A A A A A

Bibla në një vit

Janar 24

Gjenezë 47:1-31
1. Jozefi shkoi, pra, të njoftojë Faraonin dhe i tha: "Ati im dhe vëllezërit e mi, me gjithë kopetë e tyre, të bagëtive të imta dhe të trasha dhe me gjithçka kanë, kanë ardhur nga vendi i Kanaanit; dhe ja, tani ndodhen në vendin e Goshenit".
2. Pastaj mori pesë nga vëllezërit e tij dhe ia paraqiti Faraonit.
3. Atëherë Faraoni u tha vëllezërve të Jozefit: "Me ç'punë merreni?". Ata iu përgjigjën Faraonit: "Shërbëtorët e tu janë barinj, si ne ashtu dhe etërit tanë".
4. Pastaj i thanë Faraonit: "Kemi ardhur për të banuar në këtë vend, sepse nuk kishte më kullota për kopetë e shërbëtorëve të tu, sepse ka zi të madhe në vendin e Kanaanit. Lejona tani që shërbëtorët e tu të banojnë në vendin e Goshenit".
5. Atëherë Faraoni ia drejtoi fjalën Jozefit, duke i thënë: "Ati yt dhe vëllezërit e tu erdhën te ti;
6. vendi i Egjiptit është në dispozicionin tënd; bëj që ati yt dhe vëllezërit e tu të banojnë në pjesën më të mirë të vendit; le të banojnë edhe në vendin e Goshenit. Dhe në qoftë se ti di që midis tyre ka njerëz të zotë, caktoji kryeintendentë të bagëtisë sime".
7. Pastaj Jozefi e çoi Jakobin, atin e tij, te Faraoni dhe ia paraqiti. Dhe Jakobi bekoi Faraonin.
8. Atëherë Faraoni i tha Jakobit: "Sa vjet ke që jeton?".
9. Jakobi iu përgjegj Faraonit: "Vitet e shtegtimit tim janë njëqind e tridhjetë; vitet e jetës sime kanë qenë të pakta dhe të këqija, dhe nuk e kanë arritur numrin e viteve të jetës së etërve të mi, në ditët e shtegtimit të tyre".
10. Jakobi e bekoi përsëri Faraonin dhe u largua nga prania e Faraonit.
11. Kështu Jozefi vendosi atin e tij dhe vëllezërit e tij dhe u dha atyre një pronë në vendin e Egjiptit, në pjesën më të mirë të vendit, në krahinën e Ramsesit, ashtu siç kishte urdhëruar Faraoni.
12. Dhe Jozefi e mbajti me bukë të atin, të vëllezërit dhe tërë familjen e të atit duke i furnizuar sipas numrit të bijve.
13. Ndërkaq në të gjithë vendin nuk kishte bukë, sepse zija e bukës ishte shumë e madhe; vendi i Egjiptit dhe vendi i Kanaanit vuanin nga uria.
14. Jozefi mblodhi tërë paratë që gjendeshin në vendin e Egjiptit dhe në vendin e Kanaanit në këmbim të grurit që ata blinin; dhe këto para Jozefi i çoi në shtëpinë e Faraonit.
15. Por kur në vendin e Egjiptit dhe në vendin e Kanaanit nuk pati më para, tërë Egjiptasit erdhën te Jozefi dhe thanë: "Na jep bukë! Pse duhet të vdesim para syve të tu? Sepse paratë tona kanë mbaruar".
16. Jozefi tha: "Jepni bagëtinë tuaj; dhe unë do t'ju jap bukë në këmbim të bagëtisë suaj, në qoftë se i keni mbaruar paratë".
17. Atëherë ata i çuan Jozefit bagëtinë e tyre; dhe Jozefi u dha atyre bukë në këmbim të kuajve të tyre, të kopeve të tyre me dele, të qeve dhe të gomarëve. Kështu i furnizoi me bukë për atë vit në këmbim të gjithë bagëtisë së tyre.
18. Mbasi kaloi ai vit, u kthyen tek ai vitin pasues dhe i thanë: "Nuk mund t'ja fshehim zotërisë tonë që, me qenë se paratë mbaruan dhe kopetë e bagëtisë sonë janë bërë pronë e zotërisë tonë, nuk mbetet asgjë tjetër që zotëria ime mund të na marrë veç trupave tonë dhe tokave tona.
19. Pse duhet të mbarojmë para syve të tu, ne dhe tokat tona? Blina ne dhe tokat tona në këmbim të bukës, dhe ne me tokat tona do të jemi skllevër të Faraonit; na jep të mbjellim që të mund të jetojmë dhe jo të vdesim, dhe toka të mos shndërrohet në një shkretëtirë".
20. Kështu Jozefi bleu për Faraonin tërë tokat e Egjiptit, sepse Egjiptasit shitën secili arën e vet, me që ishin goditur rëndë nga zija e bukës. Kështu vëndi u bë pronë e Faraonit.
21. Sa për popullin, e zhvendosi nëpër qytete, në të katër anët e Egjiptit;
22. vetëm tokat e priftërinjve nuk i bleu, sepse priftërinjtë merrnin furnizime nga Faraoni dhe rronin nga furnizimet që u jepte Faraoni; për këtë arsye ata nuk i shitën tokat e tyre.
23. Por Jozefi i tha popullit: "Ja, sot ju bleva ju dhe tokat tuaja për Faraonin; ja ku e keni farën; mbillni tokën;
24. në kohën e korrjes, të pestën pjesë do t'ia jepni Faraonit dhe katër pjesë do të jenë tuajat për të siguruar farën e arave, ushqimin tuaj dhe të personave të shtëpisë suaj dhe për ushqimin e fëmijëve tuaj".
25. Dhe ata thanë: "Ti na shpëtove jetën! Paçim hir në sytë e zotërisë tonë, dhe ne do të jemi skllevërit e Faraonit".
26. Jozefi e bëri ligj këtë në vendin e Egjiptit, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe sipas të cilit e pesta pjesë e korrjes duhet t'i jepet Faraonit. Vetëm tokat e priftërinjve nuk u bënë pronë e Faraonit.
27. Kështu Izraeli banoi në vendin e Egjiptit, në vendin e Goshenit; aty ata patën prona, qenë frytdhënës dhe u shumuan fort.
28. Jakobi jetoi në vendin e Egjiptit shtatëmbëdhjetë vjet dhe kohëzgjatja e jetës së Jakobit qe njëqind e dyzet e shtatë vjet.
29. Kur koha e vdekjes po i afrohej Izraelit, ai thirri të birin Jozef dhe i tha: "Në paça gjetur hir në sytë e tu, vëre dorën tënde poshtë kofshës sime dhe sillu me mua me mirëdashje dhe besnikëri; të lutem, mos më varros në Egjipt!
30. Por kur do të pushoj me etërit e mi, më nxirr jashtë Egjiptit dhe më varros në varrin e tyre!". Ai u përgjigj: "Do të bëj si thua ti".
31. Atëherë Jakobi tha: "Betomu". Dhe Jozefi iu betua. Pastaj Izraeli, duke u mbështetur te koka e shtratit, ra në adhurim.

