A A A A A

Bibla në një vit

Nëntor 3

Vajtimet 1:1-22
1. Si qëndron vallë i vetmuar qyteti që ishte plot e përplot me popull? E madhja midis kombeve është bërë si një e ve; princesha midis provincave i është nënshtruar haraçit.
2. Ajo qan me hidhërim natën, lotët vijëzojnë faqet e saj; midis gjithë atyre që e donin nuk ka njeri që ta ngushëllojë; tërë miqtë e saj e kanë tradhëtuar, janë bërë armiq të saj.
3. Juda ka shkuar në robëri, mbi të rëndojnë pikëllimi dhe një skllavëri e rëndë; ai banon midis kombeve, nuk gjen prehje; tërë përndjekësit e tij e kanë arritur midis fatkeqësive.
4. Rrugët e Sionit mbajnë zi, sepse askush nuk vjen më në festat solemne; tërë portat e tij janë të shkreta, priftërinjtë e tij psherëtijnë, virgjëreshat e tij hidhërohen dhe ai është në trishtim.
5. Kundërshtarët e tij janë bërë sundimtarë, armiqtë e tij begatohen, sepse Zoti e ka mjeruar për shkak të morisë së shkeljeve të tij; fëmijët e tij kanë shkuar në robëri përpara armikut.
6. Vajza e Sionit ka humbur tërë madhështinë e saj; krerët e tij janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë; ecin pa forca përpara atyre që i ndjekin.
7. Në ditët e trishtimit të tij dhe të endjes Jeruzalemi kujton tërë të mirat e çmuara që zotëronte qysh nga ditët e lashta. Kur populli i tij binte në dorë të armikut dhe askush nuk i vinte në ndihmë, kundërshtarët e tij e shikonin dhe qeshnin me shkatërrimin e tij.
8. Jeruzalemi ka mëkatuar rëndë, prandaj është bërë një gjë e fëlliqur; tërë ata që e nderonin e përçmojnë, sepse e kanë parë lakuriq, po, ai psherëtin dhe kthehet prapa.
9. Fëlliqësia e tij ishte në cepat e rrobave të tij, nuk mendonte për fundin e tij; prandaj ra në mënyrë të habitshme, pa pasur njeri që ta ngushëllojë: "Shiko, o Zot, dëshpërimin tim sepse armiku po ngrihet".
10. Kundërshtari ka shtrirë dorën mbi të gjitha thesaret e tua, sepse pa kombet të hyjnë në shenjtëroren tënde; pikërisht ata që ti u kishe urdhëruar të mos hynin në kuvendin tënd.
11. Tërë populli i tij psherëtin duke kërkuar bukë; japin gjërat e tyre më të çmuara për ushqim me qëllim që të rifitojnë jetën. "Shiko, o Zot, dhe kqyr sa jam bërë i neveritshëm!". pranimi i mëkateve të tij dhe pasojat e tyre
12. "Asgjë e tillë mos t'ju ndodhë, o ju që kaloni afër. Soditni dhe shikoni, në se ka një dhimbje të ngjashme me dhembjen time, ajo që më brengos dhe që Zoti më ka dhënë ditën e zemërimit të tij të zjarrtë.
13. Nga lart ka dërguar një zjarr në kockat e mia, i kaplon ato; ka shtrirë një rrjetë në këmbët e mia, më ka kthyer prapa, më ka shkretuar në kapitjen e ditëve të mia.
14. Nga dora e tij është lidhur zgjedha e shkeljeve të mia, që lidhen bashkë dhe rëndojnë mbi qafën time; më ka pakësuar forcën time; Zoti më ka lënë në duart e atyre të cilëve nuk mund t'u bëj ballë.
15. Zoti ka rrëzuar në mesin tim tërë trimat e mi; ka thirrur kundër meje një kuvend për të shtypur të rinjtë e mi; Zoti ka shtypur si në një butinë bijën e virgjër të Judës.
16. Prandaj unë qaj; sytë e mi, vetë sytë e mi shkrihen ndër lot, sepse ngushëlluesi që do të mund të më jepte përsëri jetën është larg meje. Bijtë e mi janë të dëshpëruar, sepse armiku doli fitimtar".
17. Sioni zgjat duart e tij, por nuk ka njeri që ta ngushëllojë. Përsa i përket Jakobit, Zoti ka urdhëruar që ata që janë rreth tij të bëhen armiq të tij. Jeruzalemi është bërë në mes tyre si një gjë e papastër.
18. Zoti është i drejtë, sepse jam rebeluar kundër fjalës së tij. Dëgjoni, pra, o popuj mbarë, dhe shikoni dhimbjen time! Virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë shkuar në robëri.
19. Thirra dashnorët e mi, por ata më kanë mashtruar; priftërinjt e mi dhe pleqtë e mi nxorën frymën e fundit në qytet, ndërsa kërkonin ushqim për të shpëtuar jetën e tyre.
20. Shiko, o Zot, unë jam në ankth. Zorrët e mia dridhen, zemra ime është e tronditur brenda meje, sepse kam qënë rebele e madhe. Jashtë shpata më la pa bij, në shtëpi është si të jetë vdekje.
21. Më dëgjojnë që psherëtij, askush nuk më ngushëllon. Tërë armiqtë e mi e kanë mësuar fatkeqësinë time dhe janë të kënaqur që ti ke bërë këtë gjë. Ti do të sjellësh ditën që ke lajmëruar, dhe atëherë do të jenë si unë.
22. Le të vijë para teje tërë ligësia e tyre, dhe trajtoi ashtu si më ke trajtuar mua për shkak të të gjitha shkeljeve të mia. Sepse të shumta janë psherëtimat e mia dhe zemra ime lëngon.

