A A A A A

Bibla në një vit


Tetor 29


Jeremia 43:1-13
1. Ndodhi që kur Jeremia mbaroi së njoftuari tërë popullit të gjitha fjalët e Zotit, Perëndisë të tyre, tërë fjalët që Zoti, Perëndia i tyre, u kishte dërguar atyre,
2. Azaria, bir i Hoshajahut dhe Johanani, bir i Kareahut, dhe tërë njerëzit krenarë i thanë Jeremias: "Ti flet të pavërteta; Zoti, Perëndia ynë, nuk të ka dërguar të thuash: "Mos shkoni në Egjipt për të banuar atje",
3. por Baruku, bir i Neriahut, të nxit kundër nesh që të na japë në dorë të Kaldeasve, që ne të vdesim ose të na çojnë në robëri në Babiloni".
4. Kështu Johanani, bir i Kareahut, tërë krerët e forcave dhe tërë populli nuk iu bindën urdhrit të Zotit që të qëndronin në vendin e Judës.
5. Por Johanani, bir i Kareahut, dhe të gjithë krerët e forcave morën tërë të mbeturit e Judës që ishin kthyer nga të gjitha kombet ku ishin shpërndarë, për të banuar në vendin e Judës:
6. burrat, gratë, fëmijët, vajzat e mbretit dhe të gjithë personat që Nebuzaradani, komandanti i rojeve, kishte lënë bashkë me Gedaliahun, birin e Ahikamit, bir i Shafanit, bashkë me profetin Jeremia dhe me Barukun, birin e Neriahut,
7. dhe shkuan në vendin e Egjiptit, sepse nuk iu bindën zërit të Zotit, dhe arritën deri në Tahpanhes.
8. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias në Tahpanhes, duke thënë:
9. "Merr në duart e tua gurë të mëdhenj dhe fshihi në argjilën e furrës së tullave që ndodhet në hyrje të shtëpisë së Faraonit në Tahpanhes, në sytë të njerëzve të Judës.
10. Pastaj do t'u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë do të dërgoj të marr Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, shërbëtorin tim, dhe do të vendos fronin e tij mbi këta gurë që kam fshehur, dhe ai do të shtrijë shatorren e tij mbretërore mbi to.
11. Ai do të vijë dhe do të godasë vendin e Egjiptit, dhe do të çojë në vdekje ata që janë caktuar të vdesin, në robëri ata që janë caktuar të jenë robër dhe në shpatë ata që janë caktuar për shpatë.
12. Unë do t'u vë zjarrin tempujve të perëndive të Egjiptit; ai do t'i djegë dhe do t'i çojë në robëri dhe do të mbështillet me vendin e Egjiptit ashtu siç mbështillet bariu në veshjen e tij; pastaj do të niset që andej në paqe.
13. Do të copëtojë gjithashtu shtyllat e shenjta të tempullit të diellit, që ndodhen në vendin e Egjiptit, dhe do t'u vërë flakën tempujve të perëndive të Egjiptit".

