Instagram
English
A A A A A
Jozueu 11:1-23
1. Kur Jabini, mbret i Hatsorit, i mësoi këto ngjarje, u dërgoi lajmëtarë Johabit, mbretit të Madonit, mbretit të Shimronit dhe atij të Akshafit,
2. mbretërve që ndodheshin në veri të zonës malore, në Arabah, në jug të Kinerethit, në ultësirën dhe mbi lartësitë e Dorit, në perëndim,
3. Kananejve që ishin në lindje dhe në perëndim, Amorejve, Hitejve, Perezejve dhe Jebusejve në krahinën malore, Hivejve në këmbët e malit Hermon në vendin e Mitspahut.
4. Kështu ata dolën, ata vetë me tërë ushtritë e tyre, një turmë shumë e madhe si rëra që është mbi bregun e detit dhe me kuaj e qerre në një numër shumë të madh.
5. Kështu tërë këta mbretër u bashkuan dhe erdhën në afërsitë e ujërave të Meromit për të ngritur një kamp të përbashkët dhe për të luftuar kundër Izraelit.
6. Por Zoti i tha Jozueut: "Mos u tremb nga ata, sepse nesër në këtë orë ke për t'i parë të gjithë të vrarë para Izraelit. Do të presësh leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe do të djegësh qerret e tyre".
7. Jozueu, pra, dhe gjithë luftëtarët bashkë me të, marshuan papritmas kundër tyre afër ujërave të Meromit dhe i sulmuan;
8. dhe Zoti i dha në duart e Izraelitëve, të cilët i mundën dhe i ndoqën deri në Sidonin e madh, deri në ujërat e Misrefothit dhe në luginën e Mitspahut, në drejtim të lindjes; i mundën deri në atë pikë sa nuk lanë të gjallë asnjë prej tyre.
9. Jozueu i trajtoi si i kishte thënë Zoti preu leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe ua dogji qerret.
10. Në po atë periudhë Jozueu u kthye dhe pushtoi Hatsorin, vrau mbretin e tij me shpatë, sepse në të kaluarën Hatsori kishte qenë kryeqyteti i tërë këtyre mbretërive.
11. Vrau me shpatë tërë njerëzit që gjendeshin aty, duke vendosur shfarosjen e tyre; pastaj i vuri flakën Hatsorit.
12. Kështu Jozueu pushtoi tërë qytetet e këtyre mbretërive, zuri mbretërit e tyre dhe i vrau me shpatë, duke vendosur shfarosjen e tyre, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit.
13. Por Izraeli nuk u vuri flakën asnjërit prej qyteteve që ngriheshin në kodrinat, me përjashtim të Hatsorit, i vetmi qytet që Jozueu dogji.
14. Bijtë e Izraelit morën për vete tërë plaçkën e këtyre qyteteve dhe bagëtinë, por vranë tërë njerëzit dhe nuk lanë shpirt të gjallë.
15. Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, shërbëtorin e tij, kështu Moisiu urdhëroi Jozueun, dhe ky nuk la pas dore asgjë nga tërë ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.
16. Kështu Jozueu shtiu në dorë tërë atë vend, krahinën malore, tërë Negevin, tërë vendin e Goshenit, ultësirën, Arabahun, krahinën malore të Izraelit dhe ultësirat e tij,
17. nga mali Holak, që ngrihet në drejtim të Seirit, deri në Baal-Gad në luginën e Libanit në këmbët e malit Hermon; zuri tërë mbretërit e tyre, i goditi dhe i vrau.
18. Jozueu luftoi gjatë kundër të gjithë këtyre mbretërve.
19. Nuk pati qytet që të bënte paqe me bijtë e Izraelit, me përjashtim të Hivejve që banonin në Gabaon; i pushtuan të gjitha me luftë.
20. Në fakt ishte Zoti vetë që fortësonte zemrën e tyre që të bënin luftë kundër Izraelit, me qëllim që Izraeli të vendoste shfarosjen e tyre pa asnjë mëshirë për ta, por t'i zhdukte nga faqja e dheut ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
21. Po në këtë periudhë Jozueu u nis në marshim dhe shfarosi Anakitët e krahinës malore, ata të Hebronit, të Debirit, të Anabit, të të gjithë krahinës malore të Judës dhe të të gjithë krahinës malore të Izraelit; Jozueu vendosi shfarosjen e tyre të plotë bashkë me qytetet e tyre.
22. Nuk mbetën më Anakitë në vendin e bijve të Izraelit; mbetën disa prej tyre vetëm në Gaza, në Gath dhe në Ashod.
23. Kështu Jozueu shtiu në dorë tërë vendin, pikërisht ashtu siç i kishte thënë Zoti Moisiut; Jozueu ia la pastaj si trashëgim Izraelit, simbas ndarjeve të tyre në fise. Dhe kështu vendi pati një pushim nga lufta.

