Numrat 13:1-33 |
1. Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: |
2. "Dërgo njerëz të kqyrin vendin e Kanaanit që unë po u jap bijve të Izraelit. Do të dërgoni një nga çdo fis i etërve të tyre; të gjithë të jenë nga princat e tyre". |
3. Kështu Moisiu i nisi nga shkretëtira e Paranit, simbas urdhrit të Zotit; të gjithë këta ishin krerë të bijve të Izraelit. |
4. Këta ishin emrat e tyre: Shamua, bir i Zakurit, për fisin e Rubenit; |
5. Shafati, bir i Horit, për fisin e Simeonit; |
6. Kalebi, bir i Jefunehut, për fisin e Judës; |
7. Igali, bir i Jozefit, për fisin e Isakarit; |
8. Hoshea, bir i Nunit, për fisin e Efraimit; |
9. Palti, bir i Rafut, për fisin e Beniaminit; |
10. Gadieli, bir i Sodit, për fisin e Zabulonit; |
11. Gadi, bir i Susit, për fisin e Jozefit, domethënë për fisin e Manasit; |
12. Amieli, bir i Gemalit, për fisin e Danit; |
13. Seturi, bir i Mikaelit, për fisin e Asherit; |
14. Nahbi, bir i Vofsit, për fisin e Neftalit; |
15. Geueli, bir i Makit, për fisin e Gadit. |
16. Këto janë emrat e personave që Moisiu dërgoi për të vëzhguar vendin. Moisiu i vuri Hosheas, birit të Nunit, emrin e Jozueut. |
17. Moisiu, pra, i dërgoi për të vëzhguar vendin e Kanaanit dhe u tha atyre: "Ngjituni që këtej në Negev dhe pastaj në krahinën malore, |
18. për të parë si është vendi, në qoftë se populli që banon aty është i fortë apo i dobët, i pakët në numër apo i shumtë; |
19. si është vendi ku banon, i mirë apo i keq, si janë qytetet në të cilat jeton, a ka kampe ose vende të fortifikuara; |
20. dhe si është toka, pjellore apo e varfër, në rast se ka pemë ose jo. Bëhuni trima dhe sillni frytet nga ky vend". Ishte koha kur kishte filluar të piqej rrushi. |
21. Ata u ngjitën, pra, dhe vëzhguan vendin e Tsinit deri në Rehob, duke hyrë në të nga ana e Hamathit. |
22. U ngjitën përmes Negevit dhe shkuan deri në Hebron, ku ishin Ahimani, Sheshai dhe Talmai, pasardhës të Anakut. (Hebronin e kishin ndërtuar shtatë vjet para Tsoanit në Egjipt). |
23. Arritën pastaj deri në luginën e Eshkolit, ku prenë një degë me një vile rrushi, që e mbanin që të dy me një purtekë; dhe morën gjithashtu shegë dhe fiq. |
24. Ky vend u quajt lugina e Eshkolit, për shkak të viles së rrushit që bijtë e Izraelit prenë aty. |
25. Mbas dyzet ditësh ata u kthyen nga vëzhgimi i vendit, |
26. dhe shkuan të takojnë Moisiun, Aaronin dhe tërë asamblenë e bijve të Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh; para tyre dhe tërë asamblesë paraqitën një raport dhe u treguan pemët e vendit. |
27. Kështu para tij raportuan duke thënë: "Ne arritëm në vendin ku na dërgove; aty rrjedh me të vërtetë qumësht dhe mjaltë, dhe këto janë pemët e tij. |
28. Por populli që banon në këtë vend është i fortë, qytetet janë të fortifikuara dhe shumë të mëdha; dhe aty pamë edhe pasardhësit e Anakut. |
29. Amalekitët banojnë në krahinën e Negevit; Hitejtë, Gebusejtë dhe Amorejtë banojnë përkundrazi në krahinën malore, ndërsa Kananejtë banojnë pranë detit dhe gjatë Jordanit". |
30. Atëherë Kalebi e qetësoi popullin që murmuriste kundër Moisiut dhe tha: "Le të ngjitemi menjëherë dhe ta pushtojmë vendin, sepse këtë mund ta bëjmë me siguri". |
31. Por njerëzit që kishin shkuar me të thanë: "Nuk mund të sulemi kundër këtij populli, sepse është më i fortë se ne". |
32. Kështu i paraqitën një informacion të keq për vendin që kishin vëzhguar duke thënë: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend që i ha banorët e tij; dhe të gjithë njerëzit që kemi parë në të janë njerëz me shtat të lartë. |
33. Përveç kësaj aty pamë gjigantë (pasardhësit e Anakut rrjedhin nga gjigantët), përballë të cilëve na dukej se ishim karkaleca, dhe kështu duhet t'u dukeshim atyre". |
Numrat 14:1-45 |
1. Atëherë tërë asambleja ngriti zërin dhe filloi të bërtasë; dhe atë natë populli qau. |
2. Dhe të gjithë bijtë e Izraelit murmurisnin kundër Moisiut dhe kundër Aaronit dhe tërë asambleja u tha atyre: "Sikur të kishim vdekur në vendin e Egjiptit ose të kishim vdekur në këtë shkretëtirë! |
3. Pse Zoti na çon në këtë vend që të biem nga goditja e shpatave? Gratë dhe fëmijët tanë do të bëhen pre e armikut. A nuk do të ishte më mirë për ne të kthehemi në Egjipt?". |
4. Dhe i thanë njëri tjetrit: "Të zgjedhim një kryetar dhe të kthehemi në Egjipt!". |
5. Atëherë Moisiu dhe Aaroni ranë përmbys përpara tërë asamblesë së mbledhur të bijve të Izraelit. |
6. Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jenufehut, që ishin ndër ata që kishin vëzhguar vendin, grisën rrobat e tyre, |
7. dhe i folën kështu asamblesë së bijve të Izraelit: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend i mirë, shumë i mirë. |
8. Në rast se Zoti kënaqet me ne, do të na çojë në këtë vend dhe do të na japë neve, "një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë". |
9. Vetëm mos ngrini krye kundër Zotit dhe mos kini frikë nga populli i vendit, sepse ai do të jetë ushqimi ynë; mbrojtja e tyre është larguar nga ata dhe Zoti është me ne; mos kini frikë nga ata". |
10. Atëherë tërë asambleja foli për t'i vrarë me gurë; por lavdia e Zotit iu shfaq në çadrën e mbledhjes tërë bijve të Izraelit. |
11. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Deri kur do të më përçmojë ky popull? Dhe deri kur do të refuzojnë të besojnë pas gjithë atyre mrekullive që kam bërë në mes të tyre? |
12. Unë do ta godas me murtajë dhe do ta shkatërroj, por do të bëj prej teje një komb më të madh dhe më të fuqishëm se ai". |
13. Moisiu i tha Zotit: "Por do ta dëgjojnë Egjiptasit, nga mesi i të cilëve e ke ngritur këtë popull për fuqinë tënde, |
14. dhe do t'ia bëjnë të ditur banorëve të këtij vendi. Ata kanë dëgjuar që ti, o Zot, je në mes të këtij populli, i shfaqesh atij sy për sy, që reja jote qëndron mbi ta dhe që ecën para tyre ditën në një kolonë reje dhe natën në një kolonë të zjarrtë. |
15. Tani në se e bën këtë popull të vdesë si një njeri të vetëm, kombet që kanë dëgjuar namin tënd do të flasin, duke thënë: |
16. "Me qenë se Zoti nuk ka qenë i zoti ta futë këtë popull në vendin që ishte betuar t'i jepte, e vrau në shkretëtirë". |
17. Por tani, të lutem, le të shfaqet fuqia e Zotit tim në madhështinë e saj, ashtu si fole duke thënë: |
18. "Zoti është i ngadaltë në zemërim dhe i madh në mëshirë; ai fal padrejtësinë dhe mëkatin, por nuk lë pa ndëshkuar fajtorin, duke dënuar paudhësinë e etërve te bijtë, deri në brezin e tretë ose të katërt". |
19. Fale paudhësinë e këtij populli, me madhështinë e mëshirës sate, ashtu siç e ke falur këtë popull nga Egjipti deri këtu". |
20. Atëherë Zoti tha: "Unë fal, ashtu si kërkove ti; |
21. por, ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, e gjithë toka do të jetë plot me lavdinë e Zotit, |
22. dhe tërë këta njerëz që kanë parë lavdinë time dhe mrekullitë që kam bërë në Egjipt e në shkretëtirë, dhe më kanë tunduar dhjetë herë dhe nuk e kanë dëgjuar zërin tim, |
23. me siguri nuk kanë për ta parë vendin që u betova t'u jap etërve të tyre. Askush nga ata që më kanë përçmuar nuk ka për ta parë; |
24. por shërbëtorin tim Kaleb, duke qenë se veproi i shtyrë nga një frymë tjetër e më ka ndjekur plotësisht, unë do ta fus në vendin ku ka shkuar; dhe pasardhësit e tij do ta zotërojnë. |
25. Amalekitët dhe Kananejtë banojnë në luginë, nesër kthehuni prapa dhe nisuni drejt shkretëtirës, në drejtim të Detit të Kuq". |
26. Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë: |
27. "Deri kur do të duroj këtë asamble të keqe që murmurit kundër meje? Unë dëgjova murmuritjet që bëjnë bijtë e Izraelit kundër meje. |
28. U thuaj atyre: Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti, unë do t'ju bëj atë që kam dëgjuar prej jush. |
29. Kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë; ju të gjithë që jeni regjistruar, nga mosha njëzet vjeç e lart, dhe që keni murmuritur kundër meje, |
30. nuk do të hyni me siguri në vendin ku u betova se do të banoni, me përjashtim të Kalebit, birit të Jefunehut, dhe të Jozueut, birit të Nunit. |
31. Të vegjlit tuaj përkundrazi, që ju thatë se do të ishin viktima të armiqve, do t'i fus; dhe ata do të njohin vendin që ju keni përçmuar. |
32. Por sa për ju, kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë. |
33. Dhe bijtë tuaj do të kullosin kopetë në shkretëtirë dyzet vjet me radhë dhe do të mbajnë ndëshkimin për pabesitë tuaja, deri sa të treten kufomat tuaja në shkretëtirë. |
34. Në bazë të numrit të ditëve që keni përdorur për të vëzhguar vendin, domethënë dyzet ditë, për çdo ditë do të mbani fajin tuaj një vit, gjithsej, pra, dyzet vjet; dhe kështu do të kuptoni se ç'do të thotë që unë jam tërhequr nga ju. |
35. Unë, Zoti, fola; me siguri, kështu do të veproj kundër gjithë kësaj asambleje të keqe që u mblodh kundër meje; në këtë shkretëtirë do të treten dhe këtu do të vdesin". |
36. Njerëzit që Moisiu kishte dërguar për të vëzhguar vendin, mbas kthimit të tyre e kishin shtyrë tërë asamblenë të murmuriste kundër tij, duke paraqitur një raport të keq për vendin, |
37. ata njerëz, që kishin përpiluar raportin e keq për vendin, vdiqën nga një plagë përpara Zotit. |
38. Por Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jefunehut, mbetën të gjallë midis gjithë atyre që kishin shkuar të vëzhgonin vendin. |
39. Atëherë Moisiu u njoftoi këto fjalë tërë bijve të Izraelit, dhe populli ndjeu një dhimbje të thellë. |
40. U ngritën herët në mëngjes dhe u ngjitën në majë të malit, duke thënë: "Ja ku jemi; ne do të ngjitemi në vendin për të cilin na foli Zoti, sepse kemi mëkatuar". |
41. Por Moisiu tha: "Pse e shkelni urdhrin e Zotit? Nuk ka për t'ju dalë mbarë. |
42. Mos u ngjitni, sepse do t'ju mundin armiqtë tuaj, Zoti nuk është në mes jush. |
43. Para jush në fakt ndodhen Amalekitët dhe Kananejtë, dhe ju do të rrëzoheni nga shpatat e tyre; sepse jeni larguar nga rruga e Zotit, Zoti nuk do të jetë me ju". |
44. Me gjithë atë ata patën guximin të ngjiten në majë të malit; por arka e besëlidhjes së Zotit dhe Moisiu nuk lëvizën nga mesi i kampit. |
45. Atëherë Amalekitët dhe Kananejtë, që banonin mbi këtë mal, zbritën poshtë, i thyen dhe i vunë përpara deri në Hormah. |
Psalmet 31:19-24 |
19. Sa e madhe është mirësia jote që ti u rezervon atyre që kanë frikë nga ti, dhe që ti përdor në prani të bijve të njerëzve ndaj atyre që gjejnë strehë te ti! |
20. Ti i fsheh në strehën e fshehtë të pranisë sate nga grackat e njerëzve, ti i ruan në një çadër të mbrojtur nga grindjet me fjalë. |
21. Qoftë i bekuar Zoti, sepse më është treguar shumë dashamirës, duke më vendosur si në një vend të fortifikuar. |
22. Kurse unë, në hutimin tim, thoja: "Më kanë larguar nga prania jote"; por ti dëgjove zërin e lutjeve të mia kur të klitha ty. |
23. Duajeni Zotin, ju, gjithë shenjtorë të tij! Zoti i mbron besnikët dhe i shpaguan gjerësisht ata që veprojnë me kryelartësi. |
24. Qofshi të fortë, mbarë ju që shpresoni tek Zoti, dhe ai do ta bëjë të patundur zemrën tuaj. |
Fjalët e Urta 11:15-15 |
15. Kush bëhet garant për një të huaj do të pësojë dëmet e këtij veprimi, por ai që refuzon të japë dorën si garant është i sigurt. |
Shenjë 10:32-52 |
32. Ata ishin në udhëtim për t'u ngjitur në Jeruzalem, dhe Jezusi i paraprinte. Dhe ata ishin të tronditur dhe e ndiqnin me ndrojtje. Dhe ai i mblodhi përsëri të dymbëdhjetët mënjanë dhe nisi t'u thotë çfarë do t'i ndodhte: |
33. ''Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve; dhe ata do ta dënojnë me vdekje dhe do ta dorëzojnë në duar të paganëve, |
34. të cilët do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin, por ai, ditën e tretë, do të ringjallet''. |
35. Atëherë Jakobi dhe Gjoni, bij të Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: ''Mësues, ne dëshirojmë që ti të bësh për ne atë që do të të kërkojmë''. |
36. Dhe ai u tha atyre: ''Çfarë doni të bëj për ju?'' |
37. Ata i thanë: ''Na lejo që të ulemi njëri në të djathtën tënde dhe tjetri në të majtën tënde në lavdinë tënde''. |
38. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund të pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë jam pagëzuar?''. Ata i thanë: ''Po, mundemi''. |
39. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Vërtetë ju do të pini kupën që unë po pij dhe do të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin jam pagëzuar, |
40. por nuk më takon mua të vë dikë të ulet në të djathtën time ose në të majtën time, por është për ata për të cilët është përgatitur''. |
41. Kur i dëgjuan këto, të dhjetë të tjerët filluan të indinjohen kundër Jakobit dhe Gjonit. |
42. Por Jezusi i thirri pranë vetes dhe tha: ''Ju e dini që ata që konsiderohen sundues të kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë mbi to pushtetin e tyre; |
43. por kjo s'duhet të ndodhë midis jush; madje ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj; |
44. dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve. |
45. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave''. |
46. Kështu arritën në Jeriko. Kur ai po dilte nga Jeriko me dishepujt e tij dhe me një turmë të madhe, biri i Timoteut, Bartimeu i verbër, ishte ulur gjatë rrugës dhe lypte. |
47. Kur dëgjoi se ai që po kalonte ishte Jezusi Nazareas, filloi të bërtasë dhe të thotë: ''Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!''. |
48. Shumë e qortonin që të heshte, por ai bërtiste edhe më fort: ''Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!''. |
49. Dhe Jezusi qëndroi dhe urdhëroi që ta thërrasin. Ata e thirrën, pra, të verbërin duke i thënë: ''Merr zemër, çohu, ai po të thërret!''. |
50. Atëherë ai hodhi tej rrobën e tij, u ngrit dhe erdhi te Jezusi. |
51. Dhe Jezusi mori fjalën dhe i tha: ''Çfarë do që unë të të bëj?''. I verbëri i tha: ''Rabboni, që të më kthehet të parit!''. |
52. Dhe Jezusi i tha: ''Shko, besimi yt të shëroi''. Dhe në çast atij iu kthye të parit dhe nisi të ndjekë Jezusin në udhë. |