A A A A A
Bibla në një vit
Prill 12

Jozueu 13:1-33
1. Por Jozueu ishte plak dhe në moshë të shtyrë; dhe Zoti i tha: "Ti je plak dhe i shtyrë në moshë, dhe të mbetet një pjesë shumë e madhe e vendit për të pushtuar.
2. Ky është vendi që mbetet akoma: tërë territori i Filistejve dhe gjithë ai i Geshuritëve,
3. nga Shikori që rrjedh në lindje të Egjiptit, deri në kufirin e Ekronit nga veriu (krahinë që konsiderohet kananease), tokat e pesë princave të Filistejve, domethënë të Gazës, të Ashdodit, të Ashkalonit, të Gathit, të Ekronit dhe të Avejve gjithashtu,
4. në jug, tërë vendi i Kananejve, dhe Mearahu që u përket Sidonëve deri në Afek, deri në kufirin e Amorejve;
5. vendi i Giblitëve dhe tërë Libani në drejtim të lindjes, nga Baal-Gadi në këmbët e malit Hermon deri në hyrje të Hamathit;
6. tërë banorët e krahinës malore të Libanit deri në ujërat e Misrefothit, dhe gjithë Sidonët. Unë do t'i dëboj para bijve të Izraelit; ti ndërkaq ndaje me short vendin midis Izraelitëve si trashëgimi, ashtu si të kam urdhëruar.
7. Ndaje, pra, këtë vend si trashëgimi midis nëntë fiseve dhe gjysmës së fisit të Manasit".
8. Rubenitët dhe Gaditët, bashkë me gjysmën e fisit tjetër, kanë marrë trashëgiminë e tyre, që Moisiu u dha atyre matanë Jordanit, në lindje, ashtu siç ua kishte dhënë Moisiu, shërbëtor i Zotit;
9. nga Aroeri që ndodhet në brigjet e përroit Arnon dhe nga qyteti që është në mes të luginës, tërë rrafshnaltën e Medebas deri në Dibon;
10. tërë qytetet e Sihonit, mbretit të Amorejve, që mbretëronte në Heshbon, deri në kufirin e bijve të Amonit;
11. Galaadin, territorin e Geshuritëve dhe të Maakathitëve, tërë malin Hermon dhe tërë Bashanin deri në Salkah;
12. tërë mbretërinë e Ogut, në Bashan, që mbretëronte në Ashtaroth dhe në Edrei dhe ishte i vetmi gjigant i mbetur gjallë. Në fakt Moisiu i kishte mundur dhe dëbuar.
13. Por bijtë e Izraelit nuk i përzunë Geshuritët dhe Maakathitët; kjo është arësyeja pse Geshuritët dhe Maakathitët banojnë në mes të Izraelit deri në ditët e sotme.
14. Vetëm fisit të Levit, Moisiu nuk i kishte dhënë asnjë trashëgimi; flijimet e bëra me zjarr për nder të Zotit, Perëndisë së Izraelit, përfaqësonin trashëgiminë e tij, ashtu si u kishte thënë ai.
15. Kështu Moisiu i kishte dhënë fisit të bijve të Rubenit pjesën që u përkiste, simbas familjeve të tyre;
16. territori i tyre niste nga Aroeri që ndodhet mbi brigjet e përroit Arnon dhe nga qyteti që gjendet në mes të luginës, tërë rrafshnalta pranë Medebës,
17. Heshboni dhe tërë qytetet e tij që ndodhen në rrafshnaltën: Diboni, Bamoth-Baali, Beth-Baal-Meoni,
18. Jahtsahu, Kedemothi, Mefaathi,
19. Kirjathaimi, Sibmahu, Tsereth-Hashahari mbi malin e luginës,
20. Beth-Peori, shpatet e Pisgahut dhe Beth-Jeshimothi;
21. të gjitha qytetet e rrafshnaltës dhe tërë mbretëria e Sihonit, mbretit të Amorejve që mbretëronte në Heshbon, të cilin Moisiu e mundi me princat e Madianit: Evi, Rekem, Tsur, Hur dhe Reba, princa vasalë të Sihonit, që banonin në atë vend.
22. Bijtë e Izraelit vranë gjithashtu me shpatë Balaamin, birin e Beorit, shortarin, bashkë me të tjerët që u vranë në radhët e Madianitëve.
23. Territori i bijve të Rubenit kufizohej me Jordanin. Kjo ishte trashëgimia e bijve të Rubenit në bazë të familjeve të tyre, së bashku me qytetet dhe fshatrat e tyre.
24. Moisiu i kishte dhënë gjithashtu fisit të Gadit, bijve të Gadit, pjesën e tyre, simbas familjeve të tyre.
25. Territori i tyre përfshinte Jazerin, të gjitha qytetet e Galaadit, gjysmën e vendit të bijve të Amonit deri në Aroer, që ngrihet përballë Rabahut,
26. dhe nga Heshboni deri në Ramath-Mitspah dhe Betonim, dhe nga Mahanaimi deri në kufirin e Debirit,
27. dhe në luginë, Beth-Harami, Beth-Nimrahi, Sukothi dhe Tsafoni, pjesa që mbeti nga mbretëria e Sihonit, mbretit të Heshbonit, që ka Jordanin për kufi, deri në skajin e Detit të Kinerethit, matanë Jordanit, në drejtim të lindjes.
28. Kjo qe trashëgimia e bijve të Gadit, simbas familjeve të tyre, me qytetet dhe fshatrat e tyre.
29. Moisiu i kishte dhënë gjithashtu gjysmës së fisit të Manasit, bijve të Manasit, pjesën e tyre, simbas familjeve të tyre.
30. Territori i tyre përfshinte Mahanaimin, tërë Bashanin, tërë mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashanit, tërë fshatrat e Jairit që ndodhen në Bashan, gjithsej shtatëdhjetë qytete.
31. Gjysma e Galaadit, Ashtarothit dhe Edreit, qytete të mbretërisë së Ogut në Bashan, kaluan në dorë të bijve të Makirit, birit të Manasit, simbas familjeve të tyre.
32. Këto janë pjesët që Moisiu u kishte ndarë si trashëgimi në fushat e Moabit, matanë Jordanit, në bregun përballë Jerikos, në lindje.
33. Por fisit të Levit Moisiu nuk i la asnjë trashëgimi; Zoti, Perëndia i Izraelit, ishte trashëgimia e tij, ashtu siç u kishte thënë ai vetë.

