A A A A A
Bibla në një vit
Prill 15

Jozueu 19:1-51
1. Pjesa e dytë që u hodh me short i takoi Simeonit, fisit të bijve të Simeonit simbas familjeve të tyre. Trashëgimia e tyre ndodhej në mes të trashëgimisë së bijve të Judës.
2. Trashëgimia e tyre përfshinte Beer-Sheban (Sheban), Moladahun,
3. Hatsar-Shualin, Balahun, Etsemin,
4. Eltoladin, Bethulin, Hormahun,
5. Tsiklagun, Beth-Markabothin, Hatsar-Susahin,
6. Beth-Lebaothin dhe Sharuhenin: trembëdhjetë qytete me fshatrat e tyre;
7. Ainin, Rimonin, Etherin dhe Ashanin: katër qytete me fshatrat e tyre,
8. dhe të gjitha fshatrat që ndodheshin rreth këtyre qyteteve, deri në Baalath-Beer, Ramah të Negevit. Kjo përfaqësonte trashëgiminë e fisit të bijve të Simeonit, simbas familjeve të tyre.
9. Trashëgiminë e bijve të Simeonit e morën bijtë e Judës, sepse pjesa e bijve të Judës ishte tepër e madhe për ata; kështu bijtë e Simeonit e patën trashëgiminë e tyre në mes të trashëgimisë së bijve të Judës.
10. Pjesa e tretë që u hodh me short u ra bijve të Zabulonit, simbas familjeve të tyre. Territori i trashëgimisë së tyre shtrihej deri në Sarid.
11. Kufiri i tyre ngjitej në perëndim në drejtim të Maralahut dhe arrinte në Dabesheth dhe pastaj në përruan që rrjedh përballë Jokneamit.
12. Nga Saridi kthente në lindje në drejtim të lindjes, deri në kufirin e Flakëve të Taborit, pastaj shtrihej në drejtim të Daberathit, duke arritur deri në Jafia.
13. Që këtej kalonte në lindje deri në Gath-Hefer dhe Eth-Katsin, pastaj shtrihej deri në Rimon dhe arrinte në Neath.
14. Pas kësaj kufiri kthente në drejtim të veriut nga ana e Hanathonit dhe mbaronte në luginën e Jiftah-Elit.
15. Ai përfshinte gjithashtu Katahun, Nahalalin, Shimronin, Idalahin dhe Betlemin: dymbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.
16. Kjo qe trashëgimia e bijve të Zabulonit, simbas familjeve të tyre, këto qytete bashkë me fshatrat e tyre.
17. Pjesa e katërt që u hodh me short i ra Isakarit, bijve të Isakarit, simbas familjeve të tyre.
18. Territori i tyre shkonte deri në Jezreel, Kesulloth, Shunem,
19. Hafaraim, Shion, Anaharath,
20. Rabith, Kishion, Abets,
21. Remeth, En-Ganim, En-Hadah dhe Beth-Patsets.
22. Pastaj kufiri arrinte deri në Tabor, Shahatsimah dhe Beth-Shemesh, dhe mbaronte në Jordan: gjashtëmbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.
23. Kjo qe trashëgimia e fisit të bijve të Isakarit, simbas familjeve të tyre, qytetet bashkë me fshatrat e tyre.
24. Pjesa e pestë që u hodh me short u ra bijve të Asherit, simbas familjeve të tyre.
25. Ky territor përfshinte Helkathin, Halin, Betenin, Akshafin,
26. Alamelekun, Amadin dhe Mishalin. Kufiri i tyre arrinte, në drejtim të perëndimit, malin Karmel dhe Shihor-Libnathin.
27. Pastaj kthente nga lindja, në drejtim të Beth-Dagonit, arrinte në Zabulon dhe në luginën e Jiftah-Elit në veri të Beth-Emekut dhe të Nejelit, dhe zgjatej në drejtim të Kabulit në të majtë,
28. dhe në drejtim të Ebronit, Rehobit, Hamonit dhe Kanahut deri në Sidonin e Madh.
29. Pastaj kufiri kthente në drejtim të Ramahut deri në qytetin e fortifikuar të Tirit, kthente nga ana e Hosas dhe mbaronte në det nga ana e territorit të Akzibit.
30. Ai përfshinte gjithashtu Umahun, Afekun dhe Rehobin: njëzet e dy qytete me fshatrat e tyre.
31. Kjo qe trashëgimia e fisit të bijve të Asherit, simbas familjeve të tyre, këto qytete bashkë me fshatrat e tyre.
32. Pjesa e gjashtë që u hodh me short u ra bijve të Neftalit, simbas familjeve të tyre.
33. Kufiri i tyre shtrihej nga Helefi, nga lisi në Zaananim, nga Adami-Nekebi dhe Jabneeli deri në Lakum dhe mbaronte në Jordan.
34. Pastaj kufiri kthente në perëndim në drejtim të Aznoth-Taborit, dhe që këtej vazhdonte deri në Hukok; arrinte në Zabulon nga ana e jugut, në Asher nga perëndimi dhe në Juda të Jordanit nga ana e lindjes.
35. Qytetet e fortifikuara ishin: Tsidimi, Tseri, Hamathi, Rakathi, Kinerethi,
36. Adamahu, Ramahu, Hatsori,
37. Kedeshi, Edrei, En-Hatsori,
38. Jironi, Migdal-Eli, Horemi, Beth-Anathi dhe Beth-Shemeshi: nëntëmbëdhjetë qytete bashkë me fshatrat e tyre.
39. Kjo qe trashëgimia e fisit të bijve të Neftalit, simbas familjeve të tyre, qytetet me fshatrat e tyre.
40. Pjesa e shtatë që u hodh me short i ra fisit të bijve të Danit, simbas familjeve të tyre.
41. Territori i trashëgimisë së tyre përfshinte Tsorahun, Eshtaolin, Ir-Shemeshin,
42. Shaalabinin, Aijalonin, Jithlahun,
43. Elonin, Timnathahun, Ekronin,
44. Eltekehun, Gibethonin, Baalathin,
45. Jehudin, Bene-Berakun, Gath-Rimonin,
46. Me-Jarkon dhe Rakonin me territorin që shtrihej përpara Jafos.
47. Por territori i bijve të Danit u shtri matanë këtyre kufijve, sepse bijtë e Danit shkuan për të luftuar kundër Leshemit; e pushtuan dhe vranë me shpatë banorët e tij; kështu e pushtuan, u vendosën aty dhe i vunë emrin Dan, nga emri i atit të tyre.
48. Kjo qe trashëgimia e fisit të bijve të Danit, simbas familjeve të tyre, këto qytete me fshatrat e tyre.
49. Kur bijtë e Izraelit përfunduan ndarjen e trashëgimisë së vendit simbas kufijve të tij, i dhanë Jozueut, birit të Nunit, një trashëgimi në mes të tyre.
50. Simbas urdhrit të Zotit, i dhanë qytetin që ai kërkoi, Timnath-Serahun, në krahinën malore të Efraimit. Ai ndërtoi qytetin dhe banoi në të.
51. Këto janë trashëgimitë që prifti Eleazar, Jozueu, bir i Nunit, dhe kryetarët e familjeve të fiseve të bijve të Izraelit ndanë me short në Shiloh, përpara Zotit, në hyrje të çadrës së mbledhjes. Kështu ata përfunduan ndarjen e vendit.

