A A A A A

Piibel ühe aasta


Siječanj 31


Eksod 11:1-10
1. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Unë do të sjell edhe një plagë tjetër mbi Faraonin dhe Egjiptin; pas kësaj ai do t'ju lejojë të ikni prej këtej. Kur do t'ju lejojë të shkoni, ai do t'ju dëbojë përfundimisht prej këtej.
2. Tani foli popullit në mënyrë që çdo burrë t'i kërkojë fqinjit të tij dhe çdo grua fqinjës së saj sende argjendi dhe ari".
3. Dhe Zoti e bëri popullin të ketë hir në sytë e Egjiptasve; edhe Moisiu gëzonte konsideratë të madhe në vendin e Egjiptit, në sytë e shërbëtorëve të Faraonit dhe në sytë e popullit.
4. Pastaj Moisiu tha: "Kështu thotë Zoti: "Aty nga mesnata, unë do të kaloj përmes Egjiptit;
5. dhe çdo i parëlindur në vendin e Egjiptit do të vdesë, nga i parëlinduri i Faraonit që rri mbi fron, tek i parëlinduri i shërbëtores që rri pas mokrës, si dhe pjellja e parë e bagëtisë.
6. Atëherë në vendin e Egjiptit do të ketë një britmë të madhe, që nuk është dëgjuar kurrë më parë dhe që nuk do të dëgjohet asnjëherë tjetër.
7. Por kundër asnjërit prej bijve të Izraelit, qofshin ata njerëz apo kafshë, asnjë qen s'ka për të lëvizur gjuhën, me qëllim që të dini se Zoti bën dallimin midis Egjiptasve dhe Izraelit.
8. Dhe tërë këta shërbëtorët e tu do të zbresin tek unë dhe do të përkulen para meje, duke thënë: "Nisu, ti dhe populli yt që të ndjek nga pas!". Mbas kësaj unë do të nisem"". Dhe Moisiu u largua nga Faraoni tërë zemërim.
9. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Faraoni nuk do t'jua vërë veshin, me qëllim që mrekullitë e mia të shumëzohen në vendin e Egjiptit".
10. Dhe Moisiu dhe Aaroni bënë tërë ato mrekulli para Faraonit; por Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit dhe ky nuk i la bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i tij.

