Numrat 3:1-51 |
1. Këta janë pasardhësit e Aaronit dhe të Moisiut në kohën kur Zoti i foli Moisiut në malin Sinai. |
2. Këta janë emrat e bijve të Aaronit: Nadabi, i parëlinduri, Abihu, Eleazari dhe Ithamari. |
3. Këta janë emrat e bijve të Aaronit, të vajosur si priftërinj, që ai i shenjtëroi për të shërbyer si priftërinj. |
4. Nadabi dhe Abihu vdiqën para Zotit, kur ofruan një zjarr të palejueshëm para Zotit në shkretëtirën e Sinait; ata nuk patën bij. Kështu Eleazari dhe Ithamari shërbyen si priftërinj në prani të Aaronit, atit të tyre. |
5. Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: |
6. "Afro fisin e Levitëve dhe paraqite para priftit Aaron, që të vihet në shërbim të tij. |
7. Ata do të zbatojnë të gjitha udhëzimet e tij dhe do të kryejnë të gjitha detyrat që lidhen me tërë asamblenë para çadrës së mbledhjes, duke kryer shërbimin e tabernakullit. |
8. Do të kujdesen për të gjitha orenditë e çadrës së mbledhjes dhe do të përmbushin të gjitha detyrimet e bijve të Izraelit, duke kryer shërbimin e tabernakullit. |
9. Levitët do t'ua japësh Aaronit dhe bijve të tij; ata duhet t'u jepen plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit. |
10. Ti do të vendosësh Aaronin dhe bijtë e tij në mënyrë që ata të kryejnë funksionet e priftërisë së tyre; por çdo i huaj tjetër që afrohet do të dënohet me vdekje". |
11. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
12. "Ja, unë i mora Levitët nga gjiri i bijve të Izraelit në vend të çdo të parëlinduri që çel barkun e nënës midis bijve të Izraelit; prandaj Levitët do të jenë të mitë, |
13. sepse çdo i parëlindur është imi; ditën që godita të gjithë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, unë ia shenjtërova vetvetes të gjithë të parëlindurit në Izrael, qoftë të njerëzve, qoftë të kafshëve; ata do të jenë të mitë. Unë jam Zoti. |
14. Pastaj Zoti i foli Moisiut në shkretëtirën e Sinait, duke i thënë: |
15. "Bëj regjistrimin e bijve të Levit në bazë të shtëpive të etërve të tyre dhe të familjeve të tyre; do të bësh regjistrimin e të gjithë meshkujve një muajsh e lart". |
16. Kështu Moisiu bëri regjistrimin simbas urdhërit të Zotit ashtu siç ishte urdhëruar. |
17. Këta janë bijtë e Levit, simbas emrave të tyre: Gershon, Kehat dhe Merari. |
18. Këta janë emrat e bijve të Gershonit, simbas familjeve të tyre: Libni dhe Shimei; |
19. bijtë e Kehathit, simbas familjeve të tyre, ishin Amrami, Itsehari, Hebroni dhe Uzieli; |
20. bijtë e Merarit, simbas familjeve të tyre, ishin Mahli dhe Mushi. Këto janë familjet e Levitëve, në bazë të shtëpive të etërve të tyre. |
21. Nga Gershoni rrjedhin familja e Libnitëve dhe familja e Shimetëve; këto janë familjet e Gershonitëve. |
22. Ata që u regjistruan, duke numëruar tërë meshkujt e moshës një muajsh e lart, ishin shtatë mijë e pesëqind. |
23. Familjet e Gershonitëve duhet të zinin vend prapa tabernakullit, në drejtim të perëndimit. |
24. I pari i shtëpisë së etërve të Gershonitëve ishte Eliasafi, bir i Laelit. |
25. Detyrat e bijve të Gershonit në çadrën e mbledhjes kishin të bënin me tabernakullin, me çadrën dhe mbulesën e saj, me perden e hyrjes në çadrën e mbledhjes, |
26. me perdet e oborrit, me perden në hyrjen e oborrit rreth tabernakullit dhe rreth altarit dhe litarët e tij për tërë shërbimin që u takonte. |
27. Nga Kehathi rrjedhin familja e Amramitëve, familja e Itseharit, familja e Hebronitëve dhe familja e Uzielitëve; këto janë familjet e Kehathitëve. |
28. Duke numëruar tërë meshkujt që ishin në moshë një muajsh e lart, kishte tetë mijë e gjashtëqind vetë, që kujdeseshin për shenjtëroren. |
29. Familjet e bijve të Kehathit duhet të zinin vend në krahun jugor të tabernakullit. |
30. I pari i shtëpisë së etërve të Kehathit ishte Elitsafani, bir i Uzielit. |
31. Detyrat e tyre kishin të bënin me arkën, me tryezën, me shandanin, me altarët dhe me orenditë e shenjtërores me të cilat ata kryenin shërbimin, me velin dhe gjithë punën që lidhet me këto gjëra. |
32. Princi i princave të Levitëve ishte Eleazari, bir i priftit Aaron; ai mbikqyrte ata që kujdeseshin për shenjtëroren. |
33. Nga Merari rrjedhin familja e Mahlitëve dhe familja e Mushitëve; këto janë familjet e Merarit. |
34. Ata që u regjistruan, duke numëruar tërë meshkujt nga mosha një muajsh e lart, ishin gjashtë mijë e dyqind. |
