A A A A A

Bibla në një vit


Janar 20


Gjenezë 39:1-23
1. Ndërkaq Jozefi u çua në Egjipt; dhe Potifari, oficeri i Faraonit dhe kapiten i rojeve, një egjiptas, e bleu nga Ismaelitët që e kishin sjellë atje.
2. Zoti qe me Jozefin, dhe ky pasurohej dhe banonte në shtëpinë e zotërisë së tij, egjiptasit.
3. Dhe zotëria e tij e pa që Zoti qe me të dhe që Zoti e sillte mbarë në duart e tij gjithçka bënte.
4. Kështu Jozefi fitoi hir në sytë e atij dhe hyri në shërbimin personal të Potifarit, që e emëroi kryeadministrator të shtëpisë së tij dhe i la në dorë gjithçka zotëronte.
5. Nga çasti që e bëri kryeadministrator të shtëpisë së tij dhe për gjithçka që zotëronte, Zoti e bekoi shtëpinë e egjiptasit për shkak të Jozefit; dhe bekimi i Zotit përfshiu gjithçka ai kishte në shtëpi dhe në fushë.
6. Kështu Potifari la gjithçka kishte në dorë të Jozefit dhe nuk shqetësohej më për asgjë, përveç ushqimit të vet. Dhe Jozefi ishte i bukur nga forma dhe kishte një pamje tërheqëse.
7. Mbas gjithë këtyre gjërave, gruaja e zotërisë së tij ia vuri sytë Jozefit dhe i tha: "Bjerë e fli me mua".
8. Por ai e refuzoi dhe i tha gruas së zotërisë së tij: "Ja, zotëria ime nuk shqetësohet për ato që ka lënë në shtëpi me mua dhe ka lënë në duart e mia gjithçka zotëron.
9. Nuk ka asnjë më të madh se unë në këtë shtëpi; ai nuk më ka ndaluar asgjë veç teje, sepse je gruaja e tij. Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?".
10. Me gjithë faktin që ajo i fliste Jozefit për këtë gjë çdo ditë, ai nuk pranoi të binte në shtrat me të dhe t'i jepej asaj.
11. Një ditë ndodhi që ai hyri në shtëpi për të bërë punën e tij, dhe nuk ndodhej në shtëpi asnjë prej shërbëtorëve.
12. Atëherë ajo e kapi nga rrobat dhe i tha: "Eja të shtrihesh me mua". Por ai ia la në dorë rroben e tij, iku duke vrapuar jashtë.
13. Kur ajo pa që ai ia kishte lënë në dorë rroben e tij dhe kishte ikur jashtë,
14. thirri shërbëtorët e vet dhe u tha: "Shikoni, ai na solli në shtëpi një hebre për t'u tallur me ne; ai erdhi tek unë për të rënë me mua, por unë bërtita me të madhe.
15. Me të dëgjuar që unë ngrita zërin dhe fillova të bërtas, ai la rrobën e tij pranë meje, iku dhe vrapoi jashtë".
16. Kështu ajo mbajti pranë saj rroben e tij, deri sa u kthye në shtëpi zotëria e saj.
17. Atëherë ajo i foli në këtë mënyrë: "Ai shërbëtor hebre, që ti na solle, erdhi tek unë për të më vënë në lojë.
18. Por sa ngrita zërin dhe bërtita, ai la rroben pranë meje dhe iku jashtë".
19. Kështu, kur zotëria e saj dëgjoi fjalët e gruas së vet që i fliste në këtë mënyrë duke thënë: "Shërbëtori yt më ka bërë këtë gjë!", ai u inatos.
20. Atëherë zotëria e Jozefit e mori dhe e futi në burg, në vendin ku ishin mbyllur të burgosurit e mbretit. Kështu ai mbeti në atë burg.
21. Por Zoti qe me Jozefin dhe u tregua dashamirës ndaj tij, duke bërë që t'i hynte në zemër drejtorit të burgut.
22. Kështu drejtori i burgut i besoi Jozefit tërë të burgosurit që ndodheshin në burg; dhe ai ishte përgjegjës për të gjitha që bëheshin aty brënda.
23. Drejtori i burgut nuk kontrollonte më asgjë nga ato që i ishin besuar Jozefit, sepse Zoti ishte me të, dhe Zoti e bënte të mbarë gjithçka që ai bënte.

Gjenezë 40:1-23
1. Mbas këtyre gjërave, ndodhi që kupëmbajtësi dhe bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit fyen zotërinë e tyre, mbretin e Egjiptit.
2. Dhe Faraoni u zemërua me të dy oficerët e tij, kryekupëmbajtësin dhe kryebukëpjekësin,
3. dhe i futi në burg, në shtëpinë e kreut të rojeve, në po atë burg ku ishte mbyllur Jozefi.
4. Dhe kapiteni i rojeve i la nën mbikqyrjen e Jozefit, i cili i ndihmonte. Kështu ata qëndruan në burg për një farë kohe.
5. Po atë natë, kupëmbajtësi dhe bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit, që ishin të mbyllur në burg, panë që të dy një ëndërr, secili ëndrrën e tij, me një kuptim të veçantë.
6. Dhe të nesërmen në mëngjes Jozefi erdhi tek ata dhe vuri re se ishin të shqetësuar.
7. Atëherë ai pyeti oficerët e Faraonit, që ishin me të në burg, në shtëpinë e zotërisë së tij dhe u tha: "Pse keni sot një fytyrë kaq të trishtuar?".
8. Ata iu përgjegjën: "Kemi parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjëndje ta interpretojë". Atëherë Jozefi u tha atyre: "Interpretimet nuk i përkasin vallë Perëndisë? Më tregoni ëndrrat, ju lutem".
9. Kështu kryekupëmbajtësi i tregoi Jozefit ëndrrën e tij dhe i tha: "Në ëndrrën time kisha përpara një hardhi;
10. dhe në atë hardhi kishte tri degë, të cilat sa vunë lastarë, lulëzuan dhe dhanë vile rrushi të pjekur.
11. Tani unë kisha në dorë kupën e Faraonit; mora rrushin, e shtrydha në kupën e Faraonit dhe e vura kupën në dorë të Faraonit".
12. Jozefi i tha: "Ky është interpretimi i ëndrrës: tri degët janë tri ditë;
13. në krye të tri ditëve Faraoni do të të bëjë të ngresh përsëri kokën lart, do të të rivendosë në detyrën tënde dhe ti do t'i japësh në dorë kupën Faraonit, siç bëje më parë, kur ishe kupëmbajtësi i tij.
14. Por më kujto mua kur të jesh i lumtur; të lutem, trego dashamirësi ndaj meje, duke i folur për mua Faraonit, dhe më nxirr nga kjo shtëpi;
15. sepse mua më sollën fshehurazi nga vendi i hebrejve, dhe këtu s'kam bërë gjë për t'u futur në këtë burg të nëndheshëm".
16. kryebukëpjekësi, duke parë se interpretimi ishte i favorshëm, i tha Jozefit: "Edhe unë në ëndrrën time kisha tri shporta me bukë të bardhë mbi krye;
17. dhe në shportën më të lartë kishte çdo lloj gjellësh të pjekura në furrë për Faraonin; dhe zogjtë i hanin nga shporta që kisha mbi krye".
18. Atëherë Jozefi u përgjegj dhe tha: "Ky është interpretimi i ëndrrës: tri shportat janë tri ditë;
19. në krye të tri ditëve Faraoni do të të heqë kokën nga shpatullat, do të varë në një pemë, dhe zogjtë do të hanë mishrat e trupit tënd".
20. Tani ditën e tretë, ditën e përvjetorit të Faraonit, ndodhi që ai shtroi një banket për të gjithë shërbëtorët e tij; dhe bëri që të ngrinin kokën lartë si kryekupëmbajtësi dhe kryebukëpjekësi, në mes të shërbëtorëve të tij.
21. Kështu e rivendosi kryekupëmbajtësin në detyrën e tij si kupëmbajtës që t'i jepte kupën në dorë Faraonit,
22. por bëri që ta varnin kryebukëpjekësin simbas interpretimit që Jozefi u kishte dhënë.
23. Por kryekupëmbajtësi nuk u kujtua për Jozefin, por e harroi.

Psalmet 10:1-11
1. O Zot, pse qëndron larg? Pse fshihesh në kohë fatkeqësish?
2. I pabesi me kryelartësinë e tij ndjek me dhunë të mjerin; ata do të kapen nga vetë kurthet që ata kanë kurdisur,
3. sepse i pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të tij, bekon grabitqarin dhe përbuz Zotin.
4. I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin; tërë mendimet e tij janë: "Perëndia nuk ekziston".
5. Rrugët e tij lulëzojnë në çdo kohë; gjykimet e tua për të janë shumë të larta, larg kuptimit të tyre nga ana e tij; ai përqesh gjithë armiqtë e tij.
6. Ai thotë në zemër të tij: "Mua askush nuk më tund dot kurrë; nuk do të më ndodhë kurrë ndonjë e keqe".
7. Goja e tij është plot mallkime, hile dhe mashtrime; nën gjuhën e tij ka ligësi dhe paudhësi.
8. Ai rri në pritë në fshatra, vret të pafajshmin në vende të fshehta; sytë e tij përgjojnë fatkeqin.
9. Ai rri në pritë në vende të fshehta si luani në strofkën e tij; rri në pritë për të kapur të mjerin; ai e rrëmben të mjerin duke e tërhequr në rrjetën e tij.
10. Ai rri i strukur dhe i mbledhur, dhe fatzinjtë mposhten para forcës së tij.
11. Ai thotë në zemër të tij: "Perëndia harron, fsheh fytyrën e tij, nuk do ta shohë kurrë".

Fjalët e Urta 4:1-6
1. Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni,
2. sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim.
3. Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënes sime,
4. ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.
5. Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre;
6. mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë.

Mateu 13:31-58
31. Ai u proposoi atyre një shëmbëlltyre tjetër duke thënë: ''Mbretëria e qiejve i ngjan një kokrre sinapi, të cilën e merr një njeri dhe e mbjell në arën e vet.
32. Ajo, pa dyshim, është më e vogla nga të gjitha farërat; por, kur rritet, është më e madhe se të gjitha barishtet, dhe bëhet një pemë, aq sa zogjtë e qiellit vijnë dhe gjejnë strehë në degët e saj''.
33. Ai u tha atyre një shëmbëlltyrë tjetër: ''Mbretëria e qiejve i ngjan majasë që e merr një grua dhe zë brumë me tri masa miell deri sa brumi të mbruhet plotësisht''.
34. Jezusi ua tha turmave të gjitha këto gjëra në shëmbëlltyra; dhe u fliste atyre vetëm në shëmbëlltyra,
35. që të përmbushej ç'është e thënë nëpërmjet profetit: ''Unë do të hap gojën time në shëmbëlltyra dhe do të zbuloj gjëra të fshehura që nga themelimi i botës''.
36. Atëherë Jezusi, mbasi i lejoi turmat, u kthye në shtëpi dhe dishepujt e tij iu afruan e i thanë: ''Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë''.
37. Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut.
38. Ara është bota, fara e mirë janë bijtë e mbretërisë dhe egjra janë bijtë e të ligut,
39. dhe armiku që e ka mbjellë është djalli, ndërsa korrja është fundi i botës dhe korrësit janë engjëjt.
40. Ashtu si mblidhet egjra dhe digjet në zjarr, kështu, do të ndodhë në mbarimin e botës.
41. Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi,
42. dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.
43. Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!''.
44. ''Përsëri, mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë.
45. Akoma mbretëria e qiejve i ngjan një tregtari që shkon të kërkojë margaritarë të bukur.
46. Dhe, kur gjen një margaritar me vlerë të madhe, shkon dhe shet gjithçka që ka dhe e blen.
47. Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një rrjete të hedhur në det, që mbledh gjithfarë lloje gjërash.
48. Kur ajo është mbushur, peshkatarët e nxjerrin atë në breg, ulen dhe mbledhin në kosha ç'është e mirë, por i hedhin ata që nuk janë të mirë.
49. Kështu do të ndodhë në mbarimin e botës; do të vijnë engjëjt dhe do t'i ndajnë të mbrapshtit nga të drejtët;
50. dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh''.
51. Jezusi u tha atyre: ''A i kuptuat të gjitha këto?''. Ata i thanë: ''Po, Zot''.
52. Dhe ai u tha atyre: ''Prandaj çdo skrib, që është mësuar për mbretërinë e qiejve i ngjan një padroni shtëpie që nxjerr jashtë nga thesari i vet gjërat e reja dhe të vjetra''.
53. Tani kur Jezusi i kishte mbaruar këto shëmbëlltyra, u largua që andej.
54. Dhe, pasi erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kështu që ata, habiteshin dhe thonin: ''Nga i erdhën këtij kjo dituri dhe këto vepra të pushtetshme?
55. A nuk është ky i biri i marangozit? Nuk quhet nëna e tij Mari, dhe vëllezërit e tij Jakob, Iose, Simon dhe Juda?
56. Dhe motrat e tij nuk janë të gjitha ndër ne? Atëherë nga i erdhën këtij të gjitha këto?''.
57. Dhe skandalizoheshin me të. Por Jezusi u tha atyre: ''Asnjë profet nuk përçmohet, veçse në vendlindjen e vet dhe në shtëpinë e vet''.
58. Dhe, për shkak të mosbesimit të tyre, ai nuk bëri aty shumë vepra të pushtetshme.