Dhiata e Vjetër
Dhiata e Re
Shqiptare Bibla 1884
← 26

Eksod 27

28 →
1

"Do të bësh edhe një altar prej druri të akacies, i gjatë pesë kubitë dhe i gjerë pesë kubitë; altari do të jetë katror dhe do të ketë tre kubitë lartësi.

2

Në katër qoshet e tij do të bësh brinj, që do të formojnë një tërësi me të; dhe do ta veshësh atë me bronz.

3

Do të bësh edhe enët e tij për të mbledhur hirin, lopatëzat e tij, legenët e tij, pirunjtë e tij dhe mangallët e tij; të gjitha veglat e tij do t'i bësh prej bronzi.

4

Do t'i bësh gjithashtu një grilë prej bronzi në formë rrjete dhe mbi rrjetë, në katër qoshet e tij, do të bësh katër unaza prej bronzi;

5

dhe do ta vësh nën kornizën e altarit, në pjesën e poshtme, në mënyrë që rrjeta të ndodhet në gjysmën e lartësisë së altarit.

6

Do të bësh edhe disa shufra për altarin, shufra me drurin e akacies, dhe do t'i veshësh me bronz.

7

Shufrat do të kalojnë nëpër unazat; dhe shufrat do të jenë në të dy anët e altarit, kur ky do të duhet të bartet.

8

Do ta bësh me dërrasa dhe bosh nga brenda; duhet ta bësh ashtu siç t'u tregua në mal.

9

Do të bësh edhe oborrin e tabernakullit; nga ana e jugut, oborri do të ketë perde prej liri të hollë të përdredhur, me një gjatësi prej njëqind kubitësh nga një anë,

10

dhe njëzet shtylla me njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllës dhe shtizat e tyre do të jenë prej argjendi.

11

Kështu edhe në gjatësinë nga ana e veriut, do të ketë perde me një gjatësi prej njëqind kubitësh, me njëzet shtylla dhe njëzet bazat e tyre prej bronzi; grremçat e shtyllave do të jenë prej argjendi.

12

Dhe për gjerësinë e oborrit nga ana e perëndimit, do të ketë pesëdhjetë kubitë perdesh me dhjetë shtyllat dhe dhjetë bazat e tyre.

13

Nga ana lindore gjerësia e oborrit do të jetë gjithashtu pesëdhjetë kubitë.

14

Nga një anë e portës së hyrjes do të ketë pesëmbëdhjetë kubitë perde, me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre;

15

dhe nga ana tjetër do të ketë gjithashtu pesëmbëdhjetë kubitë perde me tri shtyllat dhe tri bazat e tyre.

16

Për portën e hyrjes në oborr do të ketë një perde prej njëzet kubitësh, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe prej liri të hollë të përdredhur, punë e një qëndistari, me katër shtyllat dhe katër bazat e tyre.

17

Tërë shtyllat rreth oborrit do të bashkohen me shtiza argjendi; grremçat e tyre do të jenë prej argjendi dhe bazat e tyre prej bronzi.

18

Gjatësia e oborrit do të jetë njëqind kubitë, gjerësia pesëdhjetë kubitë dhe lartësia pesë kubitë, me perde prej liri të hollë të përdredhur dhe me bazat prej bronzi.

19

Të gjitha veglat e caktuara për shërbimin e tabernakullit, tërë kunjat e tij dhe tërë kunjat e oborrit do të jenë prej bronzi.

20

Do të urdhërosh bijtë e Izraelit që të sjellin vaj ulliri safi prej ullinjsh të shtypur, për dritën e shandanit për t'i mbajtur vazhdimisht të ndezura llambat.

21

Në çadrën e mbledhjes, jashtë velit që ndodhet përpara dëshmisë, Aaroni dhe bijtë e tij do t'i mbajnë llambat të ndezura, në mënyrë që të digjen nga mbrëmja deri në mëngjes para Zotit. Kjo do të jetë një rregull e përhershme midis bijve të Izraelit për të gjithë brezat e ardhshëm".

Albanian Bible 1884
Public Domain 1884