A A A A A

Bibla në një vit


Nëntor 27


Ezekieli 45:1-25
1. "Kur ta ndani me short vendin në trashëgimi, ju do të vini mënjanë, si ofertë për Zotin, një pjesë të shenjtë të vendit, të gjatë njëzet e pesëmijë kubitë dhe të gjërë dhjetëmijë; do të jetë e shenjtë në të gjithë shtrirjen e saj.
2. Nga ajo do të merrni për shenjtëroren një katror me përmasa pesëqind herë pesëqind kubitë, me një hapësirë të lirë rreth e qark prej pesëdhjetë kubitësh.
3. Në këtë shtrirje do të matësh një siperfaqe me një gjatësi prej njëzet e pesëmijë kubitë dhe një gjerësi prej dhjetëmijë kubitë; brenda asaj do të jetë shenjtërorja, vendi shumë i shenjtë.
4. Do të jetë pjesa e shenjtë e vendit e caktuar për priftërinjtë, ministrat e shenjtërores, që i afrohen Zotit për t'i shërbyer; do të jetë një vend për shtëpitë e tyre dhe një vend i shenjtë për shenjtëroren.
5. Një sipërfaqe e gjatë njëzet e pesëmijë kubitë dhe e gjerë dhjetëmijë kubitë do t'u përkasë Levitëve që kryejnë shërbime në tempull; ata do të kenë pronësinë e njëzet dhomave.
6. Si pronë të qytetit do të caktoni një sipërfaqe prej pesëmijë kubitësh të gjerë dhe njëzet e pesëmijë kubitësh të gjatë përbri pjesës së caktuar për shenjtërore; ajo do t'i përkasë tërë shtëpisë së Izraelit".
7. Princit përkundrazi do t'i jepet një sipërfaqe këtej dhe matanë pjesës së shenjtë dhe pronës së qytetit, përballë pjesës së shenjtë të ofruar dhe përballë pronës së qytetit, që shtrihet nga ana e perëndimit drejt perëndimit dhe nga ana lindore drejt lindjes, me një gjatësi të barabartë me njerën pjesë që u është dhënë fiseve, nga kufiri perëndimor në kufirin lindor.
8. Kjo pjesë e vendit do të jetë pronë e tij në Izrael; princat e mi nuk do ta shtypin më popullin tim, por do t'i japin kusurin e vendit shtëpisë së Izraelit sipas fiseve të tij".
9. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Mjaft më, o princa të Izraelit! Lini mënjanë dhunën dhe grabitjet, zbatoni ndershmërinë dhe drejtësinë, hiqni dorë nga të zhveshurit e popullit tim", thotë Zoti, Zoti.
10. "Kini kandare të sakta, efa të saktë dhe bato të saktë.
11. Efa dhe batoja do të kenë po atë kapacitet, dhe kështu batoja do të ketë të dhjetën pjesë të një homeri dhe efa të dhjetën pjesë të një homeri; kapaciteti i tyre do të rregullohet nga homeri.
12. Sikli do të jetë njëzet geresh; njëzet sikle, njëzetepesë sikle dhe pesëmbëdhjetë sikle do të jetë mina juaj.
13. Kjo është oferta që do të merrni: një të gjashtën e një efe nga një homer gruri, dhe një të gjashtën e një efe nga një homer elbi.
14. Kjo është norma e vajit (domethënë bato e vajit), dhe një e dhjeta e batos nga çdo kor; një kor është një homer ose dhjetë bate, sepse dhjetë bate bëjnë një homer.
15. Nga kopeja do të merret një dele për çdo dyqind krerë nga kullotat e të pasura të Izraelit, dhe kjo do të shërbejë për blatime të ushqimit, për olokaustet dhe për flijimet e falenderimit për të bërë shlyerjen për ato", thotë Zoti, Zoti.
16. "Tërë populli i vendit do të jetë i detyruar ta bëjë këtë ofertë për princin e Izraelit.
17. Përkundrazi do të jetë detyrë e princit të sigurojë olokaustet, blatimet e ushqimit dhe libacionet për festat, për hënat e reja, për të shtunat dhe për të gjitha solemnitetet e shtëpisë së Izraelit; ai do të sigurojë flijimin për mëkatin, blatimin e ushqimit, olokaustin dhe flijimet e falenderimit për të bërë shlyerjen për shtëpinë e Izraelit".
18. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Muajin e parë, ditën e parë të muajit, do të marrësh një dem të ri pa të meta dhe do të pastrosh shenjtëroren.
19. Prifti do të marrë pak gjak nga flijimi për mëkatin dhe do ta vërë mbi shtalkat e portës së shtëpisë, mbi katër qoshet e platformave të altarit dhe mbi shtalkat e portës së oborrit të brendshëm.
20. Do të veprosh në të njëjtën mënyrë ditën e shtatë të muajit për atë që ka mëkatuar për nga mosdija dhe për naivin; kështu do të kryeni shlyerjen për tempullin.
21. Muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit për ju do të jetë Pashkë, një festë shtatë ditëshe; do të hahet bukë pa maja.
22. Atë ditë princi do të ofrojë, për vete dhe për tërë popullin e vendit, një dem si flijim për mëkatin.
23. Në shtatë ditët e festës do t'i ofrojë si olokaust Zotit shtatë dema dhe shtatë deshë pa të meta, çdo ditë për shtatë ditë me radhë, dhe një kec në ditë si flijim për mëkatin.
24. Do të ofrojë gjithashtu një efa blatim ushqimor për çdo dem dhe një efa çdo dash, bashkë me një hin vaji për çdo efa.
25. Në muajin e shtatë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, në festë, ai do të ofrojë po ato gjëra për flijimin për mëkatin, për olokaustin për blatimin e ushqimit dhe për vajin".

Ezekieli 46:1-24
1. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Porta e oborrit të brendshëm që shikon nga lindja do të rrijë e mbyllur gjatë gjashtë ditëve të punës; por do të hapet ditën e shtunë dhe do të hapet gjithashtu ditën kur del hëna e re.
2. Princi do të hyjë nga hajati i portës nga jashtë dhe do të ndalet pranë shtalkës së portës; priftërinjtë do të ofrojnë olokaustin e tij dhe flijimet e tij të falenderimit. Ai do të adhurojë te pragu i portës pastaj do të dalë, por porta nuk do të mbyllet deri në mbrëmje.
3. Edhe populli i vendit do të adhurojë përpara Zotit te hyrja e asaj porte, në ditët e shtuna dhe kur del hëna e re.
4. Olokausti që princi do t'i ofrojë Zotit ditën e shtunë do të jetë prej gjashtë qengjash pa të meta dhe një dash pa të meta,
5. blatimi ushqimor për dashin do të jetë një efa, ndërsa blatimi ushqimor për qengjat do t'i lihet dëshirës së tij, bashkë me një hin vaji për efan.
6. Ditën e hënës së re do të ofrojë një dem të ri pa të meta, gjashtë qengja dhe një dash, që do të jenë pa të meta;
7. si blatim ushqimor do të ofrojë gjithashtu një efa për demin, një efa për dashin dhe për qengjat sa mund të disponojë, bashkë me një hin vaji për efan.
8. Princi, kur të hyjë, do të kalojë nga hajati i portës dhe do të dalë duke ndjekur po atë rrugë.
9. Por kur populli i vendit do të vijë përpara Zotit në festat solemne, ai që do të hyjë nga porta veriore për të adhuruar, do të dalë nga porta e jugut; përkundrazi ai që do të hyjë nga porta jugore do të dalë nga porta e veriut; askush nuk do të kthehet prapa nga porta prej së cilës ka hyrë, por do të dalë nga porta e kundërt.
10. Princi do të jetë atëherë në mes tyre; do të hyjë kur ata hyjnë, do të dalë kur ata dalin.
11. Në festat dhe në rastet solemne blatimi ushqimor do të jetë një efa për demin dhe një efa për dashin; për qengjat do të lihet sipas dëshirës së tij, bashkë me një hin vaji për efan.
12. Kur princi do të bëjë një ofertë vullnetare, qoftë olokaust ose flijim falenderimi, si ofertë vullnetare për Zotin, atëherë do t'i hapet porta që shikon nga lindja, dhe do të ofrojë olokaustin e tij dhe flijimin e tij të falenderimit siç bën ditën e shtunë; pastaj do të dalë dhe, sapo të dalë, porta do të mbyllet.
13. Çdo ditë do t'i ofrosh si olokaust Zotit një qengj motak, pa të meta; do ta ofrosh çdo mëngjes.
14. Çdo mëngjes do të ofrosh bashkë me të, si blatim i ushqimit, një të gjashten e një efe dhe një të tretën e një hini vaji për të lagështuar majën e miellit; është një blatim ushqimor për Zotin që duhet bërë rregullisht çdo ditë përjetë.
15. Çdo mëngjes do të ofrojnë kështu qengjin, blatimin e ushqimit dhe vajin si olokaust të përditshëm".
16. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Në qoftë se princi i bën njërit prej bijve të tij një dhuratë që është marrë nga trashëgimia e tij, ajo do t'u përkasë bijve të tij: do të jetë zotërimi i tyre në trashëgimi.
17. Por në qoftë se ai i bën njërit prej shërbëtorëve të tij një dhuratë që është marrë nga trashëgimia e tij, kjo do t'i përkasë atij deri vitin e lirisë; pastaj do t'i kthehet princit; trashëgimia e tij do t'u përkasë vetëm bijve të tij, vetëm atyre.
18. Përveç kësaj princi nuk do të marrë asgjë nga trashëgimia e popullit, duke e zhveshur nga pronësitë e tij; ai do t'u sigurojë një trashëgimi bijve të tij me atë që zotëron, me qëllim që asnjeri i popullit tim të mos dëbohet nga prona e tij".
19. Pastaj ai më çoi, nëpër hyrjen që ishte pranë portës, në dhomat e shenjta të caktuara për priftërinjtë, të cilat shikojnë nga veriu; dhe ja, në pjesën më të largët në drejtim të perëndimit kishte një vend.
20. Ai më tha: "Ky është vendi ku priftërinjtë do të pjekin mishin e flijimeve për shkeljen dhe për mëkatin dhe do të gatuajnë blatimet ushqimore, për të mos i nxjerrë në oborrin e jashtëm dhe kështu të shenjtërojnë popullin".
21. Pastaj më çoi në oborrin e jashtëm dhe më kaloi pranë katër qosheve të oborrit; dhe ja, në çdo qoshe të oborrit kishte një oborr tjetër.
22. Në të katër qoshet e oborrit kishte disa oborre të mbyllura të gjata dyzet kubitë dhe të gjera tridhjetë. Që të katra në qoshet e tyre kishin po atë madhësi.
23. Rreth e qark tyre kishte një mur dhe poshtë murit, rreth e rrotull tij, ishin vendosur vatra për të pjekur.
24. Ai më tha: "Këto janë kuzhinat ku ata që shërbejnë në tempull do të pjekin flijimet e popullit".