Jeremia 44:1-30
1. Fjala që iu drejtua Jeremias lidhur me gjithë Judejtë që banonin në vendin e Egjiptit, që banonin në Migdol, në Tahpanhes, në Nof dhe në vendin e Pathrosit, duke thënë:
2. "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ju keni parë gjithë të keqen që i solla Jeruzalemit dhe tërë qyteteve të Judës; ja, sot janë një shkreti dhe askush nuk banon në to,
3. për shkak të ligësisë që kanë kryer duke provokuar zemërimin tim, duke shkuar të djegin temjan dhe t'u shërbejnë perëndive të tjera, që as ata as etërit tuaj nuk kishin njohur kurrë.
4. Megjithatë unë ju kam dërguar tërë shërbëtorët e mi, profetët, me urgjencë e këmbëngulje për t'ju thënë: "Oh, mos e bëni këtë gjë të neveritshme që unë e urrej".
5. Por ata nuk dëgjuan as i vunë veshin që të tërhiqen nga ligësia e tyre, dhe të heqin dorë nga djegia e temjanit perëndive të tjera.
6. Prandaj tërbimi im, zemërimi im u derdhën dhe u përhapën në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jeruzalemit, që janë bërë të shkreta dhe të braktisura, ashtu siç janë edhe sot".
7. Por tani kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Pse kryeni këtë të keqe të madhe kundër vetes suaj, duke shkaktuar shfarosjen tuaj në mes të Judës, burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja, kështu që të mos ngelet prej jush asnjë mbetje?
8. Pse provokoni zemërimin tim me veprën e duarve tuaja, duke u djegur temjan perëndive të tjera në vendin e Egjiptit ku keni ardhur të banoni? Kështu do të shfaroseni dhe do të bëheni një mallkim dhe një turp për të gjitha kombet e dheut.
9. A keni harruar vallë ligësitë e etërve tuaj, ligësitë e mbretërve të Judës, ligësitë e bashkëshorteve të tyre, ligësitë tuaja dhe ligësitë e kryera nga bashkëshortet tuaja në vendin e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit?
10. Deri më sot nuk janë penduar, as kanë patur frikë, as kanë ecur sipas ligjit tim dhe statuteve të mia, që unë kam vënë para jush dhe etërve tuaj".
11. Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë e kthej fytyrën time kundër jush për të keqen tuaj dhe për të shkatërruar tërë Judën.
12. Do të marr pjesën që ka mbetur nga Juda që nguli këmbë të vinte në vendin e Egjiptit për të banuar atje; ata do të konsumohen të gjithë dhe do të bien në vendin e Egjiptit. Do të konsumohen nga shpata dhe nga uria, nga më i vogli deri tek më i madhi; do të vdesin nga shpata dhe nga uria dhe do të bëhen objekt nëme, habije, mallkimi dhe turpi.
13. Do të dënoj ata që banojnë në vendin e Egjiptit, ashtu si dënova Jeruzalemin me shpatën, me urinë dhe me murtajën.
14. Nuk do të shpëtojë as do të shmanget nga rreziku askush nga mbetje e Judës, që ka ardhur për të banuar në vendin e Egjiptit, për t'u kthyer pastaj në vendin e Judës, ku ata dëshirojnë fort të kthehen për të banuar, por ata nuk do të kthehen me përjashtim të disa të shpëtuarve".
15. Atëherë tërë burrat që dinin se bashkëshortet e tyre u digjnin temjan perëndive të tjera dhe tërë gratë e pranishme, një turmë e madhe, dhe tërë populli që banonte në vendin e Egjiptit, në Pathros, iu përgjigjën Jeremias, duke thënë:
16. "Sa për fjalën që na ke thënë në emër të Zotit, nuk do të të dëgjojmë,
17. por kemi ndërmend të bëjmë ato që kanë dalë nga goja jonë, duke i djegur temjan Mbretëreshës së qiellit dhe duke derdhur libacione siç kemi bërë ne dhe etërit tanë, mbretërit tanë dhe princat tanë në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit, sepse atëherë kishim bukë me shumicë, ishim mirë dhe nuk shikonim asnjë fatkeqësi.
18. Por që kur nuk djegim më temjan për Mbretëreshën e qiellit nuk derdhim më libacione për të, na mungon çdo gjë dhe jemi konsumuar nga shpata dhe uria".
19. Gratë shtuan: "Kur djegim temjan për Mbetëreshën e qiellit dhe i derdhim libacione, vallë është pa pëlqimin e burrave që i përgatisim ëmbëlsira me fytyrën e saj dhe i derdhim libacione?".
20. Atëherë Jeremia i foli tërë popullit, burrave, grave dhe gjithë njerëzve që i ishin përgjigjur në atë mënyrë dhe tha:
21. "A nuk u kujtua vallë Zoti dhe nuk i erdhi ndër mend temjani që keni djegur në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit ju, etërit tuaj, mbretërit tuaj, princat tuaj dhe populli i vendit?
22. Zoti nuk mundi ta durojë më për shkak të ligësisë së veprimeve tuaja dhe të gjërave të neveritshme që keni kryer. Prandaj vendi juaj është shkretuar, është bërë një objekt habie, një mallkim dhe s'ka asnjë banor, siç është akoma sot.
23. Sepse ju keni djegur temjan dhe sepse keni mëkatuar kundër Zotit dhe nuk keni dëgjuar zërin e Zotit dhe nuk keni ecur sipas ligjit të tij, statuteve të tij dhe porosive të tij, prandaj ju ra kjo fatkeqësi, siç shihet sot".
24. Pastaj Jeremia i tha tërë popullit dhe tërë grave: "Dëgjoni fjalën e Zotit, o ju të gjithë nga Juda, që ndodheni në vendin e Egjiptit.
25. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ju dhe bashkëshortet tuaja e keni thënë me gojën tuaj dhe e keni kryer me duart tuaja, duke thënë: "Ne duam të mbajmë betimet që kemi bërë, duke djegur temjan për Mbretëreshën e qiellit dhe duke i derdhur libacione". Po, ju me siguri do të mbani betimet tuaja dhe do ti përmbushni betimet tuaja.
26. Prandaj dëgjoni fjalën e Zotit, o ju të gjithë nga Juda që banoni në vendin e Egjiptit: Ja, unë jam betuar për emrin tim të madh, thotë Zoti, që në të gjithë vendin e Egjiptit emri im nuk do të përmendet nga goja e asnjë personi nga Juda që të thotë: "Zoti, Zoti rron!".
27. Ja, unë i kam kujdes ata për të keqen e tyre dhe jo për të mirën e tyre; dhe tërë njerëzit e Judës që ndodhen në vendin e Egjiptit do të vdesin nga shpata dhe nga uria, deri në shkatërrimin e plotë të tyre.
28. Megjithatë një numër i vogël të shpëtuarish nga shpata do të kthehet nga vendi i Egjiptit në vendin e Judës. Kështu gjithë ata që kanë mbetur nga Juda, që kanë ardhur në vendin e Egjiptit për të banuar, do të mësojnë cila fjalë do të plotësohet, imja apo ajo e tyre.
29. Dhe kjo do të jetë për ju shenja, thotë Zoti, që unë do t'ju ndëshkoj në këtë vend në mënyrë që të dini që fjalët e mia kundër jush do të plotësohen me të vërtetë për fatin tuaj të keq". Kështu thotë Zoti:
30. "Ja, unë do ta jap Faraonin Hofra, mbretin e Egjiptit, në dorë të armiqve të tij, në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tij, ashtu siç e dhashë Sedekian, mbretin e Judës, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, që kërkonte jetën e tij".

