A A A A A

Bibla në një vit


Janar 3


Gjenezë 5:1-32
1. Ky është libri i prejardhjes së Adamit. Ditën që Perëndia krijoi njeriun e bëri të ngjashëm me Perëndinë.
2. Ai i krijoi mashkull dhe femër, i bekoi dhe u dha emrin njeri, ditën që u krijuan.
3. Adami jetoi njëqind e tridhjetë vjet dhe i lindi një djalë që i përngjiste, një lloj në shëmbëlltyrë të tij dhe e quajti Seth.
4. Mbas lindjes së Sethit, Adami jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija.
5. Kështu Adami jetoi gjithsej nëntëqind e tridhjetë vjet; pastaj vdiq.
6. Sethi jetoi njëqind e pesë vjet dhe i lindi Enoshi.
7. Pas lindjes së Enoshit, Sethi jetoi tetëqind e shtatë vjet dhe pati bij e bija të tjerë.
8. Kështu tërë koha që Sethi jetoi qe nëntëqind e dymbëdhjetë vjet; pastaj vdiq.
9. Enoshi jetoi nëntëdhjetë vjet dhe i lindi Kenani.
10. Mbas lindjes së Kenanit, Enoshi jetoi tetëqind e pesëmbëdhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë.
11. Kështu Enoshi jetoi gjithsej nëntëqind e pesë vjet; pastaj vdiq.
12. Kenani jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Mahalaleeli.
13. Mbas lindjes së Mahalaleelit, Kenani jetoi tetëqind e dyzet vjet dhe pati bij e bija të tjerë.
14. Kështu Kenani jetoi gjithsej nëntëqind e dhjetë vjet; pastaj vdiq.
15. Mahalaleeli jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Jaredi.
16. Mbas lindjes së Jaredit, Mahalaleeli jetoi tetëqind e tridhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë.
17. Kështu Mahalaleeli jetoi gjithsej tetëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet; pastaj vdiq.
18. Jaredi jetoi njëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet dhe i lindi Enoku.
19. Mbas lindjes së Enokut, Jaredi jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija të tjerë.
20. Kështu Jaredi jetoi gjithsej nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet; pastaj vdiq.
21. Enoku jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Methuselahu.
22. Mbas lindjes të Methuselahut, Enoku eci me Perëndinë treqind vjet dhe pati bij e bija të tjerë.
23. Kështu Enoku jetoi gjithsej treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet.
24. Pra Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete.
25. Metuselahu jetoi njëqind e tetëdhjetë e shtatë vjet dhe i lindi Lameku.
26. Mbas lindjes së Lamekut, Metuselahu jetoi shtatëqind e tetëdhjetë e dy vjet dhe i lindën bij e bija.
27. Kështu Metuselahu jetoi gjithsej nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjet; pastaj ai vdiq.
28. Lameku jetoi njëqind e tetëdhjetë e dy vjet dhe i lindi një bir;
29. dhe i vuri emrin Noe, duke thënë: "Ky do të na ngushëllojë për punën tonë dhe për mundin e duarve tona, për shkak të tokës që Zoti e ka mallkuar".
30. Pasi solli në këtë botë Noeun, Lameku jetoi pesëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet dhe i lindën bij e bija të tjerë.
31. Kështu Lameku jetoi gjithsej shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë vjet, pastaj ai vdiq.
32. Noeut, në moshën pesëqind vjeç, i lindi Semi, Kami dhe Jafeti.

Gjenezë 6:1-22
1. Kur njerëzit filluan të shumohen mbi faqen e dheut dhe u lindën atyre vajza,
2. djemtë e Perëndisë panë që vajzat e njerëzve ishin të bukura, dhe morën për gra të gjitha ato që i zgjodhën vetë.
3. Dhe Zoti tha: "Fryma im nuk do të hahet gjithnjë me njeriun, sepse në shthurjen e tij ai nuk është veçse mish; ditët e tij do të jenë, pra, njëqind e njëzet vjet".
4. Kishte gjigantë mbi tokë në ato kohë, madje edhe më vonë, kur bijtë e Perëndisë iu afruan bijave të njerëzve dhe këto u lindën atyre fëmijë. Ata janë heronjtë që jetuan në kohët e lashtësisë, janë njerëzit e famshëm të këtyre kohëve.
5. Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë.
6. Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet.
7. Kështu Zoti tha: "Unë do të shfaros nga faqja e dheut njeriun që kam krijuar, duke filluar nga njeriu deri te kafshët, te rrëshqanorët, te zogjtë e qiellit, sepse pendohem që i kam krijuar".
8. Por Noeu gjeti hir në sytë e Zotit.
9. Kjo është prejardhja e Noeut. Noeu ishte një njeri i drejtë dhe i patëmetë midis bashkëkohësve të tij. Noeu eci me Perëndinë.
10. Dhe Noeu pati tre bij: Semin, Kamin dhe Jafetin.
11. Por toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë.
12. Tani Perëndia vështroi tokën dhe ja, ajo ishte e prishur, sepse çdo mish i tokës kishte shthurur sjelljen e tij.
13. Dhe Perëndia i tha Noeut: "Kam vendosur t'i jap fund çdo mishi, sepse toka për shkak të njerëzve është plot me dhunë; ja, unë do t'i zhduk bashkë me tokën.
14. Bëj një arkë prej druri; bëje arkën me dhoma dhe lyeje me bitum nga jashtë e nga brenda.
15. Por ti do ta ndërtosh në këtë mënyrë: gjatësia e arkës do të jetë treqind kubitë, gjerësia pesëdhjetë dhe lartësia tridhjetë.
16. Do ta bësh arkën me një dritare dhe do ta mbarosh me një kubit mbulese nga sipër; anash arkës do të vendosësh derën dhe do ta bësh me tre kate, pra me katin e poshtëm, të mesëm dhe të sipërm.
17. Dhe ja, unë vet kam për të sjellë përmbytjen e ujërave mbi tokë, për të shkatërruar nën qiellin çdo mish që ka shenjë jete; çdo gjë që ndodhet mbi tokën ka për të vdekur.
18. Por unë do të caktoj besëlidhjen time me ty dhe ti do të futesh në arkën: ti, fëmijët e tu, gruaja jote dhe gratë e bijve të tu.
19. Dhe nga çdo gjë që jeton prej çdo lloj mishi fut në arkë dy nga çdo lloj, për t'i ruajtur me vete gjallë bashkë me ty; dhe të jenë mashkull dhe femër.
20. Nga zogjtë, nga bagëtia dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës simbas llojit të tyre, dy nga çdo lloj do të vijnë te ti, që të ruhen gjallë.
21. Dhe merr për vete nga çdo ushqim që hahet, grumbulloje dhe ruaje, në mënyrë që të shërbejë si ushqim për ty dhe për ata".
22. Dhe Noeu veproi ashtu, bëri pikërisht të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar.

Psalmet 2:7-12
7. Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde.
8. Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.
9. Ti do t'i copëtosh me një shufër hekuri, do t'i bësh copë-copë si një enë prej argjile"".
10. Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut.
11. Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.
12. Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.

Fjalët e Urta 1:10-19
10. Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano,
11. në qoftë se thonë: "Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak;
12. le t'i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë;
13. ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t'i mbushim shtëpitë tona me plaçka;
14. ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme";
15. biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre,
16. sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak.
17. Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh;
18. por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre.
19. Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë.

Mateu 3:1-17
1. Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë,
2. dhe thoshte: ''Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!''
3. Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: ''Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"''.
4. Tani Gjoni vet kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër.
5. Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai,
6. dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre.
7. Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha atyre: ''Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen?
8. Jepni pra fryte të denja të pendesës!
9. Dhe mos t'ju shkojë mendja të thoni me vete: "Ne kemi Abrahamin për atë"; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve.
10. Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.
11. Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin.
12. Ai mban në dorë terploten dhe do ta pastrojë plotësisht lëmin e tij; grurin e tij do ta mbledhë në hambar, por bykun do ta djegë me zjarr të pashueshëm''.
13. Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t'u pagëzuar prej tij.
14. Por Gjoni e kundërshtoi fort duke i thënë: ''Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?''.
15. Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur, u tha: ''Lejo të bëhet për tani, sepse në këtë mënyrë përmbushim çdo drejtësi''. Atëherë ai e lejoi.
16. Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të;
17. dhe ja një zë nga qielli që tha: ''Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur''.