Gjenezë 48:1-22
1. Mbas këtyre gjërave, ndodhi që i thanë Jozefit: "Ja, ati yt është i sëmurë". Kështu ai mori me vete dy bijtë e tij, Manasin dhe Efraimin.
2. Kur i thanë Jakobit: "Ja, biri yt Jozefi po vjen te ti", Izraeli mblodhi tërë forcat dhe u ul mbi shtratin e tij.
3. Atëherë Jakobi i tha Jozefit: "Perëndia i plotfuqishëm m'u shfaq në Luc, në vendin e Kanaanit, më bekoi
4. dhe më tha: "Ja, unë do të të bëj frytdhënës, do të të shumoj, do të bëj prej teje një shumicë popujsh dhe do t'u jap këtë vend pasardhësve të tu pas teje, si pronë përjetë".
5. Tani dy bijtë e tu, që të kanë lindur në vendin e Egjiptit para se unë të vija tek ti në Egjipt, janë të mitë. Efraimi dhe Manasi janë të mitë, ashtu si Rubeni dhe Simeoni.
6. Por bijtë që ke lindur mbas tyre do të jenë të tutë; në territorin e trashëgimisë së tyre do të thirren me emrin e vëllezërve të tyre.
7. Sa për mua, ndërsa po kthehesha nga Padani, Rakela vdiq pranë meje gjatë udhëtimit, në vendin e Kanaanit, aty afër Efratës; dhe e varrosa atje, në rrugën e Efratës, që është Betlemi".
8. Kur Izraeli pa bijtë e Jozefit, tha: "Kush janë këta?".
9. Jozefi iu përgjegj të atit: "Janë fëmijët e mi që Perëndia më ka dhënë këtu". Atëherë ai tha: "M'i afro dhe unë do t'i bekoj".
10. Tani sytë e Izraelit ishin venitur për shkak të moshës dhe nuk shihte fare. Jozefi i afroi ata dhe ai i puthi dhe i përqafoi.
11. Pastaj Izraeli i tha Jozefit: "Unë nuk mendoja të shikoja përsëri fytyrën tënde, por tani Perëndia më dha mundësinë të shikoj edhe pasardhësit e tu".
12. Jozefi i tërhoqi nga gjunjët e të atit dhe u përul me fytyrën në tokë.
13. Pastaj Jozefi i mori që të dy: Efraimin në të djathtë të tij dhe në të majtë të Izraelit, Manasin në të majtë të tij dhe në të djathtë të Izraelit, dhe i afroi pranë atij.
14. Atëherë Izraeli zgjati dorën e tij të djathtë dhe e vuri mbi kryet e Efraimit që ishte më i riu, dhe vuri dorën e tij të majtë mbi kryet e Manasit duke kryqëzuar duart, ndonëse Manasi ishte i parëlinduri.
15. Kështu bekoi Jozefi dhe tha: "Perëndia, para të cilit ecën etërit e mi Abrahami dhe Isaku, Perëndia që më ka ushqyer qysh prej lindjes sime deri më sot,
16. Engjëlli që më ka çliruar nga çdo e keqe, le t'i bekojë këta fëmijë! Le të quhen me emrin tim dhe me emrin e etërve të mi Abraham dhe Isak, dhe të shumohen fort mbi tokë!".
17. Kur Jozefi pa që i ati kishte vënë dorën e djathtë mbi kokën e Efraimit, kjo nuk i pëlqeu; prandaj ai kapi dorën e atit të tij për ta hequr nga kryet e Efraimit dhe për ta vënë mbi kryet e Manasit.
18. Pastaj Jozefi i tha atit të tij: "Jo kështu, ati im, sepse i parëlinduri është ky këtu; vëre dorën tënde të djathtë mbi kryet e tij".
19. Por i ati refuzoi dhe tha: "E di, biri im, e di; edhe ai do të bëhet një popull, edhe ai do të jetë i madh; megjithatë, vëllai yt më i vogël do të bëhet më i madh se ai, dhe pasardhësit e tij do të bëhen një mori kombesh".
20. Dhe atë ditë i bekoi duke thënë: "Për ty Izraeli ka për të bekuar, duke thënë: "Perëndia të të bëj si Efraimi dhe si Manasi!"". Kështu ai e vuri Efraimin para Manasit.
21. Pastaj Izraeli i tha Jozefit: "Ja, unë kam për të vdekur pas pak, por Perëndia do të jetë me ju dhe do t'ju çojë përsëri në vendin e etërve tuaj.
22. Veç kësaj, ty po të jap një pjesë më të madhe në krahasim me vëllezërit e tu, atë që fitova nga Amorejtë me shpatën dhe harkun tim".

