A A A A A

Bibla në një vit

Shkurt 18

Levitiku 7:1-38
1. "Ky është ligji i ofertës për shkeljen, (është gjë shumë e shenjtë).
2. Në vendim ku theret olokausti, do të theret flia për shkeljen; dhe gjaku i saj do të spërkatet rreth e qark altarit.
3. Prej saj do të paraqitet tërë dhjami: do të hiqet bishti i majmë, dhjami që mbulon zorrët,
4. të dy veshkat, dhjami që është mbi to rreth ijeve dhe bula e dhjamur e mëlçisë së zezë mbi veshkat.
5. Pastaj prifti do t'i tymosë mbi altar, si një flijim i bërë me zjarr për Zotin. Ky është një flijim për shkeljen.
6. Çdo mashkull midis priftërinjve do të mund të hajë nga ajo; do të hahet në vend të shenjtë; është gjë shumë e shenjtë.
7. Flijimi për shkeljen është si flijimi i mëkatit; i njëjti ligj vlen për të dy rastet; flia me të cilën prifti bën shlyerjen i takon atij.
8. Dhe prifti, që ofron olokaustin e dikujt, do të marrë për vete lëkurën e olokaustit që ka ofruar.
9. Kështu çdo blatim i ushqimit i pjekur në furrë, apo i përgatitur në tigan ose mbi skarë, do të jetë i priftit që e ka ofruar.
10. Dhe çdo blatim i ushqimit i përzier me vaj ose i thatë i përket tërë bijve të Aaronit, si për njerin si për tjetrin.
11. Ky është ligji i flijimit të falënderimit, që do t'i çohet Zotit.
12. Në qoftë se dikush e ofron për dhënie hiri, do të ofrojë me flijimin e dhënies së hirit kulaç pa maja të përzier me vaj, revani pa maja të përzier me vaj dhe kulaç me majë mielli të përzier me vaj.
13. Bashkë me kulaçët e bukës pa maja, si ofertë të tij do të paraqesë, me flijimin e dhënies së hirit, flijimin e tij të falënderimit.
14. Nga çdo ofertë ai do të ofrojë një kulaç si një blatim të lartë për Zotin; ai do të jetë i priftit që ka spërkatur gjakun e flijimit të falënderimit.
15. Mishi i flijimit të dhënies së hirit i paraqitur si falënderim do të hahet po atë ditë gjatë së cilës ofrohet; nuk do të lihet asgjë prej tij deri në mëngjes.
16. Por në qoftë se flijimi që dikush ofron është një kushtim ose një ofertë spontane, do të hahet ditën në të cilën paraqitet flijimi; ajo që tepron duhet të hahet të nesërmen.
17. Por ajo që mbetet nga mishi i flijimit do të digjet me zjarr ditën e tretë.
18. Në qoftë se në ditën e tretë hahet nga mishi i flijimit të falënderimit, ai nuk do të pranohet dhe nuk do t'i llogaritet; do të jetë një veprim i neveritshëm; dhe ai që ha, do të mbajë fajin e mëkatit të tij.
19. Mishi, që prek çfarëdo gjë të papastër nuk do të hahet; do të digjet me zjarr. Sa për mishin tjetër, kushdo që është i pastër do të mund të hajë nga ai.
20. Por personi, që duke qenë i papastër, ha mish nga flijimi i falënderimit që i përket Zotit, do të shfaroset nga populli i tij.
21. Përveç kësaj në se dikush prek çfarëdo gjë të papastër (një papastërti njerëzore, një kafshë të papastër ose çfarëdo gjë të neveritshme dhe të ndyrë) dhe ha mish nga flijimi i falënderimit që i përket Zotit, ai do të shfaroset nga populli i tij".
22. Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:
23. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Nuk do të hani asnjë yndyrë të lopës apo të deles apo të dhisë.
24. Dhjami i një kafshe që ka ngordhur në mënyrë të natyrshme dhe dhjami i një kafshe të shqyer mund të shërbejë për çdo përdorim tjetër, por nuk do të hani aspak;
25. sepse kushdo që në fakt ha dhjamin e një kafshe që ofrohet si flijim i bërë me zjarr për Zotin, ai që ha nga ky mish do të shfaroset nga populli i tij.
26. Përveç kësaj nuk do të hani asnjë gjak, as të zogjve, as të katërkëmbëshve, në asnjë nga banesat tuaja.
27. Kushdo që ha çfarëdo lloj gjaku, do të shfaroset nga populli i tij".
28. Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:
29. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kush i ofron Zotit flijimin e tij të falënderimit do t'ia çojë ofertën e tij Zotit, duke e hequr nga flijimi i tij i falënderimit.
30. Do t'i çojë me duart e tij ofertat e bëra me zjarr për Zotin; do të çojë dhjamin bashkë me gjoksin, për të tundur gjoksin si ofertë e tundur përpara Zotit.
31. Prifti do ta tymosë dhjamin mbi altar, ndërsa gjoksi do të jetë i Aaronit dhe i bijve të tij.
32. Do t'i jepni priftit gjithashtu, si një ofertë të lartë, kofshën e djathtë të flijimeve tuaja të falënderimit.
33. Ai nga bijtë e Aaronit që ofron gjakun dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit do të ketë, si pjesë të tij, kofshën e djathtë.
34. Sepse nga flitë e falënderimit të ofruara nga bijtë e Izraelit unë marr gjoksin e ofertës së tundur dhe kofshën e ofertës së lartë, dhe ua jap priftit Aaron dhe bijve të tij, si një detyrim i përjetshëm nga ana e bijve të Izraelit".
35. Kjo është pjesa e caktuar e Aaronit dhe bijve të tij nga flijimet e bëra me zjarr për Zotin, ditën që do të paraqiten për t'i shërbyer Zotit si priftërinj.
36. Këtë ka urdhëruar Zoti për bijtë e Izraelit t'u jepnin atyre ditën që i vajosi, si një ligj i përjetshëm brez pas brezi.
37. Ky është ligji i olokaustit, i blatimit të ushqimit, i flijimit për mëkatin, i flijimit për shkeljen, i shenjtërimit dhe i flijimit të falënderimit,
38. ligji që Zoti i dha Moisiut mbi malin Sinai, ditën që i urdhëroi bijtë e Izraelit t'i paraqisnin ofertat e tyre Zotit në shkretëtirën e Sinait.