35. Prijësi i shtëpisë së etërve të familjeve të Merarit ishte Tsurieli, bir i Abihailit. Ata duhet të zinin vend në krahun verior të tabernakullit. |
36. Detyrat e caktuara për bijtë e Merarit kishin të bënin me dërrasat e tabernakullit, me traversat e tij, me shtyllat dhe bazat e tyre, me tërë veglat e tij dhe tërë punën që ka të bëjë me këto gjëra, |
37. me shtyllat e oborrit rreth e qark, me bazat e tyre, me kunjat dhe me litarët e tyre. |
38. Përpara tabernakullit, në krahun e tij lindor, përballë çadrës së mbledhjes, nga ana lindjes së diellit, duhet të zinin vend Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij; ata kujdeseshin për shenjtëroren duke plotësuar detyrat e bijve të Izraelit; por çdo i huaj tjetër që do të afrohej, do të dënohej me vdekje. |
39. Tërë Levitët e regjistruar nga Moisiu dhe Aaroni në bazë të familjeve të tyre simbas urdhrit të Zotit, të gjithë meshkujt që nga mosha një muajsh e lart ishin njëzet mijë. |
40. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Bëj regjistrimin e të gjithë të parëlindurve meshkuj ndër bijtë e Izraelit nga mosha një muajsh e lart dhe llogarit edhe emrat e tyre. |
41. Do t'i marrësh Levitët për mua, unë jam Zoti, në vend të të gjithë të parëlindurve ndër bijtë e Izraelit dhe bagëtinë e Levitëve në vend të të parëlindurve ndër bagëtitë e bijve të Izraelit". |
42. Kështu Moisiu bëri regjistrimin e të gjithë të parëlindurve ndër bijtë e Izraelit, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. |
43. Të gjithë të parëlindurit meshkuj që u regjistruan duke numëruar emrat e tyre nga mosha një muajsh e lart, ishin njëzet e dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tre. |
44. Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: |
45. "Merr Levitët në vend të të gjithë të parëlindurve të Izraelit, dhe bagëtinë e Levitëve në vend të bagëtisë së tyre; Levitët do të jenë të mitë. Unë jam Zoti. |
46. Për shpengimin e dyqind e shtatëdhjetë e tre të parëlindur të Izraelit që e kalojnë numrin e Levitëve, |
47. do të marrësh pesë sikla për frymë, simbas siklit të shenjtërores; sikli ka njëzet gere. |
48. Paratë do t'ia japësh Aaronit dhe bijve të tij për të shpenguar ata që e kalojnë numrin e tyre". |
49. Kështu Moisiu mori paratë e shpengimit nga ata që e kalonin numrin e të parëlindurve të shpenguar nga Levitët; |
50. mori paratë e të parëlindurve të bijve të Izraelit; një mijë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë sikla, simbas siklit të shenjtërores. |
51. Pastaj Moisiu paratë e atyre që ishin shpenguar ia dha Aaronit dhe bijve të tij, simbas urdhërit të Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
Numrat 4:1-49 |
1. Zoti i foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë: |
2. "Numëroni bijtë e Kehathit, midis bijve të Levit, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, |
3. nga mosha tridhjetë vjeç e lart deri në moshën pesëdhjetë vjeç, të të gjithë atyre që hyjnë në shërbim për të punuar në çadrën e mbledhjes. |
4. Ky është shërbimi i bijve të Kehathit në çadrën e mbledhjes, që ka të bëjë me gjërat shumë të shenjta. |
5. Kur kampi duhet lëvizur, Aaroni dhe bijtë e tij do të vinë për të hequr velin e ndarjes dhe do të mbulojnë me të arkën e dëshmisë; |
6. pastaj do të vënë mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës, do të shtrijnë mbi të një cohë krejt ngjyrë vjollce dhe do të fusin në të shtizat e saj. |
7. Do të shtrijnë një cohë ngjyrë vjollce mbi tryezën e bukëve të paraqitjes dhe do të vënë mbi të pjatat, gotat, legenët dhe kupat e libacioneve; mbi të do të jetë edhe buka e përjetshme. |
8. Mbi këto gjëra do të shtrijnë një cohë të kuqe të ndezur dhe mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës, dhe do të fusin në të shtizat. |
9. Pastaj do të marrin një mbulesë ngjyrë vjollce, me të cilën do të mbulojnë shandanin e ndriçimit, llambat e tij dhe gërshërët e tij, të gjitha enët e vajit të caktuara për shërbimin; |
10. pastaj do ta vënë shandanin me të gjithë veglat e tij në një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do ta vendosin mbi një bartinë. |
11. Do të shtrijnë mbi altarin prej ari një pëlhurë ngjyrë vjollce dhe mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do të futin në të shtizat. |
12. Pastaj do të marrin të gjitha veglat e shërbimit që përdoren në shenjtëroren, do t'i fusin në një cohë ngjyrë vjollce, do t'i mbështjellin me një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do t'i vendosin mbi një bartinë. |
13. Pastaj do të heqin hirin nga altari dhe do të shtrijnë mbi të një cohë të kuqe; |
14. mbi të do të vendosen të gjitha veglat që përdoren për shërbimin e tij, mangallet, mashat, lopatëzat, legenat, të gjitha veglat e altarit; do të shtrijnë mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do të futin në të shtizat. |
15. Pasi që Aaroni dhe bijtë e tij të kenë mbaruar së mbuluari shenjtëroren dhe tërë orenditë e saj, kur kampi është bërë gati të niset, bijtë e Kehathit do të vijnë për t'i mbartur, por ata nuk do të prekin gjërat e shenjta, që të mos vdesin. Këto janë gjërat nga çadra e mbledhjes të cilat bijtë e Kehathit duhet të trasportojnë. |
16. Eleazari, bir i priftit Aaron, do të ngarkohet me vajin e shandanit, me temjanin aromatik, me ofertën e përjetshme të ushqimit dhe të vajit të vajosjes; ai do të ngarkohet edhe me tërë tabernakullin dhe tërë gjërat që përmban ai, me shenjtëroren dhe pajisjet e saj". |
17. Pastaj Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë: |
18. "Kini kujdes që klani i familjeve të Kehathitëve të mos shfaroset në mes të Levitëve; |
19. bëni, pra, këtë për ta, me qëllim që ata të jetojnë dhe të mos vdesin kur u afrohen gjërave shumë të shenjta: Aaroni dhe bijtë e tij do të hyjnë dhe do t'i caktojnë secilit shërbimin e tij dhe detyrën e tij. |
20. Por ata nuk do të hyjnë për të parë në kohën kur gjërat e shenjta po mbulohen, që të mos vdesin". |
21. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
22. "Numëro edhe bijtë e Gershonit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre dhe të familjeve të tyre. |
23. Do ta bësh regjistrimin nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç të të gjithë atyre që hyjnë për të bërë shërbimin, për të punuar në çadrën e mbledhjes. |
24. Kjo është detyra e familjeve të Gershonitëve, shërbimi që duhet të kryejnë dhe gjërat që duhet të sjellin: |
25. do të bartin pëlhurat e tabernakullit dhe çadrën e mbledhjes, mbulesën e saj, mbulesën prej lëkure të baldosës që është sipër dhe perden në hyrje të çadrës së mbledhjes, |
26. perdet e oborrit me perden për hyrjen në oborr, perdet që janë rreth tabernakullit dhe altarit, litarët e tyre dhe të gjitha veglat e caktuara për shërbimin e tyre; ç'të jetë e nevojshme të bëhet ata do ta bëjnë. |
27. Tërë shërbimi i bijve të Gershonitëve, të gjitha gjërat që duhet të bartin dhe të gjitha gjërat që duhet të kryejnë, do të bëhen me urdhër të Aaronit dhe të bijve të tij; ju do t'u ngarkoni atyre përgjegjësinë për tërë gjërat që duhet të bartin. |
28. Ky është shërbimi i familjeve të Gershonitëve në çadrën e mbledhjes; dhe detyrat e tyre do t'i kryejnë nën urdhrat e Ithamarit, birit të priftit Aaron. |
29. Do të bësh regjistrimin e bijve të Merarit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre; |
30. do të bësh regjistrimin nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç të të gjithë atyre që hyjnë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbime. |
31. Kjo është ajo që i është besuar përgjegjësisë së tyre në pajtim me gjithë shërbimin e tyre në çadrën e mbledhjes; dërrasat e tabernakullit, traversat, shtyllat dhe bazat e tij, |
32. shtyllat që ndodhen rreth e rrotull oborrit, bazat e tyre, kunjat e tyre, litarët e tyre, me të gjitha veglat e tyre dhe tërë shërbimet që këto gjëra përmbajnë; dhe do t'i caktoni secilit personalisht objektet që duhet të mbajë. |
33. Ky është shërbimi i familjeve të bijve të Merarit, në pajtim me detyrat e tyre në çadrën e mbledhjes, nën urdhërat e Ithamarit, birit të priftit Aaron". |
34. Moisiu, Aaroni dhe prijësit e asamblesë kryen, pra, regjistrimin e bijve të Kehathitëve në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, |
35. e të gjithë atyre që nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri pesëdhjetë vjeç hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes. |
36. Ata që u regjistruan simbas familjeve të tyre ishin dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë. |
37. Këta qenë ata që u regjistruan nga familjet e Kehathitëve, të gjithë ata që shërbenin në çadrën e mbledhjes; Moisiu dhe Aaroni bënë regjistrimin e tyre simbas urdhrit që Zoti kishte dhënë me anë të Moisiut. |
