A A A A A
Bibla në një vit
Prill 17

Jozueu 23:1-16
1. Shumë kohë mbas pushimit që Zoti i kishte siguruar Izraelit nga të gjithë armiqtë që e rrethonin, Jozueu, tanimë i plakur dhe me moshë të shtyrë,
2. mblodhi tërë Izraelin, pleqtë e tij, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij, dhe u tha: "Unë jam plak dhe i shtyrë në moshë,
3. Ju i patë të gjitha ato që Zoti, Perëndia juaj, u ka bërë të gjitha kombeve, për shkakun tuaj, sepse ka qenë vetë Zoti, Perëndia juaj, që ka luftuar për ju.
4. Dhe ja, unë kam ndarë midis jush me short, si trashëgimi për fiset tuaja, kombet që mbeten, bashkë me tërë kombet që kam shfarosur, nga Jordani deri në Detin e Madh, në perëndim.
5. Dhe Zoti, Perëndia juaj, do t'i dëbojë ai vetë para jush; kështu ju do të shtini në dorë vendin e tyre, ashtu si ju ka premtuar Zoti, Perëndia juaj.
6. Jini, pra, shumë të vendosur në zbatimin dhe vënien në praktikë të ligjit të Moisiut, pa u shmangur as djathtas as majtas,
7. pa u përzier me kombet që mbeten midis jush; nuk do të përmendni as emrin e perëndive të tyre dhe nuk do të betoheni për ta; nuk do t'i shërbeni dhe nuk do të bini përmbys para tyre;
8. por do të lidheni ngushtë me Zotin, Perëndinë tuaj, siç keni bërë deri sot.
9. Në fakt Zoti ka dëbuar para jush kombe të mëdhenj dhe të fuqishëm; dhe askush nuk ka mundur t'ju bëjë ballë deri më sot.
10. Një i vetëm nga ju do të ndjekë njëmijë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, është ai që lufton për ju, siç e ka premtuar.
11. Tregoni, pra, kujdes të madh për shpirtrat tuaj, për ta dashur Zotin, Perëndinë tuaj.
12. Por në rast se i shmangeni dhe bashkoheni me mbeturinat e këtyre kombeve që kanë mbetur midis jush dhe bashkoheni me anë martesash me ta dhe përziheni me ta dhe ata me ju,
13. dijeni me siguri që Zoti, Perëndia juaj, nuk ka për të vazhduar t'i dëbojë këto kombe para jush; por ata do të bëhen për ju një kurth, një kamzhik në ijët tuaja dhe hala në sytë tuaja, deri sa ju të zhdukeni nga ky vend i mirë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka dhënë.
14. Dhe ja, unë po iki sot në rrugën e gjithë botës; pranoni, pra, me gjithë zemër e me gjithë shpirt që nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju; të tëra u vërtetuan për ju; as edhe një nuk ra për tokë.
15. Dhe ka për të ndodhur që, ashtu si për të gjitha gjërat e mira që Zoti, Perëndia juaj, ju kishte premtuar ju kanë dalë, kështu Zoti do të sjellë mbi ju tërë fatkeqësitë, deri sa t'ju zhdukë nga ky vend i mirë që Perëndia juaj, Zoti ju ka dhënë.
16. Në rast se shkelni besëlidhjen që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar, dhe shkoni t'u shërbeni perëndive të tjera dhe bini përmbys para tyre, atëherë zemërimi i Zotit do të ndizet kundër jush dhe ju do të zhdukeni shpejt nga vendi i mirë që Ai ju ka dhënë".