Levitiku 8:1-36
1. Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:
2. "Merr Aaronin dhe bijtë e tij bashkë me të, rrobat, vajin e vajosjes, demin e vogël të flijimit për mëkatin, dy deshtë dhe shportën e bukëve të ndorme,
3. dhe mblidhe gjithë asamblenë në hyrje të çadrës së mbledhjes".
4. Atëherë Moisiu bëri ashtu si e kishte urdhëruar Zoti, dhe asambleja u mblodh në hyrje të çadrës së mbledhjes.
5. Dhe Moisiu i tha asamblesë: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar të bëhet".
6. Pastaj Moisiu e afroi Aaronin dhe bijtë e tij dhe i lau me ujë.
7. Pastaj i veshi Aaronit tunikën, i ngjeshi brezin, i veshi mantelin, i vendosi efodin, dhe i ngjeshi brezin e punuar artistikisht nga efodi me të cilin i fiksoi në trup efodin.
8. I vuri gjithashtu pektoralin dhe mbi të vendosi Urim-in dhe Thumim-in.
9. Pastaj i vuri çallmën mbi krye dhe në pjesën e përparme të çallmës vendosi pllakën e artë, diademën e shenjtë, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
10. Pastaj Moisiu mori vajin e vajosjes, vajosi tabernakullin dhe të gjitha gjërat që ndodheshin aty, duke i shenjtëruar në këtë mënyrë.
11. Me pak vaj spërkati shtatë herë altarin, vajosi altarin dhe tërë pajisjet e tij, si dhe legenin dhe bazën e tij, për t'i shenjtëruar.
12. Pas kësaj derdhi pak nga vaji i vajosjes mbi kokën e Aaronit dhe e vajosi për ta shenjtëruar.
13. Pastaj Moisiu i afroi bijtë e Aaronit, i veshi me tunika, iu ngjeshi breza dhe u vuri mbulesa të kokës, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
14. Pastaj afroi demin e vogël të flijimit për mëkatin dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël të flijimit për mëkatin.
15. Pastaj Moisiu e theri, mori gjak prej tij, e vuri me gisht mbi brirët e altarit rreth e qark dhe e pastroi altarin; pastaj derdhi gjakun në bazën e altarit dhe e shenjtëroi për të bërë mbi të shlyerjen.
16. Pastaj mblodhi gjithë dhjamin që ishte mbi zorrët, bulën e majme të mëlçisë dhe të dy veshkat me dhjamin e tyre, dhe Moisiu i tymosi mbi altar.
17. Por demin e vogël, lëkurën e tij, mishin dhe fëlliqësirat e tij i dogji me zjarr jashtë kampit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
18. Pastaj paraqiti dashin e olokaustit dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e dashit.
19. Moisiu e theri dhe spërkati gjakun rreth e qark altarit.
20. Pastaj e preu dashin në copa dhe Moisiu tymosi kokën, copat dhe dhjamin.
21. Pasi i lau zorrët dhe këmbët me ujë, Moisiu e tymosi tërë dashin mbi altar. Ishte një olokaust me një erë të këndshme, një flijim i bërë me zjarr për Zotin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
22. Pastaj paraqiti dashin e dytë, dashin e shenjtërimit, dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e dashit.
23. Pastaj, pra, e theri, mori pak nga gjaku i tij dhe e vuri në skajin e veshit të djathtë të Aaronit dhe mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë.
24. Pastaj Moisiu i afroi bijtë e Aaronit dhe vuri pak gjak në skajin e veshit të tyre të djathtë, mbi gishtin e madh të dorës së tyre të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tyre të djathtë; dhe Moisiu spërkati mbetjen e gjakut rreth e qark mbi altar.
25. Pastaj mori dhjamin, bishtin e majmë, tërë dhjamin që ishte mbi zorrët, bulën e majme të mëlçisë, të dy veshkat dhe dhjamin e tyre, dhe kofshën e djathtë;
26. dhe nga shporta e bukëve të ndorme, që ndodhej para Zotit mori një kulaç pa maja, një kulaç buke me vaj dhe një revani, dhe i vuri mbi dhjamin dhe mbi kofshën e djathtë.
27. Pastaj i vuri tërë këto gjëra në duart e Aaronit dhe në duart të bijve të tij dhe i tundi si ofertë e tundur përpara Zotit.
28. Pastaj Moisiu i mori nga duart e tyre dhe i tymosi mbi altarin sipër olokaustit. Ishte një flijim shenjtërimi me erë të këndshme, një flijim i bërë me zjarr për Zotin.
29. Pastaj Moisiu mori gjoksin dhe e tundi si një ofertë të tundur përpara Zotit; kjo ishte pjesa e dashit të shenjtërimit që i takoi Moisiut, si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
30. Moisiu mori pastaj ca vaj të vajosjes dhe ca gjak që ndodhej mbi altar dhe i spërkati mbi Aaronin, mbi rrobat e tij, mbi bijtë e tij dhe mbi rrobat e bijve të tij me të; kështu shenjtëroi Aaronin, rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e bijve të tij me të.
31. Pastaj Moisiu i tha Aaronit dhe bijve të tij: "Piqeni mishin në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe hajeni aty me bukën që është në shportën e shenjtërimit, siç kam urdhëruar, duke thënë: "Aaroni dhe bijtë e tij do të hanë".
32. Atë që tepron nga mishi dhe nga buka do ta digjni me zjarr.
33. Shtatë ditë me radhë nuk do të dilni nga hyrja e çadrës së mbledhjes, deri sa të plotësohen ditët e shenjtërimit tuaj, sepse do të nevojiten shtatë ditë për të plotësuar shenjtërimin tuaj.
34. Ashtu siç është vepruar në këtë ditë, kështu ka urdhëruar Zoti të bëhet për të bërë shlyerjen për ju.
35. Do të qëndroni pra shtatë ditë në hyrje të çadrës së mbledhjes, ditë e natë, dhe do të respektoni urdhërimin e Zotit, që të mos vdisni; sepse kështu më kishte qenë urdhëruar".
36. Kështu Aaroni dhe bijtë e tij bënë tërë ato gjëra që Zoti kishte urdhëruar me anë të Moisiut.

