A A A A A

Bibla në një vit


Janar 9


Gjenezë 17:1-27
1. Kur Abrami u bë nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Zoti i doli përpara dhe i tha: "Unë jam Perëndia i plotfuqishëm; ec në praninë time dhe qëndro i ndershëm;
2. dhe unë do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje dhe do të të shumoj fort".
3. Atëherë Abrami përuli fytyrën në tokë dhe Perëndia i foli, duke i thënë:
4. "Sa për mua, ja unë po bëj një besëlidhje me ty; ti do të bëhesh babai i një shumice kombesh.
5. Dhe nuk do të quhesh më Abram, por emri yt do të jetë Abraham, sepse unë të bëj babanë e një shumice kombesh.
6. Do të të bëj shumë frytdhënës. Pastaj do të bëj prej teje kombe dhe prej teje kanë për të dalë mbretër.
7. Dhe do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje, si dhe me pasardhësit e tu, nga një brez në një brez tjetër; kjo do të jetë një besëlidhje e përjetshme, me të cilën unë do të marr përsipër
8. Dhe ty dhe pasardhësve të tu pas teje, do t'u jap vendin ku ti banon si një i huaj: tërë vendin e Kanaanëve, në pronësi për gjithnjë; dhe do jem Perëndia i tyre".
9. Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Nga ana jote, ti do ta respektosh besëlidhjen time, ti dhe pasardhësit e tu, nga një brez në tjetrin.
10. Kjo është besëlidhja ime që ju do të respektoni midis meje edhe jush, si dhe pasardhësve të tu pas teje: çdo mashkull që ndodhet midis jush do të rrethpritet.
11. Dhe do të rrethpriteni në mishin e prepucit tuaj; dhe kjo do të jetë një shenjë e besëlidhjes midis meje dhe jush.
12. Në moshën tetë ditësh, çdo mashkull i juaj do të rrethpritet, dhe kjo nga një brez në tjetrin, qoftë ai i lindur në shtëpi, qoftë ai i blerë me para nga çdo i huaj që nuk është një pasardhës i yt.
13. Do të rrethpritet si ai që ka lindur në shtëpinë tënde, ashtu edhe ai që është blerë me para; besëlidhja ime në mishin tuaj do të jetë një besëlidhje e përjetshme.
14. Dhe mashkulli i parrethprerë, që nuk është rrethprerë në mishin e prepucit të tij, do të hidhet jashtë popullit të tij, sepse ka shkelur besëlidhjen time".
15. Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Përsa i përket Sarajt, gruas sate, mos e quaj më Saraj, por emri i saj do të jetë Sara.
16. Dhe unë do ta bekoj dhe do të bëj që ajo të të japë edhe një bir; po, unë do ta bekoj dhe prej saj do të lindin kombe; mbretër popujsh do të dalin prej saj".
17. Atëherë Abrahami u shtri me fytyrën ndaj tokës dhe qeshi; dhe tha në zemër të tij: "A do të lindë vallë një fëmijë nga një njeri njëqindvjeçar? Dhe do të lindë Sara që është nëntëdhjetë vjeç?".
18. Pastaj Abrahami i tha Perëndisë: "Vaj medet, që Ismaeli të mund të jetojë para teje!".
19. Por Perëndia u përgjegj: "Jo, por Sara gruaja jote do të lindë një bir, dhe ti do ta quash Isak; dhe unë do të caktoj besëlidhjen time me të, një besëlidhje të përjetshme me pasardhësit e tij.
20. Sa për Ismaelin, unë ta kam plotësuar dëshirën. Ja unë do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shumoj fort. Ai do të bëhet babai i dymbëdhjetë princërve, dhe unë do të bëj prej tij një komb të madh.
21. Por besëlidhjen time do ta përfundoj me Isakun që Sara do të lindë në këtë kohë, vitin e ardhshëm".
22. Kur mbaroi së foluri me të, Perëndia e la Abrahamin duke u ngritur lart.
23. Atëherë Abrahami mori Ismaelin, djalin e tij, të gjithë ata që kishin lindur në shtëpinë e tij dhe tërë ata që kishte blerë me paratë e veta, tërë meshkujt e shtëpisë së Abrahamit dhe, po atë ditë,
24. Por Abrahami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç kur u rrethpre në mishin e prepucit të tij.
25. Dhe Ismaeli, biri i tij, ishte trembëdhjetë vjeç kur u rrethpre në mishin e prepucit të tij.
26. Po atë ditë u rrethprenë Abrahami dhe Ismaeli, biri i tij.
27. Dhe tërë njerëzit e shtëpisë së tij, qoftë ata të lindur në shtëpi, qoftë ata të blerë me para nga të huajt, u rrethprenë bashkë me të.