Jozueu 24:1-33
1. Pastaj Jozueu mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe thirri pleqtë e Izraelit, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij, që u paraqitën përpara Perëndisë.
2. Dhe Jozueu i tha tërë popullit: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: "Në kohërat e kaluara, etërit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, banonin matanë lumit dhe u shërbenin perëndive të tjera.
3. Unë mora atin tuaj Abrahamin nga ana tjetër e lumit, e bëra të kalojë nëpër gjithë vendin e Kanaanit, shumëzova pasardhësit e tij dhe i dhashë Isakun.
4. Isakut i dhashë Jakobin dhe Esaun; Esaut i dhashë si trashëgimi malin e Seirit; por Jakobi dhe bijtë e tij zbritën në Egjipt.
5. Pastaj dërgova Moisiun dhe Aaronin dhe godita Egjiptin me atë që bëra në mes të tij; pastaj ju nxora jashtë.
6. Kështu nxora nga Egjipti etërit tuaj, dhe ju arritët në det. Egjiptasit i ndoqën etërit tuaj me qerre dhe me kalorës deri në Detin e Kuq.
7. Por ata i klithën Zotit, dhe ai vendosi një errësirë të dendur midis jush dhe Egjiptasve; pastaj hodha mbi ta detin, që i mbuloi; dhe sytë tuaj panë atë që u bëra Egjiptasve. Pastaj qëndruat për një kohë të gjatë në shkretëtirë.
8. Unë ju çova në vendin e Amorejve, që banonin matanë Jordanit; ata luftuan kundër jush dhe unë jua dhashë në dorë; ju pushtuat vendin e tyre dhe unë i shpartallova para jush.
9. Pastaj Balaku, bir i Tsiporit, mbret i Moabit, u ngrit për të luftuar Izraelin; dhe dërgoi të thërrasë Balaamin, djalin e Beorit, që t'ju mallkonte;
10. por unë nuk desha të dëgjoj Balaamin; prandaj ai ju bekoi me të madhe, dhe ju çlirova nga duart e Balakut.
11. Kaluat pastaj Jordanin dhe arritët në Jeriko; banorët e Jerikos luftuan kundër jush; kështu bënë Amorejtë, Perezejtë, Kananejtë, Hitejtë, Girgasejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë; por unë jua dorëzova në dorë.
12. Dhe çova para jush grerëzat, që i bënë të ikin para jush, ashtu si kishte ndodhur me dy mbretërit e Amorejve; por kjo nuk ishte meritë e shpatës ose e harkut tënd.
13. Dhe ju dhashë një tokë për të cilën nuk kishit punuar dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar, dhe ju banuat në to; dhe tani hani frytin e vreshtave dhe të ullishteve që nuk keni mbjellë".
14. Prandaj tani t'ia kini frikën Zotit dhe shërbejeni me ndershmëri dhe besnikëri; hiqni perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit dhe në Egjipt, dhe vihuni në shërbim të Zotit.
15. Dhe në rast se ju duket një gjë e keqe t'i shërbeni Zotit, zgjidhni sot kujt doni t'i shërbeni, o perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit, o perënditë e Amorejve, në vendin e të cilëve
16. Atëherë populli u përgjigj dhe tha: "Larg qoftë që ne të braktisim Zotin për t'u shërbyer perëndive të tjera!
17. Sepse Zoti, Perëndia ynë, është ai që na nxori ne dhe etërit tanë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë, që ka bërë mrekullira të mëdha para syve tanë dhe që na ka mbrojtur gjatë gjithë rrugës që bëmë dhe midis gjithë popujve në mes të të cilëve kemi kaluar;
18. dhe Zoti ka dëbuar para nesh tërë popujt dhe Amorejtë që banonin në këtë vend; prandaj ne do t'i shërbejmë Zotit, sepse ai është Perëndia ynë".
19. Por Jozueu i tha popullit: "Ju nuk mund t'i shërbeni Zotit, sepse ai është një Perëndi i shenjtë, një Perëndi ziliqar; ai nuk do t'i falë shkeljet dhe mëkatet tuaja.
20. Kur ta braktisni Zotin dhe t'u shërbeni perëndive të huaja, ai do të kthehet për t'ju bërë keq dhe për t'ju konsumuar pas aq të mirave që ju ka bërë".
21. Dhe populli i tha Jozueut: "Jo, ne do t'i shërbejmë Zotit".
22. Atëherë Jozueu i tha popullit: "Ju jeni dëshmitarë kundër vetvetes, pse keni zgjedhur për vete Zotin për t'i shërbyer!". Ata iu përgjigjën: "Jemi dëshmitarë!".
23. Jozueu tha: "Hiqni, pra, perënditë e huaja që janë në mes tuaj dhe përuleni zemrën tuaj Zotit, Perëndisë së Izraelit!".
24. Populli iu përgjigj Jozueut: "Ne do t'i shërbejmë Zotit, Perëndisë tonë, dhe do t'i bindemi zërit të tij".
25. Kështu Jozueu lidhi atë ditë një besëlidhje me popullin, dhe i dha statutet dhe dekretet në Sikem.
26. Pastaj Jozueu shkroi këto gjëra në librin e ligjit të Perëndisë; dhe mori një gur të madh dhe e vendosi aty, poshtë lisit, pranë shenjtërores së Zotit.
27. Jozueu i tha pastaj tërë popullit: "Ja, ky gur do të jetë një dëshmitar kundër nesh, sepse ai i dëgjoi tërë fjalët që na tha Zoti; ai, pra, do të shërbejë si dëshmitar kundër jush, me qëllim që të mos e mohoni Perëndinë tuaj".
28. Pastaj Jozueu e ktheu popullin në vendin ku ishte më parë, secili në trashëgiminë e vet.
29. Pas këtyre gjërave Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç,
30. dhe e varrosën në territorin e pronës së tij në Timnath-Serah, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash.
31. Izraeli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut dhe që dinin tërë veprat që Zoti kishte bërë për Izraelin.
32. Eshtrat e Jozefit, që bijtë e Izraelit kishin sjellë nga Egjipti, i varrosën në Sikem, në pjesën e arës që Jakobi ua kishte blerë bijve të Hamorit, atit të Sikemit, për njëqind pjesë argjendi, dhe që ishte pronë e bijve të Jozefit.
33. Pastaj vdiq edhe Eleazari, bir i Aaronit, dhe e varrosën në malin, që ishte pronë e birit të tij Finehas dhe që ia kishin dhënë në krahinën malore të Efraimit.

