Bibla në një vit
Gusht 15


Esteri 3:1-15
1. Mbas këtyre ngjarjeve, mbreti Asuero e gradoi Hamanin, birin e Hamedathas, Agagitit, e ngriti në rang dhe e vuri karrigen e tij mbi atë të të gjithë princave që ishin me të.
2. Tërë shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta e mbretit përkuleshin dhe binin përmbys para Hamanit, sepse kështu kishte urdhëruar mbreti për të. Por Mardokeu as përkulej, as binte përmbys.
3. Atëherë shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta e tij i thanë Mardokeut: "Pse e shkel urdhrin e mbretit?".
4. Por, me gjithë se ia përsërsnin çdo ditë këtë urdhër, ai nuk i dëgjonte; prandaj ata ia njoftuan këtë gjë Hamanit, për të parë në se Mardokeu do të ngulte këmbë në qëndrimin e tij. Ai në fakt u kishte thënë atyre së ishte jude.
5. Kur Hamani pa që Mardokeu nuk përkulej as binte përmbys para tij, u zemërua shumë;
6. por nuk denjoi të shtrijë dorën e tij vetëm kundër Mardokeut, sepse e kishin njoftuar cilit popull i përkiste Mardokeu; kështu Hamani vendosi të shkatërrojë tërë Judejtë, popullin e Mardokeut, që gjendeshin në tërë mbretërinë e Asueros.
7. Në muajin e parë, që është muaji i Nisanit, në vitin e dymbëdhjetë të mbretit Asuero, në prani të Hamanit, u hodh Puri (domethënë u hodh shorti), për të vendosur ditën dhe muajin; dhe shorti ra mbi
8. Atëherë Hamani i tha mbretit Asuero: "Ka një popull të shpërndarë dhe të veçuar nga popujt e të gjitha krahinave të mbretërisë sate, ligjet e të cilit ndryshojnë nga ato të cilitdo populli tjetër dhe që nuk respekton ligjet e mbretit; prandaj mbreti nuk ka asnjë përfitim t'i lërë të gjallë.
9. Në rast se kjo i pëlqen mbretit, të përpilohet një dekret për shkatërimin e tyre; dhe unë do të paguaj dhjetë mijë talenta argjendi në duart e atyre që kryejnë punën, me qëllim që të derdhen në thesaret e mbretit".
10. Atëherë mbreti hoqi nga dora unazën me vulën dhe ia dha Hamanit, Agagitit, birit të Hamedathas dhe armikut të Judejve.
11. Pastaj mbreti i tha Hamanit: "Paratë t'u dhanë, po kështu të jepet populli; bëj me të çfarë të duash".
12. Ditën e trembëdhjetë të muajit të parë u thirrën sekretarët e mbretit dhe u redaktua një dekret, në bazë të të gjitha gjërave që kishte urdhëruar Hamani, për t'ua dërguar satrapëve të mbretit, qeveritarëve të çdo krahine dhe krerëve të çdo populli, çdo krahine sipas shkrimit të saj dhe çdo populli sipas gjuhës së tij. Dekreti u redaktua në emër të mbretit Asuero dhe u vulos me vulën e mbretit.
13. Këto dokumente u dërguan me anë korierësh në të gjitha krahinat e mbretit, me qëllim që të shkatërroheshin, të vriteshin dhe të shfaroseshin tërë Judejtë, të rinj dhe pleq, fëmijë dhe gra, në një ditë të vetme, më trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji i Adarit, dhe të plaçkiteshin pasuritë e tyre.
14. Një kopje e dekretit duhet të nxirrej si ligj në çdo krahinë dhe të shpallej për të gjithë popujt, me qëllim që të ishin gati për atë ditë.
15. Korierët u nisën me të shpejtë sipas urdhrit të mbretit, dhe dekreti u shpall në qytetin e Suzës. Mbreti dhe Hamani ishin ulur dhe pinin, por qyteti i Suzës ishte tmerruar.

