← 19 21 →

Fjalët e Urta 20

1

Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë.

2

Frika e mbretit është si ulërima e luanit; kush ia nxit zemërimin mëkaton kundër vetë jetës së vet.

3

Éshtë një lavdi për njeriun t'u shmanget grindjeve, por çdo budalla përzihet në to.

4

Përtaci nuk lëron për shkak të të ftohtit; për pasojë do të lypë në kohën e vjeljeve, por nuk do të ketë asgjë.

5

Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë.

6

Shumë njerëz shpallin mirësinë e tyre; por kush mund të gjejë një njeri besnik?

7

I drejti ecën në ndershmërinë e tij; bijtë e tij do të bekohen pas atij.

8

Një mbret që ulet mbi fronin e gjyqit davarit me vështrimin e tij çdo të keqe.

9

Kush mund të thotë: "Pastrova zemrën time, jam i pastruar nga mëkati im"?

10

Peshimi i dyfishtë dhe matja e dyfishtë janë që të dyja gjëra të neveritshme për Zotin.

11

Edhe fëmija me veprimet e tij tregon në se ajo që bën është e pastër dhe e ndershme.

12

Veshin që dëgjon dhe syrin që sheh i ka bërë që të dy Zoti.

13

Mos e duaj gjumin që të mos varfërohesh; mbaji sytë hapur dhe do të kesh bukë sa të ngopesh.

14

"Éshtë i keq, është i keq", thotë blerësi; por mbasi ai ka ikur, lavdërohet për blerjen.

15

Ka flori dhe margaritarë të shumtë, por buzët e pasura me dije janë një xhevahir i çmuar.

16

Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj, dhe mbaje si peng për gruan e huaj.

17

Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje.

18

Planet bëhen të qëndrueshme nga këshilla; prandaj bëje luftën me këshilla të urta.

19

Ai që shkon poshtë e lart duke përfolur tregon sekretet; prandaj mos u shoqëro me atë që flet tepër.

20

Atij që mallkon të atin dhe të ëmën, llamba do t'i shuhet në terrin më të madh.

21

Trashëgimia e fituar me nxitim në fillim, nuk do të bekohet në fund.

22

Mos thuaj: "Do t'i përgjigjem së keqes me të keqen"; ki shpresë te Zoti dhe ai do të të shpëtojë.

23

Peshimi i dyfishtë është i neveritshëm për Zotin dhe peshorja e pasaktë nuk është një gjë e mirë.

24

Hapat e njeriut vijnë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet?

25

Éshtë një kurth për njeriun të marrë një zotim pa e matur mirë dhe, mbasi ta ketë marrë, të mendohet.

26

Një mbret i urtë i shpartallon njerëzit e këqij dhe kalon mbi ta rrotën.

27

Shpirti i njeriut është llamba e Zotit, që vëzhgon tërë skutat më të fshehta të zemrës.

28

Mirësia dhe besnikëria ruajnë mbretin; ai e bën të qëndrueshëm fronin e tij me anë të mirësisë.

29

Lavdia e të rinjve është forca e tyre, nderi i pleqve janë thinjat e tyre.

30

Të rrahurat që lënë plagë të thella e heqin të keqen, ashtu si goditjet që vijnë në pjesën më të brendshme të zorrëve.

Albanian Bible
Public Domain