A A A A A
Bibla në një vit
Prill 13

Jozueu 15:1-63
1. Pjesa që iu dha me short fisit të bijve të Judës, simbas familjeve të tyre, shtrihej deri në kufirin e Edomit, në shkretëtirën e Tsinit, në skajin jugor.
2. Kufiri i tyre jugor fillonte në skajin e Detit të Kripur, nga kepi që drejtohet në jug,
3. dhe zgjatej në jug në drejtim të të përpjetës së Akrabimit, kalonte nëpër Tsin, pastaj ngjitej në drejtim të Adarit dhe kthente nga ana e Karkaas;
4. kalonte pastaj nga Atsmoni dhe vazhdonte deri në përruan e Egjiptit, dhe mbaronte në det. "Ky do të jetë", tha Jozueu, "kufiri juaj në jug".
5. Kufiri në lindje ishte Deti i Kripur deri në grykëderdhjen e Jordanit. Kufiri verior fillonte me mëngën e detit pranë grykëderdhjes së Jordanit;
6. pastaj kufiri ngjitej në drejtim të Beth-Oglahut, kalonte në veri të Beth-Arabahut dhe ngjitej deri në gurin e Bohanit, birit të Rubenit.
7. Pastaj nga Lugina e Akorit kufiri ngjitej në Debir, kthehej prapa në veri në drejtim të Gilgalit, që ndodhet përballë së përpjetës të Adumumit, në jug të luginës; pastaj kufiri kalonte në ujërat e En-Shemeshit dhe mbaronte në En-Roguel.
8. Kufiri pas kësaj ngjitej nëpër luginën e birit të Hinonit deri te shpatet jugore të qytetit të Jebusejve (që është Jeruzalemi). Pastaj kufiri ngjitej deri në majën e malit që ndodhet përballë luginës së Hinomit në perëndim, që mbetet në skajin e luginës të Refaimit në veri.
9. Nga maja e malit kufiri shtrihej deri në burimin e ujërave të Neftoahut, vazhdonte në drejtim të qyteteve të malit Efron dhe pastaj kthente deri në Baalah, që është Kirjath-Jearimi.
10. Nga Baalahu kufiri kthente pastaj në perëndim të malit Seir, kalonte mbi faqen veriore të malit Jearim (që është Kesaloni), zbriste në Beth-Shemesh dhe kalonte nëpër Timah.
11. Pastaj kufiri arrinte anën veriore të Ekronit, kthente nga Shikroni, kalonte nëpër malin e Baalahut, shtrihej deri në Jabneel dhe mbaronte në det.
12. Kufiri në perëndim ishte Deti i Madh. Këta ishin rreth e qark kufijtë e bijve të Judës simbas familjeve të tyre.
13. Kalebit, birit të Jefunehut, Jozueu i dha një pjesë në mes të bijve të Judës, ashtu siç e kishte porositur Zoti; Kirjath-Arba, që është Hebroni (Arba ishte ati i Anakut).
14. Dhe Kalebi dëboi që andej tre djemtë e Anakut, Sheshain, Ahimanin dhe Talmain, pasardhës të Anakut;
15. Që këtej ai u ngrit kundër banorëve të Debirit (që më parë quhej Kirjath-Sefer).
16. Dhe Kalebi tha: "Atij që do të sulmojë Kirjath-Seferin dhe do ta shtjerë në dorë, unë do t'i jap për grua vajzën time Aksah".
17. Atëherë Othnieli, bir i Kenazit, vëllai i Kalebit, e shtiu në dorë, dhe Kalebi i dha për grua bijën e tij Aksah.
18. Kur ajo erdhi të banojë me të, i mbushi mendjen Othnielit t'i kërkonte atit të saj një fushë. Atëherë ajo zbriti nga gomari dhe Kalebi i tha: "Çfarë do?".
19. Ajo iu përgjigj: "Më bëj një dhuratë; mbasi më ke dhënë tokë në Negev, më jep edhe burime ujore". Kështu ai i dhuroi burimet e sipërme dhe burimet e poshtme.
20. Kjo qe trashëgimia e fisit të bijve të Judës, simbas familjeve të tyre;
21. qytetet e vendosura në skajin e fisit të bijve të Judës, në drejtim të kufirit të Edomit, në Negev ishin: Kabtseeli, Ederi dhe Jaguri,
22. Kinahu, Dimonahu, Adadahu,
23. Kadeshi, Hatsori, Ithnami,
24. Zifi, Telemi, Bealothi,
25. Hatsor-Hadattahu, Kerioth-Hetsroni (domethënë në Hatsori),
26. Amami, Shema, Moladahu,
27. Hatsar-Gadahu, Heshmoni, Beth-Peleti,
28. Hatsar-Shuali, Beer-Sheba, Bizjothjahu,
29. Baala, Ijimi, Etsemi,
30. Eltoladi, Kesili, Hormahu,
31. Tsiklagu, Madmanahu, Sansanahu,
32. Lebaothi, Shilhimi, Aini, Rimoni; gjithsej njëzet e nëntë qytete me fshatrat e tyre.
33. Në ultësirë: Eshaoli, Tsoreahu, Ashnahu,
34. Zanoahu, En-Ganimi, Tapuahu, Enami;
35. Jarmuthi, Adulami, Sosohu, Azekahu,
36. Shaaraimi, Adithaimi, Gederahu dhe Gederothaimi: katërmbëdhjetë qytete me gjithë fshatrat e tyre;
37. Tsenani, Hadashahu, Migdal-Gadi,
38. Dileani, Mitspahu, Joktheeli,
39. Lakishi, Bokskathi, Egloni,
40. Kaboni, Lahmasi, Kitlishi,
41. Gederothi, Beth-Dagoni, Naamahu dhe Makedahu; gjashtëmbëdhjetë qytete me gjithë fshatrat e tyre;
42. Libnahu, Etheri, Ashani;
43. Jiftahu, Ashna, Netsibi;
44. Kejlahu, Akzibi dhe Mareshahu: nëntë qytete me fshatrat e tyre;
45. Ekroni me qytetet dhe fshatrat e tij;
46. nga Ekroni deri në det, çdo gjë që ishte afër Ashdotit me fshatrat e tyre;
47. Ashdoti me gjithë qytetet dhe fshatrat e tij; Gaza me qytetet dhe fshatrat e tij deri në përroin e Egjiptit dhe në detin e Madh me bregun e tij.
48. Në zonën malore: Shanoiri, Jatiri dhe Sokohu,
49. Danahu, Kirjath-Sanahu, domethënë Debiri,
50. Anabi, Esthemothi, Animi,
51. Gosheni, Holoni dhe Gilohu: njëmbëdhjetë qytete bashkë me fshatrat e tyre;
52. Arabi, Dumahu, Esheani,
53. Janumi, Beth-Tapuahu, Afekahu,
54. Humtahu, Kirjath-Arba (domethënë Hebroni) dhe Tsiori: nëntë qytete me gjithë fshatrat e tyre;
55. Maoni, Karmeli, Zifi dhe Jutahu,
56. Jizreeli, Jokdeami, Zanoahu,
57. Kaini, Gibeahu dhe Timnahu: dhjetë qytete me fshatrat e tyre;
58. Halhuli, Beth-Tsuri, Gedori,
59. Maarathi, Beth-Anothi dhe Eltekoni: gjashtë qytete me fshatrat e tyre;
60. Kirjath-Baal (domethënë Kirjath-Jearimi) dhe Rabahu: dy qytete bashkë me fshatrat e tyre.
61. Në shkretëtirë: Beth-Arabahu, Midini, Sekakahu,
62. Nibshani, qyteti i kripës dhe Engedi: gjashtë qytete me fshatrat e tyre.
63. Përsa u përket Jebusejve që banonin në Jeruzalem, bijtë e Judës nuk mundën t'i dëbojnë; kështu që Jebusejtë kanë banuar në Jeruzalem bashkë me bijtë e Judës deri në ditën e sotme.

