A A A A A

Bibla në një vit


Dhjetor 27


Zakaria 4:1-13
1. Pastaj engjëlli që fliste me mua u kthye dhe më zgjoi ashtu si zgjojnë dikë nga gjumi.
2. Dhe më pyeti: "Çfarë po shikon?". U përgjigja: "Ja, po shikoj një shandan krejt prej ari dhe që ka në majë një enë, mbi të cilën janë shtatë llampa me shtatë tuba për shtatë llampat që janë në majë.
3. Afër tyre janë dy ullinj, një në të djathtën e enës dhe tjetri në të majtën e saj".
4. Kështu nisa t'i them engjëllit që fliste me mua: "Imzot, ç'kuptim kanë këto gjëra?".
5. Engjëlli që fliste me mua u përgjigj dhe më tha: "Nuk e kupton se ç'duan të thonë këto gjëra?". Unë i thashë: "Jo, imzot".
6. Atëherë ai, duke u përgjigjur, më tha: "Kjo është fjala e Zotit drejtuar Zorobabelit: Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time", thotë Zoti i ushtrive.
7. "Kush je ti, o mali i madh? Përpara Zorobabelit ti do të bëhesh fushë. Dhe ai do ta bëjë gurin e majës së malit të shkojë përpara midis britmave: "Mëshirë, mëshirë për të!"".
8. Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë:
9. "Duart e Zorobabelit kanë hedhur themelet e këtij tempulli dhe duart e tij do ta përfundojnë; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ju.
10. Kush ka mundur të përçmojë ditën e gjërave të vogla? Por ata të shtatë gëzohen kur shohin plumbçen në duart e Zorobabelit. Ata të shtatë janë sytë e Zotit që e përshkojnë gjithë dheun".
11. Unë u përgjigja dhe i thashë: "Këta dy ullinj në të djathtën dhe në të majtën e shandanit çfarë janë?".
12. Për herë të dytë nisa t'i them: "Çfarë janë këto dy degë ulliri që janë përbri dy prurësve prej ari nga rrjedh vaji i praruar?".
13. Ai m'u përgjigj dhe tha: "Nuk e kupton çfarë janë këto?". Unë u përgjigja: "Jo, imzot".

Zakaria 5:1-11
1. Pastaj i çova përsëri sytë dhe pashë, dhe ja një rrotull që fluturonte.
2. Engjëlli më tha: "Çfarë po shikon?". Unë u përgjigja: "Shoh një rrotull që fluturon; gjatësia e saj është njëzet kubitë dhe gjërësia e saj dhjetë kubitë".
3. Atëherë ai më tha: "Ky është mallkimi që po përhapet mbi gjithë vendin; sepse tani e tutje, kushdo që vjedh do të dëbohet prej tij dhe kushdo që tani e tutje betohet me të rreme, do të dëbohet prej tij.
4. Unë do ta bëj të dalë", thotë Zoti i ushtrive, "dhe ai do të hyjë në shtëpinë e vjedhësit dhe në shtëpinë e atij që bën betim të rremë në emrin tim; do të mbetet në atë shtëpi dhe do ta konsumojë bashkë me lëndën e saj dhe me gurët e saj".
5. Pastaj Engjëlli që fliste me mua doli dhe më tha: "Ço sytë dhe shiko çfarë është ajo që po del".
6. Unë thashë: "Çfarë është?". Ai tha: "Éshtë efa që po del". Pastaj shtoi: "Kjo është pamja e tyre në gjithë vendin".
7. Pastaj, ja, u ngrit një kapak plumbi, dhe kështu në mes të efas rrinte ulur një grua.
8. Atëherë ai tha: "Kjo është ligësia". Dhe e hodhi në mes të efas, pastaj hodhi kapakun prej plumbi mbi hapjen e saj.
9. Pastaj i çova sytë dhe shikova, dhe ja që po vinin dy gra me erën në krahët e tyre, sepse ato kishin krahë si krahët e lejlekut, dhe e ngritën efan midis tokës dhe qiellit.
10. Kështu unë e pyeta engjëllin që fliste me mua: "Ku e çojnë efan këto?".
11. Ai m'u përgjigj: "Në vendin e Shinarit për t'i ndërtuar një shtëpi; kur të jetë gati efa do të vihet mbi piedestalin e vet".

