A A A A A

Bibla në një vit


Tetor 31


Jeremia 47:1-7
1. Fjala e Zotit që iu drejtua profetit Jeremia kundër Filistejve, para se Faraoni të sulmonte Gazën.
2. Kështu thotë Zoti: "Ja ujrat po ngrihen nga veriu, bëhen një përrua që del nga shtrati dhe përmbytin vendin dhe gjithçka përmban, qytetin dhe ata që banojnë në të; atëherë njerëzit do të bërtasin dhe tërë banorët e vendit, do të ulërijnë.
3. Në zhurmën e trokut të kuajve të fuqishëm, në rrapëllimën e qerreve të tyre, në poteren e rrotave të tyre, etërit nuk do të kthehen nga bijtë e tyre për shkak të dobësisë së duarve të tyre,
4. për shkak të ditës që vjen për të shkatërruar tërë Filistejtë, duke eleminuar nga Tiro dhe Sidoni çdo mbeturinë që mund të japë ndihmë, sepse Zoti do të shkatërrojë Filistejtë, mbeturinat e ishullit të Kaftorit.
5. Gaza u bë e shogët, Ashkeloni u shkatërrua. O banorë të luginës së tyre që mbetët gjallë, deri kur do të vazhdoni të bëni prerje?
6. O shpatë e Zotit, kur do të kesh prehje? Hyrë në myllin tënd, ndalu dhe rri e qetë!
7. Si mund të pushojë kur Zoti i ka dhënë urdhra kundër Ashkelonit dhe kundër bregut të detit?; ai e ka thirrur atje".

Jeremia 48:1-47
1. Kundër Moabit. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Mjerë Nebi, sepse u shkatërrua; Kiriathaimi është mbuluar nga turpi, është pushtuar; kështjella është mbuluar nga turpi dhe është e tronditur.
2. Lavdia e Moabit nuk është më; në Heshbon kurdisin të keqen kundër tij, duke thënë: "Ejani dhe ta shkatërrojmë, në mënyrë që të mos jetë më një komb". Edhe ti, o Madmen, do të shkatërrohesh, shpata do të të ndjekë.
3. Një zë që kërkon ndihmë do të dalë nga Horonaimi: shkatërrim dhe rrënim i thellë!
4. Maobi është copëtuar, të vegjlit e tij bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre.
5. Mbi të përpjetën e Luhithit po ngjiten duke qarë në hidhërim, ndërsa në tatëpjetën e Horonaimit dëgjohet zëri plot ankth i disfatës.
6. Ikni, shpëtoni jetën tuaj dhe bëhuni si një marinë në shkretëtirë!
7. Duke qënë se ke pasë besim në veprat e tua dhe në thesaret e tua, edhe ti do të kapesh; dhe Kemoshi do të shkojë në robëri bashkë me priftërinjtë dhe princat e tij.
8. Shkatërruesi do të vijë kundër të gjitha qyteteve, dhe asnjë qytet nuk do të shpëtojë; lugina do të zhduket dhe fusha do të shkatërrohet, ashtu si ka thënë Zoti.
9. I jepni krahë Moabit, që të mund të fluturojë tutje; qytetet e tij do të bëhen të shkreta dhe askush nuk do të banojë në to.
10. I mallkuar qoftë ai që kryen veprën e Zotit shkel e shko, i mallkuar qoftë ai që e pengon shpatën e tij të derdhë gjak!
11. Moabi ka qënë i qetë qysh në moshë të re, duke pushuar mbi llumin e tij, dhe nuk ka kaluar nga një enë në enën tjetër dhe as që ka shkuar në robëri; prandaj i ka mbetur shija e tij dhe parfumi i tij nuk ka pësuar ndryshime.
12. Prandaj ja, do vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat do t'i dërgoj disa njerëz që do t'i toçitin enët; do t'i zbrazin enët e tij dhe do t'i thyejnë anforat e tij.
13. Atëherë Moabit do t'i vijë turp nga Kemoshi, ashtu si shtëpia e Izraelit u turpërua nga Betheli, tek i cili kishte pasur besim.
14. Si mund të thoni: "Ne jemi burra të fortë dhe trima për betejën"?
15. Moabi është shkatërruar; qytetet e tij po nxjerrin tym dhe të rinjtë e tyre më të mirë zbresin në kasaphanë", thotë Mbreti emri i të cilit është Zoti i ushtrive.
16. Gjëma e Moabit është tashmë e afërt dhe kobi po i vjen me hapa të shpejtë.
17. Mbani zi për të, të gjithë ju që e rrethoni dhe të gjithë ju, që njihni emrin e tij, thoni: "Si u thye ai skeptër i fortë, ai bastun i mrekullushëm?".
18. O bijë që banon në Dibon, zbrit nga lavdia jote dhe ulu në tokën e zhuritur, sepse shkatërruesi i Moabit ka dalë kundër teje, ka shkatërruar kështjellat e tua.
19. O ti që banon në Aroer, ndalu gjatë rrugës dhe shiko; merr në pyetje ikanakun dhe atë që po ikën dhe pyet: "Çfarë ka ndodhur?".
20. Moabi është mbuluar me turp, sepse është i thyer; rënkoni dhe bërtisni, njoftoni mbi Arnonin që Moabi është shkatërruar!
21. Një ndëshkim erdhi mbi krahinën e fushës, mbi Holon, mbi Jahatsin dhe mbi Mefaathin,
22. mbi Dibonin, Nebon dhe mbi Beth-Diblathaimin,
23. mbi Kiriathaimin, Beth-Gamulin dhe Beth-Meon,
24. mbi Keriothin, Botsrahun dhe mbi tërë qytetet e vendit të Moabit, të largëta dhe të afërta.
25. Briri i Moabit është prerë dhe krahu i tij është copëtuar", thotë Zoti.
26. "Deheni, sepse është ngritur kundër Zotit. Moabi do të vërtitet në të vjellat e tij dhe do të bëhet edhe ai objekt talljeje.
27. Izraeli vallë nuk ka qënë për ty një objekt talljeje? Mos u gjet vallë midis hajdutëve, sepse sa herë që ti flet për të ti po tund kokën?
28. Braktisni qytetet dhe shkoni të banoni në shkëmb, o banorë të Moabit, dhe bëhuni si pëllumbesha që bën folenë e saj në faqet e një gremine.
29. Kemi dëgjuar krenarinë e Moabit, jashtëzakonisht krenar, fodullëkun e tij, kryeneçësinë e tij, arrogancën e tij dhe mendjemadhësinë e zemrës së tij.
30. Unë e njoh tërbimin e tij", thotë Zoti, "që nuk ka përmbajtje, të mburrurit e tij që nuk ka përfunduar në asgjë.
31. Prandaj unë po ngre një vajtim mbi Moabin dhe do të lëshoj britma nëpër të gjithë Moabin; do të vajtohet për burrat e Kir-Heresit.
32. O vreshtë e Sibmahut, unë qaj për ty ashtu si qahet për Jazerin; shermendet e tua kanë arritur matanë detit, arrinin deri në detin e Jazerit. Shkatërruesi i tij është sulur mbi frytet e tua verore dhe mbi rrushin që do vilej.
33. Gëzimi dhe hareja janë zhdukur nga fusha pjellore dhe nga vendi i Moabit; bëra që të zhduket vera nga butet, askush nuk e shtrydh më rrushin me britma gëzimi, britmat e tyre nuk janë më britma gëzimi.
34. Për shkak të britmës së Heshbonit zëri i tyre u dëgjua deri në Elealeh dhe në Jehats, nga Tsoari deri në Horonaim, ashtu si një lopë trevjeçare; ujrat e Nimrimit madje janë bërë një shkreti.
35. Unë do të fik në Moab", thotë Zoti, "atë që ofron flijime mbi vendet e larta dhe atë që u djeg temjan perëndive të tij.
36. Prandaj zemra ime për Moabin do të qajë si fyejt, zemra ime do të qajë si fyejt për burrat e Kir-Heresit, sepse pasuria që kanë fituar ka humbur.
37. Sepse çdo kokë do të rruhet, çdo mjekër do të pritet, mbi të gjitha duart do të ketë të prera dhe mbi ijët do të jetë thesi.
38. Mbi të gjitha çatitë e Moabit dhe në sheshet e tij s'ka veçse vajtim, sepse unë e kam bërë copë-copë Moabin, si një enë që nuk ka më vlerë", thotë Zoti.
39. "Do të vajtojnë duke thënë: "Si u thye! Si ka kthyer Moabi paturpësisht kurrizin! Si është bërë Moabi tallja dhe frika e atyre që i rinë rrotull"".
40. Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, ai do të nisë fluturimin si një shqiponjë dhe do t'i hapë krahët e tij në drejtim të Moabit.
41. Keriothi u pushtua, fortesat janë zënë dhe zemra e trimave të Moabit në atë ditë do të jetë si zemra e një gruaje në dhembjet e lindjes.
42. Moabi do të shkatërrohet, nuk do të jetë më popull, sepse është ngritur kundër Zotit.
43. Frika, gropa, laku të kërcënojnë, o banor i Moabit" thotë Zoti.
44. "Kush ikën përpara frikës do të bjerë në gropë dhe kush del nga gropa do të kapet në lak, sepse unë do të sjell mbi të, mbi Moabin vitin e ndëshkimit të tij" thotë Zoti.
45. "Në hijen e Heshbonit ndalen, të kapitur, ikanakët, por një zjarr del nga Heshboni dhe një flakë nga mesi i Sihonit, që përpin anët e Moabit dhe pjesën e sipërme të kokës së njerëzve kryengritës.
46. Mjerë ti, O Moab! Populli i Kemoshit është i humbur sepse bijtë e tu janë çuar në robëri dhe bijat e tua në mërgim.
47. Por unë do të kthej Moabin nga robëria gjatë ditëve të fundit, thotë Zoti". Deri këtu gjykim mbi Moabin.