Psalmet 119:97-104
97. Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.
98. Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.
99. Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.
100. Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.
101. Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.
102. Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.
103. Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.
104. Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.

Fjalët e Urta 28:3-3
3. Një i varfër që shtyp të mjerët është si një shi me shtamba që nuk jep bukë.

2 Timoteut 2:1-26
1. dhe ato që dëgjove nga unë përpara shumë dëshmitarëve, jepua njerëzve besnikë, që do të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerë.
2. Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit.
3. Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punërat e jetës, që t'i pëlqejë atij që e mori ushtar.
4. Po ashtu, nëse dikush merr pjesë në gara, nuk kurorëzohet po të mos ketë luftuar sipas rregullave.
5. Bujku që mundohet duhet ta marrë i pari pjesën e fryteve.
6. Mendo për ato që të them, sepse Zoti do të të japë mend për të gjitha.
7. Kujto që Jezu Krishti, nga fisi i Davidit, u ngjall së vdekuri sipas ungjillit tim,
8. për të cilin unë po vuaj deri edhe në pranga posi keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga.
9. Prandaj unë i duroj të gjitha për shkak të të zgjedhurve, që ata të kenë shpëtimin që është në Krishtin Jezus, bashkë me lavdi të përjetshme.
10. Kjo fjalë është e vërtetë, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë;
11. në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të; po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë.
12. Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.
13. Ua kujto atyre këto gjëra, duke u përbetuar përpara Zotit të mos hahen kot me fjalë pa asnjë dobi, në dëm të atyre që dëgjojnë.
14. Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës.
15. Shmangu nga fjalët e kota dhe profane, sepse do të çojnë në pabesi,
16. dhe fjala e tyre do të brejë si një gangrenë; ndër këta janë Himeneu dhe Fileti,
17. të cilët dolën jashtë rrugës së të vërtetës, duke thënë se ringjallja ka ngjarë dhe përmbysin besimin e disave.
18. Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: "Zoti i njeh të vetët", dhe: "Le t'i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit".
19. Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari dhe argjendi, por edhe prej druri dhe balte; disa për të nderuar; të tjerat për të mos nderuar.
20. Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë.
21. Largohu nga pasionet rinore dhe bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër.
22. Shmang gjithashtu diskutimet e marra dhe pa mend, duke ditur se shkaktojnë grindje.
23. Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm,
24. duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën,
25. dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij.
26. Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira,