A A A A A
Bibla në një vit
Marsh 2

Numrat 1:1-54
1. Zoti i foli akoma Moisiut në shkretëtirën e Sinait, në çadrën e mbledhjes, ditën e parë të muajit të dytë, gjatë vitit të dytë nga dalja e tyre nga vendi i Egjiptit, dhe i tha:
2. "Bëni regjistrimin e gjithë asamblesë së bijve të Izraelit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar një për një emrat e çdo mashkulli.
3. Nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që në Izrael mund të shkojnë në luftë; ti dhe Aaroni do t'i regjistroni, grup pas grupi.
4. Dhe me ju do të jetë një burrë për çdo fis, një që të jetë i pari i shtëpisë së atit të tij.
5. Këta janë emrat e burrave që do të jenë me ju. nga Ruben, Elitsur, bir i Shedeurit;
6. nga Simeoni, Shelumieli, bir i Tsurishadait;
7. nga Juda, Nahshoni, bir i Aminadabit;
8. nga Isakari, Nethaneeli, bir i Tsuarit;
9. nga Zabuloni, Eliabi, bir i Helonit;
10. nga bijtë e Jozefit, për Efraimin, Elishama, bir i Amihudit; për Manasën, Gamalieli, bir i Pedahtsurit;
11. nga Beniamini, Abidani, bir i Gideonit;
12. nga Dani, Ahiezeri, bir i Amishadaidit;
13. nga Asheri, Pagieli, bir i Okranit;
14. nga Gadi, Eliasafi, bir i Deuelit;
15. nga Neftali, Ahira, bir i Enanit".
16. Këta janë ata që u zgjodhën nga asambleja, prijësit e fiseve të etërve të tyre, krerët e divizioneve të Izraelit.
17. Moisiu dhe Aaroni morën, pra, këta burra që ishin caktuar me emër,
18. dhe thirrën tërë asamblenë, ditën e parë të muajit të dytë; ata u treguan fisin e tyre, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar personat me moshë njëzet vjeç e lart, një për një.
19. Ashtu si Zoti pat urdhëruar Moisiun, ai bëri regjistrimin e tyre në shkretëtirën e Sinait.
20. Nga bijtë e Rubenit, i parëlinduri i Izraelit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar emrat e të gjithë meshkujve, një për një, nga mosha njëzet vjeç e lart, tërë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
21. ata që u regjistruan nga fisi i Rubenit ishin dyzet e gjashtë mijë e pesëqind.
22. Nga bijtë e Simeonit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, ata që u regjistruan duke numëruar emrat e të gjithë meshkujve, një për një, nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
23. ata që u regjistruan nga fisi i Simeonit ishin pesëdhjetë e nëntë mijë e treqind.
24. Nga bijtë e Gadit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar emrat e atyre që ishin njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
25. ata që u regjistruan nga fisi i Gadit ishin dyzet e pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë.
26. Nga bijtë e Judës, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat e tyre nga njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
27. ata që u regjistruan nga fisi i Judës ishin shtatëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind.
28. Nga bijtë e Isakarit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
29. ata që u regjistruan nga fisi i Isakarit ishin pesëdhjetë e katër mijë e katërqind.
30. Nga bijtë e Zabulonit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre duke i numëruar nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
31. ata që u regjistruan nga fisi i Zabulonit ishin pesëdhjetë e shtatë mijë e katërqind.
32. Ndër bijtë e Jozefit: nga bijtë e Efraimit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë për të shkuar në luftë:
33. ata që u regjistruan nga fisi i Efraimit ishin dyzet mijë e pesëqind.
34. Nga bijtë e Manasit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
35. ata që u regjistruan nga fisi i Manasit ishin tridhjetë e dy mijë e dyqind.
36. Nga bijtë e Beniaminit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
37. ata që u regjistruan nga fisi i Beniaminit ishin tridhjetë e pesë mijë e katërqind.
38. Nga bijtë e Danit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
39. ata që u regjistruan nga fisi i Danit ishin gjashtëdhjetë e dy mijë e shtatëqind.
40. Nga bijtë e Asherit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
41. ata që u regjistruan nga fisi i Asherit ishin dyzet e një mijë e pesëqind.
42. Nga bijtë e Neftalit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
43. ata që u regjistruan nga fisi i Neftalit ishin pesëdhjetë e tre mijë e katërqind.
44. Këta ishin të regjistruarit nga Moisiu dhe Aaroni, së bashku me dymbëdhjetë burrat, prijës të Izraelit, secili përfaqësues i shtëpisë së atit të tij.
45. Kështu tërë bijtë e Izraelit që u regjistruan në bazë të shtëpive të etërve të tyre, nga mosha njëzet vjeç e lart, domethënë tërë njerëzit që në Izrael ishin të aftë të shkonin në luftë,
46. të gjithë ata që u regjistruan ishin gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë.
47. Por Levitët nuk u regjistruan bashkë me të tjerët, simbas fisit të etërve të tyre,
48. sepse Zoti i kishte folur Moisiut, duke i thënë:
49. "Vetëm në fisin e Levit nuk do të bësh regjistrimin dhe nuk do të llogaritësh numrin e tyre me bijtë e Izraelit;
50. por besoju Levitëve kujdesin për tabernakullin e dëshmisë, për të gjitha orenditë e tij dhe për çdo gjë që i përket. Ata do të mbartin tabernakullin dhe tërë orenditë e tij, do të bëjnë shërbimin dhe do të fushojnë rreth tabernakullit.
51. Kur tabernakulli duhet të zhvendoset, Levitët do ta bëjnë pjesë-pjesë; kur tabernakulli duhet të ndalet, ata do ta ngrenë; dhe i huaji që do të afrohet do të dënohet me vdekje.
52. Bijtë e Izraelit do t'i ngrenë çadrat e tyre secili në kampin e vet, secili pranë flamurit të vet, simbas renditjes së tyre.
53. Por Levitët do t'i ngrenë çadrat e tyre rreth tabenakullit të dëshmisë me qëllim që mëria ime të mos bjerë mbi asamblenë e bijve të Izraelit; kështu Levitët do të kujdesen për tabernakullin e dëshmisë".
54. Bijtë e Izraelit iu binden gjithçkaje që Zoti kishte urdhëruar Moisiun, dhe kështu bënë.

Numrat 2:1-34
1. Zoti i foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:
2. "Bijtë e Izraelit do të vendosen secili pranë flamurit të vet nën shenjat e shtëpisë së etërve të tyre; do të vendosen rreth e rrotull çadrës së mbledhjes, por në një farë largësie prej saj.
3. Në krahun lindor, ndaj diellit që po ngrihet, do të vendoset flamuri i kampit të Judës simbas renditjes së tij; prijësi i bijve të Efraimit është Nashoni, bir i Aminadabit;
4. ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin shtatëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind.
5. Pranë tij do të vendoset fisi i Isakarit; prijësi i bijve të Isakarit është Nethaneeli, bir i Tsuarit;
6. ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin pesëqind e katër mijë e katërqind.
7. Pastaj do të vijë fisi i Zabulonit; prijësi i bijve të Zabulonit është Eliabi, bir i Helonit;
8. ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin pesëdhjetë e shtatë mijë e katërqind.
9. Të gjithë ata që u regjistruan në kampin e Judës, simbas ndarjeve të tij, ishin njëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind. Ata do ta fillojnë marshimin të parët.
10. Në krahun jugor do të vihet flamuri i kampit të Rubenit simbas renditjes së ushtarëve të tij; dhe prijësi i bijve të Rubenit është Elitsuri, bir i Shedeurit;
11. dhe ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin dyzet e gjashtë mijë e pesëqind.
12. Pranë tij do të vendoset fisi i Simeonit; dhe prijësi i bijve të Simeonit është Shelumjeli, bir i Tsurishadait;
13. ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin pesëdhjetë e nëntë mijë e treqind.
14. Pastaj do të vijë fisi i Gadit; prijësi i bijve të Gadit është Eliasafi, bir i Reuelit,
15. ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin dyzet e pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë.
16. Tërë ata që janë regjistruar në kampin e Rubenit, simbas divizioneve të tyre, ishin njëqind e pesëdhjetë e një mijë e katërqind e pesëdhjetë. Këta do ta fillojnë marshimin të dytët.
17. Pastaj do të niset për marshim çadra e mbledhjes bashkë me kampin e Levitëve në mes të kampeve të tjera. Do ta fillojnë marshimin në po atë rend të sistemimit të tyre, duke qëndruar secili në vendin e tij, pranë flamurit të vet.
18. Në krahun perëndimor do të jetë flamuri i kampit të Efraimit simbas renditjes së tij, prijësi i bijve të Efraimit është Elishama, bir i Amihudit;
19. ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin dyzet mijë e pesëqind.
20. Pranë tij do të zërë vend fisi i Manasit; prijësi i bijve të Manasit është Gamalieli, bir i Pedahtsurit;
21. ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin tridhjetë e dy mijë e dyqind.
22. Pastaj do të vijë fisi i Beniaminit; prijësi i bijve të Beniaminit është Abidan, bir i Gideonit;
23. ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin tridhjetë e pesë mijë e katërqind.
24. Të gjithë ata që janë regjistruar në kampin e Efraimit, simbas divizioneve të tyre, ishin njëqind e tetë mijë e njëqind. Këta do ta fillojnë marshimin të tretët.
25. Në krahun perëndimor do të jetë flamuri i kampit të Danit simbas renditjes së tij; prijësi i bijve të Danit është Ahiezeri, bir i Amishadait;
26. ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin gjashtëdhjetë e dy mijë e shtatëqind.
27. Pranë tij do të zërë vend fisi i Asherit; prijësi i bijve të Asherit është Pagieli, bir i Okranit;
28. ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin dyzet e një mijë e pesëqind.
29. Pastaj do të vijë fisi i Neftalit; prijësi i bijve të Neftalit është Ahira, bir i Enanit;
30. ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin pesëdhjetë e tre mijë e katërqind.
31. Të gjithë ata që u regjistruan në divizionin e Danit, ishin njëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind. Ata do të nisen për marshim të fundit, pranë flamujve të tyre".
32. Këta janë bijtë e Izraelit që u regjistruan në bazë të shtëpive të etërve të tyre. Të gjithë ata që u regjistruan në kampet e ndryshme simbas divizioneve të tyre ishin gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë.
33. Por Levitët nuk u regjistruan me bijtë e Izraelit, sepse kështu e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
34. Bijtë e Izraelit iu bindën të gjitha urdhrave që Zoti i kishte dhënë Moisiut: kështu ata fushuan pranë flamurëve të tyre dhe kështu e nisnin marshimin, secili simbas familjes së tij dhe simbas shtëpisë së etërve të tij.

Psalmet 29:7-11
7. Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.
8. Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.
9. Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".
10. Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.
11. Zoti do t'i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.

Fjalët e Urta 10:26-29
26. Ashtu si uthulla për dhëmbët dhe tymi për sytë, kështu është dembeli për ata që e dërgojnë.
27. Frika e Zotit i zgjat ditët, por vitet e të pabesit do të shkurtohen.
28. Shpresa e të drejtëve është gëzimi, por pritja e të pabesëve do të zhduket.
29. Rruga e Zotit është një kala për njeriun e ndershëm, por është shkatërrim për ata që kryejnë padrejtësi.

Shenjë 7:14-37
14. Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: ''Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni:
15. Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin.
16. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!
17. Më pas, kur ai u kthye në shtëpi, larg turmës, dishepujt e vet e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrës.
18. Dhe ai u tha atyre: ''Edhe ju qënkeni kaq të pamend? A nuk e kuptoni se çdo gjë që nga jashtë hyn te njeriu nuk mund ta ndotë,
19. sepse nuk i hyn në zemër, por në bark, dhe pastaj jashtëqitet në gjiriz?''. Duke folur kështu, ai i deklaroi të pastra të gjitha ushqimet.
20. Tha akoma: ''Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur.
21. Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet,
22. vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku.
23. Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut''.
24. Pastaj u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur.
25. Në fakt një grua, vajza e së cilës kishte një frymë e ndyrë, duke dëgjuar për Jezusin, erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij.
26. Tani ajo grua ishte greke, me prejardhje sirofenikase; dhe iu lut që ta dëbonte demonin nga e bija;
27. por Jezusi i tha: ''Lëri më parë fëmijët të ngopen, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t'u hidhet këlyshëve të qenve''.
28. Por ajo u përgjigj dhe i tha: ''Mirë po flet, o Zot, por edhe këlyshët nën tryezë hanë thërimet e fëmijëve!''
29. Atëherë ai i tha: ''Për këtë fjalën tënde, shko; demoni doli nga vajza jote!''.
30. Dhe ajo, kur u kthye në shtëpinë e vet, e gjeti të bijën në shtrat, dhe demoni i kishte dalë.
31. Mbasi u nis përsëri nga krahina e Tiros dhe e Sidonit, Jezusi arriti te deti i Galilesë, në mes të krahinës së Dekapolit.
32. Dhe i paraqitën një të shurdhët që mezi fliste, dhe iu lutën t'i vërë duart mbi të.
33. Si e mori veçmas, larg turmës, ia shtiu gishtrinjtë në vesh dhe mbasi e pështyu ia preku gjuhën.
34. Pastaj i drejtoi sytë nga qielli, psherëtiu dhe i tha: ''Effatha'', që do të thotë: ''Hapu!''.
35. Dhe menjëherë iu hapën veshët, iu zgjidh nyja e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.
36. Dhe Jezusi i urdhëroi ata që të mos i tregojnë askujt; por sa më tepër ua ndalonte, aq më tepër ata e përhapnin.
37. Dhe, të habitur shumë, thonin: ''Ai çdo gjë e ka bërë mirë: ai i bën që të shurdhët të dëgjojnë dhe memecët të flasin!''.