Jozueu 14:1-15
1. Këto janë territoret që bijtë e Izraelit morën si trashëgimi në vendin e Kanaanit, dhe që prifti Eleazar, Jozueu, bir i Nunit, dhe kryetarët e familjeve të fiseve të bijve të Izraelit u ndanë atyreve si trashëgimi.
2. Trashëgimia e tyre u vendos me short, ashtu si u kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut nëntë fiseve dhe gjysmës së fisit,
3. sepse dy fiseve të tjera dhe gjysmës së fisit, Moisiu u kishte dhënë trashëgiminë e tyre matanë Jordanit; por nuk u kishte dhënë asnjë trashëgimi Levitëve,
4. sepse bijtë e Jozefit formonin dy fise, atë të Manasit dhe atë të Efraimit; Levitëve nuk iu dha asnjë pjesë në vend, por vetëm disa qytete për të banuar bashkë me kullota për bagëtinë e tyre dhe pasuritë që kishin.
5. Bijtë e Izraelit vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun dhe e ndanë vendin.
6. Atëherë bijtë e Judës u paraqitën para Jozueut në Gilgal; dhe Kalebi, bir i Jefunehut, Kenizeu, i tha: "Ti e di atë që Zoti i tha Moisiut, njeriut të Perëndisë, lidhur me mua dhe me ty në Kadesh-Barnea.
7. Unë isha dyzet vjeç kur Moisiu, shërbëtori i Zotit, më dërgoi në Kadesh-Barnea për të vëzhguar vendin; unë i paraqita një raport ashtu si ma thoshte zemra.
8. Ndërsa vëllezërit e mi që kishin ardhur me mua e shkurajuan popullin, unë ndoqa plotësisht Zotin, Perëndinë tim.
9. Atë ditë Moisiu bëri këtë betim: "Toka që ke shkelur me këmbë do të jetë trashëgimia jote dhe e bijve të tu për gjithnjë, sepse ke ndjekur plotësisht Zotin, Perëndinë tim".
10. Dhe ja, tani Zoti më ka ruajtur të gjallë, siç e kishte thënë, këto dyzet e pesë vjet që kur Zoti i tha këto fjalë Moisiut, ndërsa Izraeli endej nëpër shkretëtirë; dhe ja, sot u bëra tetëdhjetë e pesë vjeç.
11. Por sot jam akoma i fortë si ditën që Moisiu më nisi; po atë fuqi që kisha atëherë e kam edhe tani, qoftë për të luftuar, qoftë për të shkuar dhe për të ardhur.
12. Prandaj ma jep këtë mal për të cilin foli Zoti atë ditë; sepse ti vetë e dëgjove atë ditë që aty ishin Anakimët dhe kishte qytete të mëdha dhe të fortifikuara. Në rast se Zoti do të jetë me mua, unë do t'i dëboj, ashtu si ka thënë Zoti".
13. Atëherë Jozueu e bekoi dhe i dha si trashëgimi Hebronin Kalebit, djalit të Jefunehut.
14. Për këtë arësye Hebroni ka mbetur pronë e Kalebit, birit të Jefunehut, Kenizeu, deri në ditën e sotme, sepse ai ka ndjekur plotësisht Zotin, Perëndinë e Izraelit.
15. Më parë Hebroni quhej Kirjath-Arba, Arba pati qenë njeriu më i madh në radhët e Anakimëve. Dhe vendi nuk pati më luftë.