Psalmet 24:7-10
7. O ju porta, çoni kokat tuaja; dhe ju, porta të përjetshme, hapuni krejt dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.
8. Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i fortë dhe i fuqishëm, Zoti i fortë në betejë.
9. O porta, çoni kokat tuaja; hapuni krejt, o porta të përjetshme, dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.
10. Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i ushtrive; ai është Mbreti i lavdisë. (Sela)

Fjalët e Urta 9:10-12
10. Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia.
11. Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete.
12. Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t'i kesh vetëm ti.

Shenjë 1:1-22
1. Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.
2. Ashtu si është shkruar tek profetët: ''Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës tënde, i cili do të përgatit udhën tënde përpara teje.
3. Ka një zë që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"''.
4. Gjoni erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve.
5. Dhe gjithë vendi i Judës dhe ata nga Jeruzalemi shkonin tek ai, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre.
6. Por Gjoni ishte i veshur me lesh deveje, mbante një brez lëkure përreth ijëve dhe ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër.
7. Ai predikonte duke thënë: ''Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t'i zgjidhur lidhësat e sandaleve të tij.
8. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë''.
9. Dhe ndodhi në ato ditë që Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Gjoni në Jordan.
10. Dhe menjëherë, kur po dilte nga uji, pa se qiejtë po hapeshin dhe Fryma po zbriste mbi të si një pëllumb.
11. Dhe një zë erdhi nga qielli: ''Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur.
12. Fill pas kësaj, Fryma e Shenjtë e çoi në shkretëtirë;
13. dhe qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satanai. Ishte bashkë me bishat dhe engjëjt i shërbenin.
14. Dhe mbasi e burgosën Gjonin, Jezusi erdhi në Galile duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë,
15. dhe duke thënë: ''U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin''.
16. Ndërsa po kalonte gjatë bregut të detit të Galilesë, ai pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e tij, të cilët po hidhnin rrjetën në det sepse ishin peshkatarë.
17. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Ndiqmëni dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish''.
18. Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.
19. Mbasi eci edhe pak, pa Jakobin, bir in e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, të cilët ndreqnin rrjetat e tyre në barkë.
20. Dhe i thirri menjëherë; dhe ata e lanë atin e tyre Zebedeun në barkë me mëditësit dhe e ndoqën.
21. Pastaj hynë në Kapernaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, ai hyri në sinagogë dhe i mësonte njerëzit.
22. Dhe njerëzit habiteshin nga doktrina e tij, sepse ai i mësonte si një që ka pushtet dhe jo si skribët.