Gjenezë 18:1-33
1. Zoti iu shfaq Abrahamit në lisat e Mamreut, ndërsa ai ishte ulur në hyrje të çadrës në zheg të ditës.
2. Abrahami ngriti sytë dhe tre burra rrinin më këmbë pranë tij. Sa i pa, vrapoi në drejtim të tyre nga hyrja e çadrës, u përkul deri në tokë e pastaj tha:
3. "Zoti im, në rast se kam gjetur hir para teje, të lutem mos kalo pa u ndalur para shërbëtorit tënd!
4. Oh, lini që të sjellin pak ujë që të mund të lani këmbët tuaja, dhe çlodhuni nën këtë pemë.
5. Unë do të shkoj të marr një copë bukë, kështu do të mund të merrni zemër, pastaj të vazhdoni rrugën, sepse për këtë keni kaluar nga shërbyesi juaj". Ata i thanë: "Bëj siç ke thënë".
6. Atëherë Abrahami shkoi me ngut në çadër, te Sara, dhe i tha: "Merr shpejt tri masa majë mielli, gatuaj brumin dhe bëj me to kuleç".
7. Pastaj Abrahami shkoi në kopenë e bagëtive, zgjodhi një viç të njomë dhe të mirë, ia dha një shërbyesi dhe nxitoi ta përgatisë.
8. Mori pastaj gjizë, qumësht dhe viçin që kishte përgatitur dhe i vuri para tyre; ndërsa ata hanin, ai qëndroi më këmbë pranë tyre poshtë pemës.
9. Pastaj ata i thanë atij: "Ku është Sara, gruaja jote?". Abrahami u përgjegj: "Éshtë atje në çadër".
10. Dhe ai tha: "Do të kthehem me siguri vitin e ardhshëm te ti në po këtë kohë; dhe ja Sara, gruaja jote, do të ketë një djalë". Dhe Sara dëgjonte në hyrje të çadrës, që ishte prapa tij.
11. Por Abrahami dhe Sara ishin pleq, në moshë të kaluar, dhe Sara nuk kishte më të përmuajshmet e grave.
12. Prandaj Sara qeshi me veten e saj, duke thënë: "Plakë si jam, a do të kem unë gëzime të tilla, me qënë se vetë zoti im është plak?".
13. Dhe Zoti i tha Abrahamit: "Pse qeshi vallë Sara duke thënë: "A do të lind unë përnjëmend, plakë siç jam?".
14. A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin? Në kohën e caktuar, brenda një viti, do të kthehem te ti, dhe Sara do të ketë një bir".
15. Atëherë Sara mohoi, duke thënë: "Nuk qesha", sepse pati frikë. Por ai i tha: "Përkundrazi, ke qeshur!".
16. Pastaj ata njerëz u ngritën së andejmi dhe kthyen shikimin e tyre në drejtim të Sodomës; dhe Abrahami ecte bashkë me ta për tu ndarë prej tyre.
17. Dhe Zoti tha: "A do t'ia fsheh unë Abrahamit atë që kam për të bërë,
18. mbasi Abrahami duhet të bëhet një komb i madh dhe i fuqishëm dhe tek ai do të bekohen tërë kombet e tokës?.
19. Unë në fakt e kam zgjedhur, me qëllim që të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij të ndjekin pas tij rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë, në mënyrë që Zoti të mund të plotësojë premtimet që i ka dhënë Abrahamit".
20. Dhe Zoti tha: "Me qenë se britma që ngrihet nga Sodoma dhe Gomora është e madhe dhe me qenë se mëkati i tyre është shumë i rëndë,
21. unë do të zbres për të parë nëse kanë bërë me të vërtetë simbas britmës që ka arritur tek unë, në rast të kundërt, do ta mësoj".
22. Pastaj këta njerëz u larguan së andejmi dhe shkuan në drejtim të Sodomës, por Abrahami mbeti ende para Zotit.
23. Atëherë Abrahami iu afrua dhe i tha: "Do të zhdukësh të drejtin së bashku me të paudhin?
24. Le ta zëmë se ka pesëdhjetë të drejtë në qytet, ti do ta shkatërroje vendin dhe nuk do t'i falje për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë në mes të saj?
25. Mos e bëj këtë gjë, të shkaktosh vdekjen e të drejtit bashkë me atë të të paudhit, kështu që i drejti të trajtohet si i paudhi. Larg teje një mendim i tillë! Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?".
26. Zoti tha: "Në rast se gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, unë do ta fal tërë vendin për hir të tyre".
27. Atëherë Abrahami rifilloi dhe tha: "Ja, marr guximin t'i flas Zotit, megjithëse unë nuk jam veçse pluhur dhe hi.
28. Ta zëmë se atyre pesëdhjetë të drejtëve u mungojnë pesë, a do ta shkatërroje tërë qytetin për pesë veta më pak?". Zoti u përgjigj: "Po të gjej dyzet e pesë, nuk do ta shkatërroj".
29. Abrahami vazhdoi t'i flasë dhe tha: "Ta zëmë se në qytet ndodhen dyzet?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj për hir të dyzetëve".
30. Atëherë Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti, dhe unë do të flas. Po sikur në qytet të ketë tridhjetë prej tyre?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj, po të gjej tridhjetë".
31. Dhe Abrahami i tha: "Ja, marr guximin t'i flas Zotit. Ta zëmë se në qytet gjenden njëzet?". Zoti iu përgjigj: "Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve".
32. Dhe Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti dhe unë do të flas edhe vetëm këtë herë. Sikur në qytet të ketë dhjetë prej tyre?". Zoti u përgjegj: "Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëve".
33. Sa mbaroi së foluri me Abrahamin, Zoti u largua. Dhe Abrahami u kthye në banesën e tij.