Psalmet 44:20-26
20. Po të kishim harruar emrin e Perëndisë tonë dhe po t'i kishim shtrirë duart tona drejt një perëndie të huaj,
21. a nuk do ta kishte zbuluar Perëndia këtë gjë? Në fakt ai i njeh sekretet e zemrës.
22. Po, për shkakun tënd ne vritemi çdo ditë dhe konsiderohemi si dele.
23. Zgjohu! Pse fle, o Zot? Çohu, mos na kthe për gjithnjë.
24. Pse e fsheh fytyrën tënde, dhe harron pikëllimin tonë dhe shtypjen tonë?
25. Sepse shpirtërat tona janë ulur deri te pluhuri dhe trupi ynë i është ngjitur tokës.
26. Çohu të na ndihmosh dhe na shpëto për hir të mirësisë sate.

Fjalët e Urta 14:3-3
3. Në gojën e budallait gjejmë farën e kryelartësisë, por të urtët e ruajnë gojën e tyre.

Luke 11:1-28
1. Dhe ndodhi që ai ndodhej në një vend dhe lutej dhe, si mbaroi, një nga dishepujt e tij i tha: ''Zot, na mëso të lutemi, ashtu siç i mësoi Gjoni dishepujt e vet''.
2. Dhe ai u tha: ''Kur të luteni, thoni: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt si në qiell edhe në tokë.
3. Na jep çdo ditë bukën tonë të nevojshme.
4. Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë; dhe mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu"''.
5. Pastaj u tha atyre: ''A ka midis jush njeri që ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: "Mik, më jep hua tri bukë,
6. sepse më erdhi nga udha një miku im dhe unë s'kam çfarë t'i vë përpara";
7. dhe ai, nga brenda, duke u përgjigjur, i tha: "Mos më bezdis, dera është tashmë e mbyllur dhe fëmijët e mi ranë në shtrat me mua; nuk mund të çohem e të t'i jap"?
8. Unë po ju them se, edhe nëse nuk çohet t'ia japë sepse e ka mik, do të çohet gjithsesi për shkak të insistimit të tij dhe do t'i japë të gjitha bukët që i nevojiten.
9. Prandaj po ju them: Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju hapet.
10. Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t'i hapet atij që troket.
11. Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t'i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t'i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër?
12. Ose, po t'i kërkojë një vezë, i jep një akrep?
13. Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t'u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t'u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë''.
14. Dhe Jezusi po dëbonte një demon që ishte memec; dhe ndodhi që, kur demoni doli, memeci foli dhe turmat u mrekulluan.
15. Por disa nga ata thanë: ''Ai i dëbon demonët nëpërmjet Beelzebubit, princit të demonëve''.
16. Kurse disa nga ata, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë nga qielli.
17. Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha atyre: ''Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete shkatërrohet, dhe çdo shtëpi e përçarë në vetvete rrëzohet.
18. Po të jetë, pra, edhe Satanai i përçarë në vetvete, si do të mund të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse ju thoni se unë i dëboj demonët nëpërmjet Beelzebubit.
19. Por, nëse unë i dëbokam demonët nëpërmjet Beelzebubit, nëpërmjet kujt i dëbojnë ata bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
20. Por në se unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra ka arritur deri te ju.
21. Kur burri i fortë, i armatosur mirë, e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është në paqe.
22. Por në qoftë se vjen një më i fortë se ai dhe e mund atë, ia merr armët në të cilat kishte shpresë dhe i ndan plaçkat e tij.
23. Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.
24. Kur fryma e ndyrë del nga një njeri, endet në vende të shkreta, duke kërkuar pushim, dhe duke mos e gjetur dot, thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time nga dola".
25. Dhe, kur kthehet, e gjen të fshirë e të zbukuruar,
26. atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjerë më të këqij se ai, dha ata hyjnë aty dhe banojnë aty; dhe gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e para''.
27. Ndodhi që, ndërsa ai po thoshte këto gjëra, një grua nga turma e çoi zërin e saj dhe i tha: ''Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën''.
28. Por ai u tha: ''Me tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë''.