Jozueu 20:1-9
1. Pastaj Zoti i foli Jozueut, duke i thënë:
2. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: "Vendosuni në qytetet e strehimit, për të cilat ju fola me anë të Moisiut,
3. me qëllim që të mund të strehohet vrasësi që ka vrarë dikë pa dashje dhe pa paramendim; ato do të shërbejnë si vend strehimi për t'i shpëtuar hakmarrësit të gjakut.
4. Kur vrasësi do të ikë në një nga këto qytete, do të ndalet në hyrje të portës së qytetit dhe do t'ua parashtrojë rastin e tij pleqve të atij qyteti; këta do ta presin në qytetin e tyre, do t'i gjejnë vend dhe ai do të banojë me ta.
5. Në rast se hakmarrësi i gjakut do ta ndjekë, ata nuk do t'ia dorëzojnë vrasësin, sepse ai ka vrarë të afërmin e tij pa paramendim, pa e urryer më parë.
6. Vrasësi do të qëndrojë në atë qytet deri sa, me vdekjen e kryepriftit që do të jetë në funksion ato ditë, do të dalë në gjyq para asamblesë. Atëherë vrasësi mund të kthehet dhe të hyjë në qytetin e tij dhe në shtëpinë e tij, në qytetin nga i cili kishte ikur"".
7. Ata, pra, caktuan Kedeshin në Galile, në zonën malore të Neftalit, Sikemin në krahinën malore të Efraimit dhe Kiriath-Arbën (që është Hebroni), në krahinën malore të Judës.
8. Dhe matanë Jordanit, në lindje të Jerikos, caktuan Betserin në shkretëtirën e rrafshnaltës të fisit të Rubenit, Ramothin në Galaad të fisit të Gadit dhe Golanin në Bashan të fisit të Manasit.
9. Këto ishin qytetet që iu caktuan tërë bijve të Izraelit dhe të huajit që banonte midis tyre, në mënyrë që kushdo që kishte vrarë dikë pa dashje të mund të strehohej dhe të mos vritej nga hakmarrësi i gjakut, para se të dilte përpara asamblesë.

