'ju pastruar, me qëllim që të jeni të pastruar nga tërë mëkatet tuaja përpara Zotit.
31. Éshtë për ju një e shtunë madhështore pushimi dhe ju do të përulni shpirtrat tuaj; është një ligj i përjetshëm.
32. Prifti, që është vajosur dhe që është shenjtëruar për të shërbyer si prift në vend të atit të tij, do të bëjë shlyerjen dhe do të veshë rrobat prej liri, rrobat e shenjta.
33. Ai do të bëjë shlyerjen për shenjtëroren e shenjtë; do të bejë shlyerjen për çadrën e mbledhjes dhe për altarin, do të bëjë njëkohësisht shlyerjen për priftërinjtë dhe për tërë popullin e asamblesë.
34. Ky do të jetë për ju një ligj i përjetshëm, për të shlyer mëkatet e bijve të Izraelit për të gjitha mëkatet e tyre, një herë në vit". Dhe Moisiu bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti.

Psalmet 26:6-12
6. Unë i laj duart e mia në çiltërsi dhe i shkoi rrotull altarit tënd, o Zot,
7. për të shpallur me zë të lartë lavdinë tënde dhe për të treguar tërë mrekullitë e tua.
8. O Zot, unë e dua selinë e shtëpisë sate dhe vendin ku qëndron lavdia jote.
9. Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë,
10. sepse ata kanë në duart e tyre plane të këqija dhe dora e tyre e djathtë është plot dhurata.
11. Por unë do të eci në ndershmërinë time; më shpengo dhe ki mëshirë për mua.
12. Këmba ime është e qëndrueshme në vënd të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.

Fjalët e Urta 10:8-8
8. Zemërurti i pranon urdhërimet, por fjalamani budalla do të rrëzohet.

Shenjë 4:1-20
1. Pastaj nisi përsëri të mësojë në breg të detit; dhe rreth tij u mblodh një turmë aq e madhe, sa që ai hyri në barkë dhe rrinte ulur në det, ndërsa gjithë turma ishte në tokë pranë detit.
2. Dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra në shëmbëlltyra, dhe u thoshte atyre në mësimin e tij:
3. ''Dëgjoni! Ja, doli mbjellësi të mbjellë.
4. Dhe ndodhi që kur hidhte farën, një pjesë e farës ra gjatë rrugës dhe zogjtë e qiellit erdhën dhe e hëngrën.
5. Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe dhe mbiu menjëherë, sepse s'kishte një tokë të thellë.
6. Por, kur doli dielli, u dogj; dhe me që nuk kishte rrënjë, u tha.
7. Një pjesë tjetër ra midis ferrave; ferrat u rritën, e mbyten dhe nuk dha fryt.
8. Një pjesë tjetër ra në tokë të mirë, dhe solli frut që rritej, dhe u zhvillua për të dhënë njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind''.
9. Pastaj ai u tha atyre: ''Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!''.
10. Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën.
11. Dhe ai u tha atyre: ''Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra,
12. që: "Duke parë, të shohin, por të mos vën re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen"''.
13. Pastaj u tha atyre: ''Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëhere si do t'i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera?
14. Mbjellësi mbjell fjalën.
15. Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satanai dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre.
16. Po ashtu ata që e marrin farën mbi nje gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim;
17. por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë.
18. Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën,
19. por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme.
20. Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind''.