A A A A A

Bibla në një vit


Dhjetor 15


Amosi 6:1-14
1. Mjerë ata që jetojnë në bollëk në Sion dhe që e ndjejnë veten të sigurt në malin e Samarias, njerëz të parisë të ballit të kombeve, ku po shkon shtëpia e Izraelit.
2. Kaloni në Kalneh dhe shikoni, që andej shkoni në Hamathin e madh, pastaj zbrisni në Gathin e Filistejve. A janë vallë ato më të mira nga këto mbretëri ose territori i tyre është më i madh nga ai juaji?
3. Ju doni të largoni ditën e keqe, por e afroni selinë e dhunës.
4. Mjerë ata që rrinë shtrirë mbi shtretër prej fildishi, që shtrihen mbi divanet e tyre dhe hanë qengjat e kopesë dhe viçat që merren nga stalla.
5. Këndojnë me tingullin e harpës dhe ashtu si Davidi shpikin për vete vegla muzikore;
6. pinë verë në kupa të gjëra dhe lyhen me vajrat më të mira, por nuk trishtohen për shkatërrimin e Jozefit.
7. Prandaj do të shkojnë në robëri në krye të të internuarve dhe ata që shtrihen mbi divanet në banketet do të hiqen.
8. Zoti, Zoti, është betuar për veten e tij, thotë Zoti, Perëndia i ushtrive: "Unë nuk e shoh dot me sy madhështinë e Jakobit dhe i urrej pallatet e tij; prandaj do t'ia jap armikut në dorë qytetin me tërë ato që përmban".
9. Dhe do të ndodhë që, po të lënë dhjetë burra në një shtëpi, do të vdesin edhe ata.
10. Kur një i afërt do të vijë me atë që djeg kufomat për t'i marrë trupat dhe për t'i nxjerrë jashtë shtëpisë, do t'i thotë atij që ndodhet brenda në shtëpi: "A ka të tjerë me ty?". Tjetri do të përgjigjet: "Jo". Dhe i pari do të thotë: "Hesht, sepse nuk duhet të përmendet emri i Zotit".
11. Sepse ja, Zoti urdhëron dhe e katandis shtëpinë e madhe në bajgë dhe të voglën në copëza.
12. Vallë, a rendin kuajt mbi shkëmbinjtë ose a lërohen ata me qe? Por ju e ktheni të drejtën në helm dhe frytin e drejtësisë në hidhërim,
13. ju, që gëzoheni për Lo-debarin, ju që thoni: "A nuk e kemi marrë për vete Karnaimin me forcën tonë?".
14. "Sepse ja, o shtëpia e Izraelit", thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, "unë do të ngre kundër jush një komb, që do t'ju shtypë nga hyrja e Hamathit deri të përroi i Arabahut".

Amosi 7:1-17
1. Ja ç'më bëri të shoh Zoti, Zoti: ai formonte karkaleca kur fillonte të rritej bari i dytë; dhe ja, bari i dytë vinte mbas korrjes së mbretit.
2. Kur ato mbaruan së ngrëni barin e tokës, unë thashë: "Zot, Zot, oh, na fal, pra. Si mund të rezistojë Jakobi, duke qenë se është i vogël?".
3. Zoti u pendua për këtë: "Kjo nuk ka për të ndodhur", tha Zoti.
4. Ja ç'më bëri të shoh Zoti, Zoti: Zoti, Zoti shpalli se do mbronte çështjen e tij me zjarr; dhe zjarri gllabëroi humnerën e madhe dhe gllabëroi një pjesë të vendit.
5. Atëherë unë i thashë: "Zoti, Zoti, oh, jepi fund, pra. Si mund të rezistojë Jakobi, duke qenë se është i vogël?".
6. Zoti u pendua për këtë: "As kjo nuk ka për të ndodhur", tha Zoti, Zoti.
7. Ja ç'më bëri të shoh: Zoti rrinte drejt mbi një mur të ndërtuar me plumbçe dhe me një plumbçe në dorë.
8. Zoti më tha: "Amos, çfarë shikon?". Unë iu përgjigja: "Një plumbçe". Atëherë Zoti tha: "Ja, unë po vendos një plumbçe në mes të popullit tim të Izraelit; nuk do ta fal më gjatë.
9. Vendet e larta të Isakut do të prishen dhe shenjtëroret e Izraelit do të shkatërrohen; unë do të ngrihem me shpatë kundër shtëpisë së Jeroboamit".
10. Atëherë Amatsiahu, prifti i Bethelit, i çoi fjalë Jeroboamit, mbretit të Izraelit: "Amosi komploton kundër teje në mes të shtëpisë së Izraelit; vendi nuk është në gjendje të durojë tërë fjalët e tij.
11. Në fakt Amosi ka thënë kështu: "Jeroboami do të vdesë nga shpata dhe Izraeli do të internohet me siguri larg vendit të tij"".
12. Amatsiahu i tha Amosit: "Shikues, shko, ik në vendin e Judës; atje ke për të ngrënë bukë dhe atje do të profetizosh;
13. por mos profetizo më në Bethel, sepse është shenjtërorja e mbretit dhe selia mbretërore".
14. Atëherë Amosi u përgjigj dhe i tha Amatsiahut: "Unë nuk isha profet as bir profeti, por isha bari dhe rrisja fiq egjipti.
15. Zoti më mori pas kopesë dhe Zoti më tha: "Shko, profetizoi popullit tim të Izraelit".
16. Prandaj tani dëgjo fjalën e Zotit: Ti po thua: "Mos profetizo kundër Izraelit dhe mos fol më kundër shtëpisë së Isakut".
17. Prandaj kështu flet Zoti: "Gruaja jote do të kurvërohet në qytet, bijtë dhe bijat e tu do të vriten nga shpata dhe vendi yt do të ndahet me litar; ti do të vdesësh në tokë të papastër dhe Izraeli patjetër do të internohet larg vendit të tij"".

