A A A A A
Bibla në një vit
Prill 16

Jozueu 21:1-45
1. Kryetarët e familjeve të Levitëve u paraqitën para priftit Eleazar, Jozueut, birit të Nunit, dhe kryetarëve të familjeve të fiseve të bijve të Izraelit,
2. dhe u folën në Shilon, në vendin e Kanaanit, duke u thënë: "Zoti urdhëroi, me anë të Moisiut, që të na jepeshin disa qytete për të banuar me kullota për bagëtinë tonë".
3. Kështu bijtë e Izraelit u dhanë Levitëve, duke i marrë nga trashëgimia e tyre, qytetet që vijojnë bashkë me toka për kullotë, simbas urdhrit të Zotit.
4. U hodh shorti për familjet e Kehathitëve; dhe bijve të priftit Aaron, që ishin Levitë, u ranë në short trembëdhjetë qytete nga fisi i Judës, nga fisi i Simeonit dhe nga fisi i Beniaminit.
5. Bijve të tjerë të Kehathit u ranë në short dhjetë qytete nga familjet e fisit të Efraimit, nga fisi i Danit dhe nga gjysma e fisit të Manasit.
6. Bijve të Gershonit u ranë në short trembëdhjetë qytete nga fisi i Isakarit, nga fisi i Neftalit dhe nga gjysmë fisi i Manasit në Bashan.
7. Bijve të Merarit, simbas familjeve të tyre, u ranë dymbëdhjetë qytete nga fisi i Rubenit, nga fisi i Gadit dhe nga fisi i Zabulonit.
8. Bijtë e Izraelit ua dhanë, pra, me short këto qytete me gjithë kullotat e tyre Levitëve, ashtu si kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut.
9. Kështu ata dhanë, duke i marrë nga fisi i bijve të Judës dhe nga fisi i bijve të Simeonit, qytetet e përmendura këtu,
10. që ranë në dorë të bijve të Aaronit që u përkisnin familjeve të Kehathitëve, bij të Levit, sepse hiseja e parë që u hodh me short u ra atyre.
11. Ata morën, pra, Kirjath-Arbën, domethënë Hebronin (Arba ishte ati i Anakut), në krahinën malore të Judës, me tokat e saj për kullotë rreth e qark;
12. por territorin e qytetit dhe fshatrat e tij ia dhanë Tsalebit, birit të Jenufehut, si pronë të tij.
13. Përveç kësaj u dhanë bijve të priftit Aaron Hebronin (si qytet strehimi për vrasësin) me të gjitha tokat për kullotë, Libnahun me tokat për kullotë,
14. Jatirin me tokat për kullotë, Eshtemoan me tokat për kullotë,
15. Holonin me tokat për kullotë, Debirin me tokat për kullotë,
16. Ainin me tokat e tij për kullotë, Jutahun me tokat e tij për kullotë dhe Beth-Shemeshin me tokat e tij për kullotë: nëntë qytete që u morën nga këto dy fise.
17. Nga fisi i Beniaminit, Gabaonin me tokat e tij për kullotë, Gebën me tokat e tij për kullotë,
18. Anatothin me tokat e tij për kullotë dhe Almonin me tokat e tij për kullotë: katër qytete.
19. Shuma e qyteteve të priftërinjve, bij të Aaronit, ishte trembëdhjetë qytete me tokat e tyre për kullotë.
20. Familjeve të bijve të Kehathëve, domethënë Levitëve që mbeteshin, bij të Kehathit, u ranë qytete që u morën nga fisi i Efraimit.
21. Atyre iu dha Sikemi (si qytet për strehimin e vrasësit) me gjithë tokat për kullotë në krahinën malore të Efraimit, Gezeri me gjithë tokat për kullotë,
22. Kibtsaimi me tokat e tij për kullotë dhe Beth-Horoni me tokat e tij për kullotë: katër qytete.
23. Nga fisi i Danit: Eltekehu me tokat për kullotë, Gibethoni me gjithë tokat për kullotë,
24. Aijaloni me gjithë tokat për kullotë, Gath-Rimoni me gjithë tokat për kullotë: katër qytete.
25. Nga gjysma e fisit të Manasit: Taanaku me tokat e tij për kullotë, Gath-Rimoni me tokat e tij për kullotë: dy qytete.
26. Të gjitha këto dhjetë qytete me tokat e tyre për kullotë u ranë familjeve të bijve të tjerë të Kehathit.
27. Bijve të Gershonit, që u përkisnin familjeve të Levitëve, u dhanë, duke i marrë nga gjysma e fisit të Manasit, Golanin në Bashan (si qytet për strehimin e vrasësit), me gjithë tokat për kullotë, dhe Beeshterahun me tokat e tij për kullotë: dy qytete;
28. nga fisi i Isakarit, Kishionin me tokat e tij për kullotë, Daberathin me tokat e tij për kullotë,
29. Jarmuthin me tokat e tij për kullotë, En-Ganimin me tokat e tij për kullotë: katër qytete;
30. nga fisi i Asherit, Mishalin me tokat e tij për kullotë, Abdonin me tokat e tij për kullotë,
31. Helkathin me tokat e tij për kullotë dhe Rehobin, me tokat e tij për kullotë: katër qytete;
32. dhe nga fisi i Neftalit, Kadeshin në Galile (si qytet strehimi për vrasësin), me gjithë tokat e tij për kullotë, Hamoth-Dorin me tokat e tij për kullotë, dhe Kartanin me tokat e tij për kullotë; tri qytete.
33. Shuma e qyteteve të Gershonitëve, simbas familjeve të tyre, ishte trembëdhjetë qytete me tokat e tyre për kullotë.
34. Familjeve të bijve të Merarit, domethënë Levitëve të tjerë, iu dhanë, duke i marrë nga fisi i Zabulonit, Jokneamin me tokat e tij për kullotë, Kartahin me tokat e tij për kullotë,
35. Dimnahun me tokat e tij për kullotë dhe Nahalalin me tokat e tij për kullotë: katër qytete;
36. nga fisi i Rubenit, Betserin me tokat e tij për kullotë, Jatsahun me tokat e tij për kullotë,
37. Kedmothin me tokat e tij për kullotë dhe Mefaathin me tokat e tij për kullotë: katër qytete;
38. dhe nga fisi i Gadit, Ramothin në Galaad (si qytet strehimi për vrasësin), me tokat e tij për kullotë, Mahanaimin me tokat e tij për kullotë,
39. Heshbonin me tokat e tij për kullotë dhe Jazerin me tokat e tij për kullotë: gjithsejt katër qytete.
40. Shuma e qyteteve që iu dhanë me short bijve të Merarit, simbas familjeve të tyre që përbënin familjet e Levitëve të tjerë, ishin dymbëdhjetë qytete.
41. Shuma e qyteteve të Levitëve në mes të zotërimeve të bijve të Izraelit ishte dyzet qytete me tokat e tyre për kullotë.
42. Secili nga këto qytete kishte rreth e qark toka për kullotë; e njëjta gjë ishte në çdo qytet.
43. Kështu Zoti i dha Izraelit tërë vendin që ishte betuar t'ua jepte etërve të tyre, dhe bijtë e Izraelit e pushtuan dhe banuan në të.
44. Zoti u siguroi pushim rreth e qark, siç u ishte betuar etërve të tyre; asnjë nga armiqtë e tyre nuk mundi t'u bëjë ballë; Zoti i dorëzoi tërë armiqtë në duart e tyre.
45. Nuk ra për tokë asnjë nga fjalët që Zoti i pati thënë shtëpisë së Izraelit; të tëra u vërtetuan.

Jozueu 22:1-34
1. Pastaj Jozueu thirri Rubenitët, Gaditët dhe gjysmën e fisit të Manasit dhe u tha atyre:
2. "Ju keni zbatuar të gjitha ato që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju kishte urdhëruar dhe i jeni bindur zërit tim lidhur me ato që ju kam porositur.
3. Ju nuk keni braktisur vëllezërit tuaj gjatë kësaj kohe të gjatë deri më sot dhe keni zbatuar urdhrat që Zoti, Perëndia juaj, ju ka porositur.
4. Dhe tani që Zoti, Perëndia juaj, i ka lënë të pushojnë vëllezërit tuaj, ashtu siç u kishte premtuar, kthehuni dhe shkoni në çadrat tuaja në vendin që ju përket, dhe që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju ka caktuar matanë Jordanit.
5. Vetëm kini kujdes të zbatoni urdhërimet dhe ligjin që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju ka dhënë, duke e dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha rrugët e tij, duke zbatuar të gjitha urdhërimet e tij, duke qendruar sa më afër tij dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt".
6. Pastaj Jozueu i bekoi dhe u dha urdhër të largohen, dhe ata u kthyen në çadrat e tyre.
7. Moisiu i kishte dhënë gjysmës së fisit të Manasit një trashëgimi në Bashan, kurse Jozueu i dha gjysmës tjetër një trashëgimi midis vëllezërve të tyre, nga kjo anë e Jordanit, në perëndim. Kështu, kur Jozueu i ktheu në çadrat e tyre, i bekoi,
8. dhe u foli atyre, duke thënë: "Ju po ktheheni në çadrat tuaja me pasuri të mëdha, me një numër të madh bagëtish, me argjend, me flori, me bronz, me hekur e një numër të madh rrobash; ndani me vëllezërit plaçkën e armiqve tuaj".