Vajtimet 2:1-22
1. Si bëhet që në zemërimin e tij Zoti ka mbuluar me një re bijën e Sionit? Ai ka hedhur nga qielli në tokë lavdinë e Izraelit dhe nuk u kujtua për ndenjësen e këmbëve të tij ditën e zemërimit të tij.
2. Zoti i ka shkatërruar pa mëshirë të gjitha banesat e Jakobit; në zemërimin e tij ka shembur fortesat e bijës së Judës, i ka hedhur për tokë duke përdhosur mbretërinë dhe krerët e saj.
3. Me një zemërim të zjarrtë ka thyer tërë fuqinë e Izraelit, ka tërhequr të djathtën e tij përpara armikut, ka djegur në mes të Jakobit si një zjarr flakërues që gllabëron gjithçka rreth e qark.
4. Ka nderur harkun e tij si një armik, ka ngritur dorën e djathtë si një kundërshtar, ka shkatërruar të gjitha ato që ishin të këndshme për sytë në çadrën e bijës së Sionit, e ka derdhur zemërimin e tij si një zjarr.
5. Zoti u bë si një armik; përpiu Izraelin, përpiu tërë pallatet e tij, shkatërroi fortesat e tij, shumëfishoi të qarat dhe vajtimet tek e bija e Judës.
6. Shkatërroi tabernakullin e tij si një kopësht, prishi vendin ku mblidhet kuvendi; Zoti bëri të harrohen në Sion festat solemne dhe të shtunat dhe gjatë tërbimit e të zemërimit të tij hodhi poshtë mbretër dhe priftërinj.
7. Zoti braktisi altarin e tij, hodhi poshtë shenjtëroren e tij, dorëzoi në dorë të armikut muret e fortesave të tij; ata lartuan britma në shtëpinë e Zotit si në një ditë feste solemne.
8. Zoti vendosi të shkatërrojë muret e bijës së Sionit; vuri litarin, nuk ka hequr dorë nga shkatërrimi; ka bërë të vajtojnë fortesa dhe mure; që të dyja lëngojnë.
9. Portat e tij janë fundosur në dhe; ai ka prishur dhe ka copëtuar shufrat e tyre; mbreti i tij dhe krerët e tij ndodhen midis kombeve; nuk ka më ligj, dhe profetët e tij nuk marrin asnjë vegim nga Zoti.
10. Pleqtë e bijës së Sionit ulen për tokë në heshtje; kanë hedhur pluhur mbi kokën e tyre, kanë ngjeshur trupin me thes; virgjëreshat e Jeruzalemit ulin deri në tokë kokën e tyre.
11. Sytë e mi konsumohen nga të qarat, zorrët e mia drithërohen, mëlçia ime përhapet për tokë për shkak të shkatërrimit të bijës së popullit tim, për ligështimin e fëmijëve dhe të foshnjave në gji në sheshet e qytetit.
12. Ata u kërkonin nënave të tyre: "Ku është gruri dhe vera?", ndërsa po ligështoheshin si të plagosur për vdekje në sheshet e qytetit dhe jepnin shpirt në prehrin e nënave të tyre.
13. Si mund të të jap zemër? Në çfarë do të të ngjas, o bijë e Jeruzalemit? Çfarë gjë do të krahasoj me ty që të të ngushëlloj, o bijë e virgjër e Jeruzalemit? Sepse shkatërrimi yt është i madh si deti; kush mund të të shërojë?
14. Profetët e tu kanë pasur për ty vegime të rreme dhe të paarsyeshme; nuk kanë zbuluar lakuriq paudhësinë tënde që të largojnë robërinë prej teje; ata kanë shqiptuar për ty profeci të rreme dhe mashtruese.
15. Tërë kalimtarët i rrahin duart kundër teje; fërshëllejnë dhe tundin kokën kundër bijës së Jeruzalemit: "Ky qënka qyteti që e quanin "bukuri e përsosur", "gëzimi i tërë tokës"?".
16. Tërë armiqtë e tu hapin gojën kundër teje; fërshëllejnë dhe kërcëllijnë dhëmbët, dhe thonë: "E kemi gëlltitur! Po, kjo është dita që prisnim; arritëm ta shohim".
17. Zoti ka realizuar atë që kishte menduar; ka mbajtur fjalën që kishte dekretuar në ditët e lashta. Ka shkatërruar pa asnjë mëshirë, ka vepruar në mënyrë që armiku të gëzohet me ty, ka lavdëruar fuqinë e kundërshtarëve të tu.
18. Zemra e tyre i bërtet Zotit: "O mure të bijës së Sionit, bëni që të derdhen lotët si një përrua ditën e natën. Mos i jepni qetësi vetes, mos paçin çlodhje bebet e syve tuaj.
19. Çohuni, bërtisni natën, në fillim të çdo vigjiljeje. Derdhni si ujë zemrën tuaj përpara fytyrës së Zotit. Ngrini duart në drejtim të tij për jetën e fëmijëve tuaj, që mpaken nga uria në hyrje të të gjitha rrugëve".
20. "Shiko, o Zot, dhe shqyrto. Cilin ke trajtuar në këtë mënyrë? A duhet të hanin gratë frytin e barkut të tyre, fëmijët që përkëdhelnin? A duhet të vriteshin prifti dhe profeti në shenjtëroren e tij?
21. Të vegjëlit dhe pleqtë dergjen për tokë nëpër rrugë; virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë rënë nga shpata; ti i ke vrarë ditën e zëmërimit tënd, i ke masakruar pa mëshirë.
22. Ti ke mbledhur si për një ditë feste tmerret që më rrethojnë nga çdo anë. Në ditën e zemërimit të Zotit nuk pati as ikanak as të mbetur. Ata që kisha ushqyer me gji dhe që kisha rritur, i shfarosi armiku im".