Psalmet 46:1-6
1. Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.
2. Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,
3. dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)
4. Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.
5. Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.
6. Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.

Fjalët e Urta 14:7-11
7. Largohu nga njeriu budalla sepse nuk do të gjesh dituri mbi buzët e tij.
8. Dituria e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij, por marrëzia e budallenjve është mashtrim.
9. Budallenjtë qeshin me mëkatin, por midis njerëzve të drejtë është falja.
10. Zemra njeh trishtimin e vet, por një i huaj nuk mund të marrë pjesë në gëzimin e saj.
11. Shtëpia e të pabesëve do të shkatërrohet, por çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë.

Luke 12:32-59
32. Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t'ju japë mbretërinë.
33. Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren.
34. Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj''.
35. Le të jenë ngjeshur ijët tuaja, dhe llambat ndezur.
36. Ngjajini atyre që presin zotërinë e tyre, kur kthehet nga dasma, për t'ia hapur derën sapo të vijë dhe të trokasë.
37. Lum ata shërbëtorë, që zotëria, kur të kthehet, do t'i gjejë zgjuar! Në të vërtetë po ju them se ai vetë do të ngjeshet dhe do t'i vendosë ata në tryezë, dhe ai vetë do t'u shërbejë.
38. Dhe, në se do të vijë në të dytën a në të tretën rojë të natës dhe t'i gjejë kështu, lum ata shërbëtorë.
39. Por ta dini këtë: se po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të linte t'i shpërthenin shtëpinë.
40. Edhe ju pra, jini gati, sepse Biri i njriut do të vijë në atë orë që nuk e mendoni''.
41. Dhe Pjetri i tha: ''Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua vetëm për ne apo për të gjithë?''.
42. Dhe Zoti tha: ''Kush është, pra, ai administrues besnik dhe i mençur, që do ta verë zotëria përmbi shërbëtorët e vet për t'u dhënë atyre racionin e ushqimeve në kohën e duhur?
43. Lum ai shërbëtor të cilin zotëria e tij, kur kthehet, e gjen se vepron kështu.
44. Në të vërtetë po ju them se ai do ta vërë mbi gjithë pasurinë e vet.
45. Por, nëse ai shërbëtor mendon në zemër të vet: "Zotëria im vonon të kthehet" dhe fillon t'i rrahë shërbëtorët dhe shërbëtoret, të hajë, të pijë dhe të dehet,
46. zotëria e atij shërbëtori do të vijë ditën kur nuk e pret, dhe në orën që ai nuk e di; do ta ndëshkojë rëndë dhe do t'i caktojë fatin me të pabesët.
47. Shërbëtori që e dinte vullnetin e zotërisë së tij dhe nuk u bë gati e nuk e kreu vullnetin e tij, do të rrihet shumë.
48. Por ai që nuk e dinte, po të bëjë gjëra që meritojnë të rrahura, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, do t'i kërkohet shumë; dhe kujt iu besua shumë, do t'i kërkohet më shumë''.
49. ''Unë erdha të hedh zjarr mbi tokë dhe sa dëshiroj që ai të ishte tashmë i ndezur.
50. Tani unë kam një pagëzim me të cilën duhet të pagëzohem dhe jam në ankth deri sa të kryhet.
51. A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por më shumë përçarjen;
52. sepse, tash e tutje, pesë veta në një shtëpi do të jenë të ndarë: tre kundër dyve dhe dy kundër treve.
53. Babai do të ndahet kundër të birit, dhe i biri kundër babait; nëna kundër së bijës dhe e bija kundër nënës; vjehrra kundër nuses së saj dhe nusja kundër vjehrrës së vet''.
54. Atëherë ai u tha akoma turmave: ''Kur ju shihni një re që ngrihet nga perëndimi menjëherë thoni: "Do të vijë shiu", dhe ashtu ndodh;
55. përkundrazi, kur fryn juga, ju thoni: "Do të bëjë vapë", dhe ashtu ndodh.
56. Hipokritë! Ju dini të dalloni dukurinë e qiellit dhe të tokës, por vallë si nuk dini ta dalloni këtë kohë?
57. Dhe përse nuk gjykoni nga vetë ju ç'është e drejtë?
58. Kur ti shkon bashkë me kundërshtarin tënd te gjykatësi, bëj ç'është e mundur gjatë rrugës që të merresh vesh me të, që ai mos të të nxjerrë përpara gjykatësit dhe gjykatësi të të dorëzojë te roja dhe roja të të futë në burg.
59. Unë po të them se ti nuk do të dalësh prej andej, derisa të mos kesh paguar deri në qindarkën e fundit''.