9. Kështu bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit u kthyen, duke i lënë bijtë e Izraelit në Shilon, në vendin e Kanaanit, për të shkuar në vendin e Galaadit, pronë e tyre dhe që e kishin marrë simbas urdhrit të dhënë nga Zoti me anë të Moisiut.
10. Pasi arritën në brigjet e Jordanit që ndodhet në vendin e Kanaanit, bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit ndërtuan një altar, pranë Jordanit, një altar me pamje të madhërishme.
11. Bijtë e Izraelit dëgjuan se thuhej: "Ja, bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit kanë ndërtuar një altar në kufijtë e vendit të Kanaanit, në brigjet e Jordanit, në anën e pushtuar nga bijtë e Izraelit".
12. Kur bijtë e Izraelit e mësuan këtë gjë, tërë asambleja e bijve të Izraelit u mblodh në Shilon për të bërë luftë kundër tyre.
13. Atëherë bijtë e Izraelit u dërguan bijve të Rubenit, bijve të Gadit dhe gjysmës së fisit të Manasit, në vendin e Galaadit, Finehasin, birin e priftit Eleazar,
14. dhe bashkë me të dhjetë princa, një princ për çdo shtëpi atërore të fiseve të ndryshme të Izraelit; secili prej tyre ishte kreu i një shtëpie atërore midis ndarjeve të Izraelit.
15. Ata shkuan te bijtë e Rubenit, te bijtë e Gadit dhe te gjysma e fisit të Manasit në vendin e Galaadit dhe folën me ta, duke thënë:
16. "Kështu thotë tërë asambleja e Zotit: "Ç'është kjo shkelje që keni kryer kundër Perëndisë së Izraelit, duke mos e ndjekur më sot Zotin, duke ndërtuar një altar për të ngritur krye sot kundër Zotit?
17. Mos qe vallë gjë e vogël paudhësia e Peorit, nga e cila nuk jemi larë ende deri më sot dhe që solli një fatkeqësi mbi asamblenë e Zotit,
18. që ju shtyn sot të mos e ndiqni Zotin? Sepse, po të jetë se sot ngreni krye kundër Zotit, nesër ai do të zemërohet kundër tërë asamblesë së Izraelit.
19. Në qoftë se e konsideroni të papastër vendin që zotëroni, mund të kaloni në vendin që është pronë e Zotit, ku ndodhet tabernakulli i Zotit, dhe të banoni midis nesh; por mos ngrini krye kundër Zotit dhe kundër nesh, duke ndërtuar një altar përveç atij të Zotit, Perëndisë tonë.
20. Kur Akani, bir i Zerahut, kreu një shkelje në gjërat e caktuara të shfarosen, a nuk tërhoqi vallë zemërimin e Zotit mbi gjithë asamblenë e Izraelit? Dhe ai njeri nuk qe i vetmi që gjeti vdekjen në paudhësinë e tij"".
21. Atëherë bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit u përgjegjën dhe u thanë krerëve të ndarjeve të Izraelit:
22. "Zoti Perëndia i perëndive, Zoti Perëndia i perëndive! Ai e di, bile edhe Izraeli do ta mësojë. Në qoftë se e bëmë për rebelim ose për mosbesnikëri ndaj Zotit, mos na kurseni në këtë ditë.
23. Në rast se kemi ndërtuar një altar për të mos e ndjekur më Zotin ose për të ofruar mbi të olokaustet apo blatime ushqimore, ose për të bërë mbi të flijime falënderimi, le të na kërkojë llogari vetë Zoti!
24. Por në të vërtetë ne e bëmë këtë me frikë, për një arësye, duke menduar që në të ardhmen pasardhësit tuaj mund t'u thonin pasardhësve tanë: "Çfarë ju lidh me Zotin, Perëndinë e Izraelit?
25. Zoti e ka vënë Jordanin si kufi midis jush dhe nesh, o bij të Rubenit, o bij të Gadit; ju nuk keni asnjë pjesë te Zoti". Kështu pasardhësit tuaj mund t'i largojnë pasardhësit tanë nga frika e Zotit.
26. Prandaj thamë: "Le të ndërtojmë një altar, jo për olokauste as për flijime,
27. por që të shërbejë si dëshmi midis jush dhe nesh dhe midis pasardhësve tanë pas nesh, në mënyrë që të mund të kryejmë shërbimin e Zotit përpara tij, me olokaustet tona, flijimet tona dhe ofertat tona të falënderimit, me qëllim që pasardhësit tuaj të mos u thonë një ditë pasardhësve tanë: Ju nuk keni asnjë pjesë tek Zoti".
28. Prandaj thamë: Në rast se ndodh që një ditë të na thonë këtë neve ose pasardhësve tanë, atëherë do të përgjigjemi: Shikoni formën e altarit të Zotit që ndërtuan etërit tanë, jo për olokauste as për flijime, por që të shërbejë si dëshmitar midis nesh dhe jush.
29. Nuk na ka shkuar mendja të ngremë krye kundër Zotit dhe as të heqim dorë nga bindja ndaj Zotit, duke ndërtuar një altar për olokaustet, për blatimet e ushqimit ose për flijimet, përveç altarit të Zotit, Perëndisë tonë, që ndodhet përpara tabernakullit të tij!".
30. Kur prifti Finehas dhe princat e asamblesë, krerët e ndarjeve të Izraelit që ishin me të, dëgjuan fjalët që thanë bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe bijtë e Manasit, mbetën të kënaqur.
31. Atëherë Finehasi, bir i priftit Eleazar, u tha bijve të Rubenit, të Gadit dhe të Manasit: "Sot pranojmë që Zoti është midis nesh, sepse ju nuk keni kryer këtë shkelje ndaj Zotit; kështu i keni shpëtuar bijtë e Izraelit nga dora e Zotit".
32. Pastaj Finehasi, bir i priftit Eleazar dhe princat i lanë bjtë e Rubenit dhe të Gadit, dhe vendin e Galaadit, dhe u kthyen në vendin e Kanaanit pranë bijve të Izraelit, të cilëve u treguan ngjarjen.
33. Kjo gjë u pëlqeu bijve të Izraelit, dhe bijtë e Izraelit bekuan Perëndinë, dhe nuk folën më të shkojnë për të luftuar kundër bijve të Rubenit dhe të Gadit dhe të shkatërronin vendin në të cilin ata banonin.
34. Dhe bijtë e Rubenit dhe të Gadit e quajtën "Dëshmitar" këtë altar, sepse thanë: "Ai është dëshmitar midis nesh që Zoti është Perëndia".

Psalmet 46:7-11
7. Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
8. Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.
9. Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.
10. Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.
11. Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

Fjalët e Urta 14:12-13
12. Éshtë një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.
13. Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar, dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje.

Luke 13:1-22
1. Pikërisht në atë kohë ishin aty disa që i treguan për ata Galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me flijimet e tyre.
2. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''A mendoni ju se ata Galileas ishin më shumë mëkatarë nga gjithë Galileasit e tjerë, sepse vuajtën të tilla gjëra?
3. Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë.
4. Ose, a mendoni ju që ata të tetëmbëdhjetë, mbi të cilët ra kulla në Siloe dhe i vrau, ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e Jeruzalemit?
5. Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë''.
6. Atëherë ai tha këtë shëmbëlltyrë: ''Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij; ai erdhi e kërkoj fryte, por nuk gjeti.
7. Atëherë i tha vreshtarit: "Ja, u bënë tre vjet tashmë që unë vij e kërkoi frytin e këtij fiku dhe s'po gjej; preje; pse të zërë kot tokën?".
8. Por ai u përgjigj dhe tha: "Zot, lëre edhe këtë vit, që ta punoj përreth dhe t'i hedh pleh
9. dhe, po dha fryt, mirë; përndryshe, pastaj do ta presësh"''. Shërimi i një gruaje të paralizuar
10. Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë.
11. Dhe ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte krejt e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot.
12. Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: ''O grua, ti je e liruar nga lëngata jote''.
13. Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë.
14. Por kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shtunë, iu drejtua turmës dhe i tha: ''Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shtunë''.
15. Atëherë Zoti u përgjigj dhe tha: ''Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju të shtunave nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin e ta çojë për të pirë?
16. A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?''.
17. Dhe, kur ai thoshte këto gjëra, të gjithë kundërshtarët e tij mbetën të turpëruar, ndërsa mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte kryer.
18. Atëherë ai tha: ''Kujt i përngjan mbretëria e Perëndisë, me se ta krahasoj?
19. I ngjan kokrrës së sinapit, që një njeri e mori dhe e hodhi në kopshtin e vet; pastaj u rrit dhe u bë një pemë e madhe, dhe zogjtë e qiellit erdhën e kërkuan strehë në degët e saj''.
20. Pastaj tha përsëri: ''Me se ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë?
21. Ajo i ngjan majasë që e merr një grua dhe e përzien me tri masa mielli deri sa të mbruhet i gjithë''.
22. Dhe ai kalonte nëpër qytete dhe fshatra duke mësuar, e kështu po i afrohej Jeruzalemit.