Psalmet 47:1-9
1. Duartrokisni, o popuj; kremtojeni Perëndinë me britma triumfi.
2. Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.
3. Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t'i vërë nën këmbët tona.
4. Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë, lavdinë e Jakobit që ai e do. (Sela)
5. Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive.
6. Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde!
7. Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi.
8. Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.
9. Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.

Fjalët e Urta 14:14-14
14. Zemërpërdali do të ngopet me rrugët e tij, dhe njeriu i mirë do të ngopet me frytet e tij.

Luke 13:23-35
23. Dhe një njeri e pyeti: ''Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?''. Ai u tha atyre:
24. ''Përpiquni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden.
25. Kur i zoti i shtëpisë është çuar dhe ka mbyllur derën, ju atëherë, që keni mbetur jashtë, do të filloni të trokitni në derë duke thënë: "Zot, Zot, na e hap". Por ai, duke u përgjigjur, do të thotë: "Nuk e di nga vini".
26. Atëherë do të filloni të thoni: "Po ne hëngrëm dhe pimë me ty dhe ti mësove ndër rrugët tona".
27. Por ai do thotë: "Unë po ju them se nuk di nga vini; largohuni nga unë, të gjithë ju që bëni paudhësi".
28. Atje do të jetë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh, kur të shihni Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa ju do të dëboheni përjashta.
29. Dhe do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu dhe nga jugu, dhe do të ulen në tryezë në mbretërinë e Perëndisë.
30. Dhe ja, disa ndër të fundit do të jenë të parët, dhe disa nga të parët do të jenë të fundit''.
31. Po në atë ditë disa farisenj erdhën dhe i thanë: ''Nisu dhe largohu prej këtej, sepse Herodi do të të vrasë''.
32. Dhe ai u përgjigj atyre: ''Shkoni e i thoni asaj dhelpre: "Ja, sot dhe nesër po dëboj demonë dhe kryej shërime, dhe të tretën ditë po i jap fund punës sime".
33. Por sot, nesër e pasnesër më duhet të ec, sepse nuk mundet që një profet të vdesë jashtë Jeruzalemit.
34. Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetet dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë desha t'i mbledh bijtë e tu sikurse klloçka i mbledh nën krahë zogjtë e vet, por ju nuk deshët!
35. Ja, shtëpia juaj ju lihet e shkretë. Dhe unë po ju them se nuk do të më shihni më deri sa të vijë koha të thoni: "Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit"''.