Eksod 12:1-51
1. Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit në vendin e Egjiptit, duke u thënë:
2. "Ky muaj do të jetë për ju muaji më i rëndësishëm, do të jetë për ju muaji i parë i vitit.
3. I thoni gjithë asamblesë së Izraelit: "Ditën e dhjetë të këtij muaji, çdo burrë të marrë për vete një qengj, sipas madhësisë së familjes të të atit, një qengj për shtëpi.
4. Por në qoftë se shtëpia është tepër e vogël për një qengj, le të marrë një së bashku me fqinjin më të afërt, duke llogaritur numrin e personave; ju do të përcaktoni sasinë e qengjit të nevojshëm, në bazë të asaj që çdonjëri mund tëhajë.
5. Qengji juaj duhet të jetë pa të meta, mashkull, motak; mund të merrni një qengj ose një kec.
6. Do ta ruani deri në ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji, dhe tërë asambleja e popullit të Izraelit do ta therë atë në të ngrysur.
7. Pastaj do të marrin nga ai gjak dhe do ta vënë mbi dy shtalkat dhe mbi arkitraun e shtëpive ku do ta hanë.
8. Do të hanë mishin e pjekur në zjarr, po atë natë, do ta hanë atë me bukë pa maja dhe me barishte të hidhura.
9. Nuk do të hani fare mish të gjallë apo të zier në ujë, por të pjekur në zjarr me kokën, këmbët dhe të brendshmet.
10. Dhe nuk do të lini asnjë mbetje deri në mëngjes; dhe ç'të mbetet deri në mëngjes, do ta digjni në zjarr.
11. Do ta hani në këtë mënyrë: ijengjeshur, sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë; do të hani me nxitim: se është Pashka e Zotit.
12. Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, dhe do t'i jap hakun gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti.
13. Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t'ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit.
14. Ajo ditë do të jetë për ju një ditë për t'u mbajtur mend dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit; do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.
15. Për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme. Ditën e parë do të kujdeseni të hiqni çdo maja nga shtëpitë tuaja, sepse kushdo që do të hajë bukë të mbrujtur, nga dita e parë deri në të shtatën, do të këputet nga Izraeli.
16. Ditën e parë do të keni një mbledhje të shenjtë, dhe një mbledhje të shenjtë edhe ditën e shtatë. Të mos bëhet asnjë punë ato ditë; të përgatitet vetëm ajo që do të hajë secili dhe asgjë tjetër.
17. Do të kremtoni, pra, festën e të ndormëve, sepse pikërisht në këtë ditë bëra të dalin radhët tuaja nga vendi i Egjiptit; do ta kremtoni, pra, këtë ditë nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.
18. Gjatë muajit të parë, nga dita e katërmbëdhjetë e muajit, në mbrëmje, deri ditën e njëzetenjëtë, në mbrëmje, do të hani bukë të ndorme.
19. Për shtatë ditë të mos gjendet maja në shtëpitë tuaja, sepse kushdo që do të hajë diçka të mbrujtur, do të këputet nga asambleja e Izraelit, qoftë ai i huaj apo i lindur në vend.
20. Nuk do të hani asgjë të mbrujtur; në të gjitha banesat tuaja do të hani bukë të ndorme"".
21. Moisiu, pra, thirri gjithë pleqtë e Izraelit dhe u tha atyre: "Shkoni dhe merrni qengja për ju dhe për familjet tuaja, dhe flijoni Pashkët.
22. Pastaj do të merrni një tufëz hisopi, do ta ngjyeni në gjakun që është në legen, dhe me gjakun që është në legen do të spërkatni arkitraun dhe të dy shtalkat e dyerve; dhe asnjë prej jush nuk do të dalë nga dera e shtëpisë së tij deri në mëngjes.
23. Sepse Zoti do të kalojë për të goditur Egjiptasit; po, kur do të shohë gjakun mbi arkitraun dhe mbi dy shtalkat, Zoti do të kalojë më tej derës dhe nuk do ta lejojë shkatërruesin të hyjë në shtëpitë tuaja për t'ju goditur.
24. Zbatojeni, pra, këtë si një porosi të përjetshme për ju dhe për bijtë tuaj.
25. Kur të hyni në vendin që do t'ju japë Zoti, siç e ka thënë, zbatoni këtë rit.
26. Kur bijtë tuaj do t'ju pyesin: "Ç'kuptim ka ky rit për ju?",
27. ju do t'u përgjigjeni: "Kjo është flija e Pashkës së Zotit, që kaloi tej shtëpive të bijve të Izraelit në Egjipt, kur goditi Egjiptasit dhe i fali shtëpitë tona"". Dhe populli u përkul dhe adhuroi.
28. Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe vepruan ashtu; ata bënë ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiun dhe Aaronin.
29. Prandaj ndodhi që në mesnatë Zoti goditi tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, që nga i parëlinduri i Faraonit që rrinte mbi fronin e tij, deri te i parëlinduri i të burgosurit që ishte në burg, si dhe çdo pjellë e parë e bagëtive.
30. Kështu Faraoni u ngrit natën, ai me gjithë shërbëtorët e tij dhe gjithë Egjiptasit; dhe u dëgjua një klithmë e madhe në Egjipt, sepse nuk kishte shtëpi ku të mos kishte një të vdekur.
31. Atëherë ai thirri Moisiun dhe Aaronin natën dhe u tha: "Çohuni dhe largohuni nga mesi i popullit tim, ju dhe bijtë e Izraelit; dhe shkoni t'i shërbeni Zotit, siç e keni thënë.
32. Merrni me vete kopetë e bagëtive të imta dhe të trasha, siç keni thënë, dhe shkoni; dhe më bekoni edhe mua!".
33. Dhe Egjiptasit e nxisnin popullin për të shpejtuar nisjen nga vendi, sepse thonin: "Do të vdesim të gjithë".
34. Populli mori me vete brumin e bukës para se ai të vinte; i mbështolli magjet e tij me rroba trupi dhe i vuri mbi kurriz.
35. Dhe bijtë e Izraelit bënë ashtu siç i kishte thënë Moisiu dhe u kërkuan Egjiptasve sende argjendi, sende ari dhe rroba;
36. dhe Zoti bëri që Egjiptasit ta shikonin me sy të mirë popullin dhe t'i jepnin atë që kërkonte. Kështu i zhveshën Egjiptasit.
37. Bijtë e Izraelit u nisën nga Ramsesi për në Sukoth, ishin rreth gjashtëqind mijë njerëz më këmbë, pa llogaritur fëmijët.
38. Dhe me ta iku gjithashtu një përzierje e madhe njerëzish, bashkë me kopetë e tyre të bagëtive të imta dhe të trasha, një numër i madh kafshësh.
39. Dhe ata e poqën brumin që kishin sjellë nga Egjipti, duke bërë kuleçë të ndormë; në fakt brumi nuk kishte maja, sepse ata u dëbuan nga Egjipti dhe nuk mundën të mënojnë, as të përgatisin rezerva për udhëtimin.
40. Koha që bijtë e Izraelit kaluan në Egjipt qe katërqind e tridhjetë vjet.
41. Në fund të katërqind e tridhjetë vjetëve, pikërisht atë ditë, ndodhi që të gjitha radhët e Zotit dolën nga vendi i Egjiptit.
42. Kjo është një natë për t'u kremtuar për nder të Zotit, sepse ai i nxori nga vendi i Egjiptit; kjo natë do të jetë një kremtim solemn ndaj Zotit, për të gjithë bijtë e Izraelit brez pas brezi.
43. Pastaj Zoti i tha Moisiut dhe Aaronit: "Ky është rregulli i Pashkëve: asnjë i huaj nuk do të hajë;
44. por çdo skllav, i blerë me para, mbasi të jetë rrethprerë, mund të hajë.
45. Të ardhurit dhe mercenarët nuk do të hanë.
46. Qengji do të hahet vetëm në një shtëpi; asnjë pjesë të mishit të tij nuk do ta nxirrni jashtë shtëpisë dhe nuk do të thyeni asnjë kockë të tij.
47. Tërë asambleja e Izraelit do ta kremtojë atë.
48. Dhe kur një i huaj do të banojë me ty do të dojë të kremtojë Pashkët për nder të Zotit, tërë meshkujt e familjes së tij duhet të rrethpriten më parë dhe pastaj ai le të afrohet për të kremtuar këtë ditë, ai do të konsiderohet si i lindur në vend; por asnjë i parrethprerë s'ka për të ngrënë.
49. Do të ketë një ligj të vetëm për atë që ka lindur në vend dhe për të huajin që banon me ju".
50. Tërë bijtë e Izraelit vepruan në këtë mënyrë; ata bënë pikërisht atë që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut dhe Aaronit.
51. Kështu ndodhi që pikërisht atë ditë Zoti i bëri bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i Egjiptit, simbas radhëve të tyre.