Psalmet 135:1-7
1. Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit,
2. që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë.
3. Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur.
4. Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë.
5. Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë.
6. Zoti bën ç'të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat.
7. Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij.

Fjalët e Urta 29:8-8
8. Tallësit kurdisin trazira në qytet, por njerëzit e urtë e qetësojnë zemërimin.

1 Pjetri 3:1-22
1. Stolia juaj të mos jetë e jashtme: gërshëtimi i flokëve, stolisja me ar ose veshja me rroba të bukura,
2. por njeriu i fshehur i zemrës, me pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë.
3. Sepse kështu stoliseshin dikur gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë, duke iu nënshtruar burrave të tyre,
4. ashtu si Sara, që i bindej Abrahamit duke e quajtur "zot"; bija të saj ju jeni, në qoftë se bëni mirë dhe nuk trembeni nga ndonjë frikë.
5. Ju burra, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e çmuar gruan si një enë më delikate dhe e nderoni sepse janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.
6. Dhe më në fund jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës,
7. pa e kthyer të keqen me të keqe ose fyerjen me fyerje, po, përkundrazi, bekoni, duke e ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekimin.
8. Sepse ''kush don ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gojën e tij nga e keqja dhe buzët e tij nga të folurit me mashtrim;
9. të largohet nga e keqja dhe të bëjë të mirën, të kërkojë paqen dhe të ndjekë atë,
10. sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë në lutjen e tyre; por fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të keqen''.
11. Dhe kush do t'ju bëjë keq, në qoftë se ju ndiqni të mirën?
12. Por, edhe sikur të vuani për drejtësinë, lum ju! ''Pra, mos kini asnjë druajtje prej tyre dhe mos u shqetësoni'',
13. madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t'u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje,
14. duke pasur ndërgjegje të mirë, që, kur t'ju padisin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin.
15. Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë, se sa duke bërë keq,
16. sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish, por u ngjall nga Fryma,
17. me anë të së cilës ai shkoi t'u predikojë frymërave që ishin në burg,
18. që dikur ishin rebelë, kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut, ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën, pak vetë, gjithsejt tetë, shpëtuan nëpërmjet ujit,
19. i cili është shëmbëllesa e pagëzimit (jo heqja e ndyrësisë së mishit, po kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë te Perëndia), që tani na shpëton edhe ne me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit,
20. i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtën e Perëndisë ku i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqie.
21. Sepse duke qenë se Krishti ka vuajtur për ne në mish, armatosuni edhe ju me të njëjtin mendim, sepse ai që ka vuajtur në mish pushoi së mëkatuari,
22. për të jetuar kohën që mbetet në mish jo më në pasionet e njerëzve, por sipas vullnetit të Perëndisë.