Psalmet 119:137-144
137. Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta.
138. Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe.
139. Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.
140. Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.
141. Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.
142. Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.
143. Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im.
144. Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.

Fjalët e Urta 28:9-10
9. Në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme.
10. Kush i fut njerëzit e drejtë në një rrugë të keqe, do të bjerë vetë në gropën e tij; por njerëzit e ndershëm do të trashëgojnë të mirën.

Tit 3:1-15
1. të mos flasin keq për asnjeri, të jenë paqësorë dhe të butë, duke treguar mirësjellje të madhe kundrejt të gjithë njerëzve.
2. Sepse edhe ne dikur ishim të pamendë, rebelë, endacakë, robër të lakmive të ndryshme dhe të qejfeve, duke jetuar në ligësi dhe në smirë, të urryer dhe duke e urryer njeri tjetrin.
3. Po kur u shfaq mirësia e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe dashuria e tij për njerëzit,
4. ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë,
5. të cilën e derdhi me mbushëlli mbi ne, me anë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit tonë,
6. që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi.
7. Kjo fjalë është e sigurt, dhe dua që ti të pohosh me forcë këto gjëra, që ata që kanë besuar në Perëndinë të kujdesen për të kryer vepra të mira. Këto gjëra janë të mira dhe të dobishme për njerëzit.
8. Por ti shmangu nga diskutimet e ma-rra, nga gjenealogjitë, nga grindjet dhe debatet rreth ligjit, sepse janë të padobishme dhe të kota.
9. Shmangu nga njeriu sektar, mbasi ta kesh qortuar një herë e dy herë,
10. duke ditur se një i tillë është çoroditur dhe mëkaton, duke dënuar vetveten.
11. Kur të dërgoj Arteman ose Tikikun, bëj çmos për të ardhur tek unë në Nikopoli, sepse vendosa ta kaloj dimrin aty.
12. Përcilli me kujdes për udhëtim Zenën, juristin e ligjit, dhe Apolonin, që të mos u mungojë gjë.
13. Edhe le të mësojnë edhe tanët t'u kushtohen veprave të mira për nevojat e ngutshme, që të mos jenë të pafrytshëm.
14. Të gjithë ata që janë me mua të bejnë të fala. Përshëndeti ata që na duan në besim. Hiri qoftë me ju të gjithë. Amen.
15. Pali, i burgosuri i Jezu Krishtit, dhe vëlla Timoteu, Filemonit të dashur dhe bashkëpunëtorit tonë,