Psalmet 13:1-6
1. Deri kur do të më harrosh, o Zot? Vallë kështu do të jetë përjetë? Deri kur do të më fshehësh fytyrën tënde?
2. Deri kur do të marr vendime në shpirtin tim dhe do të kem pikëllim në zemrën time tërë ditën? Deri kur do të ngrihet armiku im mbi mua?
3. Shiko me vëmendje dhe përgjigjmu, o Zot, Perëndia im, ndriço sytë e mi, që të mos më zërë gjumi në gjumin e vdekjes,
4. dhe armiku im të mos thotë: "E munda", dhe armiqtë e mi të mos gëzohen kur unë lëkundem.
5. Por unë kam besim në mirësinë tënde dhe zemra ime do të ngazëllojë në çlirimin tënd;
6. unë do t'i këndoj Zotit, sepse ai më ka trajtuar me shumë shpirtmadhësi.

Fjalët e Urta 4:18-19
18. Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.
19. Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t'i rrëzojë.

Mateu 15:21-39
21. Pastaj Jezusi, pasi u largua që andej, u nis drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit.
22. Dhe ja, një grua kananease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: ''Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!''.
23. Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: ''Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh''.
24. Por ai u përgjigj dhe tha: ''Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit''.
25. Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ''O Zot, ndihmomë!''.
26. Ai u përgjigj, duke thënë: ''Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t'ua hedhësh këlyshëve të qenve''.
27. Por ajo tha: ''Éshtë e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre''.
28. Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: ''O grua, i madh është besimi yt! T'u bëftë ashtu si dëshiron''. Dhe që në atë çast e bija u shërua.
29. Pastaj, mbasi u nis që andej, Jezusi erdhi pranë detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul atje.
30. Dhe iu afruan turma të mëdha që sillnin me vete të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë; i ulën përpara këmbëve të Jezusit dhe ai i shëroi.
31. Turmat mrrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbërit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit.
32. Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha: ''Unë kam mëshirë për turmën, sepse u bënë tri ditë që rri me mua dhe nuk ka asgjë për të ngrënë; nuk dua t'i nis të pangrënë, se mos ligështohen gjatë rrugës''.
33. Dhe dishepujt e tij i thanë: ''Po ku mund të gjejmë në këtë vend të shkretë aq bukë sa të ngopim një turmë kaq të madhe?''.
34. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Sa bukë keni?''. Ata thanë: ''Shtatë dhe pak peshq të vegjël''.
35. Atëherë ai u dha urdhër turmave që të uleshin për tokë.
36. Pastaj i mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të tij, dhe dishepujt turmës.
37. Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë kosha plot.
38. Dhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.
39. Pastaj, mbasi e lejoi turmën, hipi në barkë dhe u drejtua për në krahinën e Magdalas.