Psalmet 5:8-12
8. O Zot, më udhëhiq për drejtësinë tënde, për shkak të armiqve të mi; bëje të drejtë para meje rrugën tënde,
9. sepse në gojën e tyre nuk ka asnjë drejtësi; zemra e tyre nuk mendon gjë tjetër veç shkatërrimit; gryka e tyre është një varr i hapur; me gjuhën e tyre bëjnë lajka.
10. Dënoji ata, o Perëndi; mos u realizofshin synimet e tyre; përsëri për të këqijat e shumta që kanë kryer sepse kanë ngritur krye kundër teje.
11. Por le të gëzohen tërë ata që kanë strehë te ti, le të nxjerrin klithma gëzimi përjetë, sepse ti i mbron; le të ngazëllohen ata që duan emrin tënd,
12. sepse ti, o Zot, do të bekosh të drejtin; do ta rrethosh me hirin tënd si me mburojë.

Fjalët e Urta 2:10-22
10. Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd,
11. të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë,
12. për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija,
13. nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ,
14. që gëzohen kur bëjnë të keqen dhe ndjejnë kënaqësi në çoroditjet e njeriut të keq,
15. shtigjet e të cilit janë të shtrembëra dhe rrugët dredha-dredha,
16. për të të shpëtuar nga gruaja që ka shkelur kurorën, nga gruaja e huaj që përdor fjalë mikluese,
17. që ka braktisur shokun e rinisë së saj dhe ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë.
18. Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve.
19. Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës.
20. Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve.
21. Sepse njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty;
22. por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.

Mateu 7:1-29
1. ''Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.
2. Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t'ju masin të tjerët.
3. Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?
4. Ose, si mund t'i thuash vëllait tënd: "Dale të të heq lëmishten nga syri", kur ke një tra në syrin tënd?
5. O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.
6. Mos u jepni qenve ç'është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t'ju shqyejnë.
7. Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju çelet.
8. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t'i çelet atij që troket.
9. A ka midis jush ndonjë njeri që, po t'i kërkojë i biri bukë, t'i japë një gur?
10. Ose po t'i kërkojë një peshk, t'i japë një gjarpër?
11. Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t'u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t'u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.
12. Gjithçka, pra, që ju dëshironi t'ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët.
13. Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të.
14. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!
15. Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.
16. Ju do t'i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat?
17. Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija.
18. Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira.
19. Çdo dru që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr.
20. Ju, pra, do t'i njihni profetët nga frytet e tyre.
21. Jo çdo njeri që më thotë: "Zot, Zot" do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.
22. Shumë do të më thonë atë ditë: "O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?".
23. Dhe atëherë unë do t'u sqaroj atyre: "Unë s'ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi".
24. Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb.
25. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.
26. Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë.
27. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh''.
28. Tani kur Jezusi i mbaroi këto fjalë, turmat mbetën të habitura nga doktrina e tij,
29. sepse ai i mësonte, si një që ka autoritet dhe jo si skribët.