Psalmet 119:113-120
113. Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd.
114. Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde.
115. Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim.
116. Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time.
117. Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t'i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi.
118. Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër.
119. Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua.
120. Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua.

Fjalët e Urta 28:5-5
5. Njerëzit e këqij nuk e kuptojnë drejtësinë, por ata që e kërkojnë Zotin kuptojnë çdo gjë.

2 Timoteut 4:1-22
1. prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë.
2. Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët
3. dhe do t'i largojnë veshët nga e vërteta e do t'i sjellin drejt përrallave.
4. Por ti rri syçelë në çdo gjë, duro vuajtjet, kryeje punën e ungjilltarit, përmbushe plotësisht shërbesën tënde.
5. Sa për mua, po derdhem si ofertë pije, dhe koha e nisjes sime arriti.
6. Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.
7. Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij.
8. Përpiqu të vish shpejt tek unë,
9. sepse Dema më la, sepse deshi këtë botë, dhe iku në Thesaloniki; Kreshenci në Galati, Titi në Dalmaci.
10. Me mua është vetëm Lluka; merre Markun dhe sille me vete, sepse e kam shumë të dobishëm për shërbesë.
11. Tikikun e dërgova në Efes.
12. Kur të vish, sill mantelin që lashë në Troadë, pranë Karpit, dhe librat, sidomos pergamenat.
13. Aleksandri, remtari, më bëri shumë të këqija; Zoti ia shpagoftë sipas veprave të tij.
14. Ruaju edhe ti prej tij, sepse ka qenë kundërshtar i madh i fjalëve tona.
15. Në mbrojtjen time të parë në gjyq askush nuk qe me mua, por të gjithë më lanë; kjo të mos u numërohet për faj.
16. Por Zoti më ndenji pranë dhe më dha fuqi, që me anën time predikimi i ungjillit të kryhej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë johebrenjtë; dhe unë shpëtova nga goja e luanit.
17. Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në shekuj të shekujve. Amen.
18. Të fala Prishilës dhe Akuilës dhe shtëpisë së Onesiforit.
19. Erasti mbeti në Korint, por Trofimin e lashë të sëmurë në Milet.
20. Përpiqu të vish përpara dimrit. Të përshëndetin Eubuli, Pudenti, Lini, Klaudja dhe të gjithë vëllezërit.
21. Zoti Jezu Krisht qoftë me frymën tënde! Hiri qoftë me ju! Amen.
22. Pali, shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, sipas besimit të të zgjedhurve të Perëndisë dhe njohjes të së vërtetës që është sipas perëndishmërisë,