Jozueu 16:1-10
1. Pjesa që iu dha me short bijve të Jozefit shtrihej nga Jordani pranë Jerikos, në drejtim të ujërave të Jerikos në lindje, deri në shkretëtirën që ngjitet nga Jeriko në Bethel nëpër krahinën malore.
2. Kufiri vijonte pastaj nga Betheli në Luc dhe kalonte në Ataroth nëpër kufirin e Arkejve,
3. dhe zbriste në perëndim në drejtim të kufirit të Jafletejve deri në kufirin e Beth-Horonit të poshtëm dhe deri në Gezer, duke mbaruar në det.
4. Kështu bijtë e Jozefit, Manasi dhe Efraimi, patën secili trashëgiminë e vet.
5. Këto qenë kufijtë e bijve të Efraimit, simbas familjeve të tyre. Kufiri i trashëgimisë së tyre, në lindje, ishte Atrothi deri në Beth-Horonin e sipërm;
6. kufiri shtrihej deri në det në veri të Mikmethathit, pastaj kthente nga lndja deri në Tanaath-Shiloh dhe i kalonte përpara në lindje të Janoahut.
7. Nga Janoahu zbriste pastaj në Ataroth dhe Naarah dhe zgjatej deri në Jeriko, për të mbaruar në Jordan.
8. Nga Tapuah kufiri shtrihej në perëndim deri në përruan Kanah dhe mbaronte në det. Kjo qe trashëgimia e fisit të Efraimit, simbas familjeve të tyre,
9. bashkë me qytetet e rezervuara për bijtë e Efraimit në mes të trashëgimisë së bijve të Manasit, të gjitha qytetet bashkë me fshatrat e tyre.
10. Por ata nuk i dëbuan Kananejtë që banonin në Gezer; kështu Kananejtë kanë banuar në mes të Efraimit deri ditën e sotme, por u bënë skllevër.

Psalmet 45:1-5
1. Më burojnë nga zemra fjalë shumë të ëmbla; unë i këndoj mbretit poemën time. Gjuha ime do të jetë si pena e një shkruesi të shpejtë.
2. Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve; buzët e tua janë plot nur, prandaj Perëndia të ka bekuar në përjetësi.
3. Ngjeshe shpatën në brezin tënd, o trim, i rrethuar nga shkëlqimi yt dhe nga madhështia jote,
4. dhe në madhështinë tënde shko përpara mbi qerren fitimtare për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë dhe të drejtësisë, dhe dora jote e djathtë do të të tregojë vepra të tmerrshme.
5. Shigjetat e tua janë të mprehta; popujt do të bien poshtë teje; ato do të hyjnë në zemërën e armiqve të mbretit.

Fjalët e Urta 14:4-5
4. Aty ku nuk ka qe grazhdi është bosh, por bollëku i korrjes qëndron në forcën e kaut.
5. Dëshmitari i ndershëm nuk gënjen, por dëshmitari i rremë thotë gënjeshtra.

Luke 11:29-54
29. Duke qenë se turmat po i shtyheshin përreth, ai filloi të thotë: ''Ky brez është i lig; ai kërkon nje shenjë, por asnjë shenjë nuk do t'i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.
30. Sepse, ashtu si Jona qe një shenjë për Ninivasit, kështu edhe Biri i njeriut do të jetë një shenjë për këtë brez.
31. Mbretëresha e Mesditës do të ngrihet ditën e gjyqit me njerëzit e këtij brezi dhe do t'i dënojë, sepse ajo po vjen nga skaji i dheut për të dëgjuar urtësinë e Salomonit; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Salomoni.
32. Ninivasit, ditën e gjyqit, do të ringjallen me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan për predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jona''.
33. Asnjëri, kur ndez një llambë, nuk e vë në një vend të fshehtë ose nën babunë, po përmbi dritëmbajtësen, që të shohin dritë ata që hyjnë.
34. Llamba e trupit është syri; në se syri yt është i shëndoshë, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar; por në se syri yt është i sëmurë, edhe gjithë trupi yt do të jetë plot me errësirë.
35. Prandaj trego kujdes që drita që është në ty të mos jetë terr.
36. Në se gjithë trupi yt është i ndriçuar, pa asnjë pjesë të errët, gjithçka do të jetë e ndriçuar, sikurse ndodh kur llamba të ndriçon me shkëlqimin e saj''.
37. Por ndërsa Jezusi po fliste, një farise e ftoi për drekë në shtëpinë e vet. Dhe ai hyri dhe u vendos në tryezë.
38. Fariseu e vuri re këtë dhe u mrekullua që Jezusit nuk lau para buke.
39. Dhe Zoti i tha: ''Tani ju farisenjtë pastroni të jashtmen e kupës dhe të pjatës, ndërsa brendinë tuaj e keni plot me grabitje dhe ligësi.
40. Të pamend! Ai që bëri anën e jashtme, vallë nuk bëri edhe të brendshmen?
41. Por jepni si lëmoshë atë që është përbrenda, dhe çdo gjë do të jetë e pastër për ju.
42. Por mjerë ju, o farisenj! Sepse ju paguani të dhjetën e ryzës, të mendrës dhe të çdo barishteje, dhe pastaj lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Këto gjëra duhet t'i bënit, pa i lënë pas dore të tjerat.
43. Mjerë ju, o farisenj! Sepse ju e doni vendin e parë ndër sinagoga dhe përshëndetjet nëpër sheshe.
44. Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse jeni si varret që nuk shihen dhe njërëzit ecin sipër tyre, pa e ditur''.
45. Atëherë, duke u përgjigjur, një nga mësuesit e ligjit, i tha: ''Mësues, duke folur kështu, ti po na fyen edhe ne''.
46. Dhe ai thoshte: ''Mjerë edhe ju, o mësues të ligjit! Sepse i ngarkoni njerëzit me barrë që me vështirësi baren, dhe ju nuk i prekni ato barrë as edhe me një gisht.
47. Mjerë ju! Sepse ju ndërtuat varret e profetëve dhe etërit tuaj i patën vrarë ata.
48. Duke vepruar në këtë mënyrë, ju dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj; në fakt ata vranë profetët dhe ju ndërtoni varret e tyre.
49. Për këtë arsye edhe urtësia e Perëndisë tha: "Unë do t'u dërgoj profetë dhe apostuj, dhe ata do të vrasin disa prej tyre kurse të tjerët do t'i përndjekin",
50. me qëllim që këtij brezi t'i kërkohet llogari për gjakun e të gjithë profetëve, i cili u derdh që nga krijimi i botës:
51. nga gjaku i Abelit deri te gjaku i Zakarias, që u vra ndërmjet altarit dhe tempullit; po, unë po ju them, se këtij brezi do t'i kërkohet llogari.
52. Mjerë ju, o mësues të ligjit! Sepse ju e morët çelësin e dijes; ju vetë nuk hytë dhe penguat hyrjen e atyre që po hynin''.
53. Po ndërsa ai u fliste atyre këto gjëra, skribët dhe farisenjtë filluan të zemërohen shumë kundër tij dhe ta sulmojnë atë me shumë pyetje,
54. për t'i ngritur kurthe, për ta zënë në gabim e për të mundur ta akuzojnë për ndonjë fjalë të tij.