Psalmet 18:1-12
1. "Të dua, o Zot, forca ime.
2. Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.
3. Unë i kërkoj ndihmë Zotit, që është i denjë për t'u lëvduar, dhe kështu shpëtoj nga armiqtë e mi.
4. Dhembje vdekjeje më kishin pushtuar dhe përrenj njerëzish të kobshëm më kishin tmerruar.
5. Ankthet e Sheolit më kishin rrethuar dhe leqet e vdekjes më rrinin përpara.
6. Në ankthin tim kërkova Zotin dhe i klitha Perëndisë tim; ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli i tij dhe zëri im arriti para tij, në veshët e tij.
7. Atëherë dheu u trondit dhe u drodh; edhe themelet e maleve luajtën dhe ranë, sepse ai ishte zemëruar shumë.
8. Një tym i dilte nga flegrat e tij dhe një zjarr shkatërrimtar dilte nga goja e tij; nga ai shpërthenin thëngjij.
9. Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij;
10. i kishte hipur një kerubini dhe fluturonte; fluturonte shpejt mbi krahët e erës.
11. Me terrin ai kishte bërë velin e tij dhe si shatorre rreth vetes kishte vënë errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.
12. Nga shkëlqimi që e paraprinte dilnin re të dendura, brësher dhe thëngjij.

Fjalët e Urta 6:1-5
1. Biri im, në qoftë se je bërë garant për të afërmin tënd, në rast se ke dhënë dorën si garanci për një të huaj,
2. je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je zënë nga fjalët e gojës sate.
3. Bëj këtë, pra, biri im, dhe shpengohu, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd. Shko, hidhu në këmbët e tij dhe ngul këmbë me të madhe te i afërmi yt.
4. Mos u jep gjumë syve të tu as çlodhje qepallave të tua;
5. çlirohu si gazela nga dora e gjahtarit, si zogu nga dora e atij që kap zogjtë.

Mateu 20:17-34
17. Pastaj, kur Jezusi po ngjitej në Jeruzalem, i mori mënjanë të dymbëdhjetë dishepujt gjatë rrugës dhe u tha atyre:
18. ''Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje.
19. Do t'ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet''.
20. Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka.
21. Dhe ai i tha: ''Çfarë do?''. Ajo u përgjigj: ''Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde''.
22. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: ''Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: ''Po, mundemi''.
23. Atëherë ai u tha atyre: ''Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati im''.
24. Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve.
25. Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: ''Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,
26. por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj;
27. dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.
28. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.
29. Kur po dilnin nga Jeriko, një turmë e madhe e ndoqi.
30. Dhe ja, dy të verbër që uleshin gjatë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezusi, filluan të bërtasin duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit''.
31. Por turma i qortoi që të heshtnin; por ata bërtisnin edhe më fort duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!''.
32. Atëherë Jezusi ndaloi, i thirri dhe tha: ''Çfarë doni të bëj për ju?''.
33. Ata i thanë: ''Zot, të na hapen sytë!''.
34. Dhe Jezusi pati mëshirë për ta dhe ua preku sytë e tyre; dhe në atë çast u erdhi drita e syve dhe ata e ndiqnin.