Esteri 4:1-17
1. Kur Mardokeu mësoi të gjitha ato që kishin ndodhur, grisi rrobat e tij, u mbulua me një thes dhe me hi dhe doli nëpër qytet, duke lëshuar britma të forta dhe plot hidhërim;
2. dhe arriti deri te porta e mbretit, sepse nuk lejohej që asnjeri i mbuluar me thes të hynte te porta e mbretit.
3. Në çdo krahinë, ku arritën urdhëri i mbretit dhe dekreti i tij, pati një keqardhje të madhe për Judejtë, me agjerime, me të qara dhe vajtime; dhe shumë njerëz u mbuluan me një thes dhe me hi.
4. Vajzat e Esterit dhe eunukët e saj erdhën t'ia njoftojnë ngjarjen, dhe mbretëresha u angështua shumë; pastaj i dërgoi rroba Mardokeut, që t'i vishte dhe të hiqte nga trupi i tij thesin, por ai nuk i pranoi.
5. Atëherë Esteri thirri Hathakun, njerin nga eunukët e mbretit të caktuar prej tij t'i shërbenin asaj dhe e urdhëroi të shkonte te Mardokeu për të mësuar se çfarë gjë e brengoste dhe për ç'arësye.
6. Kështu Hathaku shkoi te Mardokeu në sheshin e qytetit, që ndodhej përballë portës së mbretit.
7. Mardokeu i tregoi tërë ato që i kishin ndodhur dhe përmëndi gjithashtu shumën e parave që Hamani kishte premtuar të derdhte në thesarin mbretëror për të siguruar shkatërrimin e Judejve;
8. i dha gjithashtu një kopje të tekstit të dekretit që ishte shpallur në Suzë për shfarosjen e tyre, me qëllim që t'ia tregonte Esterit, t'ia shpjegonte asaj dhe ta urdhëronte të shkonte te mbreti për ta lutur me të madhe dhe për të ndërhyrë pranë tij në favor të popullit të tij.
9. Kështu Hathaku u kthye tek Esteri dhe i njoftoi fjalët e Mardokeut.
10. Atëherë Esteri i foli Hathakut dhe e urdhëroi të shkonte e t'i thoshte Mardokeut:
11. "Tërë shërbëtorët e mbretit dhe populli i krahinave të tij e dinë që cilido burrë ose grua që hyn në oborrin e brendshëm për të shkuar te mbreti, pa qenë i thirrur, duhet të dënohet me vdekje, në bazë të një ligji të veçantë, veç po të jetë se mbreti shtrin ndaj tij skeptrin e tij prej ari; vetëm kështu ai do të shpëtojë jetën e tij. Dhe kaluan tanimë tridhjetë ditë që nuk jam thirrur për të shkuar te mbreti".
12. Kështu ia njoftuan Mardokeut fjalët e Esterit,
13. dhe Mardokeu iu përgjigj Esterit: "Mos mendo se do të shpëtosh vetëm ti nga gjithë Judejtë, sepse ndodhesh në pallatin e mbretit.
14. Sepse po të jetë se ti hesht në këtë moment, ndihma dhe çlirimi do të vijnë për Judejtë nga një anë tjetër; por ti dhe shtëpia e atit tënd do të shuheni. Përveç kësaj, kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore?".
15. Atëherë Esteri urdhëroi t'i përgjigjeshin Mardokeut kështu:
16. "Shko, mblidh tërë Judejtë që ndodhen në Suzë, dhe agjeroni për mua; rrini pa ngrënë dhe pa pirë tri ditë, natë e ditë. Edhe unë me vajzat e mia do të agjerojmë në të njëjtën mënyrë; pastaj do të hyj te mbreti; megjithëse një gjë e tillë është kundër ligjit; dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes".
17. Mardokeu iku dhe bëri të gjitha gjërat që Esteri kishte urdhëruar.

Psalmet 89:46-52
46. Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt?
47. Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve?
48. Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela)
49. Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde?
50. Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve,
51. me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd.
52. I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen!

Fjalët e Urta 22:7-8
7. I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit.
8. Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjesohet.

Romakëve 3:1-31
1. Cila është, pra, përparësia e Judeut, ose cila është dobia e rrethprerjes?
2. E madhe në çdo mënyrë; para së gjithash sepse orakujt e Perëndisë iu besuan atyre.
3. Ç'të thuash atëherë? Në qoftë se disa nuk besuan, mosbesimi i tyre do ta anulojë, vallë, besnikërinë e Perëndisë?
4. Kurrë mos qoftë; përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: ''Që ti të shfajësohesh në fjalët e tua dhe të ngadhënjesh kur të gjykohesh''.
5. Po në qoftë se padrejtësia jonë e vë në pah drejtësinë e Perëndisë, ç'do të themi? Perëndia qënka i padrejtë kur shfren zemërimin e tij? (Unë flas si njeri).
6. Kurrë mos qoftë! Sepse atëherë, si do ta gjykonte Zoti botën?
7. Prandaj në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime e vërteta e Perëndisë e lartëson lavdinë e tij, përse unë gjykohem akoma si mëkatar?
8. E përse të mos themi si disa që, duke shpifur, pohojnë se ne themi: ''Të bëjmë të keqen që të vijë e mira''? Dënimi i këtyre është i drejtë.
9. E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në fakt që më përpara se si Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë nën mëkat,
10. siç është shkruar: ''Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.
11. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë.
12. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një.
13. Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre;
14. goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi;
15. këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak;
16. në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë,
17. dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes;
18. nuk ka druajtja e Perëndisë para syve të tyre''.
19. Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t'i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë,
20. sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit.
21. Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët,
22. madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim;
23. sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë,
24. por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus.
25. Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë,
26. për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.
27. Ku është, pra, mburrja? Éshtë përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit.
28. Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.
29. A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i Judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve.
30. Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të shfajësojë të rrethprerin nëpërmjet besimit, dhe të parrethprerin me anë të besimit.
31. Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin.