A A A A A

Biblia într-un an


Ianuarie 10


Gjenezë 19:1-38
1. Por të dy engjëjt arritën në mbrëmje në Sodomë, ndërsa Loti ishte ulur te porta e Sodomës; sa i pa, ai u ngrit më këmbë për t'u dalë përpara dhe u shtri me fytyrën në tokë,
2. dhe tha: "Zotërinjtë e mi, ju lutem, hyni në shtëpinë e shërbëtorit tuaj, kaloni aty natën dhe lani këmbët; pastaj nesër në mëngjes mund të çoheni shpejt dhe të vazhdoni udhën tuaj". Ata u përgjigjën: "Jo; do ta kalojmë natën në sheshin".
3. Por ai nguli këmbë aq shumë sa që ata erdhën tek ai dhe hynë në shtëpinë e tij. Ai u përgatiti një banket dhe poqi bukë pa tharm, dhe ata hëngrën.
4. Por para se të shkonin në shtrat, njerëzit e qytetit, njerëzit e Sodomës, rrethuan shtëpinë; ishin të rinj e pleq, tërë popullsia e mbledhur nga çdo anë;
5. thirrën Lotin dhe i thanë: "Ku janë njerëzit që erdhën te ti sonte? Na i nxirr jashtë që të mund t'i njohim!".
6. Loti doli drejt atyre para portës së shtëpisë, e mbylli portën pas tij dhe tha:
7. "Oh, vëllezër të mi, mos u sillni kaq keq!
8. Dëgjoni, unë kam dy vajza që nuk kanë njohur burrë; prandaj më lini që t'i nxjerr jashtë dhe bëni ç'të doni me to; por mos u bëni asgjë këtyre burrave, sepse janë nën mbrojtjen e shtëpisë sime".
9. Por ata i thanë: "Shko tutje!". Pastaj vazhduan: "Ky erdhi këtu si i huaj, dhe dëshiron të bëhet gjykatës! Tani do të sillemi më keq me ty se sa me ata!". Dhe duke e shtyrë Lotin me dhunë, u afruan për të shpërthyer derën.
10. Por ata njerëz zgjatën duart e tyre dhe e tërhoqën Lotin brenda shtëpisë bashkë me ta, dhe mbyllën derën.
11. Goditën verbërisht njerëzit që ishin te dera e shtëpisë, nga më i vogli deri te më i madhi, kështu që u lodhën në orvatjen për të gjetur derën.
12. Atëherë ata njerëz i thanë Lotit: "Kë ke tjetër këtu? Nxirr nga ky vend dhëndurët e tu, bijtë dhe bijat e tua, dhe cilindo që ke në qytet,
13. sepse ne po bëhemi gati ta shkatërrojmë këtë vend, sepse britma e banorëve të tij është e madhe përpara Zotit dhe Zoti na dërgoi për ta shkatërruar".
14. Atëherë Loti doli e u foli dhëndurëve të tij që ishin martuar me bijat e tij, dhe tha: "Çohuni, largohuni nga ky vend, sepse Zoti do ta shkatërrojë qytetin". Por dhëndurët e tij patën përshtypjen se ai po bënte shaka.
15. Sa doli agimi, engjëjt e nxitën Lotin duke thënë: "Çohu, merr gruan dhe bijat e tua që gjenden këtu, që ti të mos vdesësh në dënimin e këtij qyteti".
16. Duke qenë se ai po ngurronte, ata njerëz e morën për dore atë, të shoqen dhe dy bijat e tij, sepse Zotit i kishte ardhur mëshirë për të, e nxorrën jashtë dhe i shpëtuan jetën duke e çuar jashtë qytetit.
17. Ndërsa po i çonin jashtë, njëri prej tyre tha: "Ik shpejt për të shpëtuar jetën tënde! Mos shiko prapa e mos u ndal në asnjë vend të fushës; shpëto në mal që të mos vdesësh!".
18. Por Loti iu përgjegj atyre: "Jo, zoti im!
19. Ja, shërbëtori yt gjeti hir para syve të tu dhe ti u tregove shpirtmadh ndaj meje, duke më shpëtuar jetën, por unë nuk do të mund të arrij malin para se të më zërë fatkeqësia dhe unë të vdes.
20. Ja, ky qytet është mjaft i afërt për ta arritur dhe është i vogël. Më lër, pra, të iki shpejt aty (a nuk është i vogël?) dhe kështu do të shpëtoj jetën".
21. Engjëlli i tha: "Unë po ta plotësoj edhe këtë kërkesë: të mos shkatërroj qytetin për të cilin fole.
22. Shpejto, ik atje, sepse unë nuk mund të bëj asgjë para se ti të arrish atje". Për këtë arsye ky qytet u quajt Coar.
23. Dielli po ngrihej mbi tokë kur Loti arriti në Coar.
24. Atëherë Zoti bëri që nga qielli të binte squfur dhe zjarr mbi Sodomën dhe Gomorën, nga ana e Zotit.
25. Kështu ai shkatërroi ato qytete, tërë fushën, tërë banorët e qytetit e gjithçka mbinte mbi tokën.
26. Por gruaja e Lotit solli kryet për të shikuar prapa dhe u bë një statujë prej kripe.
27. Abrahami u ngrit herët në mëngjes dhe shkoi në vendin ku kishte qëndruar para Zotit;
28. pastaj drejtoi shikimin nga Sodoma dhe Gomora si dhe nga tërë krahina e fushës, dhe kështu pa një tym që ngrihej nga toka, si tymi i një furre.
29. Kështu ndodhi që kur Perëndia shkatërroi qytetin e fushës, Perëndisë iu kujtua Abrahami dhe e largoi Lotin nga gjëma kur shkatërroi qytetet ku Loti kishte banuar.
30. Pastaj Loti doli nga Coari dhe shkoi të banojë në mal bashkë me dy bijat e tij, sepse kishte frikë të qëndronte në Coar; dhe u vendos në një shpellë bashkë me dy bijat e tij.
31. Më e madhja i tha më të voglës: "Babai ynë është plak, dhe nuk ka asnjë burrë në vend që mund të bashkohet me ne, ashtu siç ndodh mbi gjithë tokën.
32. Eja, t'i japim verë babait tonë e të shtrihemi bashkë me të; kështu do të mund t'i sigurojmë pasardhës babait tonë".
33. Kështu po atë natë i dhanë verë babait të tyre dhe e madhja u shtri bashkë me të atin, por ai nuk u kujtua as kur ajo u shtri me të, as kur u ngrit.
34. Të nesërmen vajza më e madhe i tha më të voglës: "Ja, natën e kaluar unë rashë në shtrat bashkë me babanë tim; le të bëjmë që ai të pijë verë edhe sonte; pastaj ti futu dhe shtrihu me të, që të mund t'i sigurojmë pasardhës babait tonë".
35. Edhe atë natë i dhanë verë babait të tyre dhe më e vogla shkoi të shtrihet bashkë me të, dhe ai nuk u kujtua as kur u shtri, as kur u ngrit.
36. Kështu dy bijat e Lotit u ngjizën nga babai i tyre.
37. Më e madhja lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Moab. Ky është babai i Moabitëve, që ekzistojnë deri në ditët tona.
38. Edhe më e vogla lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Ben-Ami. Ky është babai i Amonitëve, që ekzistojnë deri në ditët tona.

Gjenezë 20:1-18
1. Abrahami u zhvendos së këtejmi duke vajtur në Negev, dhe banoi në Kadesh dhe në Shur mandej u vendos në Gerar.
2. Tani Abrahami thoshte për Sarën, gruan e tij: "Éshtë motra ime". Kështu Abimeleku, mbreti i Gerarit, dërgoi njerëz për të marrë Sarën.
3. Por Perëndia iu shfaq Abimelekut në një ëndërr nate dhe i tha: "Ja, ti je duke vdekur, për shkak të gruas që ke marrë, sepse ajo është e martuar".
4. Por Abimeleku nuk i ishte afruar asaj dhe tha: "Zot, a do ta shkatërroje një komb, edhe sikur ai të ishte i drejtë?
5. Ai nuk më ka thënë: "Éshtë motra ime", dhe ajo vetë ka thënë: "Éshtë vëllai im"? E bëra këtë gjë me ndershmërinë e zemrës sime dhe me duar të pafajshme".
6. Dhe Perëndia i tha në ëndërr: "Po, unë e di që e ke bërë këtë gjë me ndershmërinë e zemrës sate, ndaj të ndalova të kryesh një mëkat kundër meje; ndaj nuk të lejova ta prekësh.
7. Tani ktheja gruan këtij njeriu, sepse ai është një profet; dhe do të lutet për ty dhe ti ke për të jetuar. Por, në rast se nuk ia kthen, dije që me siguri ke për të vdekur, ti dhe tërë njerëzit e tu".
8. Kështu Abimeleku u zgjua herët në mëngjes, thirri gjithë shërbëtorët e tij dhe u tregoi tërë këto gjëra. Dhe ata njerëz i zuri një frikë e madhe.
9. Pastaj Abimeleku thirri Abrahamin dhe i tha: "Ç'na bëre? Dhe çfarë kam bërë unë kundër teje që më solle një mëkat kaq të madh si mua ashtu edhe mbretërisë sime? Ti më bëre gjëra që nuk duheshin bërë".
10. Pastaj Abimeleku i tha Abrahamit: "Çfarë mendoje të bëje duke vepruar në këtë mënyrë?".
11. Abrahami u përgjegj: "E bëra sepse thoja me veten time: "Sigurisht, në këtë vend nuk kanë frikë nga Perëndia; dhe do të më vrasin për shkak të gruas sime".
12. Përveç kësaj ajo është në të vërtetë motra ime, bijë e babait tim, por jo bijë e nënës sime; dhe pastaj u bë gruaja ime.
13. Dhe kur Perëndia më çoi të bredh larg shtëpisë së babait tim, unë i thashë: "Ky është favori që do të më bësh; kudo që të shkojmë, do të thuash për mua: Éshtë vëllai im"".
14. Atëherë Abimeleku mori dhentë, qetë, shërbyesit dhe shërbëtoret, dhe ia dha Abrahamit; dhe i kthehu gruan e tij Sara.
15. Pastaj Abimeleku tha: "Ja, vendi im të qëndron përpara; qëndro aty ku të pëlqen".
16. Dhe Sarës i tha: "Ja, unë i dhashë vëllait tënd njëmijë copë argjendi; kjo do të shërbejë për të mbuluar fyerjen që të është bërë para të gjithë atyre që janë me ty; kështu je e përligjur para të gjithëve".
17. Atëherë Abrahami iu lut Perëndisë dhe Perëndia shëroi Abimelekun, gruan e tij dhe shërbyeset e saj, dhe ato mundën të pjellin.
18. Sepse Zoti e kishte shterpëzuar plotësisht tërë shtëpinë e Abimelekut, për shkak të Sarës, gruas së Abrahamit.

Psalmet 6:1-5
1. O Zot, mos më ndreq në zemërimin tënd dhe mos më dëno në zjarrin e indinjatës sate.
2. Ki mëshirë për mua, o Zot; sepse jam i sfilitur nga e keqja; shëromë, o Zot, sepse kockat e mia po vuajnë.
3. Edhe shpirti im po vuan shumë; po ti, o Zot, deri kur?
4. Sillu nga unë, o Zot, çliroje shpirtin tim; shpëtomë, për hir të mirësisë sate.
5. Sepse në vdekje nuk do të kujtoj njeri; kush do të të kremtojë në Sheol?

Fjalët e Urta 3:1-4
1. Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia,
2. sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.
3. Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate;
4. do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve.

Mateu 8:1-17
1. Tani kur Jezusi zbriti nga mali, turma të mëdha e ndiqnin.
2. Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ''O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh''.
3. Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: ''Po, unë dua, shërohu''. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij.
4. Atëherë Jezusi i tha: ''Ruhu se ia tregon kujt; por shko, paraqitu te prifti, bëj flijimin që ka urdhëruar Moisiu, me qëllim që kjo të jetë dëshmi për ta''.
5. Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur,
6. dhe duke thënë: ''O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë''.
7. Dhe Jezusi i tha: ''Do të vij dhe do ta shëroj''.
8. Centurioni duke u përgjigjur i tha: ''Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
9. Sepse unë jam një njeri nën urdhërin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t'i them dikujt: "Shko", ai shkon; dhe po t'i them një tjetri: "Eja", ai vjen; dhe po t'i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë", ai e bën''.
10. Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: ''Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.
11. Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve,
12. por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve''.
13. Dhe Jezusi i tha centurionit: ''Shko dhe u bëftë ashtu si besove!''. Dhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.
14. Pastaj Jezusi hyri në shtëpinë e Pjetrit dhe pa që e vjehrra ishte në shtrat me ethe.
15. Dhe ai ia preku dorën dhe ethet e lanë; dhe ajo u ngrit dhe nisi t'u shërbejë.
16. Dhe kur u ngrys, i sollën shumë të pushtuar nga demonë; dhe ai, me fjalë, i dëboi frymërat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët,
17. që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: ''Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona''.