A A A A A

Bibla në një vit


Dhjetor 16


Amosi 8:1-14
1. Ja ç'më bëri të shoh Zoti, Zoti: ishte një shportë me fruta vere.
2. Ai më tha: "Amos, çfarë po shikon?". Unë u përgjigja: "Një shportë me fruta vere". Zoti më tha: "Erdhi fundi për popullin tim të Izraelit; nuk do ta fal më gjatë.
3. Atë ditë këngët e tempullit do të bëhen vajtime", thotë Zoti, Zoti. "Do të ketë kudo shumë kufoma; do t'i hedhin jashtë në heshtje".
4. Dëgjoni këtë, o ju që gllabëroni nevojtarin dhe shfarosni të varfërit e vendit,
5. dhe thoni: "Kur do të kalojë hëna e re që të mund të shesim grurin, dhe e shtuna që të fillojmë shitjen e grurit, duke e zvogëluar efan dhe duke rritur siklin, duke falsifikuar peshoret për të mashtruar,
6. duke i blerë të varfrit me para, nevojtarin për një palë sandale dhe duke shitur edhe skarcitetet e grurit?".
7. Zoti është betuar për krenarinë e Jakobit: "Nuk do të harroj asnjë nga veprat e tyre.
8. A nuk do të dridhet vallë vendi për këtë dhe nuk do të jenë në zi tërë banorët e tij? Do të ngrihet i tëri si Nili, do të trazohet dhe do të ulet si lumi i Egjiptit.
9. Atë ditë do të ndodhë", thotë Zoti, Zoti, "që unë do ta bëj diellin të perëndojë në mesditë dhe do ta errësoj tokën ditën.
10. Do t'i shndërroj festat tuaja në zi dhe të gjitha këngët tuaja në vajtime; do të bëj që secili të vishet me thes dhe do ta bëj të shogët çdo kokë. Do ta bëj si një zi për një bir të vetëm dhe fundi i tij do të jetë një ditë trishtimi.
11. Ja, do të vijnë ditët", thotë Zoti, Zoti, "gjatë të cilave unë do të dërgoj urinë në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit.
12. Ata do të shkojnë duke u endur nga një det në tjetrin, nga veriu në lindje, do të rendin sa andej dhe këtej në kërkim të fjalës të Zotit, por nuk do ta gjejnë.
13. Atë ditë vajzat e bukura dhe djemtë e zgjedhur do të ligështohen nga etja.
14. Ata që betohen për mëkatin e Samarisë dhe thonë: "Ashtu si Perëndia yt rron, o Dan", dhe: "Si rron Beer-Sheba", do të rrëzohen dhe nuk do të çohen më".

Amosi 9:1-15
1. Unë pashë Zotin që rrinte më këmbë pranë altarit dhe tha: "Goditi kapitelet, u shkundshin portat, dhe copëtoji mbi kokat e tyre. Unë do t'i vras pastaj ata që kanë mbetur me shpatë. Asnjë nga ata
2. Edhe sikur të depërtojnë në Sheol, dora ime do t'i shkëpusë që andej; edhe sikur të ngjiten në qiell, unë do t'i tërheq poshtë që andej.
3. Edhe sikur të fshiheshin në majë të Karmelit, unë do t'i gjej dhe do t'i marr; edhe sikur t'i fshiheshin shikimit tim në fund të detit, atje do të urdhëroj gjarpërin t'i kafshojë;
4. edhe sikur të shkonin në robëri para armiqve të tyre, atje do të urdhëroj shpatën t'i vrasë. Unë do të ngul sytë e mi mbi ta për të keqen dhe jo për të mirën.
5. Zoti, Zoti i ushtrive, është ai që prek tokën dhe ajo shkrihet, dhe tërë banorët e saj mbajnë zi; ajo ngrihet e tëra si Nili dhe ulet si lumi i Egjiptit.
6. Éshtë ai që ndërton në qiejt dhomat e tij të sipërme dhe ka vënë mbi tokë themelet e kupës së tij qiellore; ai thërret ujërat e detit dhe i derdh mbi faqen e dheut; emri i tij është Zoti.
7. A nuk jeni për mua si bijtë e Etiopasve, o bij të Izraelit?", thotë Zoti. "A nuk e nxora unë Izraelin nga vendi i Egjiptit, Filistejtë nga Kaftori dhe Sirët nga Kiri?
8. Ja sytë e Zotit, Zotit, janë mbi mbretërinë mëkatare; unë do ta shfaros nga faqja e dheut, por nuk do ta shfaros krejt shtëpinë e Jakobit", thotë Zoti.
9. "Sepse ja, unë do të jap urdhrin dhe do ta shosh shtëpinë e Izraelit midis gjithë kombeve, ashtu si bëhet me shoshën, por në tokë nuk do të bjerë as kokrra më e vogël e grurit.
10. Tërë mëkatarët e popullit tim do të vdesin nga shpata, ata që thonë: "Gjëma nuk do të afrohet as ka për të arritur deri te ne"".
11. "Atë ditë do të ngre përsëri tabernakullin e Davidit që ka rënë, do të ndreq të çarat e tij dhe do të ngre rrënojat e tij, dhe do ta rindërtoj si në ditët e lashta,
12. më qëllim që të zotërojnë kusurin e Edomit dhe tërë kombet ku i bëjnë thirrje emrit tim", thotë Zoti që do ta bëjë këtë.
13. "Ja, ditët po vijnë", thotë Zoti, "kur ai që lëron do t'i afrohet atij që korr dhe ai që shtrydh rrushin atij që hedh farën; atëherë malet do të kullojnë musht, që do të rrjedhë poshtë nëpër kodra.
14. Do ta kthej nga robëria popullin tim të Izraelit, dhe ata do të rindërtojnë qytetet e shkretuara dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të pijnë verën e tyre, do të punojnë kopshtet dhe do të hanë frytet e tyre.
15. Unë do t'i mbjell në tokën e tyre dhe nuk do të çrrënjosen kurrë më nga toka që u kam dhënë atyre, thotë Zoti, Perëndia yt".

Psalmet 143:1-6
1. Dëgjo lutjen time, o Zot, vëru veshin lutjeve të mia; përgjigjmu me besnikërinë dhe drejtësinë tënde.
2. Dhe mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, sepse asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para teje.
3. Sepse armiku më përndjek, ai e ka rrëzuar deri për tokë jetën time; më detyron të banoj në vende të errëta, ashtu si ata që kanë vdekur prej një kohe të gjatë.
4. Prandaj fryma ime dobësohet brenda meje, dhe zemra ime e ka humbur krejt brenda trupit tim.
5. Kujtoj ditët e lashta; bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua; reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua.
6. I zgjas duart e mia drejt teje; shpirti im është i etur për ty, si një tokë e thatë. (Sela)

Fjalët e Urta 30:1-4
1. Fjalët e Agurit, birit të Jahehut; mesazhi profetik që ky njeri shpalli në Ithiel, në Ithiel dhe në Ukal.
2. Po, unë jam më budalla se gjithë të tjerët dhe nuk kam mendje njeriu.
3. Nuk kam mësuar diturinë dhe nuk kam dijen e Shenjtorit.
4. Kush u ngjit në qiell dhe zbriti prej tij? Kush e ka mbledhur erën në duart e tij? Kush i ka mbyllur ujërat në rroben e tij? Kush i ka vendosur të gjithë kufijtë e tokës? Cili është emri i tij dhe emri i të birit, po qe se ti e di?

Zbulesa 6:1-17
1. Dhe unë pashë, dhe ja, një kalë i bardhë. Dhe ai që e kalëronte kishte një hark; dhe atij iu dha një kurorë, dhe ai doli jashtë si fitimtar dhe për të fituar.
2. Kur ai hapi vulën e dytë, dëgjova qenien e dytë të gjallë që thoshte: ''Eja dhe shiko''.
3. Atëherë doli jashtë një kalë tjetër i kuq; dhe atij që e kalëronte iu dha të hiqte paqen nga dheu që njerëzit të vrasin njëri-tjetrin, dhe iu dha atij një shpatë e madhe.
4. Dhe kur ai hapi vulën e tretë, dëgjova qenien e tretë e gjallë që thoshte: ''Eja dhe shiko''. Dhe pashë dhe ja, një kalë i zi; dhe ai që e kalëronte kishte një peshore në dorën e tij.
5. Dhe dëgjova një zë në mes të katër qenieve të gjalla duke thënë: ''Një kenik gruri për një denar, dhe dy kenikë elbi për një denar; dhe mos dëmto vajin, as verën''.
6. Kur ai hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e qenies së katërt të gjallë që thoshte: ''Eja dhe shiko''.
7. Dhe unë pashë, dhe ja një kalë i zbehtë; dhe ai që e kalëronte emrin e kishte Vdekja, dhe Hadesi vinte pas tij. Dhe iu dha atyre pushtet përmbi një të katërtën e dheut, të vrasin me shpatë dhe me zi buke e me vdekje, dhe nëpërmjet bishave të dheut.
8. Dhe kur hapi vulën e pestë, unë pashë nën altar shpirtrat e atyre që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin;
9. dhe ata thirrën me zë të madh duke thënë: ''Deri kur, o Zot, që je i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe?''.
10. Dhe secilit prej tyre ju dha një petk i bardhë dhe ju thanë që të preheshin edhe për pak kohë, deri sa të plotësohej numri edhe i bashkësherbëtoreve e tyre dhe i vëllezërve të tyre që duhet të vriteshin posi ata.
11. Dhe pashë, kur ai hapi vulën e gjashtë; dhe ja, u bë një tërmet i madh, dhe dielli u bë i zi si një thes prej leshi, dhe hëna u bë si gjak;
12. dhe yjet e qiellit ranë mbi dheun, ashtu si fiku hedh fiqtë e paarrirë kur e tund një erë e madhe.
13. Pastaj qielli u hoq si një pergamenë që mbështillet, dhe çdo mal dhe ishull luajtën nga vendi i tyre.
14. Dhe mbretërit e dheut, dhe të mëdhenjtë, dhe të pasurit, dhe komandantët, dhe të fuqishmit, dhe çdo skllav e çdo i lirë, u fshehën nëpër shpella dhe nëpër krepat e maleve,
15. dhe u thoshnin maleve dhe shkëmbinjve: ''Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit,
16. sepse erdhi dita e madhe e zemërimit së tij; dhe kush mund të qëndrojë?''.
17. Pas këtyre gjërave, pashë katër engjëj të cilët rrinin në këmbë në të katër këndet e dheut dhe mbanin të katër erërat e dheut, që të mos frynte erë mbi dhe, as mbi det, as mbi ndonjë dru.