Psalmet 142:1-7
1. Unë i këlthas me zërin tim Zotit; me zërin tim i lutem Zotit.
2. Para tij paraqes vajtimin tim, para tij parashtroj fatkeqësinë time.
3. Kur fryma po më dobësohej, ti e dije ecjen time. Ata kanë përgatitur një lak për mua te shtegu që po kaloja.
4. Vështroj në të djathtën time dhe ja: nuk ka njeri që të më njohë; çdo rrugë shpëtimi është e mbyllur; asnjeri nuk kujdeset për jetën time.
5. Unë të këlthas ty, o Zot, dhe të them: "Ti je streha ime, pjesa ime në tokën e të gjallëve.
6. Dëgjo me vëmendje klithmën time, sepse jam katandisur si mos më keq; më çliro nga përndjekësit e mi, sepse janë më të fortë se unë.
7. Më nxirr nga burgu që të mund të kremtoj emrin tënd. Të drejtët do të mblidhen tok rreth meje, sepse ti do të më mbushësh me të mira".

Fjalët e Urta 29:27-27
27. Njeriu jo i drejtë është një neveri për të drejtët, dhe ai që ecën me ndershmëri është një neveri për të pabesët.

Zbulesa 5:1-14
1. Dhe pashë një engjëll të fuqishëm, që proklamoi me zë të madh: ''Kush është i denjë të hapë librin dhe të zgjidhë vulat e tij?''.
2. Po kurrkush, as në qiell, as mbi dhe, as nën dhe, nuk mund të hapte librin e ta shihte atë.
3. Edhe unë qaja shumë, sepse s'qe gjetur asnjë i denjë të hapë dhe të lexojë librin, dhe as ta shohë.
4. Atëherë një nga pleqtë më tha: ''Mos qaj; ja, Luani i fisit të Judës, Rrënja e Davidit, fitoi të hapë librin dhe të zgjidhë të shtatë vulat e tij''.
5. Dhe pashë, në mes të fronit dhe të katër gjenieve të gjalla dhe në mes të pleqve, një Qengj si i therur, i cili kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që janë të shtatë Frymërat e Perëndisë, të dërguar në gjithë dheun.
6. Ai erdhi dhe mori librin nga dora e djathtë e atij që rrinte mbi fron.
7. Dhe, mbasi e mori librin, të katër qeniet e gjalla dhe të njëzet e katër pleqtë ranë përmbys përpara Qengjit, duke pasur secili një qeste dhe disa kupa ari plot me erë të këndshme, të cilat janë lutjet e shenjtorëve.
8. Dhe këndonin një këngë të re duke thënë: ''Ti je i denjë ta marrësh librin dhe të hapësh vulat e tij, sepse ti u there, dhe me gjakun tënd na bleve te Perëndia nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb,
9. dhe na bëre mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe''.
10. Pastaj pashë, dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve përqark fronit, qenieve të gjalla dhe pleqve; dhe numri i tyre ishte dhjetë mijëra dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash,
11. që thoshnin me zë të madh: ''I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë, dhe pasurinë, dhe diturinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin''.
12. Edhe dëgjova çdo krijesë që është në qiell, mbi dhe, nën dhe dhe ato që janë në det dhe gjitha gjërat sa janë në to, që thoshnin: ''Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve''.
13. Dhe të katër qeniet e gjalla thoshnin: ''Amen!''. Dhe të njëzet e katër pleq ranë përmbys dhe adhuruan atë që rron në shekuj të shekujve.
14. Pastaj pashë kur Qengji hapi të parën nga të shtatë vulat, dhe dëgjova një nga të katër qeniet e gjalla që thoshte si me zë bubullime: ''Eja e shiko''.