Jozueu 12:1-24
1. Këta janë mbretërit e vendit të mundur nga bijtë e Izraelit, që pushtuan territorin e tyre matanë Jordanit, në drejtim të lindjes, nga përroi Arnon deri në malin Hermon dhe tërë Arabahun lindor;
2. Sihoni, mbret i Amorejve, që banonte në Heshbon dhe sundonte nga Aroeri, që gjendet mbi brigjet e lumit të Harnonit, nga gjysma e lumit dhe nga gjysma e Galaadit deri në lumin Jakob, që është kufi me bijtë e Anonit;
3. dhe në pjesën lindore të Arabahut nga deti i Kinerethit deri në detin e Arabahut, nga Deti i Kripur deri në Beth-Jeshimoth, dhe në jug deri në shpatet e Pisgahut.
4. Pastaj territori i Ogut, mbretit të Bashanit, një nga gjigantët që kishin shpëtuar dhe që banonte në Ashtaroth dhe në Edrej,
5. dhe që sundonte mbi malin Hermon, mbi Salkahun, mbi tërë Bashanin deri në kufirin e Geshuritëve dhe Maakathitëve, dhe mbi gjysmën e Galaadit deri në kufirin e Sihonit, mbretit të Heshbonit.
6. Moisiu, shërbëtori i Zotit, dhe bijtë e Izraelit i mundën; pastaj Moisiu, shërbëtori i Zotit ua dha në zotërim vendin e tyre Rubenitëve, Gaditëve dhe gjysmës së fisit të Manasit.
7. Këta janë përkundrazi mbretërit e vendit që Jozueu dhe bijtë e Izraelit i mundën këtej Jordanit, në perëndim, nga Baal-Gadi në luginën e Libanit deri në malin Halak që ngrihet mbi Seir, vend që Jozueu
8. në krahinën malore, në ultësirën, në Arabah, në shpatet e maleve, në shkretëtirë dhe në Negev; vendi i Hitejve, i Amorejve, i Kananejve, i Perezejve, i Hivejve dhe i Jebusejve;
9. mbreti i Jerikos, një; mbret i Ait, afër Bethelit, një;
10. mbreti i Jeruzalemit, një; mbreti i Hebronit, një;
11. mbreti i Jarmuthit, një; mbreti i Lakishit, një;
12. mbreti i Eglonit, një; mbreti i Gezerit, një;
13. mbreti i Debirit, një; mbreti i Gederit, një;
14. mbreti i Hormahut, një; mbreti i Aradit, një;
15. mbreti i Libnahut, një; mbreti i Adulamit, një;
16. mbreti i Makedahut, një; mbreti i Bethelit, një;
17. mbreti i Tapuahut, një; mbreti i Heferit, një;
18. mbreti i Afekut, një; mbreti i Sharonit, një;
19. mbreti i Madonit, një; mbreti i Hatsorit, një;
20. mbreti i Shirom-Meronit, një; mbreti i Akshafit, një;
21. mbreti i Taanakut, një; mbreti i Megidos, një;
22. mbreti i Kedeshit, një; mbreti i Jokneamit, në Karmel, një;
23. mbreti i Dorit, mbi lartësinë e Dorit, një; mbreti i popujve të Gilgalit, një;
24. mbreti i Tirtsahut, një. Gjithsej tridhjetë e një mbretër.

Psalmet 44:4-19
4. Ti je mbreti im, o Perëndi, që vendos fitoret për Jakobin.
5. Me anën tënde do të përmbysim armiqtë tanë; në emër tënd do të shkelim ata që ngrihen kundër nesh.
6. Sepse nuk kam besim tek harku im dhe nuk do të jetë shpata ime ajo që do të më shpëtojë.
7. Por je ti ai që na shpëton nga armiqtë tanë dhe që i mbulon me turp ata që na urrejnë.
8. Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë. (Sela)
9. Por ti na dëbove dhe na mbulove me turp, dhe nuk del më me ushtritë tona.
10. Ti ke bërë të kthejmë kurrizin përpara armikut, dhe ata që na urrejnë na kanë grabitur.
11. Ti na ke dhënë si dele për therje dhe na ke shpërndarë midis kombeve.
12. Ti e ke shitur popullin tënd për asgjë dhe nuk ke nxjerrë asnjë fitim nga shitja e tij.
13. Ti na bëre për turp me fqinjët tanë, u bëmë gazi dhe tallja e atyre që rrijnë rreth nesh.
14. Ti na ke bërë të jemi gazi i kombëve; përsa na përket neve, popujt tundin kokën.
15. Turpi im më rri gjithmonë përpara, dhe fytyra ime është e mbuluar nga turpi,
16. për shkak të atij që më fyen dhe më poshtëron, për shkak të armikut dhe atij që kërkon hakmarrje.
17. Të tëra këto na kanë rënë mbi kurriz, por ne nuk kemi harruar dhe nuk kemi tradhëtuar besëlidhjen tënde.
18. Zemra jonë nuk është kthyer prapa dhe hapat tona nuk janë larguar nga rruga jote,
19. por ti na ke copëtuar, duke na futur në vende çakejsh dhe duke na mbuluar me hijen e vdekjes.

Fjalët e Urta 14:1-2
1. Gruaja e urtë ndërton shtëpinë e saj, por budallaqja e shkatërron me duart e veta.
2. Kush ecën në drejtësinë e tij ka frikë nga Zoti, por ai që çoroditet në rrugët e tij e përçmon atë.

Luke 10:25-42
25. Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: ''Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?''.
26. Dhe ai tha: ''Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?''.
27. Ai duke u përgjigjur tha: ''Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten''.
28. Jezusi i tha: ''U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh''.
29. Por ai, duke dashur të justifikonte veten, i tha Jezusit: ''Po kush është i afërmi im?''.
30. Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.
31. Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër.
32. Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër.
33. Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.
34. Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.
35. Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç'të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem".
36. Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?''.
37. Dhe ai tha: ''Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij''. Atëherë Jezusi i tha: ''Shko dhe bëj kështu edhe ti''.
38. Ndodhi që, ndërsa ata po udhëtonin, Jezusi hyri në një fshat; dhe një grua, që e kishte emrin Marta, e priti në shtëpinë e vet.
39. Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij.
40. Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: ''Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë''.
41. Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: ''Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra;
42. por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t'i hiqet''.