38. Ata që u regjistruan nga bijtë e Gershonit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, |
39. nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes; |
40. ata që u regjistruan në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, ishin dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë. |
41. Këta qenë ata që u regjistruan nga familjet e Gershonit, të gjithë ata që bënin shërbim në çadrën e mbledhjes; Moisiu dhe Aaroni kryen regjistrimin e tyre simbas urdhrit të Zotit. |
42. Ata që u regjistruan nga familjet e bijve të Merarit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, |
43. nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes; |
44. ata që u regjistruan simbas familjeve të tyre ishin tre mijë e dyqind. |
45. Këta janë ata që u regjistruan nga familjet e bijve të Merarit; ata që u regjistruan nga Moisiu dhe Aaroni, simbas urdhërit të Zotit të dhënë me anë të Moisiut. |
46. Të gjithë ata që u regjistruan nga Levitët, që Moisiu, Aaroni dhe prijësit e Izraelit i regjistruan, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, |
47. nga mosha tridhjetë vjeç e lart deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer dhe për të mbajtur pesha në çadrën e mbledhjes; |
48. ata që u regjistruan ishin tetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë. |
49. Ata u regjistruan, simbas urdhrit të Zotit për Moisiun, secili në bazë të shërbimit që duhet të bënte dhe të asaj që duhet të mbante. Kështu ata u regjistruan nga ai, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. |
Psalmet 30:1-7 |
1. Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua. |
2. O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar. |
3. O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë. |
4. I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij, |
5. sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi. |
6. Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë". |
7. O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur. |
Fjalët e Urta 10:30-32 |
30. I drejti nuk do të lëvizet kurrë, por të pabesët nuk do të banojnë në tokë. |
31. Goja e të drejtit prodhon dituri, por gjuha e çoroditur do të pritet. |
32. Buzët e të drejtit njohin atë që është e pranueshme; por goja e të pabesëve njeh vetëm gjëra të çoroditura. |
Shenjë 8:1-21 |
1. Në ato ditë, duke qenë se u mblodh një turmë shumë e madhe dhe s'kishin ç'të hanin, Jezusi i thirri dishepujt e vet dhe u tha atyre: |
2. ''Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç'të hajë. |
3. Dhe po t'i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg''. |
4. Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: ''Si do të mund t'i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?''. |
5. Dhe ai i pyeti: ''Sa bukë keni?''. Ata i thanë: ''Shtatë''. |
6. Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t'ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë. |
7. Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t'i shpërndahen turmës. |
8. Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan. |
9. Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi. |
10. Dhe menjëherë hypi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës. |
11. Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë. |
12. Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: ''Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t'i jepet asnjë shenjë''. |
13. Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër. |
14. Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s'kishin asgjë përveç një buke. |
15. Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: ''Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!''. |
16. Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: ''Nuk kemi bukë''. |
17. Jezusi e vuri re dhe u tha: ''Përse dis-kutoni që s'keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë? |
18. Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend? |
19. Kur ndava të pesë bukët për të pesë mijtë, sa kosha plot me copa mblodhët?''. Ata thanë: ''Dymbëdhjetë''. |
20. ''Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtët, sa shporta plot me bukë mblodhët?''. Dhe ata thanë: ''Shtatë''. |
21. Dhe ai u tha atyre: ''Po si, ende nuk po kuptoni?''. |