Zakaria 6:1-15
1. I çova përsëri sytë dhe shikova, dhe ja, katër qerre që dilnin në mes të dy maleve; dhe malet ishin male prej bronzi.
2. Në qerren e parë kishte kuaj të kuq, në qerren e dytë kuaj të zinj,
3. në qerren e tretë kuaj të bardhë dhe në të katërtën kuaj shumë laramanë.
4. Atëherë nisa t'i them engjëllit që fliste me mua: "Imzot, po këta?".
5. Engjëlli u përgjigj dhe tha: "Këta janë katër frymat e qiellit që dalin pasi kanë qenë në prani të Zotit të mbarë dheut.
6. Qerrja me kuaj të zinj shkon drejt vendit të veriut; kuajt e bardhë e ndjekin, kuajt laramanë shkojnë drejt vendit të jugut;
7. pastaj përparojnë kuajt me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe kërkojnë të shkojnë për të përshkuar dheun". Ai u tha atyre: "Shkoni, përshkoni dheun!". Kështu ata e përshkuan dheun.
8. Pastaj ai më thirri dhe më foli, duke thënë: "Ja, ata që po shkojnë drejt vendit në veri e kanë qetësuar Frymën time mbi vendin e veriut.
9. Pastaj fjala e Zotit m'u drejtua duke thënë:
10. "Prano dhurata nga mërgimtarët, domethënë nga Heldai, nga Tobiahu dhe nga Jedaiahu që kanë ardhur nga Babilonia, dhe që po sot kanë shkuar në shtëpinë e Josias, birit të Sofonias.
11. Merr argjendin dhe arin, bëj një kurorë me to dhe vëre mbi kryet e Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryepriftit.
12. Pastaj foli atij, duke thënë: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ja, burri emri i të cilit është Filizë, do të filizoj në vendin e tij dhe do të ndërtojë tempullin e Zotit.
13. Po, ai do të ndërtojë tempullin e Zotit, do të mbulohet me lavdi dhe do të ulet e do të mbretërojë mbi fronin e tij, do të jetë prift mbi fronin e tij, dhe midis të dyve do të jetë një këshillë paqeje.
14. Kurora do të jetë një kujtim në tempullin e Zotit për Helemin, për Tobiahun, për Jedaiahun dhe për Henin, birin e Sofonias.
15. Edhe ata që janë larg do të vijnë për të ndihmuar për ndërtimin e tempullit të Zotit; atëherë do të pranoni që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ju. Kjo do të ndodhë në qoftë se do t'i bindeni me zell zërit të Zotit, Perëndisë tuaj".

Psalmet 148:1-6
1. Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.
2. Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.
3. Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.
4. Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.
5. Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.
6. Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.

Fjalët e Urta 30:24-28
24. Ka katër kafshë të vogla mbi tokë, por janë jashtëzakonisht të urta:
25. mizat e dheut, që janë një popull pa forcë, por që e mbledhin ushqimin e tyre në verë;
26. lepujt, që janë një popull i dobët, por që e vendosin banesën e tyre në shkëmbinjtë;
27. karkalecat, që nuk kanë mbret, por që shkojnë mbarë në grupe;
28. hardhuca që mund ta zësh me duart, por që gjendet në pallatet e mbretërve.

Zbulesa 17:1-18
1. Dhe erdhi një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat, dhe foli me mua dhe më tha: ''Eja, do të të tregoj gjyqin e kurvës së madhe që është ulur në ujëra të shumta,
2. më të cilën u kurvëruan mbretërit e dheut, dhe banorët e dheut u dehën me verën e kurvërisë së saj''.
3. Dhe më çoi në Frymë në një shkretëtirë, dhe pashë një grua që rrinte mbi një bishë të kuqe, plot me emra blasfemie dhe që kishte shtatë krerë dhe dhjetë brirë.
4. Edhe gruaja ishte veshur me purpur dhe me të kuq të ndezur, e stolisur me ar, gurë të çmuar dhe me margaritarë; kishte në dorë një kupë ari plot me neveritë dhe ndyrësitë e kurvërimit të saj.
5. Dhe mbi ballin e saj ishte shkruar një emër: ''Misteri, Babilona e madhe, nëna e lavirave dhe e neverive të dheut''.
6. Dhe e pashë gruan duke u dehur nga gjaku i shenjtorëve dhe nga gjaku i martirëve të Jezusit. Dhe, kur e pashë, u çudita me çudi të madhe.
7. Dhe engjëlli më tha: ''Përse çuditesh? Unë do të të tregoj misterin e gruas dhe të bishës që e mban atë, e cila ka shtatë krerë dhe dhjetë brirë.
8. Bisha, që pe, ishte, edhe nuk është, dhe do të ngjitet nga humnera dhe do të vejë në përhumbje; dhe banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës që nga krijimi i botës, do të çuditen kur të shohin bishën që ishte, dhe nuk është, ndonëse është.
9. Këtu është mendja që ka dituri: të shtatë krerët janë shtatë male, ku ulet gruaja,
10. dhe mbretër janë shtatë; pesë kanë rënë, një është dhe tjetri nuk ka ardhur ende; dhe, kur të vijë, pak kohë do të mbetet.
11. Dhe bisha që ishte, dhe nuk është më, është edhe ajo i teti mbret, dhe është nga të shtatët dhe shkon në përhumbje.
12. Të dhjetë brirët, që pe, janë dhjetë mbretër, të cilët nuk kanë marrë ende mbretërinë, por do të marrin pushtet si mbretër, një orë, bashkë me bishën.
13. Këta kanë një qëllim, dhe do t'ia japin fuqinë dhe pushtetin e tyre bishës.
14. Ata do të luftojnë kundër Qengjit dhe Qengji do t'i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë''.
15. Pastaj më tha: ''Ujërat që ke parë, ku ulet lavirja, janë popuj dhe turma, dhe kombe, dhe gjuhë.
16. Dhe të dhjetë brirët që ke parë mbi bishën, këta do të urrejnë laviren, do ta bëjnë të shkretë dhe lakuriq, dhe do të hanë mishrat e saj dhe do ta djegin në zjarr.
17. Sepse Perëndia u dha në zemër atyre të kryejnë mendjen e tij, të bëhen në një mendje, edhe t'i japin bishës mbretërinë e tyre, gjersa të plotësohen fjalët e Perëndisë.
18. Dhe gruaja që pe është qyteti i madh, që mbretëron mbi mbretëritë e dheut''.